Takohemi tek "Vorri i Bomit"....

30 Maj 2024, 19:29Blog TEMA
Takohemi tek "Vorri i Bomit"....

Nga Ben Andoni

Identifikimi i adresës sime personale në Tiranë është gati po ai i vjetri me përjashtimin e vetëm, që emri i rrugës ka ndryshuar. Është i njëjti numër pallati, e njëjta shkallë, i njëjti apartament prej gati plot 60 vitesh, që shkruhet rregullisht në adresën time.

Ndërkohë, që identifikimet e tjera, të cilat janë detyrime dhe që janë aplikuar duket se nuk kanë zënë vend (për hir të së vërtetës, edhe në lagjen tonë kemi numra të tjerë mbi dyert e shtëpive!!). Megjithatë, çdo klient kur duhet të identifikohet për porositë tranzitore, ushqimet e shpejta apo takime, pra, e gjithë pjesa e fqinjësisë sonë përdor të njëjtin identifikim, që prej 60 vitesh: Tek “Libri Universitar”, në hyrje të Bllokut. Për fat, Blloku ka mbetur identifikim urban historik, kurse vetëm Libraria e njohur nuk e ka ndryshuar destinacionin e saj prej pothuaj po kaq vitesh.

Kaq ka mjaftuar, që ajo të mbetet referimi më i saktë dhe i pagabueshëm për këdo, por sidomos për shqiptarët që janë larguar prej vitesh dhe që kërkojnë të vinë tek ne. Kjo mënyrë identifikimi është pothuaj për të gjithë Tiranën, por tiranasit e vjetër ende përdorin toponiminë e tyre urbane, qoftë si krenari (te Vorri i Bomit, te Selvia), por edhe si pjesë e pagabueshme ndaj ndryshimeve të vazhdueshme. Toponimet urbane të socializmit nuk mundën t’ua ndryshonin dot emërtesat e vjetra që pleqtë i përdornin natyrshëm, por ju shtuan, si pjesë përbërëse e zhvillimeve.

Ende thuhet te “21 Dhjetori” apo te “Bërryli”, “Farmacia 10” etj. Kjo është në fakt temë dokumentari, por sot ka ardhur momenti, që shqiptarët të kenë një identifikim përfundimtar, që të jetë i respektuar. Për fat të keq, ndërtimet në mes të qytetit dhe ato që po bëhen ngado nuk “e gjejnë dot veten” për adresimin, ashtu si të rinjtë kanë shtuar toponiminë e re, që është vala e katërt e ndryshimeve pas shpalljes Tirana kryeqytet dhe që më shumë lidhet me larshmërinë e emrave të bareve apo me restorantet.

Adresat, në fakt, janë dhe identifikime sociale, që tregojnë zhvillimet në Shqipëri. Një shembull, që na vjen prej Mbretërisë së Bashkuar, njërit prej vendeve me zhvillimin më të vjetër kapitalist në botë: Vetëm me Kodin Postar, merret vesh rrugina e lagjes ku banon dhe pastaj po nga numri që shtohet bëhet edhe identifikimi i saktë i banesës. Tek ne duhet të shkosh në postë të marrësh pakot, të sqarosh adresën kurse në vendet evropiane të ndjek posta.

Të vinte kjo ndërmend këtë javë për draftin e ri të adresave dhe debatet parlamentare për të në një sallë gati të boshatisur. Teknikisht, në ligjin e miratuar në shtator të vitit 2016, parashikohej (në nenin 29, pika 1) se: procesi i emërtimit dhe numërtimit do të duhej të përfundonte brenda datës 31 dhjetor 2016!! Në fakt, kanë kaluar plot tetë vite dhe jemi përleshur në politikë kemi humbur kohë pa fund, opozita është ende e ndarë, kurse maxhoranca synon mandatin e katërt rresht por në relacion që shoqëron këtë projektligj ende ka justifikime.

Aty thuhet “…për qëllim zgjidhjen e problematikave të ngritura nga mosangazhimi i strukturave përkatëse në respektim të detyrimeve ligjore”!!! Për fat të keq, maxhoranca socialiste ka pasur pushtetin në momentin e parë të ndryshimit të adresave më 2004, pastaj në 2016 edhe tashmë më 2024.

Pa u nxituar, sepse me atë zhvillim kaotik urban që kemi, sërish mund të përsërisim të njëjtën gjë, a mund të bënim një reformë reale që të ishim si të gjithë bota sa i përket adresarëve. Nuk do ishte mirë të tregohej pse dështuam? S’duhet të harrojmë se skanimi i territorit nga Shteti ynë për ndërtimet diku në dekadën e dytë të shekullit tonë ju vendosi numra të gjitha banesave. Por, paradoksi është se atë sistem adrese nuk e njeh dhe e përdor posta, shoqëria apo dhe vetë shteti.

Ne mbetemi akoma më të besueshëm me ato që lidhen me toponiminë e dikurshme urbane, apo si e shprehu me një fjalë të qartë në parlament deputeti i PD-së Ferdinand Xhaferri, pas tregoi problematikat e këtij ligji: Të gjejmë përgjegjësitë sepse “vetëm kështu mund të krijohej bindja që nuk po ecim nga dështimi në dështim edhe që ky projektligj nuk do jetë një dështim i ri”. Por, aluzioni i shprehjes së Çërçill, përdorur nga deputeti, nuk është se bëri përshtypje te kolegët. Me sa duket, sërish do kemi të njëjtën gjendje. Tek e fundit, ne sërish do mbetemi me referimet e dikurshme, ato që na kujtojnë më së shumti të parët tanë…dhe kaosin tonë organik.

6 Komente

  1. V
    Vironi ke stacioni i trenit

    Ne te ardhurit na Vlora ne Tirane i thomi ke varri i Barjamit

    Përgjigjjuni
    1. K
      KUTUZOVI

      Adresimet me te saketa i ka Italia.Ajo nuk ka lagje.Per mendimin tim,lagjeve nuk u dihet ku eshte fillimi dhe ku eshte mbarimi,te cilat populli i ka te veshtira t'i dij. Italia,ka bere adresimet e shtepive vetem nepermjet vijave (rrugeve).Cdo rruge ka emertimin e vete dhe numrin e caktuar sipas shtepive dhe jane shume te thjeshta per t'u gjetur dhe shume te saketa.

      Përgjigjjuni
      1. A
        Arian

        Ben ke bere goxha shkrim per problemin e adresave po shkruaja dhe emrin atij “zdromsit “qe duhet ta bej kete pune mos ki frike

        Përgjigjjuni
        1. F
          Franci

          Z. Andoni ka edhe me keq nga situata qe parashtroni ju ! Te rruga e thesarit ( Muhamet Deliu) kur devijon poshte te shkolla “ 17 shkurti” nuk ka emertim rruge dhe me e keqja eshte qe mbrapa shkolles nuk ka dhe emertime te numurit te pallateve. Dhe akoma me keq qe ka pallate qe kane 14 vjet qe banohen dhe ndertuesit mbajne bosh kullen e ashensorit dhe pa hipoteke. Kur banoret i drejtohen ndertuesit per ti plotesuar keto te pergjigjen me arrogance qe nuk dua ! Pra institucionet i japin lejen e ndertimit dhe nuk interesohen me si eshte zbatuar ajo !!!!!

          Përgjigjjuni
          1. M
            Maks

            Ndoshta jemi konservatorè ( anadollak ) nè disa drejtime, kjo nè lidhje me emblemat e dikurèshme tè qyteteve tona, por edhe me vlersimin qè i bèjmè monedhès ton Lekut. Nèse na duhet tè zhvillojmè turizmin nè standarte tè kènaqèshme adresat kanè njè rol tè rèndèsishèm. Kètu mund tè shtoj psh. emèrtimet e vjetra si "Selvia", " Vorri i Bomit ), "Brryli" Braka; etj tè vendosen nè harta ose nè pika tè rèndèsishme tè qytetit tè shoqeruara me fotot e tyre tè dikurèshme etj.

            Përgjigjjuni
            1. O
              Oxhaksi

              Shkrimi ka të drejtë për shumë gjëra, por ka edhe ca gabime të vogla. Është e vërtetë që sistemi i adresave në Shqipëri (sidomos në Tiranë) është një kaos i vërtetë dhe që në mungesë të një sistemi funksional, qytetarët kanë "zgjedhur" të mbajnë referemin me emërtimet e vjetra të lagjeve ose pikave të referimit. Gjithsesi, në çdo qytet evropian, sado që kanë sisteme të mirëqëna adresash, emërtimet e lagjeve dhe lokalizmat kanë mbetur ende gjallë. Jo sepse janë të nevojshme, si tek ne, por edhe sepse këto referenca krijojnë identitet dhe një ndjesi komuniteti në një qytet që zgjerohet pa fund. Prandaj edhe nëse një ditë kur politika të ketë vullnet mos të vjedhë zgjedhjet dhe të sistemojë përfundimisht adresat, emërtimet e lagjeve do mbeten gjithmonë atje, si një dëshmi e një identiteti të vogël komunitar në qytetin e madh.

              Përgjigjjuni

              Lini një Përgjigje