1.
Pushteti është punë e madhe dhe e përgjegjshme. Pa marrë parasysh në ç’vend e ushtron: në provincë, në kasaba apo në oborr. Kush ka pushtet, ai duhet (është i thirrur) ta ushtrojë atë. Të marrë vendime. Për këtë fiton mandat nga populli. Herë me votë të lirë, herë me votë shumë të lirë (kjo vota shumë e lirë zakonisht është e blerë). Ka të tillë që kanë pushtet dhe s’dinë ç’të bëjnë me të. Ka të tillë që kanë pushtet dhe e dinë shumë mirë ç’të bëjnë me të: e keqpërdorin! (Ata që presin se këtu tani do të shfaqet një tufë kusarësh, toreadorësh, matadorësh dhe torerosh ballkanikë, mund ta ndërpresin leximin).
2.
Friedrich Schiller, shkrimtar gjerman, u bazua në disa gojëdhëna skandinave dhe në një legjendë zvicerane kur e shkroi dramën Wilhelm Tell. Kjo dramë i kushtohet heroit kombëtar të Zvicrës, Wilhelm Tell. (Një digresion: te heroi kombëtar shqiptar, përveç Gjergj Kastriotit Skënderbeu, të rëndësishme janë shpata, përkrenarja dhe kali. Së paku).
Te heroi zviceran, përveç heroit kryesor (Tellit!), rol të rëndësishëm luan një kapele. Kapelja i përket sundimtarit, i cili quhet Hermann Gessler. Gessleri ishte në shërbim të Habsburgëve, një familje zvicerane, e cila pasi u grind me dajallarë e kushërinj helvetikë iku në Austri dhe nga atje ndërtoi një perandori të madhe. Krahas çokollatave, Habsburgët janë eksporti më i rëndësishëm i Zvicrës në botë.
Një ditë Gessleri u ndal në fshatin Altdorf të Zvicrës qendrore, nguli një hu gardhi dhe mbi të vendosi kapelen e tij. Kërkesa e tij ishte e qartë: kush kalon atypari, duhet ta përshëndesë kapelen. Sepse kapelja simbolizon pushtetin. Pushteti është Gessleri – madje edhe kur nuk është pranë kapelës.
3.
Një ditë tjetër rebeli zviceran Wilhelm Tell kaloi nëpër mejdanin e Altdorfit, por nuk e përshëndeti fare kapelën, nuk i tha asaj “Grüezi” (ata që e kuptojnë dialektin e Zvicrës gjermane, e kuptojnë edhe këtë fjali; për ata që s’e kuptojnë: ky është versioni zviceran i fjalës kosovare “tung”, e cila tani është rehatuar edhe në Fjalorin e ri të Gjuhës Shqipe).
Pasi refuzoi ta përshëndeste kapelen e sundimtarit, Wilhelm Telli u arrestua dhe ditën tjetër u detyrua të qëllojë me shigjetë një mollë mbi kokën e djalit të tij. Me vete Telli kishte marrë edhe një shigjetë të dytë, të cilën e mbante të fshehur nën rrobat e tij. Kur Gessleri e pyeti se përse e kishte bërë këtë, Telli tha: shigjeta e dytë ishte paraparë për ta vrarë guvernatorin habsburgas, vetë Gesslerin, në rast se goditja e mollës do të dështonte.
Si çdo sundimtar brutal, edhe Gessleri u hakmor. Urdhëroi arrestimin e Tellit dhe kërkoi që ta dërgonin me varkë në fshatin Küssnacht për ta burgosur përjetë. Gjatë lundrimit, varkën e përlau një stuhi e fuqishme. Varkëtarët nuk dinin nga t’ia mbanin, s’e njihnin terrenin, s’dinin si të përballeshin me valët. Ia zgjidhën duart Tellit dhe i thanë të marrë drejtimin e varkës. Kur arriti bregun, ai kërceu mbi një shkëmb dhe me tërë forcën që kishte e shtyu varkën mbrapsht në valët e liqenit.
4.
Për ata që mendojnë se këtu mbaron ky rrëfim: edhe pak durim. Pas kërcimit nga varka, Wilhelm Telli ia zuri pritën Gesslerit namkeq në një sokak të katundit Küssnacht. Aty e qëlloi tiranin me shigjetë mu në zemër.
Morali i këtij rrëfimi: keqpërdorimi i pushtetit – qoftë edhe me një kapele – mund të ketë pasoja. Fatale!
5.
A ka ekzistuar Wilhelm Telli? Nuk ka dëshmi për këtë. Por zviceranët nuk e kanë problem këtë. Me rëndësi është se legjenda e Tellit e bart mesazhin e kryengritjes kundër tiranisë.
Në Altdorf, aty ku Telli (mbase fiktiv) nuk e përshëndeti kapelën e sundimtarit, sot qëndron një përmendore e heroit kombëtar të Zvicrës. Është zbuluar më 1895.
“Altdorfi është një qytezë e bukur, rrugët dhe rrugicat kryesore të së cilës japin një përshtypje mesjetare, ndonëse shtëpitë – siç shënohet rishtazi në çdo ndërtesë të vjetër – u dogjën të gjitha në vitin 1799. (Thuhet se zjarrfikësi, Albani, e shkaktoi vetë zjarrin pasi stuhia e erës ia nxori prushin nga llulla)”, shkruante shkrimtari zviceran Urs Widmer para disa viteve në gazetën Neue Zürcher Zeitung.
Një lustrim fantastik: prushi që del nga llulla e zjarrfikësit dhe shkakton zjarr. Ka qenë apo jo kështu? E parëndësishme. Edhe nëse është shpikje, është e bukur.
Vlen edhe për Tellin: ndonëse nuk ka dëshmi që ka ekzistuar, fama e tij ia futi frikën edhe Adolf Hitlerit. Më 3 qershor 1941 shtabi i përgjithshëm i Hilterit urdhëroi: “Fyreri (lideri nazist, v.j.) dëshiron që drama e Schillerit, Wilhelm Tell, të mos shfaqet më dhe të mos trajtohet më nëpër shkolla”. Diktatori nazist frikësohej se akti i Tellit mund të frymëzonte ndonjë gjerman për atentat ndaj tij.
6.
Për dallim nga Telli me gjasë inekzistent, Perandoria e Habsburgëve ka ekzistuar. Mes viteve 1683-1699, ushtria e Habsburgëve depërtoi deri në Kosovë. Nuk arriti të qëndrojë gjatë, u mposht nga osmanët, të cilët do të sundonin edhe mbi 200 vjet në viset shqiptare. Afërsisht në atë kohë në koleksionet e Habsburgëve në kështjellën Ambras të Tirolit gjendeshin edhe disa portrete të Skënderbeut. Familja e Habsburgëve nga fundi i shekullit të 16-të bleu gjithashtu shpatën dhe përkrenaren e Skënderbeut, të cilat besohej se i kishin takuar heroit. Mund të thuhet kështu: pasardhësit e një familjeje zvicerane e ruajtën shpatën dhe përkrenaren e Skënderbeut. Shigjetën e Wilhelm Tellit s’mund ta ruanin. Ajo e vrau tiranin habsburgas.
Zvicera dhe shume shtete te tjera kane sajuar heronjte e tyre per ti dhene krenari vendeve te tyre , tek ne ndodh ajo qe nuk duhet.Heronjte qe kane luftuar per Shqiperine fillojme e nxierrim gjera te pa ndodhura.Duhet te mesojme me shume nga bota ne respekt te atyre qe kane ndertuar historine tone.
Shkrim shume i bukur dhe me vlere. flm. Nuk jam i qarte nga shkrimi, se ku gjendet drejtesia ne raport me vetegjyqesine dhe me faktin se çfar donin te thoni Zvicerianet me te vertete? Se per çdo rregull qe vendoset nga "pushteti", sejcili ka mendimin e vet, dhe ne qofte se sejcili vepron po ashtu me koke te vet... nuk kemi me shtet e keshtu edhe as siguri e marredhenie shoqerore.... se ato rregullohen me ligj e rregulla. Spartak Ngjela citonte njehere nje qendrim te mendjeve te zgjuara Perendimore qe thonin, se per nje vend dhe njerezit e tij, kur nuk ka zgjidhje tjeter, eshte me mire nje diktature, se sa anarki. Sa i perket ligjit, zvicerianet jane kampion ne zbatimin e tij...