Pse Kosova do vazhdojë te jetë në axhenda?!

19 Mars 2023, 16:40Blog Nga Ben Andoni

Pse Kosova do vazhdojë te jetë në axhenda?!

Ka një arsye të madhe sepse Kosova dhe në të ardhmen do të jetë në axhendat ndërkombëtare dhe kjo lidhet përveçse me pengesat e ngritura të Serbisë, partnerin e bisedimeve, por edhe me konceptin që komunitetet në Ballkan presin vetëm mundësitë, që të krijojnë shqetësime. Në këtë rast, duket se komuniteti serb do të përfitojë nga i gjithë ky proces.

Për fatin e saj, Kushtetuta e Kosovës është ndër më të mirat sa i përket qasjes me kartën e autonomive lokale evropiane dhe parimet e saj i ka të integruara në dokumentin bazë të shtetit. Problem ka qenë implementimi i tyre dhe administratat lokale kosovare, që për hir të së vërtetës lenë shumë për të dëshiruar.

Tashmë s’mbetet më asnjë moment, që Kosova të bëjë përsitaje, por i duhet të masë mirë hapin e deritanishëm dhe Kurti të bëjë Mea Culpa për qëndrimet e shkuara, por aman jo të tashmet, për të cilat dakordësimi është me frymën e dokumenteve dhe detyrimeve që kërkohen nga SHBA-ja, aleati më i madh dhe garantuesi më i madh i pavarësisë së saj.

Ndërkohë Bashkimit Evropian i duhet të vazhdojë atë që ka bërë në javët e fundit, që veç Vuçiq dhe Kurtit të takohet dhe me aktorët respektivë të opozitës dhe t’u shpjegojë realitetet, në mënyrë që Marrëveshja të konsiderohet si detyrim dhe të përshtasë të gjitha pikat. Dhe, mekanizmat janë që në rastin e Serbisë presioni realizohet përmes përfshirjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim.

Brukseli burokratik e di vërtetë se ku dhemb më shumë: Marrëveshja dhe Aneksi janë futur në kapitullin 35 për Serbinë dhe në Agjendën e Grupit Special të Kosovës për Normalizim, që e përforcojnë ligjshmërinë dhe obligimin për zbatim.

Po pse nuk zënë vend si duhet për serbët në Kosovë, modeli i institucioneve të krijuara në vendin bask apo në ishujt Aland, të cilave sipas kushtetutës spanjolle dhe finlandeze u afrohet përgjegjësi për shumë çështje, referuar një specialisti të njohur siç edh është Martin Klatt, drejtor i Grupit për studimin e minoritetit danezo-gjerman në Qendrën Evropiane për Çështjet e Minoriteteve (ECMI), ku çështjet më të mprehta janë ato të planifikimit urban, politikën mjedisore, mirëqenien sociale dhe çështjet kulturore. Arsyeja është e thjeshtë: liderët serbë lokalë kanë treguar se mund ta shfrytëzojnë çdo gjë, thjesht të jetë kundër integritetit territoral të Kosovës.


Duket se në Ballkanin Perëndimor autonomitë zakonisht kanë nocionin e përgatitjes së shteteve që presin momentin për t’u shpallur si të pavarura dhe që Moska po i shfrytëzon për qëllimet e saj. Në këtë rast, Kosova dhe Serbia po vazhdojnë atë që nisi më 2013 dhe ku të dyja do t’u duhet të plotësojnë “harxhet” e të kaluarës së afërt, e cila vonon por nuk harron dhe për këtë edhe pse nuk përmendet fjala “sanksione“ në Marsin e Ohrit-2023, ato janë përfshirë hidhur në këshillën se mos-implementimi nga ana e palëve do të ketë pasoja për procesin e integrimeve të tyre në BE, por edhe për asistencën financiare të BE-së.

Njohësit e të drejtës Ndërkombëtare mëtojnë se firma është formalitet, kurse dakordësia është autenciteti verbal i kësaj marrëveshje, që po përshëndetet nga një numër gjithnjë më i madh shtetesh dhe aktorësh të rëndësishëm ndërkombëtarë, do kthehet në obligim. Megjithëse derisa palët të nisin nga elementët e zbatimit,  Kosovën e pret një udhë edhe më e vështirë për integrimin e saj të plotë. Që do të thotë se Kosova do të mbetet ende në axhenda dhe do të marrë shumë energji brenda vendit dhe ca më shumë jashtë tij.

Lini një Përgjigje