Izraeli nuk i lejohet ta trajtojë retorikën bërthamore të Iranit si thjesht fjalë boshe. Por Irani nuk është i vetmi që lejon ambiciet iluzore t’i mjegullojnë gjykimin: fiksimi i kryeministrit izraelit Binyamin Netanyahu për një fitore të plotë është po aq i gabuar sa edhe i rrezikshëm.
Nga Shlomo Ben-Ami
Konflikti ushtarak që po përshkallëzohet me shpejtësi midis Izraelit dhe Iranit përfaqëson një përplasje ambiciesh. Irani synon të bëhet një fuqi bërthamore, ndërsa kryeministri izraelit Binyamin Netanyahu dëshiron të mbahet mend si udhëheqësi që përfundimisht pengoi programin bërthamor iranian, të cilin ai e sheh si një kërcënim ekzistencial për mbijetesën e Izraelit. Të dyja këto ëndrra janë po aq të gabuara sa edhe të rrezikshme.
Ambiciet bërthamore të Iranit kanë qenë gjithmonë të shtyra kryesisht nga synimi për të siguruar mbijetesën e regjimit, jo për të zhdukur Izraelin, i cili ka shumë më tepër gjasa të shkatërrohet në fund të një lufte të gjatë konsumimi sesa nën një re bërthamore. Por Izraeli nuk mund t’i lejojë vetes t’i trajtojë kërcënimet e Iranit për një Armagedon bërthamor si retorikë boshe, veçanërisht pas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor, i cili nxiti ofensivën e gjatë, të përgjakshme dhe ende në vazhdim të Izraelit kundër aleatit iranian në Gazë. Nuk është e gabuar të kesh frikë nga një Iran bërthamor.
Por Netanyahu është një nga arsyet kryesore pse programi bërthamor i Iranit ka arritur kaq larg. Ishte prej kundërshtimeve të tij që i ashtuquajturi grup P5+1 (Kina, Franca, Gjermania, Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara), së bashku me Bashkimin Evropian, negociuan në vitin 2015 Planin Gjithëpërfshirës të Veprimit të Përbashkët (JCPOA) me Iranin, duke ngrirë programin bërthamor të Republikës Islamike. Dhe ishte nën presionin e Netanyahu-t që Donald Trump e tërhoqi SHBA-në nga JCPOA tre vjet më vonë, duke e nxitur Iranin të rinisë garën për bombën.
Sulmet e guximshme të Izraelit ndaj Iranit me siguri do të shkaktojnë tensione të mëtejshme midis Trump-it dhe Netanyahu-t. Që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka synuar një marrëveshje të re bërthamore me Republikën Islamike. Por ky proces nuk ka pasur kurrë gjasa të jetë i lehtë – dhe jo vetëm sepse Irani ka pak arsye t’i besojë SHBA-së. Edhe pse Trump nuk ka asnjë hezitim të paraqesë marrëveshje të papërfillshme (ose më keq se kaq) si arritje historike, ai sigurisht që e ndjen presionin për të arritur një marrëveshje që është disi më e mirë se JCPOA-ja që ish-presidenti Barack Obama negocioi një dekadë më parë.
Duke pasur këtë parasysh, Trump ndoshta i sheh sulmet izraelite si të dobishme në doza të kufizuara – aq sa për të rritur ndikimin e tij në negociatat bërthamore që tashmë ishin në zhvillim. Por Netanyahu po lufton për mbijetesën e tij politike – dhe në këtë betejë, asnjë hap nuk është shumë ekstrem.
Ndërsa fillimisht Izraeli u përqendrua në sulme ndaj objekteve bërthamore dhe bazave të raketave balistike, konflikti është përshkallëzuar për të përfshirë objektiva që mund të tërheqin SHBA-në në luftë (si p.sh. impiante energjetike dhe ndërtesa banimi), dhe ky është vetëm fillimi. Në përputhje me ambicien e tij të madhe në stilin e Churchill-it – dhe duke pasqyruar qasjen që ka ndjekur në luftën kundër Hamasit në Gazë dhe Hezbollahut në Liban – Netanyahu po synon një “fitore të plotë” ndaj Iranit. Kjo do ta bënte të panevojshme një marrëveshje bërthamore.
Ka vetëm një problem: Izraeli nuk është i aftë ta zhdukë plotësisht programin bërthamor të Iranit. Izraeli ka goditur objektet bërthamore në Natanz dhe Isfahan, por dëmi në këto impiante ka qenë i kufizuar, pjesërisht sepse Izraeli e ka njohur nevojën për të shmangur përhapjen e rrezatimit në të gjithë rajonin. Për më tepër, Izraeli nuk ka bomba që mund të depërtojnë në uzinën e pasurimit Fordoë Fuel Enrichment Plant të Iranit, e cila është ndërtuar brenda një mali.
Sigurisht, infrastruktura fizike është vetëm një pjesë e ekuacionit. Kjo është arsyeja pse Izraeli ka shënjestruar edhe shkencëtarë, si dhe drejtues të lartë të Gardës Revolucionare. Por programi bërthamor i Iranit është një projekt shtetëror i gjerë dhe thellësisht i integruar. Vrasja e disa – apo edhe dhjetëra – individëve nuk do ta paralizojë atë, e aq më pak ta eliminojë.
Gjithsesi, Izraeli ka ende nevojë për SHBA-në. Dhe Trump nuk ka interes t’i lejojë veprimet izraelite të rrisin çmimet e naftës ose të krijojnë përçarje mes tij dhe aleatëve të Gjirit, të cilët sapo janë pajtuar të derdhin triliona dollarë investime në SHBA.
Izraeli gjithashtu nuk mund të shpresojë për bashkëpunimin e heshtur që vendet arabe treguan në luftën kundër Hamasit dhe Hezbollahut. Edhe pse këto shtete nuk kanë simpati për Iranin, ato kanë interes të drejtpërdrejtë për stabilitetin rajonal, veçanërisht në kohën kur po përpiqen të diversifikojnë ekonomitë e tyre. Një Iran i ngujuar mund të sulmojë drejtpërdrejt shtetet e Gjirit, duke goditur impiantet e tyre të naftës ose duke ndërprerë korridoret e transportit në Gjirin Persik. Këto vende duan një marrëveshje bërthamore, jo një përfshirje rajonale në luftë.
Irani ndoshta kërkon diçka të ngjashme. Megjithëse është tërhequr nga bisedimet bërthamore të planifikuara në Oman, përgjigjja e tij ushtarake është kufizuar në objektiva izraelite. Me rëndësi, pavarësisht se ka investuar miliarda dollarë në aleatët e tij rajonalë gjatë viteve të fundit, Irani është përmbajtur nga aktivizimi i tyre – sado të dobësuar që mund të jenë nga Izraeli – kundër objektivave amerikane apo arabe.
Por nëse Irani e gjen veten me shpinë pas murit, ai mund të detyrojë Hezbollahun e paentuziazmuar dhe milicitë e tij në Irak të hyjnë në luftë. Nëse jo tani, kur? Ishin pikërisht situata si kjo që e justifikuan krijimin e këtyre aleancave që në fillim. Irani mund gjithashtu të nxisë sulme kundër Izraelit në zona të tjera, si në Bregun Perëndimor. Për më tepër, ka shumë gjasa që ai të tërhiqet nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), duke hapur rrugën për një “shpërthim bërthamor” – një proces që do të zgjaste vetëm disa muaj.
Irani tani rrezikon të bjerë në të njëjtin kurth strategjik që dikur e zbrazi nga energjia panarabizmin sunit, ndaj të cilit ai u revoltua në vitin 1979. Duke derdhur energjitë dhe burimet e tij në një luftë shfarosëse kundër Izraelit, ai do të vinte në rrezik objektivin e tij parësor: mbijetesën e regjimit.
Por Irani nuk është i vetmi që lejon ambiciet iluzore t’i mjegullojnë gjykimin. Nëse Izraeli nuk është në gjendje të shkatërrojë programin bërthamor të Iranit, atëherë me siguri nuk mund të arrijë as “fitoren totale” ndaj regjimit të tij. Dhe nuk është vetëm Irani: asnjë nga sfidat e sigurisë me të cilat përballet Izraeli nuk mund të zgjidhet përmes një fitoreje totale. Pavarësisht se sa bomba hedh Netanyahu, diplomacia do të mbetet e vetmja rrugëzgjidhje.
Ndërkohë, arroganca ushtarake e Izraelit po bëhet e papranueshme për aleatët e tij të moderuar arabë. Ata dëshironin një Izrael si partner të barabartë në një paqe rajonale, jo si një hegjemoni të re.
Israel’s War of Grand Ambition
Lini një Përgjigje