Një nga përgjigjet më të shpeshta që dëgjohet t’i jepet pyetjes se përse njerëzit në Shqipëri gjithnjë e më shumë po parapëlqejnë t’i qëndrojnë larg përfshirjes në politikë, edhe kur është fjala për çështje që prekin drejtpërdrejt shoqërinë, është fakti se prej kohësh ka humbur interesi ndaj politikës së vërtetë. Kjo përshkruhet zakonisht si krizë e vëmendjes, pasojë e zhgënjimit masiv përgjatë mbi tre dekadave, por faji i hidhet edhe shpërqendrimit dhe kthimit të vëmendjes përherë e më shumë drejt gjërave sipërfaqësore. Politika, na thuhet, është bërë kudo e mërzitshme: politikanë që përsëritin gjithmonë atë që duam të dëgjojmë, apo që e mbështesin artikulimin mbi formula boshe dhe që nuk arrijnë as të frymëzojnë ndokënd, as të nxitin sado pak kureshtje tek njerëzit rreth asaj që kanë për të thënë.
Këto janë të gjitha pjesërisht të vërteta dhe po shpërfaqen kudo në botë sot, ndoshta gjer diku edhe tek ne. Megjithatë, politika në Shqipëri sot vuan akoma më tepër nga e kundërta e mungesës së vëmendjes. Asaj jo vetëm që nuk i mungon vëmendja, por përkundrazi, e gëzon atë në përmasa të jashtëzakonshme.
Kjo ndodh sepse, nga njëra anë politika tek ne është shndërruar në formën më të aksesueshme të argëtimit, dhe nga ana tjetër sepse mbetet edhe forma më e lirë e tij. Politika si spektakël argëtues episodik nuk ka nevojë as për produksione të kushtueshme dhe as për ndërmarrjen e ndonjë risku kreativ. Një kamera e vendosur në hyrje të Prokurorisë së Posaçme për të filmuar momentin kur një politikan hyn e del brenda këtij institucioni mjafton për të gjeneruar spekulim dhe thashetheme që do të mbajnë gjallë gjithë javën debate sipërfaqësore rreth asaj se ç’është thënë brenda atyre mureve dhe se ç’mund të ndodhë në ditët në vazhdim. Një kamera e vendosur në foltoret e opozitës mund të furnizojë materialin e një muaji me fjalime që do t'i shkaktonin zili edhe skenaristit më të talentuar të programeve të humorit. Qeveria është ndonjëherë më e vështirë për t’u parë në këtë prizëm, jo sepse tek ajo mungon materiali argëtues apo komik, por sepse zgjedh t’i shmangë kamerat sa herë mundet dhe, edhe kur flet para tyre, përdor një gjuhë të vagullt e të drunjtë që e bën të mërzitshme ta dëgjosh më shumë se 2–3 minuta. Por sistemi kompenson edhe në rastin e saj duke prodhuar debate parlamentare apo ndërhyrje publike mjaftueshëm banale që të qarkullojnë pa vështirësi online. Në çdo rast, nuk kemi mungesë vëmendjeje nga njerëzit ndaj politikës, por shpesh tepri të saj.
Ky stimulim i vazhdueshëm krijon përshtypjen e një politike aktive, ndërkohë që jeta e përditshme mbetet e paprekur. Nga puna e sigurt tek çmimet e shtëpive që bëhen gjithnjë e më të papërballueshme për shumicën e njerëzve, apo shërbimet publike joefikase, të gjitha mbeten realitete të paafta për të nxitur diskutime politike afatgjata. I shohim të ‘shpërthejnë’ herë pas here, por vetëm për t’u kthyer shpejt në muzikë sfondi, para se të mbulohen pastaj plotësisht nga tema më të lehta për t’u rrëfyer nga media dhe për rrjedhojë, të artikuluara edhe si më emergjente.
Kështu, ajo çfarë shohim të zërë vend në vëmendjen publike është një lloj politike episodike, ku vëmendja orientohet drejt skandaleve dhe thashethemit, në përpjekje për të interpretuar deri në banalitet gjestet dhe qëllimet e këtij apo atij politikani. Për shembull, një vendim i caktuar politik nuk diskutohet se ç’pasoja do të sjellë, por çfarë sinjalizon, duke e shndërruar debatin publik në një ushtrim të përhershëm pritshmërish, ku politika duhet ndjekur, por pa u përqendruar për asnjë çast tek ndikimi i saj direkt në jetët e njerëzve.
E gjithë kjo është e kuptueshme në nivelin e medias online, ku prioritet mbetet shpejtësia. Portalet shqiptare të lajmeve – shumica e tyre – operojnë në gjendje të përhershme urgjence dhe një heshtje pak më e gjatë se zakonisht shihet si dështim. Në këtë mjedis, thashethemi qarkullon lehtësisht sepse nuk ka nevojë të verifikohet. Në fakt, ai lëviz natyrshëm aty si një organizëm i gjallë që mund të zgjerohet, të hidhet poshtë e të vdesë dhe të rishfaqet sërish pa lënë gjurmë. Por problemi thellohet kur e njëjta logjikë sipas së cilës operon media online, dominon edhe debatet politike televizive – hapësira që pretendohet të kenë njëfarë autoriteti, pikërisht sepse supozohet të ulin ritmin dhe të ofrojnë atë perspektivë që ritmi i krisur i lajmeve të ditës nuk e ofron dot.
Megjithatë, ajo çfarë shohim është se shpesh edhe studio televizive riprodhojnë të njëjtin ritëm. Orë të tëra shpenzohen për të rindërtuar motivet e ‘X’ politikani apo institucioni; duke projektuar lëvizje të ardhshme që në të shumtën e rasteve nuk materializohen kurrë, apo duke trajtuar dinamika të brendshme partiake si ngjarje vendimtare. Ndërkaq, çështje konkrete rreth politikave, ndikimit të tyre apo përgjegjësisë reduktohen në teknikalitete të parëndësishme.
Problemi këtu është se, siç po e shohim, kjo lloj mënyre e trajtimit të politikës ndryshon vetë mënyrën se si funksionon përgjegjësia dhe llogaridhënia. Skandalet, sado të shpeshta, ndërhyjnë gjithnjë e më rrallë në jetën politike të vendit. Madje, në shumicën e rasteve politika i përthith lehtësisht ato pa pasoja serioze për të. Hetimet dhe çështjet gjyqësore nuk shërbejnë më për të na përballur me atë që ndodh realisht, por na paraqiten si fabula episodike, interesante për t’u ndjekur në nivel thashethemesh, por që nuk ndryshojnë asgjë konkrete. Figura politike që përballen me hetime apo akuza të rënda, vazhdojnë të qarkullojnë nëpër studio televizive, jo për të sqaruar situatën në të cilën gjenden, por vetëm e vetëm për të mbetur prezentë në vëmendjen e publikut. Ekspozimi jo vetëm që nuk e dobëson situatën e tyre, por përkundrazi i normalizon në sytë tanë.
Në këtë mënyrë, politika nis të funksionojë si një opium i ri për popullin: duke e stimuluar vëmendjen e njerëzve gjatë gjithë kohës dhe duke ulur pritshmëritë ndaj saj, ajo arrin të ‘qetësojë’ vetëdijen e shumicës së njerëzve. Çdo episod – skandaloz, komik a dramatik qoftë – shkakton një shpërthim jetëshkurtër emocionesh, që ia lë menjëherë vendin lodhjes. Ndërsa ndihemi të informuar sepse na është zbuluar skandali i radhës (madje shpesh ndihemi të përfshirë për shkak të irritimit që na shkakton), në të vërtetë po humbasim çdo aftësi reale për të ndikuar.
Çështja atëherë nuk është se politika shqiptare është e mërzitshme sepse i mungojnë dramat. Ato duket qartë që i ka me tepricë. Çështja është nëse politika është në kohë të rikuperojë një sens vazhdimësie në jetën e saj, që i mbijeton ciklit të lajmeve, sepse nëse rëndësia e saj do të vijojë të matet përmes dukjes, atëherë çdo lloj përgjegjësie nga ana e saj do të mbetet e negociueshme.
A mund të dilet prej varësisë nga ky opium i ri? Sikurse për çdo varësi, përgjigjja është po, por vetëm përmes një procesi jo heroik, i cili kërkon vullnet për të refuzuar zhvillimet boshe dhe për të mos i dhënë kuptim çdo episodi të pakuptimtë që na serviret. Politikës do t’i duhej të rikthehej tek detyra e sikletshme e ndërhyrjes në jetën e përditshme, në mënyra që nuk mund të injorohen dhe as të kthehen në muzikë sfondi nga media. Por pikërisht për këtë arsye ndryshimi mbetet i vështirë për t’u përfytyruar.
Nje shprehje te Marksit per fene, ky Runa ia atribuon politikes? Di gje ky Runa qe fjala "politike" rrjedh nga qytet e qytetar? Sipas Runes, qytetari duhet te braktise statusin e qytetarit, sepse qenka "opium" te qyteterohesh? Pse Gazeta TEMA bie ne kete llum?
Po cili eshte opiumi i vjeter, se te riun e morem vesh?