Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johan Wandeful, vizitoi sot portin e Odesës në jug të Ukrainës, ku premtoi se do të angazhohet për të bindur aleatët që të ofrojnë më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore për Kievin.
Wandeful udhëtoi drejt qytetit bregdetar të Detit të Zi me një delegacion të vogël për arsye sigurie, pasi porti i Odesës është një nga objektivat kryesore të sulmeve me raketa dhe dronë nga Rusia. Gjatë vizitës, ai u shoqërua nga homologu i tij ukrainas, Andrii Sybiha.
Për shkak të rrezikut të sulmeve të drejtpërdrejta nga Rusia, vizita u mbajt e fshehtë deri në largimin e ministrit drejt Moldavisë fqinje.
Wandeful deklaroi se do t’i kërkojë kancelarit Friedrich Merz dhe ministrit të Mbrojtjes, Boris Pistorius, të rrisin presionin ndaj aleatëve për të furnizuar Ukrainën me më shumë mbrojtje ajrore dhe sisteme që mund të instalohen edhe në anije për të mbrojtur rrugët detare.
Ai theksoi se është jetike që Shtetet e Bashkuara të mbeten të përkushtuara në mbështetjen e Ukrainës, ndërsa shtoi se Gjermania duhet të përgatitet për të bërë më shumë.
“Ukraina mund të arrijë kufijtë e kapaciteteve të saj mbrojtëse, ndaj duhet të merren masa që tani”, u shpreh ministri gjerman.
Vizita në Odesë vjen një ditë pas takimit të tij të parë në Kiev që prej marrjes së detyrës në maj, ku ai premtoi bashkëpunim të ngushtë në fushën e mbrojtjes mes Gjermanisë dhe Ukrainës.
Gjermania mbetet një nga mbështetëset kryesore të Ukrainës në përballjen me agresionin rus. Odesa, me rreth 1 milion banorë, është qyteti i tretë më i madh në Ukrainë dhe një nyje e rëndësishme transporti, që shpesh ka qenë shënjestër e sulmeve nga forcat ruse.
Të shtunën, dy persona humbën jetën dhe 14 të tjerë u plagosën nga një sulm me dron në një ndërtesë banimi në Odesë.
Lini një Përgjigje