Shtetet e Bashkuara dhe strategjia e mbajtjes nën kontroll të Kinës dhe Rusisë

22 Nëntor 2022, 14:12Bota Nga Emmanuel Pietrobon “Il Giornale”

Shtetet e Bashkuara dhe strategjia e mbajtjes nën kontroll të

Mendimtarët e shquar thonë se asnjë ushtri nuk ka fituar ndonjëherë një luftë të zhvilluar në dy ose më shumë fronte, dhe as nuk ka qenë në gjendje të mbajë për një kohë të gjatë barrën e zgjerimit të tepruar perandorak. Dhe ata thonë në fakt atë që u sugjeron historia, një mësuese e jetës e cila nuk e ka asnjëherë gabim, dhe së cilës nuk mund t’i kundërvihet asnjë forcë njerëzore.

Perandoria Romake. Napoleoni. Uilliami II. Adolf Hitleri. Janë të shumtë shembujt e perandorive dhe perandorëve që janë rrëzuar për shkak të lakmisë, dritëshkurtësisë së tyre, dhe që më pas u gremisën përfundimisht nga mallkimi i frontit të dytë. Ekzistojnë kaq shumë shembuj të një goditje fatale të perandorive të shkaktuara nga stresi i frontit të dytë.

Ekspertët e famshëm sjellin si një shembull tipik Operacionin Barbarossa, sulmin e Gjermanisë naziste ndaj Bashkimit Sovjetik. Por ata lënë mënjanë luftërat në 4 fronte të Frederikut të Madh gjatë Luftës së Tretë Sileziane, dhe duket se nuk kujtojnë as luftën e Izraelit të porsalindur si shtet kundër disa shteteve arabe në vitet 1948, 1967 dhe 1973.

Historia nuk na mëson se luftimi kundër dy ose më shumë kundërshtarëve në të njëjtën kohë është i barabartë me humbjen e sigurt. Jo. Ajo na thotë se mendjemprehtësia, kreativiteti dhe zgjuarsia mund të kapërcejnë epërsinë numerike të armikut, edhe me ndihmën e Zotit apo fatit. Mendjemprehtësia, kreativiteti dhe zgjuarsia janë cilësi që zotërohen më së miri nga Shtetet e Bashkuara, dhe kjo është arsyeja e bastit të saj të madh për këtë shekull: mbajtjen nën kontroll të Rusisë dhe Republikës Popullore të Kinës në të njëjtën kohë.

Ngritja e SHBA-së në krye të sistemit ndërkombëtar përkoi me rënien e sistemit evropian. Një rënie e vetë-shkaktuar, më shumë se e shmangshme, nga e cila Shtetet e Bashkuara mund të mësojnë shumë. Rënia e Perandorisë Britanike ishte një rast studimor për Shteteve të Bashkuara.

Përvoja britanike e ka mësuar Uashingtonin se përfshirja në shtirjen e ndikimit në territore të largëta, nënkupton humbjen e vëmendjes mbi atë që ndodh shumë më pranë shtëpisë. Ndërsa strategjitë e Gjermanisë në 2 luftërat botërore e kanë mësuar se nuk është e mundur, në kuptimin që është e paqëndrueshme ekonomikisht dhe nga ana njerëzore, përfshirja në shumë fronte njëkohësisht dhe për një periudhë të gjatë kohore.

Pra, Shtetet e Bashkuara e mësuan artin e mbijetesës duke parë vetëvrasjen e perandorive evropiane. Tërheqja dhe kultivimi i talenteve, një dozë e mirë ligësie, dhe transferimi i vlefshëm i njohurive diplomatike dhe gjeopolitike nga Perandoria Britanike bënë pjesën tjetër.

Pra mjetet në dispozocion të SHBA-së ishin të cilësisë më të mirë, dhe i dhanë mundësi të tregonte epërsinë e saj gjatë Luftës së Ftohtë. Uashingtoni shmangu që në fillim skenarin e luftës në 2 fronte, duke arritur të vërë dy aleatë kundër njëri-tjetrit, Kinën dhe Bashkimin Sovjetik, nëpërmjet një taktike të orkestruar nga Henry Kissinger.

Ndëkohë hegjemonia në Lindjen e Mesme u ruajt duke nxitur armiqësinë midis dy armiqve të vjetër, përmes frenimit të aspiratave të tyre hegjemoniste dhe financimit të luftës së tyre, pra luftës Iran-Irak. Dhe së fundmi, fitorja ndaj Bashkimit Sovjetik, e përfshiu atë në dy fronte gjeografikisht të kundërta, të nisura gati njëkohësisht dhe të destinuara të kishin të njëjtën kohëzgjatje, Afganistan dhe Poloni.

Nëse SHBA ka vendosur të ndjekë përgjithësisht të njëjtën strategji edhe në shekullin XXI, kjo ndodh sepse përvoja e Luftës së Ftohtë vërteton efektivitetin e këtij mekanizmi.

Qasja e frenimit të dyfishtë, është në fakt një vazhdimësi e përditësuar dhe e zgjeruar e vizionit të George Kennan, i pasuruar me elementë të Brzezinskit dhe Sharpian: disfata e Moskës nuk u kërkua përmes një lufte ballore reciprokisht shkatërruese, por përmes sjelljes hibride rraskapitëse, heterogjene dhe që buron nga shumë anë: zgjerimit të NATOs-, me një zhvendosje graduale drejt lindjes së qendrës së gravitetit,  shndërrimit të “liqeneve ruse”, Detit Baltik dhe Detit të zi, në “pellgjet e Atlantikut”; përmes Bashkimit Evropian si një plotësues ideal politik dhe ekonomik të mureve të formuara nga Aleanca Atlantike, një magnet shumë i aftë për të tërhequr satelitët rusë në orbitën perëndimore falë euros dhe premtimit të modernizimit; revolucioneve shumëngjyrëshe për të përmbysur qeveritë pro-ruse në hapësirën post-sovjetike, duke investuar në ndryshimin e regjimit për të pasur një farë legjitimiteti në sytë e komunitetit ndërkombëtar; konkurrencës agresive për të reduktuar rolin e rusëve apo dëbuar ato tregje të caktuara, dhe përmes sanksioneve që synojnë distancimin nga tregu evropian dhe pengimin e zhvillimit të plotë të sektorëve strategjikë.

Ndërkohë qasja ndaj Kinës bazohet në luftën teknologjike, bojkoti ndaj kompanisë Huawei dhe rrjeti 5G të Kinës; nxitjen e destablitetit, rebelimit dhe terrorizmit përgjatë Rrugëve të Reja të Mëndafshit, në Pakistan dhe Sri Lanka; sanksionet që synojnë distancimin nga tregu evropian dhe pengimin e zhvillimit të plotë të sektorëve strategjikë.

Në vizionin e madh të Shteteve të Bashkuara, vitet 2000 mund të jenë shekulli i dytë amerikan vetëm me një kusht:që dy sfidantet kryesorë dhe sistematike, Rusia dhe Kina, të detyrohen nga strategjia e kontrollit të dyfishtë të hyjnë në një bashkëjetesë të imponuar nga potenciali për përshkallëzimin e situatës.

Pritshmëria e Shteteve të Bashkuara është se kjo bashkëjetesë e detyruar, mund t’i detyrojë dy “miqtë e përkohshëm” të hyjnë në një përplasje përpara se të shfaqet një aleancë e sinqertë me Republikën Popullore të Kinës.

Zbatimi i leksioneve të nxjerra nga përvojat iraniano-irakiane dhe ajo sovjetike mund të funksionojë ose jo. Sepse nëse është e vërtetë që Shtetet e Bashkuara besojnë në pashmangshmërinë e përsëritjes së historisë, është po aq e vërtetë që klasat aktuale sunduese në Rusi dhe Kinë janë edukuar mbi librat e shkruar nga fitimtarët, dhe janë të vetëdijshëm për faktin se gabimet mund të çojnë në një ripërsëritje të ngjarjeve të vitit 1989.

Lini një Përgjigje

Blog Tema