Të paktën 342 palestinezë janë vrarë ndërsa Izraeli nisi një sulm masiv në Gaza, duke shkatërruar armëpushimin e brishtë dy-mujor me Hamas-in.
Sulmi i së martës ndodhi në të gjithë Gazën, duke përfshirë Khan Younis dhe Rafah-un në Gazën jugore, qytetin e Gazës në veri dhe zonat qendrore si Deir el-Balah.
Ushtria izraelite dhe Agjencia e Sigurisë së Brendshme njoftuan të martën herët se po kryenin “sulme të gjera” kundër Hamas-it në Rripin e Gazës, ndërsa negociatat për një fazë të dytë të armëpushimit ngecën.
Në mesin e të vrarëve ishte edhe zyrtari i sigurisë i Hamas-it, Mahmud Abu Watfa, njoftoi Reuters, duke cituar mediat e Hamas-it.
Në përgjigje të sulmeve, Hamas-i deklaroi se “Netanyahu dhe qeveria e tij ekstremiste kanë vendosur të silurojnë marrëveshjen e armëpushimit, duke i ekspozuar të burgosurit në Gaza me një fat të pasigurt”.
Hamas-i gjithashtu i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të mblidhet urgjentisht dhe të miratojë një rezolutë për të detyruar Izraelin të “ndalojë agresionin” dhe të tërheqë trupat e tij nga i gjithë Rripi i Gazës.
Zyra e kryeministrit izraelit deklaroi se “Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz kanë urdhëruar ushtrinë izraelite të ndërmarrë veprime të forta kundër organizatës terroriste Hamas në Rripin e Gazës”.
“Ky vendim vjen pas refuzimit të përsëritur të Hamas-it për të liruar pengjet tanë dhe refuzimit të të gjitha propozimeve që ka marrë nga i dërguari i presidentit amerikan, Steve Witkoff, si dhe nga ndërmjetësit”, thuhet në deklaratën e raportuar nga Haaretz.
“Ushtria izraelite aktualisht po synon objektivat e organizatës terroriste Hamas në të gjithë Rripin e Gazës, në një përpjekje për të arritur objektivat e luftës të vendosura nga udhëheqja politike, duke përfshirë lirimin e të gjithë pengjeve tanë – qofshin të gjallë apo të vdekur”, shtoi gjithashtu njoftimi zyrtar.
“Në marrëveshje me skuadrën politike, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit dhe Agjencia e Sigurisë së Brendshme po kryejnë sulme të gjera ndaj objektivave terroriste që i përkasin organizatës terroriste Hamas në Rripin e Gazës”, thanë ushtria izraelite dhe Agjencia e Sigurisë së Brendshme në një deklaratë të përbashkët në Telegram.
Reuters raportoi se një seri shpërthimesh ndodhën në të gjithë Rripin e Gazës gjatë mbrëmjes të së hënës deri të martën.
Dëshmitarët raportuan disa sulme ajrore izraelite, më të mëdhatë që nga fillimi i armëpushimit më 19 janar.
Sipas një zyrtari izraelit i cili foli për AFP në kushte anonimiteti, këto sulme kishin në shënjestër hierarkinë civile dhe ushtarake të Hamas-it dhe ofensiva do të zgjasë “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Gazetari i Axios Barak Ravid raportoi në llogarinë e tij X se, sipas zyrtarëve izraelitë, Izraeli kishte informuar administratën Trump paraprakisht për sulmet e planifikuara dhe objektivat e operacionit të rinovuar ushtarak në Gaza.
Ky informacion u konfirmua më vonë nga Shtëpia e Bardhë.
“Administrata Trump dhe Shtëpia e Bardhë u konsultuan nga izraelitët në lidhje me sulmet e tyre në Gaza sonte”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt në një intervistë për Fox News.
Ajo paralajmëroi Hamas-in dhe armiqtë e tjerë rajonalë të Izraelit dhe SHBA-ve “do të kenë një çmim për të paguar”.
“I gjithë ferri do të shpërthejë”, tha ajo, duke përsëritur një kërcënim të bërë shpesh nga Presidenti Trump.
Presidenti amerikan Donald Trump i dha Izraelit dritën jeshile për të rifilluar sulmet ndaj Hamas-it pasi grupi terrorist i caktuar nga SHBA-të nuk arriti të dorëzonte pengjet, raportoi Wall Street Journal duke cituar një zyrtar izraelit.
Trump ka bërë presion për lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura dhe ka kërcënuar vazhdimisht se Hamas-i do të përballet me një rikthim në luftë nëse nuk e zbaton.
Pengët përfshijnë edhe një shtetas të gjallë të SHBA-ve, shtetasin e dyfishtë Edan Alexander, i cili po shërbente në ushtrinë izraelite kur u rrëmbye nga Hamasi.
Nga 59 pengjet që kanë mbetur në Gaza, Izraeli beson se deri në 24 janë ende gjallë.
Dorezoni pengjet qe rrembyet nga shtepite e tyre qofte dhe te vrare po ju thone o plehra qe po e merni ne qafe ate popull.Tani futuni si minjte ne tunele dhe lerini grate e femijet te vriten.