Pushtet dhe ambicie

10 Korrik 2025, 11:37Blog Nga Namir Lapardhaja

Ka dëshira që njeriu i mëson me kohën, ka të tjera që i ushqehen me përvojën. Por njëra prej tyre duket se i paraprin të gjitha: ambicia për pushtet. Është ndër shtysat më të forta dhe më të rrezikshme që ka njohur natyra njerëzore. Një dëshirë që, sapo të zgjohet, e verbëron njeriun, i mjegullon gjykimin dhe e bën të padëgjueshëm ndaj moralit e kufijve.

Nga letërsia shembulli më tipik i kësaj ambicie të shfrenuar na vjen nga Shekspiri me tragjedinë "Makbethi". Pasi merr pushtetin përmes vrasjes së Mbretit Dunkan – një krim i bërë në gjumë, në shtëpinë e vet – Makbethi “vret edhe gjumin… gjumin e pafajshëm.” Sepse pas një akti të tillë, nuk ka më qetësi, nuk ka më kthim. Sundimi bëhet një mallkim, një makth që ndjek çdo hap të mbretit që dikur e ëndërroi fronin.

Vetëm një mjeshtër si Shekspiri, dhe shumë kohë pas tij Dostojevski, kanë mundur të hyjnë me aq delikatesë në skutat e ndërgjegjes njerëzore dhe të zbulojnë çfarë ndodh me shpirtin kur pushteti bëhet qëllim në vetvete. 

Po të shohësh, janë shumë të rrallë ata që heqin dorë nga pushteti me dinjitet. 

Karrigia është ndër varësitë më tinëzare, sepse të jep ndjesinë e pavdekësisë, të gjithëpushtetit, të pazëvendësueshmërisë. Dhe pikërisht aty fillon rënia morale.

Në traktatin e tij klasik “Princi”, Machiavelli na paralajmëron: “Të gjithë e shohin çfarë je, pak e kuptojnë çfarë je vërtet.” Pushteti, në këtë kuptim, është edhe një maskë, një teatër ku aktori kryesor është më i rrezikshëm kur vetëbeson rolin që luan.

Në shoqëritë tona, që vuajnë ende pasojat e një tranzicioni tç stërzgjatur, kjo ambicie për pushtet ka prodhuar liderë që e kanë parë shtetin si pronë, jo si përgjegjësi. Kur ka ndodhur, rotacioni nuk ka prodhuar në këtë drejtim ndryshim, por riciklim të veseve të vjetra, të mbarsura me faje të reja.

E vetmja gjë që historia na mëson vazhdimisht, por që rrallë mësohet nga ata që udhëheqin, është se koha nuk fal dhe historia nuk kthehet pas. Pushteti është i përkohshëm, por pasojat e keqpërdorimit të tij janë të vazhdueshme.

Dhe prandaj, në fund të fundit, mallkimi i vërtetë nuk është të mos kesh pushtet, por të mos dish të heqësh dorë prej tij.
Sepse nuk është thjesht froni që të merr mendjen, por është frika jashtë tij, ajo zbrazëti dhe humbëtirë që të mban lidhur pas karriges. 

 

2 Komente

  1. E
    Emigranti

    Complimenti per shkrimin z.Namir Duke elexuar e gjeta motivimin e veprimeve te S.B. demeve qe i ka bere shqiptareve ( krimeve mbi te gjithave) e ska te ndalur..... Populli me vote e beri te tijen. Speriamo che drejtesia ben te sajen para se ta beje perendia!se fundi shpresoj nga elementet me karakter ne p.d. ti japin vendit opoziten e mangiare vitet e fundit.

    Përgjigjjuni
    1. A
      Aa

      Perfekt

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje