Polonia "ndëshkon" Zelenskyn, i heq nderimin më të lartë shtetëror

20 Qershor 2026, 10:35Bota TEMA
Polonia "ndëshkon" Zelenskyn, i heq nderimin më të

Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky i është hequr dekorata më e lartë shtetërore e Polonisë, "Urdhri i Shqiponjës së Bardhë", për shkak të vendimit të Kievit për t’i vënë një njësie ushtarake emrin e një njësie luftarake të dyshuar si autore të gjenocidit ndaj polakëve gjatë Luftës së Dytë Botërore

Presidenti polak Karol Nawrocki e cilësoi vendimin e Ukrainës, të marrë në fund të muajit të kaluar, për ta emërtuar njësinë sipas Ushtrisë Kryengritëse Ukrainase (UPA), si “skandaloz”, “të pakuptueshëm” dhe “thellësisht zhgënjyes”.

Nawrocki theksoi se përplasja diplomatike nuk do të ndikojë në mbështetjen e Polonisë për Ukrainën kundër Rusisë.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, e dënoi lëvizjen e Varshavës, duke e quajtur atë një “gabim strategjik” dhe “mosrespektuese”.

Shumë në Ukrainë e shohin UPA-në, e cila ekzistoi në vitet 1940 dhe 1950, si heronj që luftuan për pavarësinë e Ukrainës kundër Ushtrisë së Kuqe sovjetike, si edhe kundër Gjermanisë naziste dhe autoriteteve polake. Prandaj, për ukrainasit, titulli “Heronjtë e Ushtrisë Kryengritëse Ukrainase” është një nderim i madh.

Polonia, megjithatë, e akuzon UPA-në për kryerjen e një gjenocidi ndaj polakëve etnikë në Volhynia, sot Volyn në Ukrainë, gjatë viteve 1943-45.

“Për shumicën dërrmuese të shoqërisë polake, UPA mbetet, mbi të gjitha, një formacion përgjegjës për krimet brutale të kryera kundër qytetarëve të Republikës së Polonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, tha Nawrocki në një video të publikuar në faqen zyrtare të presidentit.

“Prandaj vendimi i autoriteteve ukrainase për të glorifikuar UPA-në nuk është vetëm skandaloz, por edhe i pakuptueshëm dhe thellësisht zhgënjyes”, tha ai.

“Kjo nuk lëndon vetëm kujtesën tonë historike. Ajo minon edhe besimin e ndërtuar ndër vite dhe gjatë muajve të fundit”, shtoi ai.

Presidenti polak përmendi qindra mijëra refugjatët ukrainas të mirëpritur në vend pas nisjes së pushtimit të plotë rus në vitin 2022.

“Polakët hapën kufijtë, shtëpitë dhe zemrat e tyre për miliona ukrainas”, tha ai.

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, tha se vendimi për t’i hequr Volodymyr Zelenskyt Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë nuk do të ndikojë në mbështetjen e Varshavës për Kievin kundër Rusisë.

Ai vijoi duke thënë: “Rruga e Ukrainës drejt strukturave europiane kërkon gjithashtu gatishmëri për t’u përballur ndershmërisht me kapitujt e vështirë të historisë së saj.

Një Europë e bashkuar u ndërtua mbi refuzimin e totalitarizmit dhe kultit të dhunës. Këto parime duhet të vlejnë për të gjithë. Për ata që nuk e kuptojnë këtë, nuk mund të ketë vend në Bashkimin Europian, dhe Polonia sigurisht nuk do ta lejojë këtë.”

Ukraina ka ambicie të bëhet shtet anëtar i BE-së dhe këtë javë mori pjesë në fazën e parë të negociatave të anëtarësimit në Luksemburg.

Kryeministri polak Donald Tusk është përpjekur të ulë tensionet diplomatike në rritje mes Kievit dhe Varshavës.

Në një postim në rrjetet sociale të premten, ish-presidenti i Këshillit Europian tha se kjo përplasje e “gëzon” Vladimir Putinin e Rusisë dhe u bëri thirrje Zelenskyt dhe Nawrockit të “qetësojnë emocionet, jo të nxisin tensionet”.

Për Ukrainën, UPA është simbol i rezistencës dhe luftës për pavarësi, edhe pse Varshava thotë se rreth 100 mijë polakë etnikë u vranë në masakrat e Volhynias.

Flamuri kuqezi i grupit përdoret shpesh nga trupat ukrainase në vijën e frontit edhe sot. Kjo është arsyeja pse Zelensky tha se do ta përdorte emrin e UPA-së për një njësi ushtarake, “me synimin për të rikthyer traditat historike të ushtrisë kombëtare”.

Urdhri polak i Shqiponjës së Bardhë iu dha Zelenskyt në vitin 2023 nga presidenti i atëhershëm Andrzej Duda.

Vetë Zelensky nuk ka komentuar drejtpërdrejt për këtë përplasje. Por Sybiha e quajti atë “një gabim strategjik të presidentit të Polonisë, nga i cili përfiton vetëm Moska”.

Ai tha se, si pasojë e këtij njoftimi, do të kthente një çmim që kishte marrë nga Polonia në vitin 2022.

“Asnjë president i një vendi tjetër nuk do të na diktojë historinë tonë”, tha ai. /BBC

Lini një Përgjigje