Për çfarë flasim kur flasim për pabarazinë?

11 Gusht 2025, 15:46Blog Bjorn Runa

Për çfarë flasim kur flasim për pabarazinë?

Pas publikimit të episodit të fundit të Apostrof Podcast, ku në thelb të diskutimit ishte pabarazia dhe se si ajo e varfëron shoqërinë (materialisht dhe intelektualisht), e bashkë me të edhe ne si individë, kam marrë disa reagime, të cilat vërtiten rreth faktit se pabarazia është diçka e natyrshme. “Si mund të jemi të barabartë, nëse ti punon më shumë se unë?”; “Si mund të jemi të barabartë, nëse ti je më i talentuar?”

Së pari, është argëtuese të shohësh se sa shumë njerëz janë të gatshëm ta pozicionojnë veten e tyre sa më keq në debat, vetëm e vetëm për të mbrojtur pabarazinë, sikur kjo e fundit të jetë një tabelë ku ruhen pikë morale dhe jo një strukturë ekonomike.  

Por, ironia e vërtetë qëndron tek fakti se një pjesë  e madhe e tyre janë e njëjta tipologji njerëzish, që e mendojnë veten si më punëtorët, më të talentuarit dhe më të diturit e kësaj bote, të cilët, nëse sistemi do të kishte në thelb një meritokraci të sinqertë, tanimë (gjithnjë sipas tyre) do të gjendeshin në majën e tij. Madje, dikush komentonte: “si mund të jemi të barabartë, nëse ti punon në dy punë, kurse unë luaj bixhoz?” Ky është pak a shumë niveli i debatit, ku shumica e njerëzve duken të etur për t’u mbërthyer pas iluzionit të “meritës”, sa që e kanë të pamundur të shohin se rregullat janë manipuluar prej kohësh për të mbajtur shumicën e njerëzve në vend, pavarësisht përpjekjeve dhe punës së tyre.

Askush nuk propozon që çdo aftësi apo nivel eksperience duhet shpërblyer njësoj ekonomikisht, pra që çdo profesion të ketë të njëjtën pagë. Ideja e një shoqërie më të barabartë nuk ka të bëjë me fshirjen e dallimeve, por me transformimin e një rendi ekonomik, ku këto dallime shumëfishohen në sajë të rregullave, të cilat mundësojnë që pasuria të akumulohet gjithmonë në majë, në duart e sa më pak njerëzve.

Pikërisht këtu qëndron edhe e vërteta më e bezdisshme, të cilën shumëkush nuk do që ta pranojnë: pabarazia nuk është një rastësi dhe as defekt i sistemit kapitalist, por forca që e mban atë në lëvizje. Është ajo që nxit krizën e strehimit, ku një numër gjithnjë e më i madh të rinjsh, e shohin të pamundur të kenë një shtëpi të tyren në të ardhmen, pavarësisht numrit të punëve që mund të detyrohen të bëjnë.

Ajo pjesë e vogël e shoqërisë që zotëron shumicën e të ardhurave kombëtare, ku mendoni se do t’i shpenzojë ato? Nuk është se ka edhe aq shumë mallra dhe shërbime ekstra që një miliarder apo një milioner mund të blejë, sado i apasionuar të jetë pas makinave, jahteve, apo orëve të shtrenjta. I vetmi destinacion i sigurt dhe me fitim, mbeten shtëpitë. Kjo e rrit çmimin e tyre, jo sepse njerëzit e thjeshtë papritur po konkurrojnë me njëri-tjetrin për të njëjtin numër shtëpish, por sepse tanimë po konkurrojnë me njerëz (apo edhe më shpesh me kompani), që mund të blejnë lehtësisht një bllok të tërë apartamentesh, në të cilat nuk do të jetojnë kurrë. Kjo, dhe privatizimi i gjithçkaje të mbetur publike, nga rrugët, minierat, hekurudhat, e deri tek arsimi apo shëndetësia. 

E di që shumë njerëz do të thonë se Shqipëria bën përjashtim, se jemi vend i korruptuar dhe se tregu i pronave shërben si mënyrë për të pastruar paratë. Deri diku kanë të drejtë. Por, mjafton të hedhësh një sy rreth e rrotull në çdo shtet tjetër, për të parë se e njëjta situatë përsëritet edhe në vende ku korrupsioni konsiderohet i ulët. Ndaj, ka ardhur ndoshta momenti për ta shkundur iluzionin e Shqipërisë si anomali dhe se duke punuar, do t’ia dalim mbanë të bëhemi si Europa, apo si bota. Në fakt, problem është pikërisht destinacioni ku kërkojmë të mbërrijmë me ngulm, dhe jo gjendja tranzitore për të arritur aty.

Kur flitet për pabarazinë, reagimet e shumicës së njerëzve burojnë nga instinkti dhe emocionet, jo nga ndonjë kuptim (qoftë edhe bazik) i mënyrës se si pasuria krijohet, shpërndahet dhe mbrohet. Është një  padije, e cila përbën normën dhe arsyen se përse të ashtuquajturat demokraci, në Shqipëri dhe kudo tjetër, e kanë humbur thuajse plotësisht rëndësinë e tyre politike. A mund të pretendosh demokraci, kur shumica e njerëzve votojnë në mënyrë instinktive, pa u përpjekur të kuptojnë se si rregullat ekonomike nën të cilat jetojnë, formësojnë çdo aspekt të jetëve të tyre? Çdo votë e hedhur si përgjigje emocionale apo shenjë besnikërie, e shkëputur plotësisht nga të kuptuarit e kushteve materiale, s’është tjetër veçse një çek i bardhë për cilindo që është më i zoti t’i manipulojë pikërisht ato ndjenja.

Ndaj, kur bisedën rreth pabarazisë e kufizojmë në argumente si “po disa punojnë më shumë se të tjerët,” ajo çfarë jemi duke thënë realisht, është se nuk ka problem nëse jetojmë në një sistem ku të paturit e një shtëpie, aksesi në shëndetësi, arsim, apo edhe ndikim politik, varen nga pasuria që ke dhe jo nga përpjekjet apo aftësitë e tua. Nuk ka problem nëse jetojmë në një shoqëri ku qiratë e shtëpive rriten nëse “e kërkon tregu,” ndërkohë që qiramarrësit detyrohen të gjejnë edhe një punë të dytë, të tretë, e ndonjëherë edhe të katërt për të mbijetuar. Nuk ka problem nëse dikush, i cili është më i pasur, është jo thjesht pronar kompanish, por edhe i politikanëve, ligjeve, dhe gjithë ekonomisë.

Pabarazia nuk është kostoja që duhet të paguajmë për progresin, por një model i vërtetë biznesi, ndonëse për pak njerëz, dhe sa kohë e perceptojmë atë si reflektim të dallimeve mes individëve, do të vazhdojmë të jetojmë në një demokraci që ekziston vetëm në letër,  me poltiika që iu shërbejnë vetëm të pushtetshmëve.

Lini një Përgjigje