Pas pandemisë, turistët u kthyen në numër shumë të madh, pavarësisht nga lufta e Ukrainës dhe kriza energjetike. Majorka, ishulli europian i vizituar më shumë, u prenotua thuajse tërësisht sezonin e kaluar. Edhe ishujt Kanare, ku klima është gjithnjë si pranverë, kanë qenë destinacion i preferuar për pushimet dimërore në Europë. Ndërtimi i banesave të pushimit në bregdetin spanjoll po përjeton sërish një bum. Kudo në vend vërshimi i vinçave tregon se motori ekonomik i Spanjës ndodhet në hov të madh.
5,5 % ishte rritja ekonomike vitin e kaluar. Kështu ky vend europiano-jugor i ka punët më mirë se sa pjesa më e madhe e vendeve europiano-veriore, të cilët shohin me xhelozi në drejtim të Pireneve. Kjo shifër është zhvillimi më i madh konjukturor që ka regjistruar Spanja 20 vitet e fundit, turizmi dhe industria e ndërtimit janë lokomotivat e këtij zhvillimi.
Për vitin 2023 dhe 2024, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon për spanjollët po ashtu një rritje ekonomike mbi mesataren. “Vendi ynë e ka kapërcyer krizën më mirë se shtetet e tjera përreth,” tha Sánchez duke mos e fshehur krenarinë.
Dhe jo vetëm sa i përket rritjes ekonomike, e cila ka bërë që papunësia në Spanjë të arrijë nivelin më të ulët të 15 viteve të fundit, megjithëse me 13 %shin e tanishëm është ende në nivel të frikshëm. Edhe në luftimin e inflacionit Spanja ka arritur çudira: Në dhjetor të 2022, rritja e çmimeve ishte ende 5,5 %, ndërkohë që në gjithë BE-në niveli ishte 10,4 %. Në muajin janar, kur inflacioni në zonën e euros ra në 8,5 %, Spanja vazhdoi të ishte nxënës shembullor në kufizimin e rritjes së çmimeve.
Cila është receta e suksesit?
Si arritën spanjollët të ulnin spiralen e inflacionit, i cili arriti verën e kaluar 10 % edhe në Mbretërinë Spanjolle? Përgjigja: Kryesisht nëpërmjet ndërhyrjes shtetërore në tregun e ushqimeve, qirave dhe energjisë, ato fusha ku konsumatorët japin sasinë më të madhe të parave dhe që shkaktojnë mungesat më të mëdha në kuleta.
Shembull i mirë kanë qenë sidomos kufizimet e vendosura për çmimin e rrymës: Mbas përvojës së mirë të Spanjës, edhe BE ra dakord që të vendosë në muajin dhjetor tavan çmimesh. Spanja e përdori këtë mekanizëm që në verë të 2022, dhe sot është ndër vendet e BE-së me çmim më të ulët energjie. Ky tavan parashikon që çmimi i shumicës për gazin që digjet në centralet spanjolle për prodhimin e rrymës, të limitohet me ligj. Meqenëse kostot e gazit që përdoret për prodhimin e rrymës kanë ndikim të konsiderueshëm tek krijimi i çmimit, pas vendosjes së tavanit tarifat e rrymës ranë në mënyrë të ndjeshme.
Qeveria spanjolle vuri frena edhe për qiratë e banesave, gjë që po diskutohet të vendoset tani në të gjithë Europën. Kështu rritja vjetore e qirasë së banesave u kufizua në maksimumi dy %. Para se të arrihet kjo, qiratë në Spanjë u rritën në përshtatje me nivelin e rritjes së çmimeve, gjë që ngarkoi rëndë qiraxhinjtë.
Në fillim të 2023 u hodh një hap tjetër për të mbrojtur qytetarët nga pasojat e krizës së inflacionit: Taksa mbi vlerën e shtuar për ushqimet u hoq. Kështu buka, mielli, qumështi, vezët, djathi, frutat, perimet dhe prodhimet e drithërave u liruan. Subvencionet e mëdha shtetërore të transportit publik kanë ndihmuar po ashtu në rënien e nivelit të inflacionit.
Për udhëtimin me trena u fut një biletë zero euro, abonetë e metrove dhe autobusëve u liruan 50 %. Në Majorka dhe Kanarie i gjithë transporti publik është falas për banorët e ishullit. Për paketën e krizës, e cila ndihmon si familjet ashtu edhe ndërmarrjet. Duke pasur parasysh ekonominë në zhvillim, por edhe efektet anësore të rritjes së përgjithshme të çmimeve, financimin e ndihmon edhe sasia e madhe e taksave të mbledhura, e cila ka arritur nivel rekord.
Për të mbuluar shpenzimet e veçanta për krizën, qeveria e qendrës dhe e të majtëve e Sánchez, e përbërë nga socialdemokratët dhe partia e majtë, Podemos, mori vendim për vendosjen e një takse të përkohshme solidariteti për bankat, koncernet energjetike dhe multimilionerët.
Lini një Përgjigje