
Nga Greta Privitera, Corriere della Sera
Shirin Ebadi është një laureate iraniane e Çmimit Nobel, avokate, shkrimtare, mësuese dhe ish-gjyqtare dhe themeluese e Qendrës së Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut në Iran. Në vitin 2003, Ebadi u vlerësua me Çmimin Nobel për Paqen për përpjekjet e saj pioniere për demokracinë dhe të drejtat e grave, fëmijëve dhe refugjatëve. Ajo ishte gruaja e parë myslimane dhe iranianja e parë që mori çmimin Nobel. Ebati ka qenë një nga aleatet e presidentit reformist Iranian Mouhamed Khatami. Por më pas, ajatollahët e akuzuan se ka dale pa shami në ceremoninë e Nobelit dhe nisën kërcënimet e vazhdueshme. Ajo si avokate ka mbrojtur gjithmone opozitarë e minoritete. Nga viti 2009 jeton në ekxil në Londër.
Çfarë menduat kur dëgjuat fjalimin e "fitores" së Ali Khameneit dhe patë funeralin shtetëror?
"Qesha. Është qesharake të shpallësh fitoren pasi milicitë tuaja jashtë vendit, programi juaj bërthamor dhe raketor janë shkatërruar. Ekonomia është në pikën më të ulët. Mospajtimi po rritet me shpejtësi. Është për të qeshur."
A ju surprizoi armëpushimi?
"Më bëri të lumtur. Bombat nuk vranë vetëm njerëzit e regjimit, ato goditën infrastrukturën e qyteteve dhe shkaktuan viktima civile. Shpresoj të mos ketë më luftëra, nuk ka kurrë një arsye të mirë për t'i filluar ato."
Njerëzit në Iran thonë se represioni është rritur ndjeshëm ditët e fundit.
"Vlen të përmendet se në dy javët e luftës, mbi 1,000 njerëz u arrestuan pa asnjë akuzë të besueshme. Ata po burgosen dhe varen më keq se më parë. Situata në burgje është e tmerrshme. Për shembull, pas bombardimeve në Evin, u thyen xhamat, muret dhe dritaret. Me këtë pretekst, autoritetet e burgut transferuan shumë të burgosur politikë në burgje të tjera, në kushte më të këqija. Këto janë të gjitha forma represioni".
Në këto dy javë, a keni shpresuar se do të vinte fundi i Republikës Islamike?
"Ndryshimi i regjimit duhet të ndodhë absolutisht me vullnetin e popullit iranian. Nuk është e pranueshme që dikush të mendojë për një "ndryshim regjimi" duke u mbështetur në ndihmën e amerikanëve ose izraelitëve. Populli nuk i dëgjon thirrjet e Donald Trump ose Benjamin Netanyahu: ata do të japin shtytjen e fundit kur të ndihen gati".
A do t’i kthejë dobësimi i Republikës Islamike qindra mijëra njerëz në rrugë, siç e pamë në vitin 2022 pas vrasjes së Mahsa Jina Amini?
«Për dekada të tëra, iranianët kanë luftuar kundër diktaturës, duke u përpjekur ta përmbysin atë. Beteja jonë nuk është e re. Kjo luftë tregon dobësinë e ajatollahëve dhe padyshim e bën popullsinë të ndihet më e fortë, pavarësisht kërcënimeve. Sapo iranianët të ndiejnë se është koha e duhur për t'u kthyer në rrugë, ata do ta bëjnë këtë. Pothuajse 90 përqind e kundërshtojnë regjimin. Si pasojë, një diktaturë me këtë përqindje disidence nuk mund të zgjasë shumë».
Disa analistë besojnë se revolucioni i lëvizjes Gratë, Jeta, Liria ishte i rëndësishëm, por, duke qenë paqësor, nuk kishte forcën për të përmbysur diktaturën. A ka grupe të brendshme të organizuara që mund të mbështesin protesta paqësore në të ardhmen?
«Nëse po flasim për grupe të armatosura të organizuara, unë jam kundër. Të armatosësh veten do të thotë "luftë civile" dhe refuzoj të mendoj për një skenar të tillë. Iranianët shpresojnë për një ndryshim paqësor të regjimit, pa vdekje dhe shkatërrim."
Nga Teherani flasin për një luftë të brendshme për trashëgimi.
"Jam në kontakt me shumë iranianë brenda, të gjithë thonë se kjo luftë e brendshme ka vazhduar prej vitesh. Dhe ngjarjet e fundit e kanë përkeqësuar konkurrencën. Disa argumentojnë se edhe vdekja e ish-presidentit Ebrahim Raisi është e dyshimtë dhe bie në këtë lloj konflikti për trashëgimi."
Çfarë mendoni për programin bërthamor?
"Ashtu si shumë iranianë, unë jam kundër tij. Është një ambicie e padobishme pushteti që e ka çuar vendin të paguajë një çmim shumë të lartë. Lufta me Izraelin është pasojë e këtyre zgjedhjeve të liga dhe, siç e kemi parë, brenda një nate gjithçka u shkatërrua, ose pothuajse gjithçka."
Disa iranianë nuk janë në favor të negociatave. Ata thonë se të merresh me regjimin do të thotë ta legjitimosh atë.
"Sa i përket negociatave midis Trump dhe Republikës Islamike, besoj se është gjithmonë më mirë të flasësh. Nuk do të thotë se do të funksionojë, duhet të shohim se ku do të çojë. Alternativa ndaj dialogut mund të jetë vetëm lufta. Cila është e preferueshme?"
Lini një Përgjigje