Peshkopi i lartë i Kishës rumune përballet me akuza për korrupsion

6 Dhjetor 2023, 22:10Bota TEMA
Peshkopi i lartë i Kishës rumune përballet me akuza për

Prokurorët po shqyrtojnë pamjet e filmuara fshehurazi të një kryepeshkopi, i cili duket se i ofroi një biznesmeni të rremë një ryshfet të madh për sigurimin e fondeve për kryepeshkopatën e tij.

Nga Madalin Necsutu

Drejtoria Kombëtare Antikorrupsion e Rumanisë njoftoi fillimin e një hetimi penal ndaj një kleriku të lartë të Kishës Ortodokse Rumune, Kryepeshkopit Teodosie të Tomisit.

Më 21 nëntor, portali Recorder publikoi imazhe nga një kamerë e fshehtë e filmuar nga një prift që pretendonte se ishte biznesmen dhe që i propozoi kryepeshkopit një mënyrë për të marrë 800,000 lei financim për kryepeshkopatën nga Sekretariati Shtetëror për Kultet.

Në këmbim, ai kërkon një komision prej 20 për qind të shumës së përfituar.

Teodosie shfaqet në pamje për të pranuar marrëveshjen dhe thotë: “Për ne është një dhuratë nga Perëndia.” Më pas Teodosie e vë në kontakt biznesmenin e rremë me këshilltarin e tij për të diskutuar detajet, duke përfshirë mënyrën se si mund të paguhet ky komision prej 20 për qind.

Sipas prokurorëve të Drejtorisë Kombëtare Antokorrupsion, në korrik 2023, “I dyshuari Petrescu Teodosie (Kryepeshkop i Tomisit) dyshohet se i ka premtuar 160,000 lei (32,000 euro) një biznesmeni që është dëshmitar në këtë rast. Shuma përfaqësonte një përqindje prej 20 për qind të shumës prej 800,000 lei (160,000 euro), që biznesmeni duhej të merrte për Kryepeshkopatën e Tomisit.”

Përveç Teodosie, një këshilltar nga kryepeshkopata po ndiqet penalisht.

Përfaqësuesit e kryepeshkopatës thanë se kur ta shohin dosjen do ta kthejnë me informacione të reja.

Patriarkana e Kishës Ortodokse Rumune tha se autoritetet gjyqësore dhe ato të kishës janë të interesuara në zbulimin e korrupsionit të vërtetë dhe luftimi i kësaj plage shoqërore është një detyrë morale.

Më 2 dhjetor, Sinodi i Shenjtë drejtues i Kishës lëshoi një komunikatë zyrtare ku prezantonte masat dhe sanksionet kanonike të zbatueshme në Kishë kundër korrupsionit.

Çdo vit, shteti rumun ndan dhjetëra milionë euro për kishat përmes Sekretariatit Shtetëror për Kultet. Shpërndarja dhe shpenzimi i këtyre parave gjithmonë ka ngritur dyshime për korrupsion.

Nga ana tjetër, Sekretariati i Shtetit tha se i vuri menjëherë të gjitha dokumentet e kërkuara në dispozicion të hetuesve dhe shtoi: “Ne kemi besim se ata do të mund të kontriubojnë për të përmbushur detyrën e tyre, në interes të ligjit.”

Kryepeshkopi Teodosie është një nga prelatët më të zëshëm në Kishën Rumune në lidhje me teoritë e konspiracionit. Ai ra në sy gjatë pandemisë COVID-19 ndërsa refuzonte të kufizonte meshat për të mbrojtur famullitarët. Ai njihet edhe për qëndrimet e tij euroskeptike dhe anti-NATO.

Teodosie ka qenë aktivë edhe në politikë. Në shtator, ai mori pjesë në hapjen e një dege të Partisë Republikane Rumune në Konstancë. Partia deklaroi se synon të bëjë aleancë me Aleancën e ekstremit të djathtë për Bashkimin e Rumunëve, AUR, për zgjedhjet e vitit 2024.

Teodosie ka një marrëdhënie të ngushtë me George Simion, bashkë-kryetar i AUR. Më 27 gusht 2022, ai kreu shërbesën në dasmën e tij.

Lini një Përgjigje