Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të takohet sot me një grup të vogël ministrash të lartë për t’i shqyrtuar planet që ushtria izraelite t’i marrë nën kontroll më shumë territore në Rripin e Gazës, me gjithë kundërshtimet në rritje brenda dhe jashtë vendit për luftën që ka zgjatur pothuajse dy vjet.
Netanyahu do të mbledhë kabinetin e sigurisë pas një takimi triorësh këtë javë me shefin e ushtrisë, të cilin zyrtarët izraelitë e përshkruan si të tensionuar, duke thënë se kreu i ushtrisë kishte kundërshtuar zgjerimin e fushatës ushtarake.
Sondazhet tregojnë se shumica e izraelitëve duan që lufta të përfundojë me një marrëveshje që do të çonte në lirimin e pengjeve të mbetura në Gazë.
Qeveria e Netanyahut ngul këmbë në fitore të plotë kundër Hamasit – grupit militant palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Synimi që forcat izraelite të futen në zona që nuk i kontrollojnë ende në enklavën e shkatërruar palestineze ka shkaktuar shqetësim në Izrael.
Forumi i Familjeve të Pengjeve, që përfaqëson të afërmit e të rrëmbyerve që mbahen në Gazë, i kërkoi shefit të shtabit të ushtrisë, Eyal Zamir, ta kundërshtojë zgjerimin e luftës dhe i bëri thirrje Qeverisë ta pranojë një marrëveshje që do ta përfundonte luftën dhe do ta siguronte lirimin e pengjeve të mbetura.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, theksoi të mërkurën se ushtria do t’i zbatojë vendimet e Qeverisë deri në arritjen e të gjitha synimeve të luftës.
Udhëheqësit izraelitë kanë kërkuar prej kohësh që Hamasi të çarmatoset dhe të mos ketë më asnjë rol në një Gazë të demilitarizuar dhe që pengjet të lirohen.
OKB-ja i ka quajtur raportimet për një zgjerim të mundshëm të operacioneve ushtarake të Izraelit në Gazë si “thellësisht shqetësuese”.
Ushtria izraelite thotë se kontrollon rreth 75 për qind të Gazës. Shumica e popullsisë prej rreth 2 milionë banorësh është zhvendosur disa herë gjatë 22 muajve të fundit dhe organizatat humanitare paralajmërojnë se banorët janë në prag të urisë ekstreme.
Kundershtimet ekzistojne vetem per nje fakt : rreziku per pengjet!!! Edhe kreu i Ushtrise izraelite per kete arsye ka objeksionet e veta ndaj intensifikimit te luftimeve, pasi vihen ne rrezik pengjet. Edhe familjet e pengjeve dhe perkrahesit e tyre, natyrisht kete kane si objeksion te vetin, rrezikimin e pengjeve. Nese pengjet nuk do ekzistonin, Gaza do ishte pastruar brenda 24 oreve!