Nga Feti Zeneli
Pas më shumë se tre dekada e ca ndryshimesh dhe reformash të ndryshme në ekonominë e tregut, pyetja që ende nuk ka marrë një përgjigje të plotë është: Kur do t’i vijë fundi tranzicionit tonë raskapitës?
Një nga ekonomistët më të njohur të kohëve të sotme, Joe Stiglitz, duke theksuar se, “… kalimi nga regjimet socialiste në ekonomitë e tregut është një eksperiment i madh”, do të tregojë me fjalë të tjera, se fundi i tranzicionit nënkupton mbarimin e një cikli, që “kombinon vendosjen e demokracisë, tregut të lirë dhe integrimit evropian”. Ky proces komplikohet herë pas here nga mospërputhja e fortë midis shpresave dhe euforisë së fillimviteve ’90 me metodat dhe mënyrat e ndjekura për të marrë rezultatin e kërkuar, sipas objektivave të mësipërm politiko – ekonomik.
Menjëherë mbas rënies së Murit të Berlinit dhe fillimit zyrtar të tranzicionit, në mesazhin e tij për vitin e ri 1990, Vaclav Havel e shpreh në mënyrë mjaft vizionare për “ëndrrën e tranzicionit”: “Keni dëshirë të më pyesni se çfarë republike ëndërroj unë? Unë ëndërroj një republikë të pavarur, liberale, demokratike, ekonomikisht të zhvilluar dhe njëkohësisht të barabartë nga ana sociale”. Dhe kjo ëndërr për Çekinë e Havelit u bë realitet brenda 15 viteve, me pranimin e vendit të tij si anëtar i Bashkimit Europian në vitin 2004.
Shqipëria ka 32 viteve tranzicion, dhe si për koinçidencë nën Presidencën Çeke, para pak javësh, u vendos për fillimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Pra akti final, ai i anëtarësimit të vendit në familjen e përbashkët europiane, me shumë gjasa, është ende larg.
Pra, ndërkohë që në shumicën e vendeve të Evropës Qëndrore e Lindore, debatet dhe politikat specifike për “dhënien fund dhe mbylljen përfundimtare të periudhës së tranzicionit” kanë qënë shumë aktive e efiçiente brenda një dekade e gjysëm, duke kaluar nga logjika e politikave për “përfundimin me sukses të tranzicionit”, drejt politikave për “ndërtimin e një ekonomie tregu dhe kapitalizmi efiçient”; në Shqipëri, debatet dhe analizat për fundin e tranzicionit janë mjaft të zbehta dhe pa ndikimin e duhur në qeverisje dhe vendimmarrje.
Shqipëria edhe në raport me fqinjët ballkanikë është akoma larg përmbushjes së kushteve për konsolidimin e një kapitalizmi demokratik dhe me rezultate ekonomike e financiare të dobëta, çka nënkupton se i duhet akoma kohë për të deklaruar fundin e tranzicionit në kuptimin e plotë të fjalës.
Tranzicioni drejt “demokracisë funksionale” apo “kapitalizmit demokratik” vështirësohet edhe nga mungesa e traditave demokratike dhe kulturës politike perëndimore në Shqipëri, gjë që është bërë akoma më problematike për shkak të zgjedhjes në krye të shtetit dhe institucioneve qeverisëse, të individëve pa vizionin e duhur dhe çështjet e karakterit dogmatik, që s’mund të përshtateshin lehtë me kërkesat e reja të sistemit politiko-shoqëror.
Vendi ynë mund të kishte patur një ecuri shumë më të mirë dhe shumë më të shkurtër në tranzicion, nëse nuk do të kishte ndodhur ’97-a, e cila i ktheu në pikën “zero”, në mos në “minus” të gjithë arritjet dhe reformat politiko-ekonomike që ishin ndërmarrë për 6-7 vite me radhë. “Revolucioni demokratik i vonuar”, siç u artikuluan në mënyrë të rëndomt ngjarjet e asaj kohe, ishte një papërgjegjshmëri e theksuar qeverisëse e Sali Berishës, që e çoi vendin në prag të luftës civile, pavarësisht justifikimeve të tij politike. Është e njëjta papërgjegjshmëri që ky zotëri po manifeston tani, pas shpalljes “non grada”, fillimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pak më vonë nga Mbretëria e Bashkuar, duke u zgjedhur jashtë kuadrit moral e ligjor si Kryetar i PD-së së shkatërruar, njëlloj si në ’97-ën, kur zgjidhej president i vendit, ndërkohë që Shqipëria kishte kaluar në anarki të plotë nga jugu në veri.
Një nga pasojat më të rënda të trazicionit të tejzgjatur shqiptar është edhe fanomeni i largimit masiv të njerëzve nga vendi, që politika e shfrytëzon apo e justifikon sipas interesit të vet, sidomos nga opozita, duke bërë gjithnjë përgjegjëse për një gjë të tillë qeverinë. Por pa dashur të marrim anë në këtë rast; pra të përcaktojmë, kush është më shumë apo më pak fajtor, problem i ikjes së shqiptarëve, është shndërruar aktualisht në një problem të madh kombëtar, që bën me turp gjithë klasën politike të këtyre 32 viteve tranzicion. Janë të justifikueshme, deri – diku, emigrimet e popullsisë shqiptare në vitet e para të tranzicionit, por të ikin në dekadën e fundit mbi 700 mijë vetë, kjo është alarmante. Ndërkohë, fakti që më shumë se gjysma e tyre kanë ikur këto 4-5 vitet e fundit, e rrëzon deri – diku pretendimin e opozitës, se ikin për shkak të keqqeverisjes. Jo se qeveria s’ka përgjegjësi, ka shumë madje, por ikjet e viteve të fundit lidhen kryesisht me mungesën e shpresës, që ngjall opozita tek qytetarët. Sidomos kjo gjë është qartësuar shumë këto muajt e fundit, pas daljes në skenë të “Foltores” dhe përçarjes së madhe të opozitës, të cilën qytetarët s’e shohin më si shpresë ndryshimi as për një dekadë tjetër.
Ndalimi i shpopullimit të vendit mund të ishte bërë shumë mirë një kauzë beteje e opozitës, shumë herë më e fortë dhe më e ndjeshme se “inceneratorët” apo “aferat e tjera korruptive” të qeverisë. Por opozita kujtohet për këtë çështje kur do të kritikoj ekzekutivin apo sa herë i duhen njerëz për mitingje. Pra, sa për propaganda, duke mos reflektuar ndjeshmëri e besueshmëri në çfarë thuhet e tregohet në raste të tilla, pa më moral as që bëhet fjalë.
Po le të kthehemi tek problemi real që ekziston në këtë drejtim dhe, që më shumë se sa politika jonë institucionale, shqetësohen institucionet ndërkombëtare. Raporti më i fundit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili iu referohet ritmeve aktuale të lindshmërisë, emigracionit dhe lëvizjes së qytetarëve shqiptarë parashikon, se në fund të shekullit të XXI, popullsia e vendit tonë mund të zbres nën një milion banorë, afërsisht aq sa ç’ka qënë para 100 vitesh. Siç dihet, statistikat e para zyrtare të regjistrimit të popullsisë shqiptare, i përkasin vitit 1923, periudhë në të cilën vendi ynë numëronte 823 mijë banorë. Pra, pas afro 80 vitesh, deri në fund të këtij shekulli, Departamenti i Popullsisë në OKB parashikon, që popullia e vendit tonë, të kthehet 180 vite pas, sa ç’ka qënë një dekadë pas shpalljes së Pavarsisë, sikur është hedhur një virus vdekjeprurës mes njerëzve tanë.
Ky është skenari më negativ i parashikuar, që duke u mbështetur në realitetin aktual politik, me këtë “minim non grada” të opozitës, ka shumë gjasa të ndodh, siç përshkruhen me fantazi të shfrenuar këto ngjarje nëpër libra e filma. Diçka të përafërt kam lexuar edhe në librin “Jeta ime”, ish-Presidenti amerikan, Bill Klinton, ndonëse është nje temë krejt tjetër.
Midis kujtimeve pa fund, Ish-Presidenti amerikan sjell edhe atë të një darke të organizuar së bashku me Hillarin gjatë “Fundjavës së Rilindjes”, ku kishin ftuar “…Kreig Veneterin, biolog molekular, shoqëria e të cilit po bënte përpjekje për të përfunduar zhinxhirin e studimit njerëzor”. Kur e pyeti Kreigun: “… nëse ishte e mundur që bërja e hartës gjenetike t’u lejonte terroristëve të zhvillonin gjene sintetike, të riplanifikonin viruset ekzistuese ose të kombinonin linë me një tjetër virus vdekjeprurës për ta bërë edhe më të dëmshëm”, ai i rekomandoi të lexonte “… romanin e ri të Riçard Prestonit, “Dita e kobrës”, një roman policor, që tregon për orvajtjet e një shkençëtari të çmendur për të zvogëluar popullsinë e botës duke infektuar qytetin e Nju-Jorkut me një “brainpox”, një kombinim i virusit të lisë me atë të një insekti që shkatërron sistemin nervor”.
Në vend të “virusit të lisë”, shqiptarëve po u shkatërron “sistemin nervor”, vrusi i “minimit të demokracisë” i kombinuar me atë të “insektit” të partisë, që infekton sa andej – këtej shtresat tona të vegjëlisë?
Po mbushen gati tre dekada që shqiptarët po bëjnë poshtë e më poshtë në numër, edhe për faktin se ata po ikin nga vendi i tyre, për shkak të kombinimit politik të “lisë” emigratore me “virusin vdekjeprurës” të humbjes së shpresës. Ajo që ka ndodhur në vitet e tranzicionit me popullsinë shqiptare, ku numri i saj është ulur ndjeshëm, nuk ka ndodhur as në dy dekadat e fundit të kohës së Luftës, ku ajo është shtuar me mbi 200 mijë vetë, ose me 37.8 për qind. Duke filluar nga vitet 90 e në vazhdim, emigracioni është konsideruar si një ndër elementët kryesorë për të përballuar jetesën e përditshme dhe siguruar të ardhmen, veçanërisht atë ekonomike; të individit, të familjes dhe të shoqërisë shqiptare. Rritja e faktorëve që i shtyjnë njerëzit të lënë vendin e tyre drejt një vendi tjetër, nuk kanë qënë vetëm paqartësitë që kanë sjellë krizat, por edhe dobësimi i faktorëve tërheqës, që rrjedhin nga kontraditat e shumfishta, eksperiencat individuale dhe nga rritja e madhe e pengesave drejt emigrimit dhe integrimit të emigrantëve. Në çdo rast motivet kryesore të emigracionit mbeten ato social-ekonomike, drejt një jete më të mirë, por edhe për shkak të trazirave politike. Ndërsa resurset e brendëshme, jo të përdorura si duhen për momentin, do të ndikojnë tek plaga e emigracionit në vitet pasuese. Mjafton të kujtojmë se përgjatë kësaj periudhe kanë ikur rreth dy milionë shqiptarë, kryesisht drejt Greqisë dhe Italisë, një pjesë e mirë e të cilëve as nuk kanë ndërmend të kthehen më mbrapsht. Dhe kjo lloj hemoragjie e njerëzve, në vend që të vij duke u ndalur, paradoksalisht po shtohet gjithnjë e më shumë. Situata është kaq e rëndë, sa që po të ekzistonin mundësitë për të mos patur pengesa reale që të iknin, vendi mund të boshatisej nga shumica e moshave të reja, brenda një kohe mjaft të shkurtër. Një sondazh i Fondacionit gjerman Fridrih Ebert ka zbuluar kohët e fundit faktin, se rreth 60 për qind e të rinjve tanë duan të ikin nga Shqipëria. Popullsia shqiptare ka pësuar ndryshime të thella gjatë 32 viteve të fundit për shkak të procesit të tranzicionit drejt demokratizimit të strukturave politike dhe ekonomike. Ky proces u vu re gjatë periudhës së trazirave politike dhe ekonomike, të cilat nxitën shumë të rinj shqiptarë të linin vendin e tyre drejtë një jete më të mirë. Natyrisht, dëshira për të ikur nuk është e re; pra nuk i përket vetëm periudhës së tranzicionit, por ç’ka të lë një shije të keqe në këtë drejtim lidhet me faktin se kjo dëshirë po bëhet gjithnjë e më e ethëshme, pavarsisht kalimit të viteve, kur realisht duhej të ndodhte e kundërta. Nga ana tjetër, emigrantët e fillimviteve ’90 po përpiqen të fitojnë shtetësinë e vendeve ku punojnë e jetojnë. Konkretisht në Italinë fqinje, për shembull, janë bërë shtetas italianë rreth 22 mijë emigrantë shqiptarë. Ndërsa në Greqi janë legalizuar më shmë se 100 mijë emigrantë. E njëjta gjë po ndodh edhe në vendet e tjera të Bashkimit Europian si në Gjermani, Angli dhe kudo ku kanë emigruar shqiptarët. Bëhet fjalë për rreth 30 për qind të emigrantëve tanë që janë stabilizuar përfundimisht jashtë.
Dikur, në vitet e monizmit ne krenoheshim me këtë tregues, të cilin, përveç të tjerash e arrinim edhe duke luftuar “dhëmbë për dhëmb” me teoritë maltusiane të planifikimit familjar. Kështu që pavarsisht disa gjërave negative që kishte ai sistem politik, rritja demokrafike e popullsisë përfshihej në grupin e gjërave të mira të tij. Në saj të politikave nxitëse e stimuluese në këtë drejtim, gjatë viteve të monizmit, popullsia e vendit tonë u katërfishua në numër, duke u shtuar me afro 3 milionë banorë. Kështu që për 45 vjetë me radhë, deri në fund të viteve ’80, popullisa shqiptare është shtuar për çdo vit me rreth 67 000 vetë. E shprehur në një formë tjetër, kjo shifër tregon, se në periudhën e monizmit, çdo vit shtohej një qytet i tërë me njerëz; madje një qytet i nivelit mesatar, fjala vjen, aq sa ç’ishte popullsia e Lushnjës në atë kohë. Por ajo që duhet theksuar më tej lidhet me faktin se kishim të bënim me një popullsi energjike, nga më të rejat në moshë mesatare, krahasuar me vendet e tjera të kontinentit europian.
Interesohemi vazhdimisht për rritjen ekonomike të vendit, dhe mirë bëjmë, pasi përfaqëson treguesin kryesor lidhur me përmirësimin e nivelit të jetesës së njerëzve në vendin tonë. Po për rritjen demografike të popullsisë shqiptare në këto 32 vjetë pluralizëm, a e kemi vrarë ndonjëherë mendjen?
Të zë trishtimi kur njihesh me treguesin mesatar të lindshmërisë, që përbën “fabrikën” e shtimit të popullsisë së një vendi, i cili sipas statistikave zyrtare më të fundit është rreth 1.5 për qind për çdo çift bashkëshortor në Shqipëri. Kjo shifër tregon se popullsia e vendit tonë po zvogëlohet ndjeshëm, pasi me treguesin e lindshmërisë prej 1.5 fëmijë, nuk arrihet të sigurohet as riprodhimi i çiftit, që minimalisht kërkon dy fëmijë. Përtej këtyre statistikave pesimiste, situata është akoma dhe më e rëndë, për shkak të emigrimit të moshës së re dhe mbetjes këtu të moshave më të vjetra. Përveç rrudhjes në numër të popullsisë, do të regjistrohet edhe një përkeqësim i ndjeshëm i vitalitetit të saj, ku rreth 546 mijë persona do të jenë mbi 60 vjeç, ç’ka do të reflektojë edhe një nivel të ulët të numrit të lindjeve. Qeveria aktuale e ka stimuluar financiarisht një gjë të tillë, por gjithësesi është një masë që nuk mjafton.
Këtij problemi i duhet dhënë zgjidhje, sa s’është vonë, madje klasa politike duhet të bëhet bashkë dhe të hartojë një strategji kombëtare, duke reflektuar, veç të tjerash edhe tek thënia e njohur e Faik Konicës: “Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme, do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj”. Deri tani jemi në pjesën e vuajtjes, presim të shohim gëzimin.
Ky frenim i demokracise SHqiptare ,gjithmon te çon ne mendimin se politika eshte terhequr per hunde nga zbulimet e huaja ,sidomos te fqinjeve tane, ate ruge qe EUROPA e ndoqi me coptimin e truallit SHqiptere keto 30 vjet kane ndihmen dhe te politikaneve tane te gjitha partive per çpopullimin dhe brenda SHQIPERISE,dhe besoje se do shkruhet ne historine e SHqiperise si perjudha gri e demoracise. Po SPAKU punon ? .Po ajo vila 2miljon euro ne LALZ u shit?.
Korrupsioni thonë që është grasoja e ekonomisë në demokraci por në Shqipëri është varrmihësi i kombit ... sepse mungon ndërgjegjja dhe ndjenja e kufirit ... ka vetëm makutëri ... dhe dritëshkurtësi ... politikanët tanë shiten për shumë pak gjë ..
Pra Feti fajin e ka Saliu...
Nuk e lexova deri ne fund artikullin sepse kuptova se vete artikullshkruesi nuk e di kuptimin e fjales transistor .Per tja bere te qarte le ti referohet objektit RRYP TRANSMESIONI.