Në vend të kartolinës për vitin e ri: “Shpërblimi” më i bukur i jetës sime

26 Dhjetor 2025, 21:41Blog Nga Hamdi Jupe

Në mëngjes më thirri Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Servet Pëllumbi në zyrë. Punoja si shef i kabinetit të tij.

- Do të shkojmë për vizitë në Spitalin Ushtarak. Atje është shtruar i sëmurë Artisti i Popullit Kadri Roshi. Ka qenë aktor i madh prandaj meriton respekt – tha ai.

U nisa para tij për të takuar drejtorin e spitalit me qëllim që të ishte aty kur do të vinte Kryetari. Eskorta me Pëllumbin mbërriti në orën e caktuar.

 Hymë në dhomën ku ishte artisti. Me ne, edhe oficeri i eskortës. Aktori ishte sistemuar i vetëm në dhomë për të qenë i qetë nga pacientët e tjerë. Pak fjalë përshëndetëse me të dhe papritur ai na u drejtua neve:

- Ju lutem, dilni pak nga dhoma ju, se kam një muhabet vetëm me Servetin. – Ai po fliste sikur Kryetarin e Kuvendit ta kishte vëlla. U habitëm nga fjalët e aktorit dhe vështruam nga Kryetari. Mirë ne të tjerët, po edhe drejtori – mjek i spitalit, duhet të dilte jashtë nga dhoma e pacientit!?

- - Dilni, dilni - tha Kryetari. - Ne jemi burra të vjetër dhe kemi edhe ne sekretet tona. - Edhe për të ishte e papritur kjo kërkesë e aktorit, por nuk mund ta kundërshtonte.

Dolëm nga dhoma dhe po prisnim në korridor të habitur, derisa dera u hap dhe Kryetari na ftoi të hynim prapë. Qëndruam ca kohë aty, ndërkohë që Kryetari po bisedonte me aktorin dhe drejtorin për situatën e tij shëndetësore. Pastaj u kthyem në Kuvend.

Sapo kisha hyrë në zyrë, kur Kryetari më thirri të shkoja te zyra e tij. Më habiti kjo, sepse para pak minutash ishim bashkë në spital. Mos vallë kishte ndodhur ndonjë gjë e papëlqyeshme gjatë vizitës sonë atje (çështje protokolli) dhe tani po më thërriste për të më tërhequr vërejten për “pakujdesi në detyrë”? U ulëm të dy në kolltukun e gjatë të zyrës së tij. Kryetari heshti për pak çaste, pastaj hapi gojën.

- E more vesh përse ju nxori artisti nga dhoma juve?

- Jo, nga ta merrja vesh? - u përgjigja. – Ju e patë vetë atë që ndodhi, ne dolëm jashtë.

- Po – tha profesori, gjithnjë me një hije të rëndë trishtimi në fytyrë – Ai ju nxori juve jashtë dhe atëherë, kur ngelëm vetëm, më bëri mua një kërkesë të panatyrshme. – Kryetari mori frymë thellë, sikur të donte të thoshte diçka të rënde. - Më tha: “Të lutem, më ndihmo të gjej ca para, se e kam gruan pa bukë në shtëpi. Nuk po pyes për veten time, se e di që do vdes, po kam hallin e saj”.

 U habita nga kërkesa e tij – vazhdoi Kryetari. - M’u duk sikur më ra tavani mbi kokë, por shpejt e mblodha veten. Mendova se një njeri në hall, mbi tetëdhjetë vjeç, i shtruar në spital në prag të vdekjes mund të bëjë edhe kërkesa të tilla. Prandaj të kam thrirrur – vazhdoi. - Të shikosh se çfarë mund të bëjmë ne si Kuvend për të nxjerrë diçka, ndonjë fond të vogël, për të ndihmuar aktorin. Bisedo me ata të financave të Kuvendit dhe më sill një përgjigje.

Atij i takon pension i posaçëm si një artist i madh, dreqi ta hajë, dhe unë do merem me këtë çështje pranë qeverisë, deri sa ta zgjidh. Në këtë botë ka plot padrejtësi dhe një e tillë është edhe kjo me artistin Kadri Roshi. Por ai është keq për bukë sot dhe kjo punë më ngeli mua në shpinë tani. Me rrogën time po lajmë një kredi që kemi marrë për shtëpinë e re dhe nuk tepron gjë prej saj.

Më erdhi e papritur kjo kërkese e Kryetarit, prandaj thirra menjëherë në zyrë drejtoren e financave të Kuvendit Dafinën, për të parë se çfarë mund të bënim për ta ndihmuar artistin. Ajo ishte një financiere e vjetër, e rrahur me vaj e me uthull për gati dyzetë vjet me financat e shtetit, prandaj vetëm ajo mund të gjente zgjidhjen e problemit. E thirra në zyrë.

- Para për aktorin!? - pyeti ajo sapo hapa gojën për to. - Mos e diskuto! Nuk kemi asnjë hapësirë ligjore për të bërë një gjë të tillë. Është punë që s’bëhet. A, po, ndryshe do të ishte puna, nëse artisti do të ishte ndonjë piktor i njohur dhe ne mund të blinim disa vepra arti të tij, për të zkukuruar mjediset e Kuvendit, se i kemi për ibret të zotit, pa një vepër arti në to. Po aktori … çfarë mund t’i blejmë ne atij? Asgjë.

- Po ti prit njëherë – i thashë. – Mos e thuaj fjalën e fundit në fillim. Kjo është porosi e Kryetarit, nuk është imja - Iu luta ta shikonte edhe një here me kujdes kërkesën, se nuk kisha çfarë përgjigje t’i jepja shefit që po më priste në zyrë për porosinë që më kishte dhënë. Por ajo nuk luante nga e saja. U ngrit e doli nga zyra, duke më lënë me gisht në gojë, pa asnjë shpresë për atë që kërkoja.

Ngela i vetëm dhe i çarmatosur në zyrë. Çfarë të bëja tani? Kur s’e zgjidh dot Dafina këtë punë, nuk e zgjidh dot askush tjetër. Vetë nuk kisha para, kisha dy fëmijët studentë në Itali. Tani do të duhet të shkoja t’i jepja Kryetarit lajmin e keq, që Kuvendi nuk ka asnjë mundësi ligjore të nxirrte diçka për aktorin e madh në prag të vdekjes. Por nuk më bëhej të shkoja te ai me duar bosh, nuk më bëhej. M’u faneps në mendje cironka e tharë në xhepin e poetit arbëresh Derada, në ditën e nisjes së tij për në parajsë. Ra zylja e telefonit të zyrës.

- Dafina jam – u dëgjua zëri i saj në anën tjetër të tij. - Në zyrë je? Dua të vij edhe një herë atje. - Çfarë lajmi tjetër të zi donte të më jepte tani femra me shpirtin prej akulli, me detyrën “gardiane” e financave publike të Kuvendit?

- Po hajde pra, në zyrë jam siç e sheh. Ti këtu ishe tani. – Ajo erdhi me një frymë. Pasi u mendua pak, hapi gojën:

- Shiko, ka vetëm një rrugë për të nxjerrë ca para nga arka e Kuvendit për artistin, por kjo bëhet vetëm me urdhër të Kryetarit.

- Natyrisht që me urdhër të Kryetarit do të bëhet, nuk do bëhet me urdhrin tim. Po cila është rruga? – e pyeta.

- Po ja, Kryetari ka të drejtë të të japë ty si shef i kabinetit dy rroga mujore shpërblim për punë “shumë të mirë” që ke bërë në shërbim të institucionit. Futja kot domethënë. Ti pastaj i merr ato para dhe ia çon artistit. Vetëm kjo është rruga ligjore. Duket si diçka që nuk shkon, e kuptoj, por bëj be që nuk ka asnjë rrugë tjetër të mundshme, asnjë rrugë tjetër. – Ajo sikur u çlirua më në fund nga tensioni që e kishte pushtuar, pas asaj që tha. I kërkova të ma shpjegonte edhe një herë “zgjidhjen” e saj ligjore që ta kuptoja më mirë dhe ajo ma shpjegoi. Nuk kisha bërë ndonjë punë “të shquar” për institucionin për të marrë shpërblim të veçantë, kisha bërë punën e zakonshme për të cilën merrja rrogën por…

Shkova te Kryetari dhe ia thashë “zgjidhjen”.

- Bëhet kjo punë? – pyeti.

- Bëhet. Kështu thotë Dafina. – iu përgjigja.

- Epo mirë pra, ma sillni urdhrin ta firmos pra.

Bashkë me Dafinën formuluam urdhrin: “Në bazë të nenit kaq e aq … shpërblehet shefi i kabinetit (emri im) me dy rroga mujore për punë shumë të mirë në shërbim të Kuvendit të Shqipërisë. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë. Kryetari: Servet Pëllumbi.”

Ia çova urdhrin për firmë. E vulosa në protokoll dhe çdo gjë ishte gati. Mora paratë në llogari dhe ia çova artistit në spital. Kishte kaluar mesdita dhe ai ishte vetëm në dhomën e tij.

I dorëzova zarfin me “porosinë e Servetit” në dorë. Ai më falenderoi me lot në sy. Ishte një sasi parash sa për një “ngushullim” të çastit, të cilat nuk mund të zgjidhnin problemin e tij për gjatë. Nuk dihej nëse artisti do të dilte më i gjallë prej andej. Drejtori i spitalit e kishte thenë ketë kur dolëm nga dhoma e të sëmurit. Merreni atë shtatore dhe kushtojani ndonjë ministri a deputeti që ka më shumë “merita”, duke e lënë Artistin e Popullit pa bukën e gojës në ditët e fundit të jetës së tij, në nisje të shekullit të njëzetenjëzetë.

Kisha frikë se mos në dhomën e tij hynte ndonjë nga ata që bëjnë “kontrolle të paautorizuara”, kur pacienti ishte në gjumë dhe atëherë na shkonte “shpërblimi” për dhjamë qeni. Ai tha se pasdite atje do të shkonte gruaja e tij dhe do t’ia jepte asaj zarfin.

U ktheva në institucion dhe i raportova Kryetarit për detyrën e kryer.

- Oh, ç’më ke shpëtuar nga një siklet shumë i madh! - tha i lehtësuar. Kryetari ishte te të shtatëdhjetat.

Urdhri për shpërblimin tim për punë “shumë të mirë” ndodhet në arkivin e Kuvendit prej më shumë se njëzetë vjetësh. Është “shpërblimi” më i bukur i jetën sime. Me firrmën time në bordero ishte bërë e mundur të ndiheshin mirë për pak çaste dy njerëz të shquar të këtij kombi. Dëshmitare është Dafina, drejtorja “shpirtakull” e financave, tani pensioniste.

(Nga libri: “Shënimet e gazetarit”)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

14 Komente

  1. P
    Pensionisti

    Nje akt qe duhet ta turperoje ate dhe kryetarin ,e tregon me murrje. Nese ishte kaq alturist, ky dhe kryetari duhej te mblidhnin nga parate e veta dhe te depudeteve qe kishin rroga te majme, qe merrnin dieta e honorate, qe u paguheshin edhe telefonat qe merrnin bonuse edhe per mbledhjet ne komisione dhe jo te vidhnit parate e taksapauesve te varfer shqiptar. Keta na paskan vjedhur ne per artistin e shquar, po per 550 mije pensioniste qe marrin me pak se 200 euro ne muaj, kush do vjedhe qe tu lehtesohet sadopak skamja, Elisa e 5 milion euroshit te doganave apo Bela e 50 milion euroshit te Tunelit te Llogarase?

    Përgjigjjuni
    1. P
      Parku Rinia

      Servet Pellumbi, i cili, pas tij, e ne kembe te tij, futi si deputet ne Kuvend (para publike!) te birin, Arben Pellumbi, oligark i pompave te ujit, ¨perpelitej¨ si Kryetar Kuvendi ta ¨ndihmonte¨ Artistin e Popullit ne shtratin e vdekjes, si e si, dhe vetem, me parate publike/shteterore, e ¨nuk i shkonte¨ nder mend t'i lutej te birit te leshonte ca para nga thaset e deklaruara/te padeklaruara te bizneseve te tij, me shume se te sukseshme atehere, por edhe sot e kesaj dite .....

      Përgjigjjuni
      1. J
        Jeniceri

        Ky episd nderon Servetin dhe Hamdiun, po Kadri Roshit ia shpie dinjitetin nen nivelin e detit. Mund te ishte evituar botimi i ketij shkrimi ne respekt te artistit tone te madh.

        Përgjigjjuni
        1. n
          njerezorja

          shume njerezore e lavdrueshme kjo qe eshte bere per njeriue artistin e madh kadri rroshi. me vjen keq por zgjidhja ka qene shume me thjeshte dhe ligjore. por edh deputetet nuk i njohin mire ligjet. per kete rast keshilli i qytetit ka kompetence te miratoje nje ndihme ne leke per nje familje ne nevoje te manjehereshme edhe mujore per disa koehe. kjo ishte edhe ne kohen e sistemit komunist. pak e cuditshme qe nuk e keni dite nje ligj te tille. nejse shyqyr qe e keni zgjidhe

          Përgjigjjuni
          1. V
            Vjosa

            Ka pasur njerëz e bura të mirë dikur ,por tani s'ka më.I hëngri demoshkatëria i shoi të gjithë ,jan bërë më keq se Saliu ,ose më mirë të themi jan shpellëzuar njerzit e nuk gjen dot bura me hije.Tani të mbajmë mënd kohën e shkuar dhe të kujtojmë me nostalgji humanizmin e shoqërisë tonë ,tani edhe humanë (MJEKËT)jan kthyer në bisnesmen .

            Përgjigjjuni
            1. V
              Vjosa

              Ka pasur njerëz e bura të mirë dikur ,por tani s'ka më.I hëngri demoshkatëria i shoi të gjithë ,jan bërë më keq se Saliu ,ose më mirë të themi jan shpellëzuar njerzit e nuk gjen dot bura me hije.Tani të mbajmë mënd kohën e shkuar dhe të kujtojmë me nostalgji humanizmin e shoqërisë tonë ,tani edhe humanë (MJEKËT)jan kthyer në bisnesmen .

              Përgjigjjuni
              1. X
                Xhek

                Po pse nuk mori leke Serveti nga birra Tirana qe ua dha djemve apo ato leke nuk prekeshin eh more hajdute .

                Përgjigjjuni
                1. S
                  Sejfulla Maleshova

                  De Rada vdiq i nëmur, thonë arbëreshet. I nëmur, domethënë i papasur. Pasuria e vetme e De Radës ka qenë gomari që i hipte kur shkonte për të dhënë mësim. Kur vdiq i gjetën një cironkë të thatë, në xhep.

                  Përgjigjjuni
                  1. V
                    Vlora1912

                    Respekt për njerëzit e Mëdhenj që ka pasur Shqipëria(përfshi edhe Gazetarin Jupe), por besoj se sot, në këtë gjendje që u katandis TemA, në mbrojtje të hajdutërisë, nuk ka të drejtë morale të publikoj këtë ngjarje shumë domethënëse. . . Me keqardhje të thellë e them këtë gjë për Gazetën tema.

                    Përgjigjjuni
                    1. S
                      Shkembi

                      Sa nevoje kemi per shkrime te tille human dhe njerezor. Lexova edhe komentet me siper e qesha. Jane akoma gjalle e aktive kriminelet e viteve 90 qe e pergjaken disa here demokracine dhe profesorin tone te nderuar. Jemi ne pluralizem e s'mund ti mohojme keta plehra qe cdo dite derdhin helm mbi shqiptaret, nepermjet hales Sali. I uroj shendet e jete te gjate profesorit tone te nderuar Servet Pellumbi.

                      Përgjigjjuni
                      1. P
                        Plaku

                        Një shprehje japoneze thotë - Po te shikosh një njeri me mëngë të grisur që ecën në rrugë ose do të jetë poet (artist) ose mësues!!!

                        Përgjigjjuni
                        1. p
                          ppa

                          Kjo eshte nje "prove" per SPAK-un, te padise H.Jupen dhe financiaren, se S. Pellumbi, ka nderruar jete; korrupsion me parate e shtetit!

                          Përgjigjjuni
                          1. S
                            Shqiptari

                            ppa, i nderuari Servet Pellumbi jeton dhe i urojme jete edhe me te gjate!

                            Përgjigjjuni
                            1. I
                              Ilir tiku

                              Hamdi Jupe, qenke hajvan qe mburresh se i dhate parate e shtetit. Duheni denuar Serveti qe kishte zgjedhur shef kabineti nje hajvan qe mburret se kane vjedhur parate e shtetit.

                              Përgjigjjuni

                              Lini një Përgjigje