Tani Erdogani do të kontrollojë edhe Kuranin

1 Korrik 2025, 11:47Blog TEMA
Tani Erdogani do të kontrollojë edhe Kuranin

Në të ardhmen edhe interpretimi i librit të shenjtë të myslimanëve do të jetë në kompetencën e drejtpërdrejtë të autoritetit shtetëror fetar në Turqi. Me këtë hap, presidenti Rexhep Taip Erdogan synon t’i frikësojë teologët liberalë

Nga Enver Robelli

Rexhep Taip Erdogani e sheh veten si sulltan modern të Turqisë. Idhulli i tij më i madh është despoti Abdylhamiti II, i cili e sundoi Perandorinë Osmane me dorë të hekurt nga viti 1876 deri më 1909. Ai nuk hezitoi ta pezullonte kushtetutën, t’i përndiqte kundërshtarët politikë dhe t’i mobilizonte qarqet konservatore-islamike kundër qytetërimit perëndimor.

Në më shumë se dy dekada në pushtet, Erdogani e ka centralizuar dhe personalizuar sundimin e tij, njësoj si dikur Abdylhamiti II. Zërat kritikë shtypen në mënyrë sistematike dhe kundërshtarët politikë përfundojnë në burg, sidomos kur para zgjedhjeve e përbëjnë një rrezik real për pushtetin e Erdoganit.

Së fundi, presidenti 71-vjeçar ngarkoi një grup juristësh për ta hartuar një kushtetutë të re – kjo, siç tha, po bëhej në interes të vendit. Por për kritikët e tij është e qartë: Erdogani po e kërkon një mënyrë për të qëndruar në krye të shtetit edhe pas përfundimit të mandatit të tij në vitin 2028, dhe të vazhdojë të jetojë në pallatin e tij madhështor me 1000 dhoma në Ankara.

Sepse Erdogani ka ende plane të mëdha. Një nga qëllimet kryesore të tij është transformimi i shoqërisë dhe edukimi i një “brezi besimtarësh të devotshëm”. Për ta arritur këtë, ai synon prej kohësh të ketë kontroll mbi interpretimin e Kuranit. Së fundmi, koalicioni qeverisës e miratoi në parlament një ligj që ia hap Erdoganit rrugën drejt këtij qëllimi. Në të ardhmen, autoriteti shtetëror fetar, Diyanet, do të mund të shkatërrojë përkthime të Kuranit nëse i konsideron të papërshtatshme.

Kritikët e akuzojnë Erdoganin se me këtë hap kërkon t’i frikësojë teologët liberalë dhe t’i censurojë interpretimet e tyre të Kuranit. Këta të fundit angazhohen për një shumëllojshmëri interpretimesh dhe kërkojnë një kontekstualizim historik të librit të shenjtë.

Selçuk Ozdag nga Partia opozitare e së Ardhmes deklaroi në parlament: “Kjo qeveri dëshiron të hyjë në histori – me djegien e Kuranit.” Ai e akuzoi kabinetin dhe autoritetin fetar Diyanet për shkelje të parimeve themelore të Islamit. Si shumë herë më parë, edhe ky ligj i shërben politizimit të fesë. “Të paktën mos u përzieni në fenë tonë të shenjtë”, tha Ozdag.

 

Por Erdogani vështirë se do t’iu kushtojë vëmendje zërave kritikë. Ligji që ai e ka shtyrë përpara e mundëson ndër të tjera ndalimin e teksteve fetare në internet, si edhe të regjistrimeve audio dhe video që devijojnë nga interpretimi zyrtar i Kuranit.

Kreu i Diyanetit i emëruar nga Erdogani, Ali Erbas, njihet si ultrakonservator. Ai ka në varësi të tij 90 mijë xhami në Turqi. Në të kaluarën Erbas është bërë i njohur për deklarata homofobe apo antisemitike.

Kompetencat e reja të Diyanetit mund t’i prekin edhe degët e Diyanetit në vende të tjera. Për shembull në Gjermani, Zvicër, Austri.

Në vetë Turqinë, Erdogani i ka ndërtuar dhjetëra xhami gjigante brenda pak vjetësh. Por xhamitë zakonisht mbeten bosh. Sipas një studimi të fundit të institutit të njohur kërkimor KONDA, përqindja e qytetarëve që e përshkruajnë veten si fetarë ka rënë nga 55 për qind në vitin 2008 në vetëm 46 për qind sot.

Por Erdogani nuk heq dorë. Programi i ri mësimor, i miratuar vjeshtën e kaluar, i jep rëndësi të madhe historisë osmane, traditave, rolit të fesë, si dhe vlerave dhe moralit turk. Sindikatat e mësuesve dhe mbrojtësit e trashëgimisë laike të themeluesit të shtetit Mustafa Kemal Ataturk e kritikojnë këtë si të papajtueshme me një arsim laik, shkencor dhe demokratik. Erdogani e paraqet kështu: Bëhet fjalë për edukimin e fëmijëve në njerëz moralë, të guximshëm, patriotë dhe me virtyt.

Por fakti që të rinjtë kanë pak interes për fenë, u tregua këtë pranverë. Pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, u ngrit në këmbë veçanërisht “Brezi Z” – të rinjtë nga 18 deri në 29 vjeç kërkojnë mundësi më të mira arsimimi, vende pune që e sigurojnë jetesën dhe një shtet demokratik të së drejtës. Sipas sondazheve më të fundit, vetëm 11 për qind e tyre mund ta imagjinojnë të votojnë për partinë në pushtet AKP.

Për Erdoganin kjo është një kambanë alarmi. Protestat ai i shtypi me represion të ashpër, por pakënaqësia nën sipërfaqe vazhdon të vlojë. Qysh në vitin 2023, një studim i fondacionit gjerman Konrad-Adenauer tregoi se 63 për qind e të rinjve turq dëshironin të emigronin. Që nga ajo kohë, dhjetëra-mijëra e kanë braktisur vendin.

2 Komente

  1. V
    V.F.L.P

    Ke shumë të sakta këto për Erdoganin zoti V.F.L.P. Mos u merr shumë me nderkombëtarizime që ju si kosovarë jepni shumë mënd, por mundohu të kontribuosh në Kosovë, aty nga edhe ti me gjithë çke nga pas keni dalë në, dhe më bën përshtypje se përgjithëçka shkruan, por për vëndin tënd, nuk shkruan fare dhë më preokupon fakti që nuk shqetesohesh fare për rrugën drejtë theqafjes që ka marrë Kosova, nga drejtimi i një të çmenduri si Albin Kurti e co, që është edhe miku juaj anarkomarksist. Shëndet e bythë të forta.

    Përgjigjjuni
    1. E
      Erdogan dhe klyshat e tij

      Ke””harruar””,bijte e Babes Erdogan, edin dhe al-bin, ne vilajetin ballkanas.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje