PD duhet të kapërcejë ylberin për t’ia dalë Edi Ramës dhe PS-së

9 Janar 2023, 17:21Blog TEMA

PD duhet të kapërcejë ylberin për t’ia dalë Edi

Nga Artan Xh. Duka

Kush më shumë e kush më pak, të gjitha qeveritë e pas 90-s kanë “gishtin” e tyre në dramën e tranzicionit shqiptar e “litarët” e panumërt të tij.

U nis dhe u bitis keq, jo njëherë por dy herë nga qeverisjet “zjarri” të PD por ndërkohë edhe qeverisjet “zjarrfikësi” të PS zhgënjyen jo pak. Si me mefshtësinë për të vënë gjërat në vënd, si kur u bë pak dhe vonë, si kur thelluan padrejtësitë duke i ligjëruar ato (tapitë në kurriz të pronarit historik, diferencimet në shoqëri etj) etj.

E megjithatë, nëse duhet veçuar një qeveri që përtej problemeve të mësipërme me të shkuarën, mund t’i thuhet sadopak “punë mbarë” është kjo e sotmja. Jo se po bën çudira por thjesht se po ndjek ritmin e kohës ndërkohë që standarti i qeverisjeve të mëparshme ishte ku e ku më poshtë.

E thënë kjo, sërisht qytetari meriton më shumë. Votuesin nuk duhet të mirret i mirëqënë duke provokuar deri arrogancë, dorë të lirë dhe kuturisje përtej manifestit zgjedhor.

Për demokracinë dhe shoqërinë është jetik ndërrimi në pushtet. Si për të mirën e përgjithshme ashtu edhe për të nxitur vetë ndërrimin brënda partisë. E ardhmja demokratike nuk ka nevojë për shëmbuj të udhëheqësve “Papë” që marrin “besën” e ndjekësve e shkurajojnë me dekada të renë derisa kur hapin krahun, lënë pas parti fantazma dhe pasardhës që pavarësisht meritave personale, me apo pa vënd shihen si “hija” e zgjatur e tyre në to.

Por, ndonse PS është në mandatin e tretë rrjesht, sërisht ndërrimi politik duket ende mision i pamundur. Jo vetëm për meritë të qeverisë Rama që ende nuk po dehet nga arritjet por mban ritmin e “vrapon” garën pa rival, ashtu edhe zallamahisë brënda tendës opozitare.

Që t’ia dilet Ramës, duhet krijuar pritshmëria në publik se vëndi mund dhe duhet të qeveriset më mirë dhe se qeveria “hije” dhe drejtuesi i saj i kanë këllqet e integritetin për këtë gjë.
Përtej platformave elektorale partiake që kanë mjaft të përbashkëta si prej problematikave të ditës e zgjidhjeve standart për to, synimit të njëjtë drejt BE apo ndikimit të të tretëve (SHBA, FMN etj), dallimi mbetet ekipi dhe drejtuesi i tij (integriteti, stili e krijimtaria në komunikim etj) dhe reflektimi korrekt ndaj së shkuarës.

Një opozitë që bazohet tek fryma apo takëmi i shkuar është e humbur pa u futur në garë. Kundërshtarët përballë sot në PD, sërisht kanë të përbashkët të shkuarën problematike dhe mungesa e reflektimit real, i bën njësoj më pak të pabesueshëm e më pak të pavotueshëm.

Distancimi nga një politikan non-grata i grupit pro “perëndimor” në PD duhet të jetë distancim edhe nga problematika e qeverisjeve të PD si trashëgimi e tij. Besimi i zgjedhësve fitohet nëse reflektohet ndaj strategjive e praktikave të së shkuarës 30 vjeçare, ka rikthim tek deviza “T’a bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” dhe dalin protagonistë të rinj të papërlyer e të papërfolur me tranzicionin famëkeq.

Sa kohë kjo nuk ndodh dhe ndërkohë nuk del as dhe një parti e re për këtë mision, aq kohë vëndi privohet nga ndërrimi politik dhe e ardhmja mbetet gjatë monopol i vullnet të mirë të Edi Ramës.

– Çelësi i suksesit që bart e shkuara

Për të rivalizuar PS, PD (apo një parti e re), duhet të pozicionohet në qëndër të spektrit zgjedhor. Vetë PS, përtej “etiketës” së majtë, nuk është më parti mirëfilltazi e tillë por një parti gjithëpërfshirëse në elektorat (nga respekti e vëmëndja ndaj luftës, shtresave në nevojë, shërbimet publike etj tek privatizimet, mbështetja tek biznesi i madh, rehabilitimi i figurave nacionaliste të së shkuarës e plot reforma të djathta që kaluan me më pak reagim sepse u ndërmorrën nga një qeveri e “majtë”).

Apeli opozitar duhet të jetë po i tillë, duke vlerësuar të gjitha vlerat e aspiratat pa dallim në shoqëri.
PD apo një parti e re, duhet të heqë dorë nga vështrimi bardhë e zi i së shkuarës, revanshizmi absurd dhe këndvështrimi i tejkaluar historik rreth së djathtës.

Qëndrimi realist ndaj LANÇ, protagonistëve të saj, nderimi i dëshmorëve, respektimi i 29 nëntorit etj janë një hap më tej në zgjimin e interesit tek shumica.
LANÇ vazhdimisht përcakton fituesin në politikë. Me të u lidh shumica e popullit dhe fitimtarët e djeshëm dhe brezat më pas, mirëpresin gjithmonë politikën që nderon vlerat e saj dhe kjo shumicë shfaqet edhe pas kaq dekadave në kutitë e votimit. Nderimi i luftës dhe respekti ndaj figurave nacionaliste të denigruara padrejtësisht nuk përjashtojnë njëra-tjetrën por thjesht dëshmojnë një kut të vetëm në vlerësimin e kontributit patriotik.

Me qëllim rritjen e interesit në elektorat, PD duhet të rishikojë edhe qëndrimin ndaj punës dhe mundit të brezave të tërë në monizëm duke vlerësuar punën e ndershme njësoj, qoftë ky ish-disident, qytetar i thjeshtë apo ish-komunist korrekt. Anatemimi ideologjik që përgojon e fut gjithshka në “thes” fyen shumicën e atyre që përpara se të besonin në ideologji, besonin në atdhedashuri dhe kontribuan e punuan sa mundën për të.

Parti e qëndrës për të gjithë

PD duhet të jetë streha e të gjithëve duke ofruar apelin e kohezionit social si dikur me parullën “Të gjithë bashkëfajtorë, të gjithë bashkëvuajtës”. Ndjeshmëria qytetare për vlerat e së shkuarës nuk ka pse të “peshkohet” vetëm nga PS dhe identiteti PD nuk pështjellohet nga ky rishikim i historisë (aq sa nuk u pështjellua edhe identiteti i PS kur në krye erdhi Rama, dikur zë në PD dhe që ka optikën e tij në qëndrimin ndaj së shkuarës).

Realizmi ndaj së shkuarës dhe apeli i kohezionit i heq “eskluzivitetin” PS rreth saj dhe fillon e zgjon realisht interes e besim tek PD nga shumica në këtë vend që përtej mirëqënies, vlerëson po aq edhe respektin ndaj asaj që ajo nderon.

Manifestet zgjedhore ndoshta mund të mos ndryshojnë shumë (shteti i madh apo i vogël, taksa të larta apo të ulta etj, i dikton shpesh koha). Dhe sa kohë e kaluara rivlerësohet si duhet, i vetmi dallim mbetet përkushtimi, transparenca, zbatimi ligjit në qeverisje dhe talenti e krijimtaria në prezantim e zbatim. Qoftë PD apo një parti e re e këtillë, me një ekip me integritet, me një qëndrim realist ndaj së shkuarës dhe projekte e ritme ambicioze për të ardhmen do të ishte një parti e të gjithëve dhe do të votohej nga shumica në këtë vënd.

Optika ideologjike e mirëfilltë ndaj së shkuarës të lë gjatë në opozitë. Partitë evoluojnë dhe partitë e kohës në perëndim janë gjithëpërfshirëse të qëndrës, sikurse është vetë shoqëria dhe pritshmëritë e saj. E majta dhe e djathta nuk janë vlera statike por që evoluojnë mes brezave, tek vetë individi gjatë jetës së tij dhe në vetvete formojnë të tërën që politika e ka për detyrë t’a dëgjojë e t’i shërbejë.

PD duhet të kapërcejë “ylberin” për t’ia dalë Edi Ramës dhe PS. PS e ka bërë natyrë të dytë atë nga Kongresi i Parë, rrokadat qeveritare apo 2005 me zgjedhjen e Edi Ramës. PD ka mbetur në “rrethrrotullim” e nëse e zgjat, ka të ngjarë që një lëvizje post-Rama brënda PS, t’a lërë sërisht PD në opozitë.

3 Komente

  1. T
    Tropoja

    Ylberin e ka kaluar edushka me kohe ju komunistet e ps-se e keni profesion kalimin e yoberit.Se di pse merreni me pd kur sipas jush eshte shume larg pushtetit.Pse nuk shkruani per vjedhjet qe ben qeveria krimin e hajnin e zyrtrareve ne ps na dalin per dite ne media skandalet e tyre.Beni nje sherbim popullit denonconi vjedhjen e mos e perkrahni ate duke sulmuar opoziten kot pa arsye.

    Përgjigjjuni
    1. F
      Fatmiri

      Një shkrim brilant,e keni nxjerë para ca diësh,e kam lexuar dy herë sot prap e lexova. Kush do të mësojë,nga këta të djathtët duhet ta mbajnë me vete

      Përgjigjjuni
      1. e
        epo kjo pune

        per ironi Ramen e mbajne fanatiket e PD e llumi abuzimit tek kjo parti qe akoma bredhin pas non grates, duhet rotacion e jo vegjetacion, ndaj duhet pastruar PD te pastrohet vendi me pas dhe Alibeaj e co. jane po ajo PD e mykur, duhen te rinj ose parti tjeter ose PS pa Ramen

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje