
Ndërsa numri i stinëve sa vjen e reduktohet, stinët televizve në ekranet shqiptare duket se nuk janë prekur ende nga ndonjë fenomen i rëndësishëm. Kështu, çdo shtator, ndërsa pak gjëra ndryshojnë vërtet, televizionet tona rifillojnë ritualin e sezoneve të tyre, me skenografi të rifreskuara, por besnike ndaj të njëjtave programe që trajtojnë po të njëjtat tema. Mes tyre, bien në sy programet e bamirësisë, si ndër të pakëtat të paprekshme.
Vala e dhimbsurisë televizive nuk është unike për Shqipërinë, por tek ne ajo bëhet edhe më domethënëse. Aty ku politika e ka humbur prej kohësh kontaktin me jetët e përditshme të njerëzve, ku zgjedhjet nuk sjellin ndonjë ndryshim për shumicën prej nesh, e ku debati publik në të shumtën e rasteve nuk ka pikë kuptimi, bamirësia në ekran merr rol qëndror, duke u përpjekur të na bindë se shpresa mund të gjendet përmes bujarive individuale dhe jo përmes ndryshimeve sistemike.
Ekziston një meme e vjetër, e publikuar këtu e pesë vite më parë në ‘X’ (atëherë Twitter), që e shpjegon këtë dinamikë ndoshta më qartë se shumë studime sociologjike. Ja çfarë thotë ajo: çdo histori e dhimbsur interesi njerëzor në Amerikë (lexo: Shqipëri), tingëllon pak a shumë kështu: “Filani mblodhi $20.000 për të shpëtuar 200 fëmijë jetimë që të mos shtypeshin nga makineria që shtyp jetimët.” Të gjithë duartrokasin aktin heroik të shpëtimit të fëmijëve jetimë, por askush nuk bën pyetjen e pashmangshme: pse ekziston një makineri e tillë, apo përse duhet të paguash që të mos përdoret?”
Kjo natyrisht nuk ka të bëjë me fëmjët jetimë apo me ndonjë makineri në kuptimin e parë të fjalës, por me mënyrën se si shoqëritë tona normalizojnë mizoritë dhe mjerimin strukturor. Në vend që të pyesim se përse ekzistojnë mes nesh vuajtje në shkallë kaq të madhe, ne duartrokasim ndërprerjet e rastësishme dhe të përkohëshme të procesit. Sa herë që përmes bamirësisë shpëtohet, apo edhe lehtësohet një jetë, ndihemi mirë teksa i shohim në ekran, së pari për faktin që nuk kemi patur fatin e atyre që sapo dolën nga vuajtja dhe pastaj për ngushëllimin që na jep ideja - shpesh e rreme - se “në botë ka edhe njerëz të mirë.” Thënë ndryshe, përmes këtyre bamirësive publike, i rrahim shpatullat vetes, që makineria u ndal për pak çaste, edhe pse në thelb mbetet e paprekur.
Këtë shtator e në vazhdim, televizionet shqiptare do të na ofrojnë sërish të njëjtin skenar. Një ekran i rëndësishëm, ka rinisur programin e vet të bamirësisë në prime time, ndërsa të tjerë më të vegjël do ta riprodhojnë në përmasa më të kufizuara, sipas mundësive. Por, asnjë prej tyre nuk do të ngrejë ndonjë pyetje domethënëse dhe për një kohë të gjatë se psërse sistemi ynë shëndetësor mbetet i nënfinancuar, përse shërbimet sociale nuk kanë thuajse asnjëherë mjaftueshëm burime njerëzore apo para për të bërë si duhet punën e tyre, apo përse varfëria duhet t’i detyrojë kaq shumë familje të vetëposhtërohen para kamerës. Jo, në vend të gjithë këtyre, do të shohim nën dritat e prozhektorëve se si ndihmohet një familje çdo javë, me mbështetje të një korporate, duke shndërruar tragjeditë private në argëtim të përbashkët.
Tani, bamirësia nuk ka asgjë të keqe në thelb. Askush nuk varfërohet duke ndihmuar dhe, nëse bamirësia bëhet në heshtje e pa spektakël, mund të ruajë dinjitetin e atij që ndihmohet. Problemi nis kur bamirësia bëhet argëtim dhe kur vuajtja e tjetrit shërben për të na garantuar një qetësi morale të mjaftueshme për të justifikuar strukturat që prodhojnë pikërisht vuajtjen, të cilën bamirësia synon të lehtësojë.
Rreziku i “kulturës së bamirësisë” nuk qëndron tek bujaria dhe akti i dhënies, por tek fakti që na bind se “të ndihmosh” është e mjaftueshme. Duke na i mbushur ekranet çdo javë me histori vuajtjesh që gjithmonë gjejnë shëlbim, televizioni na mëson se problemet sociale zgjidhen përmes mëshirës dhe duartrokitjeve, jo përmes transformimeve të thella politike.
Rasti që duhet të shtrojmë, pra, nuk është kundër bamirësisë në vetvete, por kundër rehatisë që vjen pas saj. Ajo që ka rëndësi është çfarë bëjmë pas duartrokitjeve. Nëse e kthejmë kokën të qetësuar në anën tjetër, apo fillojmë më në fund të pyesim përse ekziston “makineria që shtyp jetimët.”
Ah Bjorni sa bukur e ke shkruar! Djale me kulture je. Te lumte!