Perëndimit i duhet një strategji për të shmangur rraskapitjen në Ukrainë

15 Gusht 2022, 15:30Bota TEMA

Perëndimit i duhet një strategji për të shmangur

Nëse vazhdon trajektorja aktuale, miliarda dollarë në armë, municione dhe infrastrukturë të ofruara nga aleatët e NATO-s për Ukrainën, dhe sasia edhe më e madhe e armëve, raketave dhe personelit që ka në dispozicion Rusia, kanë të ngjarë të prodhojë një ngërç të gjatë dhe të mundimshëm, një luftë rrënuese, pa i dhënë mundësi Moskës të nënshtrojë Ukrainën apo kësaj të fundit “të rifitojë çdo pëllëmbë të territorit të saj”.

Por kjo trajektore, nuk ka gjasa të vazhdojë për shumë kohë. Rusia po humbet trupat e saj me një ritëm shumë të lartë që është përtej kapacitetit të saj zëvendësues. Ajo po humbet një numër çuditërisht ushtarakësh të nivelit të lartë, deri edhe gjeneralë.

Dhe po ashtu po humb në fushën e betejës shumë armatime. Në fillim të luftës, Ukraina kishte një forcë shumë më të vogël krahasuar me Rusinë. Shumë pak tanke, raketa dhe avionë, dhe shumë më pak pajisje ushtarake në përgjithësi. Ajo nuk mund t’i afrohej në asnjë parametër Rusisë.

Aleatët e NATO-s i kompensuan me shpejtësi disa nga pabarazitë në armatime, por jo te fuqia punëtore. Tani ukrainasit kanë siguruar tanke, raketa antitank dhe kundërajrore, mjete të blinduara, helikopterë, sisteme raketash antiartilerie, dronë, municione dhe së fundi raketa me rreze të gjatë veprimi si amerikanet HIMARS.

E megjithatë Ukraina mbetet e paaftë për të goditur në thellësi të territorit rus, pra në zemrën e Rusisë apo fabrikat e saj të armatimit. Tani duket se aleatët e NATO-s do ta ndryshojnë politikën e tyre të mëparshme, dhe do të ofrojnë avionë luftarakë të teknologjisë së fundit.

Ukraina është mbështetur në këtë luftë te kuraja e trupave të saj, dhe nuk është e tepruar të thuhet se ata janë treguar heroikë ashtu si civilet ukrainas. Me rezistencën e saj në këtë luftë Ukraina i ka habitur aleatët e saj, e ka tronditur Rusinë, dhe ka habitur ndoshta edhe veten.

Por asnjëra palë nuk mund të vazhdojë gjatë me këtë ritëm. Ose të paktën jo Ukraina. Rusia u është nënshtruar sanksioneve të rënda, të cilat e kanë ulur me të paktën 2.7 për qind  PBB-në e saj deri tani. Inflacioni është rritur shumë, duke u luhatur midis 15-17 për qind.

Numri i viktimave në radhët e ushtrisë është i konsiderueshëm dhe në rritje të vazhdueshme. Presidenti Vladimir Putin gëzon një pushtet gati të pakufizuar, por ai nuk është as absolut dhe as i pambarimtë në aspektin kohor. Rëndësia politike e një lufte jopopullore dhe kostoja e saj ushtarake dhe ekonomike, ka të ngjarë ta godasë reputacionin e tij dhe ndoshta ta rrëzojë nga pushteti.

Gjithsesi, Putini ka edhe letra të tjera për të luajtur nëse situata për të do të ndërlikohet seriozisht: Gjeorgjia me ndarjet e saj të brendshme etnike; armiqësitë e vazhdueshme midis Armenisë dhe Azerbajxhanit; potenciali destabilizues i Serbisë në Ballkan; konflikti në Siri etj.

Por rusët do të kenë probleme të mëdha në Ukrainë, pavarësisht se kur do të vendosin ta ndalin sulmin e tyre. Ata nuk duhet të presin që kontrollimi i territoreve ukrainase të jetë  shumë i lehtë. Pasi do të shihen me të drejtë nga pjesa më e madhe e popullsisë si pushtues, pra me urrejtje, përbuzje dhe neveri.

Në rastin më të mirë, do të tolerohen në heshtje. Por sabotimet janë përgjigja e zakonshme e një popullsie të nënshtruar. Dhe aktet e sabotazhit të zgjedhura me kujdes, janë ato që duhet të presin rusët. Për më tepër, Kremlini nuk do ta ketë të lehtë të bindë ushtarët e vet se po çlirojnë “vëllezërit e tyre të vegjël rusë”, të cilët njëkohësisht po përpiqen t’i vrasin dhe sakatojnë.

Në rastin më të mirë forcat ruse do të demoralizohen dhe frikësohen. Historia e Ukrainës me nazistët do t’iu vijë lehtësisht në mendje. Por do të jetë e kundërta e asaj që pretendon Putin. Heroizmi dhe vendosmëria e presidentit Volodimir Zelenski i ka zgjuar aleatët e NATO-s.

Qëndrimi i tij sfidues, tubimi rreth tij i popullit ukrainas, formimi i një kombi të bashkuar nga një shoqëri e përçarë, kanë qenë zhvillime të jashtëzakonshme. Ai ka kërkuar që aleatët të prodhojnë dhe të dorëzojnë më shumë armë për forcat e tij. Dhe aleatët janë bindur të bëjnë këtë, pjesërisht për interesa personale, siç e ka theksuar ai vetë, por pjesërisht edhe për shkak të frymëzimit të tij.

Megjithatë, as kjo frymë nuk mund të mbajë gjatë. Ajo do të zbehet pasi lufta do të dëmtojë jo vetëm ukrainasit, por edhe aleatët. Zelenski ka deklaruar se Ukraina do të kërkojë 5 miliardë dollarë ndihmë në muaj nga partnerët e saj, një vlerësim fillestar që tani është dyfishuar për një të ardhme të pacaktuar.

Ndërsa lufta po zgjat, më shumë nga qytetarët e vendeve aleate dhe përfaqësuesit e tyre politikë do të fillojnë ta vënë në dyshim investimin. Ekonomitë e tyre po shkojnë drejt recensionit, dhe tashmë po përpëliten për shkak të normave të larta të inflacionit.

Ato po sfidohen nga ndryshimet klimatike, nga i nxehte ekstrem dhe zjarret, nga thatësira, nga ankesat sociale të qytetarëve të tyre, nga krizat në pjesë të tjera të botës (veçanërisht në Afrikë), nga normat e larta të taksave dhe inflacionit, dhe nga politikat përçarëse ne vendet e tyre.

Tashmë po krijohen përçarje edhe në frontin politik më herët të unifikuar në Shtetet e Bashkuara. Disa republikanë, ende një pakicë, janë duke dezertuar dhe duke kundërshtuar financimin dhe dërgimin e pajisjeve ushtarake për Ukrainën.

Një pakicë demokratësh ka shumë të ngjarë të ndjekë këtë linjë, edhe pse me një axhendë të brendshme të ndryshme. Shtetet baltike, do të jenë të fundit që do të vënë në dyshim pretendimet e Ukrainës. Por ashtu si Shtetet e Bashkuara, edhe publiku gjerman po dëgjon zëra në rritje kundër si në të majtë ashtu edhe në të djathtë të spektrit politik. Presidenti francez Emanuel Makron ka folur prej kohësh për nevojën e “mos-poshtërimit” të Rusisë, me të cilën gjeografia dhe historia e Evropës kërkojnë një lloj akomodimi.

Politika italiane është në kaos. Në Britani, pasardhësi i kryeministrit Boris Johnson ka më pak gjasa se ai të jetë kaq i vendosur në mbështetje të Ukrainës. Mungesa e gazit dhe banesat e ftohta këtë dimër, do të sjellin efektet e tyre politike. Në këtë kontekst, Zelenski (dhe bashkë më të edhe Ukraina), rrezikohet nga dobësimi i rezistencës gjatë muajve të ardhshëm.

Nëse Rusia mund ta përballojë zhvillimin e një lufte të gjatë, popullariteti i merituar i Zelenskit në vend mund të rrënohet nga mungesa e energjisë, varfëria, lotët dhe shkatërrimet e pafundme. Tani aleatët e NATO-s, së bashku me Zelenskin, duhet të hartojnë një strategji afatgjatë të zbatueshme, pra një plan me objektiva realiste (Të ndalohet përparimi i Rusisë? Apo të rimerren territoret e pushtuara tashmë nga Moska?).

Ndërkohë, zbatimi i kësaj strategjie do të kërkonte një ndërmjetësim të stërzgjatur, por jo ndonjë konferencë dhe negociata shumëpalëshe ballë për ballë. Dhe në mendje më vijnë disa ndërmjetës të mundshëm. Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka ndërmjetësuar tashmë marrëveshjen për eksportin e drithit ukrainas të sponsorizuar nga OKB-ja.

Ai mban marrëdhënie të mira me Putinin, edhe pse Turqia mbetet një anëtare e NATO-s. 

Ai mund të jetë ndërmjetësi më serioz dhe më efektiv. Pavarësisht marrëveshjes së miqësisë “së pakufishme” të shkurtit 2022, edhe Kina mund ta shohë si në interesin e saj ndërmjetësimin e zgjidhjes së këtij konflikti, qofte edhe vetëm për të ngushtuar disi hendekun midis pretendimit të saj për sovranitetin territorial si një gur themeli i rendit ndërkombëtar, në një kohë që aleatja e saj, Rusia, ka shkelur haptazi dhe me forcë kufijtë e njohur ndërkombëtarisht dhe sovranitetin territorial të Ukrainës.

Edhe India, mund të jetë në gjendje të ndërmjetësojë, duke pasur parasysh shqetësimet e saj për sovranitetin, marrëdhëniet e saj tregtare të vazhdueshme me Rusinë, dhe kompensimin e anëtarësimit të saj me Shtetet e Bashkuara, Australinë dhe Zelandën e Re në QUAD.

Sfida diplomatike nuk është gjetja e një ndërmjetësi të përshtatshëm, por nëse palët ndërluftuese janë të hapura ndaj ndërmjetësimit të vërtetë. Dhe kjo është një çështje e vullnetit politik si në Moskë, ashtu edhe në Kiev.

Shënim: Gerald F.Hyman, bashkëpunëtor në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare./CNA.al

Lini një Përgjigje