Mes tensioneve, Irani zbut tonet: “Të hapur për kompromis me SHBA-në”

15 Shkurt 2026, 09:30Bota TEMA
Mes tensioneve, Irani zbut tonet: “Të hapur për kompromis me

Irani është i gatshëm të shqyrtojë kompromiset për arritjen e një marrëveshjeje bërthamore me Shtetet e Bashkuara, nëse Uashingtoni pranon të diskutojë heqjen e sanksioneve.

Kështu deklaroi Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Majid Takht-Ravanchi, në një intervistë për BBC të publikuar të dielën.

Teherani ka shprehur gatishmërinë për të diskutuar kufizime mbi programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, por ka përsëritur se nuk do ta lidhë këtë çështje me tema të tjera, si programi i raketave.

Takht-Ravanchi konfirmoi se raundi i dytë i bisedimeve bërthamore do të zhvillohet të martën në Gjenevë, pas rifillimit të kontakteve mes dy vendeve në Oman më herët këtë muaj. “Bisedimet fillestare shkuan më shumë a më pak në drejtim pozitiv, por është ende herët për të gjykuar,” tha ai.

Një delegacion amerikan, ku përfshihen Steve Witkoff dhe Jared Kushner, pritet të takohet me përfaqësuesit iranianë të martën në mëngjes, me ndërmjetësimin e autoriteteve omane.

Shefi i energjisë atomike të Iranit deklaroi të hënën se vendi mund të pranojë të hollojë uraniumin e pasuruar në shkallën më të lartë, nëse të gjitha sanksionet financiare hiqen. Takht-Ravanchi e përdori këtë shembull për të theksuar fleksibilitetin e Iranit. Megjithatë, ai përsëriti se Teherani nuk do të pranojë “zero pasurim të uraniumit”, një pikë që ka qenë pengesë kryesore për marrëveshjen vitin e kaluar. SHBA e sheh pasurimin e uraniumit brenda Iranit si një rrugë drejt armëve bërthamore, gjë që Irani e mohon.

Kujtojmë se gjatë mandatit të tij të parë, Presidenti Trump e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), e cila ishte një nga arritjet kryesore të politikës së jashtme të ish-presidentit Barack Obama.

Marrëveshja parashikonte lehtësimin e sanksioneve ndaj Iranit në këmbim të kufizimit të programit bërthamor, për të parandaluar aftësinë e Teheranit për të prodhuar një bombë atomike.

Lini një Përgjigje