Skandali i vërtetë i Celibashit

18 Mars 2023, 11:42Blog TEMA

Skandali i vërtetë i Celibashit

Nga Blendi Kajsiu

Spektakli i fundit politik që na ka dhuruar kreu i KQZ-së Celibashi na ka treguar edhe një herë atë që shumica dërrmuese e shqiptarëve tashmë e kanë të qartë: KQZ dhe procesi zgjedhor në përgjithësi duhet de-politizuar. Menxhimi i procesit zgjedhor nga aktorë dhe institucione të zgjedhur nga politikanët cënon rëndë besueshmërinë e këtyre institucioneve dhe mbyll skenën politike shqiptare.

Institucionet tona zgjedhore si KQZ-ja dhe komisionet zgjedhore janë ngritur mbi teorinë “hajduti kontrollon hajdutin”. E thënë ndryshe idea është që komisionerët e PS-së kontrollojnë ata të PD-së dhe ansjelltas. Për këtë arësye zgjedhjet menaxhohen nga përfaqësuesit dhe militantët e partive kryesore.

Problemi është se kjo filozofi ka dështuar. Nga njëra anë ajo eleminon mundësinë e daljes së partive të reja sepse hajdutët bëhen bashkë dhe vjedhin votat e aktorëve të rinj. Nga ana tjetër, sikurse na demonstroi Celibashi, KQZ-ja nuk ka fare besueshmëri sepse antarët e saj zgjidhen jo për profesionalitetin apo integritetin e tyre ligjor dhe administrativ por sipas oreksit politik të rradhës.

Aktorët politik nuk kanë fare interes që KQZ-ja të jetë e besueshme, sepse përndryshe nuk mund të denoncojnë vjedhjen e zgjedhjeve kur humbasin. Në rastin konkret Celibashi u zgjodh në krye të KQZ-së nga Sali Berisha (në vend të Ilir Rusmajlit). Edhe pse ishte po Berisha që 20 vite më parë (sa shpejt ikën koha!) e denonconte Celibashin si bandit, hajdut dhe manipulues votash (shiko https://tvklan.al/sali-berisha-akuzon-kreun-e-kqz-celibashi-per-manipulim-te-zgjedhjeve-15-nentor-2003/)

Ndaj nuk është cudi sot që Celibashi nuk ka besueshmëri as majtas, as djathtas dhe as në mes. Ai është vendosur në krye të KQZ-së pikërisht sepse ka shërbyer herë majtas dhe herë djathats sipas mandatit politik që ka marrë. Dhe ky nuk është problem i Celibashit si person por i llogjikës perverse të formësimit dhe funksionimit politik të KQZ-së.

Por skandali i sjelljes së Celibashit sot nuk është mos-regjistrimi i Berishës si kryetar i PD-së. Edhe vetë Berisha nuk ka asnjë inat real me Celibashin sepse e ka shumë të qartë se pas vendimit të Gjykatës së Apelit ai nuk e ndihmon dot. Edhe sikur KQZ-ja e Celibashit të regjistronte PD-në e Berishës ky vendim do rrëzohej menjëherë në Komisionin e Ankimimit dhe Sanksioneve – KAS (ku ironikisht ndodhet Rusmajli). Këtë realitet Berisha e di mirë dhe gradualisht po e kupton edhe brezi i ri i berishistëve që filloi të zemërohej seriozisht me Celibashin.

Skandali i aktrimit politik të Celibashit nuk qëndron as tek mohimi i regjistrimit të PD-së zyrtare. Edhe problemin e pjesmarrjes së PD-së zyrtare e zgjidh Komisioni i Ankimimit dhe Sanksioneve (KAS). Herët a vonë, si Berisha edhe PD-ja zyrtare do marrin pjesë në zgjedhje, ndaj nuk ka asnjë skandal real në këtë pikë.

Skandali i vërtetë i Celibashit ishte vendimi i tij për të mos regjistruar në zgjedhjet lokale forcën e re politke Lëvizja Bashkë dhe kandidatin e saj për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Arlind Qorri, në kundërshtim me frymën e ligjit dhe me vetë precedentin e KQZ-së. Ky vendim u mbajt në fuqi edhe nga KAS (një tjetër institucion tejet i politizuar).

Sot Lëvizja Bashkë u pengua nga KQZ-ja e politizuar. Nesër kur të futet në zgjedhje votat e saj do vidhen nga bashkëpunimi i komisionerëve PS-PD-LSI. Dicka e tillë ndodhi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 me Lëvizjen Vetvendosja. E njëjta gjë ka ndodhur më parë me partinë Fryma e Re Demokratike të Bamir Topit. Zhurma shurdhuese PS-PD, apo Rama-Berisha-Basha, shërben për të fshehur realitetin skandaloz të bashkëpunimit PS-PD-LSI në vjedhjen e votave të aktorëve të rinj politik.

Institucionet tona zgjedhore janë ndërtuar për të mbajtur dhe ricikluar në pushtet të njëtën klasë politike që kemi prej 30 vitesh. Sot KQZ-ja e Celibashit dhe komisionet zgjedhore partiake i shërbejnë klasës politike ekzistuese. Mosfutja e Lëvizjes Bashkë në zgjedhjet lokale është shembulli i fundit i këtij bllokimit të skenës sonë politike. Është një akt që lehtëson si pozitën edhe opozitën.

Mungesa e alternativave të reja së pari lehtëson ndjeshëm fitoren e socialistëve në Tiranë. Të gjitha sondazhet tregojnë se avantashi i Erjon Veliajt përballë kandidatit berishist Belind Këllici është i thellë dhe ka pak shanse të ngushtohet. Ndaj socialistët dhe Veliaj janë komod me një kandidat të opozitës qoftë vuliste, qoftë berishiste. Për të parën socialistët nuk shqetësohen se ka pak vota, për të dytën e kanë gati ligjërimin anti-berishist. Ndërkohë një kandidaturë alternative si Arlind Qorrri është e paparashikueshme si në ligjërim edhe në elektorat, sidomos po të kemi parasysh nivelet e larta të pakënaqësisë me qeverisjen socialiste.

Por edhe opozita aktuale, vuliste apo berishiste, është e qetë me mungesën e alternativave sepse përndryshe ajo humbet monopolin e opozitarizmit. Imagjinoni efektin politik të një kandidati të ri alternativ në Tiranë që edhe nëse nuk fiton merr më shumë vota se PD-ja e vulës, se LSI-ja apo se kandidati berishist. Ndaj Lëvizjen Bashkë dhe Arlind Qorrin nuk e do as PS-ja, as LSI-ja dhe as PD-ja! Nuk është aspak rastësi që gjykatësi që e zvarriti pa fund dhe në shkelje flagrante të ligjit regjistrimin e Lëvizjes Bashkë në Gjykatën e Tiranës është i famshmi Zhukri (që i dha vulën e PD-së Berishës).

Për të gjitha këto arësye edhe nëse Lëvizja Bashkë futet në zgjedhjet lokale nesër apo në zgjedhjet parlamentare pasnesër, komsionerët e PS, PD dhe LSI/LP do punojnë vrullshëm për vjedhjen e votave të saj. Institucionet tona elektorale janë ndërtuar për të penguar që në gjenezë lindjen e forcave të reja politike, herë duke penguar formalizimin e tyre, në gjykatë dhe KQZ, dhe herë duke u vjedhur votat nëpërmjet komisionerëve politik.

Janë këto institucione zgjedhore, së bashku me një sistem elektoral që penalizon aktorët e rinj politik, që riprodhojnë statu kuonë e shëmtuar politike ku ndodhemi. Kemi tashmë mbi dy dekada që vazhdojnë të merremi me Berishën, Metën, Ramën dhe Celibashin. Kemi një sistem politik që si alternativë ndaj qeverisjes së korruptuar dhe autoritare Rama na ofron shpëtimtarin anti-korrupsion Ilir Meta dhe si shpëtimtarin e demokracisë Sali Berishën.

Në këto kushte, ndërtimi i institucioneve zgjedhore të depolitizuara është një nga ndryshimet e domosdoshme (ndonëse jo të mjaftueshme) për të hapur dhe ajrosur skenen tonë politike. Ka plot shembuj në botën në zhvillim (stadi ku ndodhet Shqipëria) ku zgjedhjet menaxhohen shumë mirë dhe qetë nga qytetarët e thjeshtë që zgjidhen me short. Nuk është aspak e nevojëshme, dhe aq më pak e dobishme, që zgjedhjet të menaxhohen nga militantët partiak.

Ashtu sikurse ka plot shembuj në botën në zhvillim të institucioneve zgjedhore si KQZ që nuk janë aspak politike por pjesë e administratës publike, ku antarët zgjidhen me konkurs publik, të hapur dhe transparent. Si të tilla ato funskionojnë mjaft mirë, me efikasitet dhe kanë besueshmëri të lartë në elektorat.

Natyrisht lexuesit skeptik me të drejtë do më thonë që dicka e tillë është e pamundur në Shqipëri me korrupsiuonin, krimin dhe drogën që na ka mbytur. Ndaj i ofroj si shembull rastin e Kolumbisë ku jetoj, dhe politikën e së cilës e studjoj prej vitesh, ku komisionerët zgjidhen me short nga qytetaria për të bërë punën e komisionerit në ditën e zgjedhjeve (është detyrim ligjor) dhe ku KQZ-ja është një institución teknik i administratës publike me besueshmëri të lartë në publik.

Në Kolumbinë që ne aq shumë e paragjykojmë rezultati i zgjedhjeve të përgjithëshme (presidenciale) zbardhet brenda ditës dhe pa kontestime nga palët. Flasim për një vend me 50 milion banorë dhe 1 100 000 kilometra katrorë (Shqipëria është 28 mijë kilometra katrorë). Ndërkohë klasa dhe skena politike kolombiane është rigjeneruar vazhdimisht në 30 vitet e fundit, sa majtas edhe djathtas, sepse aty dalin vazhdimisht parti dhe aktorë të rinj politik. Është një vend që përballet me shumë nga problemet tona që nga droga deri te krimi i organizuar dhe përtej.

Ndaj duhet të kuptojmë se sistemi dhe institucionet tona zgjedhore nuk janë aspak produkt i “realiteti shqiptar” por i vullnetit të klasës sonë politike për tu ricikluar pambarimisht. Ndaj nëse duam realisht ta shpëtojmë dhe rinovojmë demokracinë tonë, në mënyrë që në 20 vitet ardhëshme mos të debatojmë përsëri për Ramën, Metën, Berishën dhe Celibashin, duhet të fillojmë të kërkojmë ndërtimin e institucioneve që i japin dhe nuk i marrin frymën demokracis sonë. Le të fillojmë me depolitizimin KQZ-së dhe komisioneve zgjedhore!

16 Komente

  1. V
    Vranakonti

    Celibashi eshte me i besuari dhe me korekti. Akuzat jane totalisht te padrejta nga opozita. Vendimi i Cibashit per mos regjistrimin e Alibeut ishte i drejte. Nqs ai do e kishte regjistruar,opozita do ta denonconte per padrejtesi. Sot Celibashi eshte i qet se ka vendimin e KAS.Kete Celibashi e ka bere qellimisht dhe shume mire e ka bere. Me daljen e vendimit te KAS ai e pranoi dhe e regjistroi menjehere.

    1. k
      k

      Një shtet me ligje të këqija por me funksionarë të mirë,mund të qeveriset gjithsesi. Por në një shtet me funksionarë të këqij,ligjet e mira nuk shërbejnë fare. O.V.Bizmark

      1. J
        Jorgo

        Celibash eshte nje gruaq..re me ze te holle, qe ben sikur, sic ka bere gjithmone...

      2. Q
        Qytetari i thjeshte

        Plotesisht dakort.Dhe kjo eshte dhe nje pyetje e mire dhe per perfaqesuesit e BE-se, te OSBE-se etj etj qe e shohin kete problem, e dine se ekziston dhe e anashkalojne me apo pa dashje.Depolitizimi i komisioneve zgjedhore eshte pika e pare dhe e fundit e rendit te dites kur fllasim per zgjedhje elektorale ne Shqiperi.Edhe ambasada amerikane duhet ta trajtoje me seriozitet kete problem dhe te vere me ne fund pikat mbi i. Nese ky problem mbetet ne dore te Rames apo te opozites sone, te asaj me vule apo te asaj te Berishes pa vule e qe ka futur ne sistem vjedhjen e votes qysh ne vitin 1996 dhe e ka manipulimin e votes ne DNI e saj atehere jemi te humbur.

        1. S
          Sazani

          Depolitizimi i komisioneve zgjedhore thone te gjithe , po asnje nuk thote se si mund te realizohet kjo , kur e dime se nuk ka njeri tek ne qe te mos bej tifo per nje apo nje tjeter parti deri edhe gjyqtaret e te gjitha niveleve qe zgjidhen nga partite politike sipas oreksit dhe preferencave te tyre

        2. B
          BARRIU

          Shqiperia eshte e humbur per sa kohe do te jene ne politike, Saliu, Iliri, Basha dhe Edi. Te largohen keto atehere do te marrim fryme lirisht. Keto jane e keqja e vendit.

          1. T
            Tironci

            Sa shofe emrin tend or Kajsiu nuk e lexoje se nje nje zagar i Non Grates

            1. N
              Nasi nga Palortoja

              Kajsi me fal po nuk lexohesh fare. Me mire shko dhe behu prift ose hoxhe ose edhe raba.

              1. I
                Idrizi

                Zoti Kajsiu, keni shume te drejte per cfare shkruani. Por shume vone, ne emigrantet qe shkojme e vijme prej vitesh habitemi me zhurmen politike per vjedhjet para dhe pas votimit, ashtu si edhe per ate se si administrohen zgjedhjet me militante te partive ne Shqiperi! Nuk eshte pune shorti, kushdo mund te marre pjese ne komisionet e votimit. Duhet te aplikosh 1 muaj para per tu perzgjedhur deri 1 jave para votimit. Nuk mungon interesimi per aplikim sepse pagesa eshte 20 euro/ore. Kryetaret e komisioneve zgjedhore jane juriste ne profesion qe kane pergjegjesi per mbarevajtjen. Numerimi i fleteve te votimit eshte elektronik. Nuk imagjinohet te ndryshoje drejtimi (vjedhja) qofte edhe i nje vote te vetme. Gjobat qe aplikohen per gabime te rendomta kapin vlera te medha monetare. Kaq thjeshte! Idrizi

                1. i
                  i shurdheri

                  Me nje fjale Kajsiu e ka shqetesimin per Qorrin!Edhe nje motiv me shume se perse nuk behet me ky vend!

                  1. N
                    Noci

                    Qe ne fillim te ketij teatri kam menduar se Celibashi e ka kryer korrekt detyren e tij sa i takon PD .Per mua faji ka qene sidomos i Bardhit si sekretar i përgjithshëm qe nuk bashkepunoi me MD per doreheqjen e Bashes.KAS mori vendimin e drejte dhe PD u regjistrua

                    1. I
                      I shurdher, qorr e i paditur

                      E ka drejt Kajsiu. Vetem se nuk i shkon ne origjine problemit: sistemin e vjedhjes, te mbylljes e te perjashtimit politik e sanksionuan ndryshimet kushtetuese te 2008. Ato e kthyen KQZ ne instrument te partise ne fuqi, pasi i hoqen Presidentit te Republikes te drejten e perfaqesimit me nje vote ne ate forum (3X3 1). Tek ai ndryshim e ka origjinen "diktatura kryeministrore" e ideuar nga Berisha, e gezuar fillimisht nga ai vete e tani e stergezuar nga alter ego-ja i tij, Rama. Aty e kane origjinen edhe palo-deputetet, baby-ministrat e klepto-zyrtaret, qofshin keta te Berishes e qofshin te Rames. Te gjithe nje surrat kane!

                      1. p
                        pinoku

                        E kam vërejtur prej kohësh. B.K. shkruan me llogjikë dhe arsye. Prandaj ta lexosh është kënaqësi dhe jo humbje kohe. Kisha përshtypjen se jetonte në Shqipëri dhe këtu e mora vesh se na jetoka në Amerikën Latine!

                        1. O
                          O lleshi

                          NJE HER I JEPET E DREJTA CDO QYTETARI PER TE THENE MENDIMIN E TIJ . NE RADH TE PAR NUK I MANIPULOJN TE GJITHA AS I VJEDHIN . POR TE SHUMTIT JAN TE SHITUR se na pelqen neve shqiptareve SE KAN FAJN HJDUTET NEVE NA PELQEN

                          1. D
                            Dani USA

                            Ai duhej shkarkuar nga detyra qe ne momentin sa hapi gojen qe une ne perceptimin time njoh saliun pa mbaruar fjaline ,po cte beshe kure je ne nje shtete pa bazament ne nje shtete te tille minjet hedhin valle.

                            1. Ρrushi !

                              Idea e depolitizimit te KQZ-se dhe QAZ-të është e drejtë . Deri këtu ka kuptim ky shkrim. Më pas me kandidate A.Qorri dhe D. Shehi, apo B Këlliçi nuk vjen ndryshimi në Bashki. Veliaj i mundën vetëm me punën brilante që ka bërë si askush kryebashkiak më parë, biles më i sukseshëm se Rama. pasi e ka pas këtë të fundit në skalionin e dytë ndihmës. Rama kish Berishën kondra dhe Metën për 6 vite rresht.

                              Lini një Përgjigje