Ruhuni nga pastorët

11 Maj 2025, 15:00Blog Bjorn Runa

Ruhuni nga pastorët

Disa ditë më parë, një segment televiziv mëngjesi – i një ore që rezervohet përgjithësisht për këshilla gatimi dhe riciklim muzikantësh në muzg të karrierës së tyre – transmetoi një episod që mund të kishte qenë edhe një çudi e padëmshme: një pastor ungjillor paralajmëronte publikun në lidhje me disa të ashtuquajutr murgj, të cilët shpërndajnë byzylykë në rrugët e Tiranës. Pastori i cilësoi byzylykët si “të mallkuar” dhe të lidhur me “vdekjen”, ndërsa murgjit i quante herë Budistë e herë të “fesë Krishna” – ky i fundit një kategorizim aq i pasaktë, saqë ia del të tingëllojë qesharak dhe ksenofob në të njëjtën kohë (Krishna nuk është fe, por një nga hyjnitë kryesore të besimit Hindu).

Në pamje të parë, është një çështje krejt banale. Disa njerëz të veshur me rrobën e murgut budist, shëtisin në rrugët e Tiranës duke iu ofruar kalimtarëve byzylykë. Është një mashtrim i rëndomtë dhe mjaft popullor në rrugët e Nju Jorkut, Parisit, Romës, Torontos, dhe çdo qyteti të madh apo destinacioni turistik. “Murgjit”, që shpesh as nuk janë të tillë, insistojnë t’iu japin njerëzve byzylykë “të kënduar”, dhe në fund iu kërkojnë para për to.

Tani, ky nuk është një artikull për byzylykët dhe as për të nxitur ndonjë debat teologjik, por një paralajmërim për rritjen e ndikimit në jetën publike shqiptare të një retorike të caktuar Ungjillore – retorikë, e cila lulëzon jo përmes besimit, por përmes frikës dhe që nuk ka për bazë të vërtën, por spektaklin. Nëse do të kishte qenë një episod i izoluar, për të mbushur një orar televiziv përgjithësisht të mërzitshëm, nuk do t’ia vlente t’i jepej vëmendje. Por, ai duket se është pjesë e një imponimi të ngadaltë dhe gradual të pastorëve showmen-ë në media, politikë dhe diskursin e përditshëm moral, duke ofruar jo ndonjë urtësi fetare a shpirtërore, por një valë konstante paniku moral dhe betejash kulturore të importuara nga jashtë.

Ndërsa fetë tradicionale, si Islami, Katolicizmi dhe Ortodoksia nuk janë imune ndaj kritikës, ato të paktën kanë ruajtur – në pjesën më të madhe të rasteve – njëfarë vetëpërmbajtjeje institucionale. Kanë mbajtur gjithmonë një kufi të qartë mes praktikës shpirtërore dhe ndikimit politik.

Por, Kristianizmi Ungjillor luan me të tjera rregulla. I importuar nga televangjelizmi amerikan dhe i amplifikuar në mënyrë të frikshme nga mediat sociale, ai nuk vjen përmes teologjisë, por përmes spektaklit, duke ofruar leksione të thjeshtëzuara morali, panik shpirtëror dhe iluzonin joshës të qartësisë në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar. Ai lulëzon përmes perfomancave publike, shpërfilljes së nuancave që përbëjnë jetët tona dhe, mbi të gjitha, përmes frikës.

Logjika e tij është thuajse gjithmonë binare. Sipas tij, njeriu është i bekuar ose i mallkuar; i devotshëm ose mëkatar. Nuk ka thuajse asnjëherë rrugë të mesme. Nga ana tjetër, sipas tij, çështjet sociale (nga varfëria tek emigracioni, arsimi, apo edhe shëndetësia) nuk janë më probleme politike apo të debatit kolektiv, por një betejë mes të mirës dhe të keqes, çka e bën këtë retorikë jo vetëm sipërfaqësore nga ana shpirtërore, por edhe politikisht të rrezikshme.

Dhe, në një vend që vazhdon të vuajë nga mosbesimi institucional, amnezia kolektive dhe konfuzioni post-diktatorial, Kristianizmi Ungjillor ofron diçka dehëse: siguri. Por, siguria nuk është e vërteta. Ajo nuk na çon drejt kuptimit të të panjohurës. Ndaj, kur ky lloj absolutizmi hyn vrullshëm në media, shkollë, apo edhe më keq në parlament, ai nuk rrit standartin moral, por e degradon atë.

Shihni se sa lehtësisht po infiltrohet sot gjuha e amvonës në biseda publike. Kur një pastor flet për byzylykë të mallkuar dhe murgj që i shërbejnë vdekjes, nuk e ka fjalën vetëm për bizhuteri false, por po përgatit terrenin për një botëkuptim ku gjithçka e huaj, e panjohur apo jokonformiste, është detyrimisht satanike. Kjo nuk është udhëheqje shpirtërore, por Makartizëm i veshur me veladon.

Po, pse lulëzon thuajse gjithmonë në sferën publike? Përse është thuajse gjithmonë vetëm në televizion, rrjete sociale, radio? Sepse ka nevojë të jetë në qendër të vëmendjes. Ndryshe nga shumica e besimeve  tradicionale, të cilat të paktën në raste të caktuara e tolerojnë dhe promovojnë qetësinë, reflektimin, e madje edhe kontradiktën, Kristianizmi Ungjillor është i varur plotësisht nga zhurma. I duhet të prodhojë gjithmonë zemërim, armiq, mrekulli, ose përndryshe rrezikon të bëhet i parëndësishëm. Strategjia e tij e rritjes nuk është thellësia teologjike, por manipulimi emocional.

Për këtë arsye është edhe shumë tërheqës për politikanë populistë dhe oportunistë. Është një aleancë që e kemi parë të marrë trajtën e saj të plotë në vende si Brazili, SHBA, apo Hungari, me pastorë si strategjistë fushatash zgjedhore, profetë të vetëshpallur që bëjnë këshilltarin politik, apo edhe shkrime të shenjta që thirren në ndihmë për të zëvendësuar ligjin. Shqipëria, me institucionet e saj ende të dobëta dhe brishtësitë e veta kulturore përbën trupin e duhur për përphapjen e të njëjtës epidemi.

Ndërkohë media, e etur për spektakël me kosto të ulët, ofron skenën e përsosur, ndërsa politikanët – disa tepër të ndrojtur e të tjerë tepër entuziastë – nuk do të vonojnë ta ftojnë evangjelizmin në ndihmë të tyre, sa kohë iu garanton vota dhe bindje. E gjitha do të vijë e veshur me rason e gjuhës së moralit, traditës dhe “rikthimit tek vlerat.” Por, mos u gaboni: nuk është tradita ajo që do të ringjallet, po diçka krejt tjetër – më e zhurmshme, më sipërfaqësore dhe shumë më e rrezikshme.

Ruhuni nga mashtrimet banale në rrugë, por ruhuni akoma më tepër nga ata, të cilët e kanë kthyer supersitcionin në strategji. Ata, të cilët mbajnë leksione morale nga ekrani dhe që, nën veladonin e të shenjtës, predikojnë injorancë dhe nxitin frikë. Ata, të cilët minojnë arsyen në emër të devotshmërisë. Nuk është fjala për disa bizhuteri false, por për një përpjekje të vazhdueshme për të policuar mendimin, sjelljen dhe identitetin përmes frikës së maskuar si besim. Sot janë disa “byzylykë të mallkuar”; nesër do të duan të imponohen në tekstet shkollore, të drejtat e grave, apo kush lejohet të flasë në publik pa u demonizuar. Nuk kemi nevojë për histeri shpirtërore të eksportuar nga librat e rregullave të televangjelistëve. Ajo çfarë na duhet është qartësi, guxim, dhe një kujtesë e mprehtë se ku i ka çuar paniku moral shoqëri të tjera para nesh.

 

4 Komente

  1. M
    Me përralla do imponohen?

    Sot janë disa “byzylykë të mallkuar”; nesër do të duan të imponohen në tekstet shkollore, të drejtat e grave, apo kush lejohet të flasë në publik pa u demonizuar.-thotë Bjorni. Por ata pastorët e fesë nuk i imponohen dot më askujt. Ata nuk dinë ça thonë e ça predikojnë. Përshembull:___________ Sipas Biblës, a ngjan apo jo njeriu me Zotin? Zanafilla 1:27 Kështu Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë........ ISAIA 46.9, 9 Kujtoni gjërat e kaluara të kohëve shumë të vjetra, sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër; jam Perëndia dhe askush nuk më ngjet mua, ______________________ A E KA PARË NJERI PERËNDINË? Zanafilla kapitulli 32:30 Dhe kështu ai e bekoi. Atëherë Jakobi e quajti këtë vend Peniel, sepse tha: "E pashë Perëndinë ballë për ballë dhe jeta ime u fal"............... John kapitulli 1:18 Askush s'e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t'Et, është ai që e ka bërë të njohur.

    Përgjigjjuni
    1. T
      Turi

      Kush eshte ky gomar qe shkruan, edhe AI do ta shkruante me mire

      Përgjigjjuni
      1. B
        Budallai Bukur...

        Fushates se ngahershme te Ungjilloreve u paraprijne ngahere bombardimet me artileri të rëndë kunder historise dhe traditave shekullire shqiptare, kunder thelbit vetperterrites dhe vetëpasurues te gjihes Shqipe, etj...

        Përgjigjjuni
        1. P
          Pa Ymër

          Shkrimi më idiot i një ateisti apo agnostiku.

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje