Sa na dëmton një administratë e paralizuar?

27 Dhjetor 2025, 20:02Blog TEMA
Sa na dëmton një administratë e paralizuar?

Nga Fatos Çoçoli

Javët e fundit, SPAK ka shtuar ndjeshëm ritmin e hetimeve për çështje tenderash, prokurimesh, lejesh zhvillimore, kontratash, investimesh publike dhe procedurash administrative. Ky zhvillim ka prodhuar një realitet të ri, ku efektiviteti i shërbimeve të administratës shtetërore dhe kapaciteti i vendimmarrjes po testohen fort. Në thelb, rritja e hetimeve, aktakuzave dhe ndjekjes së rasteve të korrupsionit në rangje të ndryshme të administratës, ka krijuar një efekt të dyfishtë.

Nga njëra anë, kjo qasje ka sjellë rritjen e llogaridhënies, gjëja më pozitive e mundshme dhe që e prisnim prej kohësh si qytetarë. Nga ana tjetër, ka prodhuar edhe një ndjenjë ankthi dhe pasigurie në strukturat publike. Se mos me barin e thatë, digjet dhe i njomi. Me fjalë të tjera, e ha edhe punonjësi i thjeshtë i administratës, që për të mbajtur vendin e punës detyrohet të hedhë një firmë.

Kjo ka sjellë një mesazh të qartë: çdo vendimmarrje, në çdo nivel, mund të verifikohet, hetohet dhe të jetë objekt penal. Ndërsa kjo ndihmon për të ulur abuzimet, ka prodhuar edhe një efekt paralizues tek shumë punonjës publikë, të cilët shohin rritje të rrezikut personal në përmbushjen e detyrave të tyre të përditshme.

Vendim-marrja në shtet është ngadalësuar nga frika!

Janë sot gjithnjë e më shumë zyrtarë, specialistë dhe drejtues në administratën shtetërore, që raportojnë se vendimmarrja është ngadalësuar, jo për mungesë kompetence, por nga frika se çdo firmë mund të interpretohet keq në të ardhmen, edhe kur veprohet në mirëbesim. Terrorizimi i mirëfilltë i administratës publike po ushqehet nga pasiguria juridike.

Punonjësit e administratës shmangin përgjegjësinë dhe nënshkrimin e dokumenteve, ndërsa projektet publike vonohen, apo akoma dhe më keq, bllokohen ose shtyhen, nga hezitimi institucional. Ndërkohë aktet administrative po kalojnë përmes procedurave të panumërta të “vetëgarantimit”, për t’u mbrojtur nga çdo rrezik penal personal. Kjo ka shtuar me herë burokracine shtetërore, të cilës i është shtuar frika e punonjësit.

Kjo klimë pasigurie nuk lidhet me ekzistencën e ligjit, por me mënyrën si interpretohen dhe zbatohen masivisht procedurat penale mbi çështje që shpesh do të duhej të ishin vetëm administrative ose disiplinore.

Ndërkohë, mungesa e udhëzimeve të qarta dhe e rregullave të standardizuara mbi riskun administrativ,  e ka forcuar këtë pasiguri. Një drejtësi aktive është e domosdoshme, por Shteti nuk mund të funksionojë, nëse administrata frikësohet dhe kompleksohet nga kryeja e detyrave bazë.

Rreziku është dhe po ndodh që politikat publike të mos zbatohen me ritmin e duhur, investimet të ngadalësohen dhe bashkëpunimi mes ministrive, bashkive dhe agjencive të tjera shtetërore të ndikohet negativisht.

Për herë të parë po ndodh që ekspertët profesionistë të largohen nga sistemi, jo nga gjetja e punës me pagë më të lartë në privat ose jashtë shtetit, por nga frika e përgjegjësisë penale në Shtet! Në vende të tjera, mekanizmat anti-korrupsion shoqërohen me udhëzime të qarta të riskut, sigurim të vendimmarrjes kolegjiale, trajnime të detyrueshme dhe mbështetje teknike juridike brenda institucioneve, për të shmangur pikërisht paralizën administrative të vendit.

Dallimi mes gabimit administrativ dhe shkeljes penale

Një nga problemet më të prehta është mungesa e një ndarje të qartë mes gabimit profesional, shkeljes administrative dhe keqpërdorimit të detyrës me dashje (përgjegjësia penale). Përfshirja e prokurorisë së posaçme në çështje që mund të zgjidheshin brenda sistemit administrativ ka rritur tensionin dhe perceptimin se çdo veprim mbart rrezik penal, pavarësisht kontekstit.

Kjo krijon një zgjatje të panevojshme të hetimeve, pasiguri të zgjatur për funksionarët dhe bllokim të proceseve. Për shkak të kësaj frike institucionale, procedurat e tenderave shtetërorë sot shtyhen për muaj të tërë, firmat private shmangin tenderët publikë nga frika e hetimeve të njëpasnjëshme, ndërsa zyrat ligjore nëpër ministri mbingarkohen me kontroll formal, në dëm të analizës së thelluar ekonomike dhe teknike.

Kompetenca profesionale po zëvendësohet nga “garantimi juridik” i pafund. Në terma makroekonomikë, kjo sjell vonesa në infrastrukturë, në projekte të energjisë, në programet e asistencës sociale, në investimet publike strategjike, dhe krijon një frenim në rritjen ekonomike.

Ne nuk po funksionojmë normal si Shtet, pasi vendimmarrja është e frikësuar, gati e bllokuar. Për të rivendosur normalitetin, kërkohen disa masa thelbësore.

Së pari, institucionet e drejtësisë, sidomos Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLGJ), duhet të nxjerrë udhëzime të qarta për dallimin mes gabimit administrativ dhe shkeljes penale. Vetë ekzekutivi duhet të nxisë vendimmarrjen kolegjiale, që ul riskun personal dhe rrit transparencën, si dhe të organizojë  mbrojtjen juridike për punonjësit që veprojnë me profesionalizëm dhe mirëbesim.

Së dyti, KLGJ nuk duhet të lodhet për të përgatitur manuale të riskut administrativ, të cilat e ndihmojnë zyrtarin të kuptojë kufijtë ligjorë të përgjegjësisë. SPAK mbetet një institucion kyç i reformës në drejtësi, por zhvillimi i tij duhet të shoqërohet me forca të balancuara, që garantojnë se Shteti funksionon dhe politika dhe publike nuk paralizohet.

9 Komente

  1. A
    ABC-ja

    Thjesht janë të pa aftë dhe të korruptuar prandaj kanë frikë, ata që kanë integritet dhe profesionalizëm janë të pa punë ose kanë dal privat në shtet punon vetëm ai që ka MIKUN ""

    Përgjigjjuni
    1. P
      Pleqtë që hanë vetëm dhallë

      Që kur ka filluar aplikimi me anë të e-albania për të marë dokumente, administrata as kontrollohet, as testohet as shifet se me çfarë merret. Tani nëpër zyra bëhet vetëm pallë, paradë mode dhe sex....... Dhe populli aplikon dhe le paret nëpër avoketër e noterë, dhe pret e pret pafundësisht dhe halli nuk zgjidhet........... O sa mirë ishim kur ishim të prapambetur...... Me një 2 mijë lekësh të vjetër , mernim çdo vërtetim që na duhej.

      Përgjigjjuni
    2. P
      Pak nga të gjitha

      Këndvështrim mjaft domethanës. Reforma në drejtsi nuk është shoqëruar me reformën e kodit të proçedurês penale , kodin penal e kodin civil a administrativ. Nuk njihet vendimi kolegjial qoftë dhe i gabuar dhe Spak e gjkko e cilesojnë grup kriminal( më shumë se 2 vetë) barazia në tendera shkelja e procedurave të tenderimi janë akte administrative dhe duhen gjykuar si të tilla … vjedhja është ak penal por dhe kjo sipas shumës së dyshuar të vjedhur duhet ndarë ne administrative dhe penale…

      Përgjigjjuni
      1. 1
        1

        Per :PAK NGA TE GJITHA .Meqe shkelja e barazis ne tendera eshte akt administrativ ,nje pyetje kam Ai qe ben kete shkelje kot e ben?Pa fituar asgje?Mendoj se jo.Kercet ryshfeti me perqindje te konsiderueshme.Fakt skemi por eshte rjedh logjike.(si pun e asaj qe fakti ishte brenda.E kupton ti)Pra u kthye nga akt administrativ ne fakt penal

        Përgjigjjuni
        1. s
          sam

          Atehere me logjiken tende dhe hajdutin qe te hyn ne shpi per te grabitur mos ta denojne. Ta quajme shkelje disiplinore. Si te duket? Se njesoj eshte. Hajdut per hajdut or mut.

          Përgjigjjuni
          1. R
            Rezi

            Shihet qartë kurthin që ju ngrit shtetit nga shërbëtorët e Berishës, kolegët e Argitës dhe juristët që mburren me shifra por jo me punë. Populizmi s’ka brirë, është poshtërsi të izolosh njerëz pa prova, të bllokosh punën e shtetit e të bësh gjyq popullor me gënjeshtra. Ata pritën të humbë Edi Rama, por ai fitoi më shumë. Tani shpikën të tjera pabarazi në tendera por kujdesen të rrjedhë material, duke gënjyer që të bëjnë pis shtetin. Bllokuan Tiranën, s’ju eci, dolën mbi shtetin për të paralizuar atë, ju ngeci pak dhe prandaj vlerësoj analizën e artikullshkruesit. Fakti që Berisha livadhis, dhe goditet puna e shtetit, s’do koment, janë në shërbim të tij 100%.

            Përgjigjjuni
            1. R
              Replikuesi

              Një replikë për 1- shin dhe Sam . Ka shumë mundësi që , ai që e bën pabarazinë në tendera të ketë përfituar rushfet , por që t'a akuzosh për vjedhje , duhen fakte dhe jo hamendje . Sigurisht që nuk është logjike t'a mbash në burg një që akuzohet për pabarazi në tendera , derisa të hetosh e të gjesh se ndoshta ka vjedhur . Nuk është aspak normale . Sa për atë tjetrin Sam , që bën krahësim me hajdutin që vjen në shtëpi për të vjedhur , është fare pa lidhje . Ndërsa për mutin që përmënd në fund , t'a hash e të luesh turinjtë .

              Përgjigjjuni
              1. K
                Kurr Shqipnia ska qene ma bukur e lire dhe e pasu

                Te gjith abuzusit me pushtetin duhet te ndiqen penalisht , por gjithmon ,duke respektu dinjitetin njerzor dhe pa gjygje popullore siç bohen çdo nate ne 90% te televizioneve pro sali brekskishes N.q.se nji firm ndertimi kerkon te marri nji tender per te bo nji rruge ose nji tunel dhe nuk ka asnji lloj eksperience dhe mund te ofroje nga 200 euro 150 euro athere po ta kisha ne dore do ja jepja nji tjeter firme me eksperienc qe ndoshta kerkon me shume por je i sigurt qe te bon punen dhe jo te boj prova n kok t qerosit.Kjo mund te jet nji version i pabarazis ne tendera.

                Përgjigjjuni
                1. D
                  Dursakja

                  Është e vërtetë që një nënpunës shteti nuk ka pse të frikësohet nëse ai është një profesionist i zoti dhe intelektual dinjtoz. Pushteti për të mbuluar dobësitë dhe zullumet e tij shprehet "se kështu ndodh dhe në botë" ndërsa për të përmirësuar punën në institucionet e tij pse nuk sheh pikërisht përvojën e kësaj bote të përparuar, që bazohet tek meritokracia dhe jo tek përkatësitë partiake ose interesat personale. Pra për të justifikuar dështimet në drejtim pushteti flet për të këqijat e botës, por si mund të përparojë kjo botë kur ka të këqija? Pra pushteti nuk shikon të mirat e kësaj bote, sepse kjo nuk i intereson, kësaj i thonë mashtrim në mes të ditës me diell. Ne tashmë nuk do të shpikim rrotën, atë e kanë bërë të qartë të tjerë, kjo është më se e kuptueshme. Frika para ligjit ekziston për përfituesit, abuzuesit dhe jo tek intelektuali profesionist.

                  Përgjigjjuni

                  Lini një Përgjigje