Plani i fshehtë i Mossad-it dhe SHBA-së për të sjellë në pushtet Ahmadinejadin, ish-armikun më të madh të Izraelit

14 Korrik 2026, 08:25Bota TEMA
Plani i fshehtë i Mossad-it dhe SHBA-së  për të sjellë

Një histori sekretesh, më sekrete se kaq nuk bëhet. E nisur keq dhe, me sa duket, e përfunduar edhe më keq. E rrëfejnë nga dy fronte të ndryshme The New York Times dhe Haaretz, të cilat dje publikuan njëkohësisht rindërtimin e detajuar të një hetimi të gjatë, për të cilin ishin zbuluar vetëm disa pjesë edhe dy muaj më parë.

Jemi në Iran. Është viti 2022 dhe ish-presidenti i vendit, Mahmoud Ahmadinejad, kishte filluar të tërhiqte vëmendjen e Izraelit për shkak të qëndrimeve gjithnjë e më kritike ndaj regjimit të ajatollahëve. Pikërisht ai, një nga antiizraelitët më të ashpër në botë, njeriu që kishte mohuar vazhdimisht Holokaustin, që e kishte quajtur Izraelin “një entitet satanik”, kishte bërë thirrje për “vdekje për të gjithë sionistët” dhe deklarata të tjera të ngjashme... Pikërisht ai, pasi ishte larguar nga pushteti në vitin 2013, kishte filluar të ndryshonte qëndrime, aq sa shërbimet sekrete izraelite i konsideronin këto zhvillime “befasuese”. Për shembull, për programin bërthamor të Iranit, ai kishte filluar të thoshte se ishte krijuar si një burim zhvillimi, por ishte kthyer në një barrë për vendin.

Pasi ishte mbajtur për një kohë të gjatë nën vëzhgim, në vitin 2022 Ahmadinejad u shndërrua papritur në një figurë që duhej afruar si një njeri që mund të vihej në shërbim të Mossad-it. Dhe në fakt u afrua. Aq sa – siç zbulohet tani – përpara sulmeve të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara, më 28 shkurt, Izraeli e kishte zgjedhur si njeriun që do të vendosej në krye të Iranit. Ose të paktën, aty do të donte ta shihte nëse populli iranian do të kishte forcën të ngrihej kundër ajatollahëve dhe nëse regjimi do të rrëzohej, siç shpresonin Jerusalemi dhe Uashingtoni.

Jo vetëm kaq. Paketa e planeve izraelite parashikonte edhe armatosjen dhe stërvitjen e forcave kurde në Irak, si edhe të pakicave të tjera që mund të destabilizonin sistemin iranian. Asnjë nga këto nuk ndodhi. Eliminimi i Khameneit dhe i figurave të tjera kryesore të pushtetit nuk mjaftoi për të nxitur një kryengritje popullore, kurdët nuk qëlluan asnjë plumb dhe nuk hapën asnjë front, ndërsa regjimi iranian rezultoi shumë më i fortë dhe më rezistent sesa ishte parashikuar. Kështu, sot ajatollahët mbeten të fortë në pushtet, strategjia e Mossad-it rezultoi humbëse dhe fati i Ahmadinejadit mbetet i paqartë: ndoshta ndodhet në arrest shtëpie nën mbikëqyrjen e Gardës Revolucionare, siç zbulojnë disa burime për The New York Times, ose ndoshta është strehuar në një vend sekret, pasi u shfaq vetëm pak ditë më parë në funeralin e Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei.

Le të kthehemi pas, në vitin 2023, kur ndodhi kontakti i parë mes tij dhe shërbimeve sekrete izraelite. Në atë kohë rrëzimi i regjimit iranian nuk ishte ende në qendër të planeve, pasi Izraeli ishte i përqendruar në luftën kundër Hezbollahut dhe Hamasit, sidomos pas 7 tetorit. Hetimi zbulon se kontakti i parë ndodhi në Guatemalë, ku Ahmadinejad kishte marrë pjesë në një konferencë për mjedisin. Pikërisht për të njëjtin motiv – një konferencë mbi ndryshimet klimatike – ai udhëtoi edhe në Budapest të Hungarisë në vitin 2024. Në realitet, konferenca ishte organizuar si mbulesë për një takim sekret me inteligjencën izraelite, gjë që konfirmohet edhe nga rektori i universitetit organizator, Gergely Deli. Më pas pati edhe takime e kontakte të tjera, si edhe pagesa të ndryshme për zëdhënësin e tij, Ali Akbar Javanfekr.

Gjithçka mbikëqyrej nga drejtori i atëhershëm i Mossad-it, David Barnea, i cili, sipas hetimit, mori pjesë personalisht në takimin e Budapestit dhe ishte ideatori e mbrojtësi kryesor i planit për Ahmadinejadin, edhe pse kjo solli përplasje me nivelet më të larta të ushtrisë izraelite. Siç shkruan Haaretz, plani nuk bindte gjeneralmajorin Shlomi Binder, kreun e inteligjencës ushtarake të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), i cili hartoi një raport ku vlerësohej se mundësitë e suksesit ishin shumë të ulëta. Edhe gjeneralbrigade Ofir Mizrahi Rosen, drejtues i divizionit të kërkimit në inteligjencën ushtarake, përgatiti një dokument ku vinte në dyshim operacionin. Ndërsa Tzachi Hanegbi, këshilltar për sigurinë kombëtare në atë kohë, u tërhoq nga përgatitjet, pasi e konsideronte planin një fantazi të parealizueshme. Tre ditë përpara sulmit të përbashkët SHBA-Izrael kundër Iranit, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Eyal Zamir, urdhëroi pezullimin e çdo aktiviteti që lidhej me operacionin Ahmadinejad.

Megjithatë, u vendos që operacioni të vazhdonte. Po Benjamin Netanyahu? Sipas rindërtimit të The Neë York Times, ishte vetë Netanyahu ai që ia propozoi planin Donald Trump-it, duke e identifikuar qartë Ahmadinejadin si “njeriun e duhur” për të zëvendësuar Khamenein pasi ky të vritej. Por në hetim tregohet edhe për “tronditjen brenda kabinetit të Netanyahut” kur u zbulua ekzistenca e këtij projekti. Sidoqoftë, pas sulmit dhe vrasjes së Udhëheqësit Suprem, u bë shpejt e qartë se plani nuk do të funksiononte.

Ndërkohë Ahmadinejad kishte hyrë tashmë në shënjestër të Gardës Revolucionare për shkak të kritikave ndaj regjimit dhe dyshimeve për afërsi me armiqtë e jashtëm. Ai lëvizte i shoqëruar nga një grup burrash që paraqiteshin si truproja, por që në të vërtetë ishin pjesëtarë të Gardës Revolucionare, të cilët praktikisht e mbanin në arrest shtëpie. Ditën e parë të sulmit ndaj Iranit, më 28 shkurt, një sulm ajror izraelit goditi strukturën e sigurisë jashtë banesës së tij. Plani ishte të eliminoheshin rojat që e mbikëqyrnin, ta merrnin Ahmadinejadin dhe ta dërgonin në një vend të sigurt, gjë që – sipas rindërtimit – ndodhi. Që nga ajo ditë ai u zhduk nga skena publike, deri javën e kaluar, kur u pa dhe u fotografua në funeralin e Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei. Pjesa tjetër e kësaj historie, përfshirë fatin e tij, mbetet ende për t'u shkruar./Corriere della Sera

Lini një Përgjigje