Nga Çërçill te Stiv Xhobs: Ana e errët e figurave të famshme historike

7 Gusht 2022, 15:01Bota TEMA

Nga Çërçill te Stiv Xhobs: Ana e errët e figurave

Përgjatë historisë së saj, bota ka parë shumë figura me reputacion. Nga politikanët te punonjësit socialë, këta njerëz u përpoqën të ndikojnë pozitivisht në shoqëri dhe ta bëjnë botën një vend më të mirë për brezat e ardhshëm. Por pavarësisht nga popullariteti dhe admirimi, gati çdo figurë e shquar historike, e ka një anë negative të personalitetit të tij.

Uinston Çërçill

Si një njeri që ndryshoi dukshëm botën tonë, për shkak të kontributit të gjatë Luftës së Dytë Botërore, Uinston Çërçill nuk ishte gjithçka për të cilën mbahet mend. Ish-kryeministri britanik ishte edhe një supremacist i bardhë, që inkurajonte hapur krimet e urrejtjes ndaj njerëzve me ngjyrë.

Përveç etiketimit si racist, Çërçill është kritikuar edhe për përdorimin e armëve kimike dhe përkrahjen e luftës. Kur ishte ministër, ai deklaroi në një rast: "Unë jam në favor të përdorimit të gazit helmues kundër fiseve të pacivilizuara!” Ai e konsideronte Britaninë superiore ndaj çdo kombi tjetër, dhe nuk tregoi asnjë simpati ndaj pakicave.

Ana më e tmerrshme e liderit të famshëm, u shfaq kur ai refuzoi të financonte Indinë gjatë zisë së rëndë të bukës në Bengal në vitin 1943. Në mënyrë të turpshme ai fajësoi vetë indianët për urinë, duke pretenduar se “ata shtohen si lepujt”. Uinston i përbuzte hapur duke thënë: “Unë i urrej indianët. Ata janë njerëz të egër me një fe shtazore”.

Mahatma Gandi

Për shkak të ideologjive të tij paqësore për arritjen e suksesit pa dhunë, emri i Mahatma Gandit mund të jetë lehtësisht sinonim i paqes. Por përveç ndikimit të tij politik dhe arritjeve sociale pozitive, ai kishte edhe një aspekt tjetër problematik. Thuhet se Gandi ishte shumë i varur nga seksi.

Xhon Adams, që shkroi një biografi për Gandin, shprehet: ”Ai fliste vazhdimisht për seksin dhe u jepte udhëzime të detajuara dhe shpesh provokuese ndjekësve”. Ai i këshillonte ndjekësit e tij që të bënin banjë me ujë të ftohtë, dhe ndonjëherë kryenin marrëdhënie më të seksuale, edhe nëse ishin të martuar”.

Kur ai u betua për dëlirësinë në moshën 38-vjeçare, ai ishte shumë i rreptë që të mos e shkelte atë. Por sado e çuditshme që tingëllon, Gandi eksperimentonte shpesh. Sipas shumë studiuesve, ai përfitoi nga pozita e tij për të fjetur me shumë gra. Në një rast, Gandi fjeti lakuriq me mbesën e tij, vetëm për të provuar vetëkontrollin e tij.

Uollt Diznej

Me punën e tij pioniere në industrinë amerikane të animacionit, Uollt Diznej u hapi padyshim rrugën animatorëve dhe producentëve në mbarë botën në këtë fushë. Por dalëngadalë, me rritjen e ndërgjegjësimit, njerëzit e kuptuan se puna e tij promovonte stereotipe problematike.

Fatkeqësisht, shumë filma vizatimorë klasikë të prodhuar nga Diznej, i prezantojnë negativisht njerëzit indigjenë dhe zezakët. I tillë është përdorimi i tij i vazhdueshëm i stereotipeve racore në portretizimin fyes të personazheve me ngjyrë dhe sharjet ndaj tyre.

Si për ta ndërlikuar më tej situatën, Uollt Diznej përdorte një gjuhë të ashpër edhe gjatë takimeve. Po ashtu ai konsiderohej një mizogjen, për shkak të paragjykimit të tij dhe punësimit vetëm të burrave në departamentin e prodhimit të filmave të animuar. Sipas tij, gratë nuk mund ta bënin dot atë punë. Sot kompania e tij, përdor disa paralajmërime për audiencën në lidhje me stereotipet racore që do të vërejë në filmat vizatimorë më të famshëm.

Stiv Xhobs

Stiv Xhobs ka qenë padyshim një nga njerëzit më të zgjuar që ka hyrë ndonjëherë në industrinë e biznesit. Por përveç talentit të tij, personaliteti i tij ishte larg çdo gjëje që mund të cilësohet pozitive. Xhobs mund të ketë krijuar kompjuterin tuaj të preferuar, Apple, por ai nuk ishte një njeri i shkëlqyer.

Në fakt, ai ishte një njeri i pamëshirshëm, që keqtrajtoi shumë vartësit e tij. Ai u drejtohej shpesh punonjësve të tij me një gjuhë të papërshtatshme. Tejet arrogant, Xhobs nuk do të lejonte askënd të merrte meritat për sukseset e kompanisë që bashkë-themeloi, edhe kur suksesi nuk ishte vetëm i tij. Për më tepër, ai nuk ishte lloji i sipërmarrësit që dëgjonte këshillat e dikujt. Ai kishte nevojë që e gjithë vëmendja të fokusohej tek ai.

Në jetën e tij personale, Stiv kishte një reputacion e një babai të dështuar. Pavarësisht se ishte baba i një vajze, ai refuzoi ta pranonte atësinë dhe çdo marrëdhënie me të. Vetëm 10 vjet më vonë e pranoi si vajzën e tij.

Lini një Përgjigje