Akuzat e Ramiz Alisë: Kur shoku Hysni të tha që s’duhej favorizuar nipi i tij, Vullnet Thanasi, ti Kadri, mbrojte Feçorin dhe u pajtove me Bato Karafilin

27 Nëntor 2022, 10:25Dossier Dashnor Kaloçi

Akuzat e Ramiz Alisë: Kur shoku Hysni të tha që s’duhej

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”.

Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim. Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran.

Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh. Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”.

Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al.

Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut

PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË                                                         TEPËR SEKRET

KOMITETI QENDROR

                                                           PROCES-VERBAL

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982

Rendi i ditës:

Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu

Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum

Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

                  ZHVILLIMI I MBLEDHJES

Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.

Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

SHOKU RAMIZ ALIA: Nga raporti i Koli Shukes, dhe i Mustafa Kondos, që është përpiluar në vitin 1975, me porosi të Kadriut na rezulton se bashkëpunëtorët tanë, ju janë dhënë në lidhje KGB-së sovjetike, pas vitit 1955. Ne kemi të drejtë të pyesim: Përse është bërë një gjë e tillë?! Ti na thua se: “këto marrëdhënie u ndërtuan kështu që kur ishte ministër Mehmet Shehu” gjë që s’është e vërtetë.

Dhënia e bashkëpunëtorëve tanë sovjetikëve, për herë të parë siç shihet pra, është bërë kur ministër ishte Kadriu. Gjithashtu na thuhet se kuadrot tona u lejuan që ta bëjnë këtë kalim të bashkëpunëtorëve, kur ishte e vështirë mbajtja e tyre në lidhje. Cudi e madhe?! Pse çështje teknike është kjo, apo një veprim politik tepër i gabuar me pasoja të rrezikshme?!

Ti shoku Kadri kur ndesh vështirësi, hedh idenë se këto gjëra si ke bërë me kokën tënde, se duhet të kesh vënë në dijeni ndokënd nga udhëheqja, ose se duhet të gjendet ndonjë material i shkruar. Po as ka, as mund të ketë dokumenta, ashtu si nuk mund të ketë udhëheqës të Partisë që t’ju kenë thënë jepuni sovjetikëve të gjitha sekretet e shtetit dhe vijini nën kontrollin e KGB-së gjithë kuadrot tonë të ardhshëm.

Në mos respekti për vete, dinjiteti kombëtar si një shtet sovran dhe Parti e pavarur, për një gjë të tillë duhet të na kish ndalur dhe përvoja e hidhur që patëm me jugosllavët. Ti e di që ajo përvojë, veprimet e Koci Xoxes, që e kishte kthyer Ministrinë e Punëve të Brendshme në një degë të UDB-së, e dënuam rëndë dhe e quajtëm tradhti kombëtare. As Partia, dhe as ndonjë udhëheqës i saj, nuk mund të lejonte një veprim identik me atë që ishte dënuar më parë, vetëm se UDB-ja ishte zëvendësuar me KGB-në. Pse ju kishit lënë aq fushë të lirë sovjetikëve?!

Përse kishit vendosur ato lidhje vartësie me KGB-në?! Kjo për ne, mbetet e paqartë. Këtë e sheh edhe Kadriu, por ai kërkon që të largojë çdo përgjegjësi nga vetja duke e paraqitur çështjen sikur është grindur me kryekëshilltarin sovjetik. Por ne, kontrolluam dhe nuk gjetëm asnjë dokument të Byrosë Politike, për këtë çështje, dhe se Llambi Peçini, materialet sekrete ja ka dërguar KGB-së pa dijeninë e Kadriut. Në sekretariat Kadriu, nuk na e ngriti këtë version, përkundrazi na tha se kjo është bërë pasi i nevojiteshin shkollës për studentët tanë. Tani na thotë se “kjo dërgesë, është bërë në shpinën e tij”?!

Dhe për të na e provuar këtë, thekson se dokumenti nuk ka as firmën e tij, as shënimet, dhe as siglën, siç e paska në praktikë Kadriu. Por nëse arsyetohet kështu, a nuk mund të thuhet dhe e kundërta që, mungesa e siglës dhe e firmës është bërë, për të qenë më e lehtë mundësia e mohimit?! Nuk mund të lë pa folur për fyerjen që i bën Kadriu, Byrosë Politike, për dyshimin që hedh ai mbi gjykimin e ndershmërisë së saj, dhe për akuzën që i bën shokut Hysni, ku shkruan: “Mungesa e shokut Hysni, në këtë kohë kur analizohen çështje kaq delikate, që lidhen edhe me korrektësinë time ndaj Komitetit Qendror të Partisë, e vështirëson sqarimin e mjaft prej tyre”.

Jo shoku Kadri, as kjo situatë nuk të ndihmon. Vërtet shoku Hysni nuk është, por në Byronë Politike ne, nuk veprojmë si në gjyq, ku është nevoja që të vërtetohet fajësia ose pafajësia e një të akuzuari, me dëshmitarë. Partia, gjykon politikisht dhe ideologjikisht, gjykon duke u mbështetur në ideologjinë marksiste-leniniste, duke u mbështetur në sinqeritetin dhe çiltërsinë e komunistëve. Por meqë ti e kërkon si dëshmitar shokun Hysni, atëherë le ti referohemi fakteve dhe dokumenteve që na ka lënë ai.

Të gjithë e dimë se sa i drejtë dhe parimor ka qenë shoku Hysni, për zbatimin e drejtë të vijës së Partisë. Unë përmenda më sipër, letrën e komunistit Vullnet Thanasi. Ky, është nip i shokut Hysni. Kadriu, ja ka dërguar shokut Hysni letrën që ta lexonte, dhe t’i jepte mendimin se si të vepronte. Por duke i theksuar se mendimi i tij është se: “Vullneti i fryn gjërat, dhe ju jep karakterin e ngritjes me pasion, se Vullneti hakmerret ndaj Feçorit, duke menduar se ky i fundit e lufton për disa gabime që ka bërë duke qenë nxitës dhe grumbullues thashethemesh”.

Shoku Hysni që në fillim, në përgjigjen që i jep Kadriut në 15 Prill 1975, pasi flet për nipin e vet, duke shkruar se: “Nuk duhet lejuar askush që të shikojë apo favorizojë njerëzit sepse, kanë të bëjnë me këtë apo me atë kuadër udhëheqës, siç është dhe rasti i Vullnetit, që e kam nip”. Ai, kritikon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të kenë shumë kujdes pasi po i vijnë shumë propozime sidomos nga Zbulimi i jashtëm, për të dalë kuadro me detyra jashtë shtetit, që kanë në farefis shokë me përgjegjësi, shokë në organet e Punëve të Brendshme dhe në ushtri.

Pas kësaj hyrjeje kritike, shoku Hysni, porosit: “Përsa thotë Vullneti për Feçorin, duhet gjykuar me kujdes. Duhet të shikohet sesi e vlerëson sot Feçori, Sami Muhametin, a e ka dënuar seriozisht siç e dënoi Partia, a ka bindje për të si fajtor. Mendoj, t’i thuhet Feçorit dhe gjithë atyre që përmenden në informacion për, kontaktet që kanë pasur me Sami Muhametin”. Po ç’bëre ti shoku Kadri?! Ti nuk ndoqe këshillat e shokut Hysni, u pajtove gjoja me verifikimin që i bëri Bato Karafili letrës së Vullnet Thanasit, verifikim që e nxirrte Feçorin të larë nga çdo përgjegjësi.

Shoku Hysni, siç dihet, edhe për çështjet e marrëdhënieve të Sigurimit tonë me sovjetikët, na ka lënë dokumenta. Dhe këto nuk na vështirësojnë, përkundrazi na ndihmojnë ti zgjidhim problemet. Kështu në letrën e shokut Hysni të 13 Janarit të vitit 1975, thuhet qartë se: Komiteti Qendror i Partisë, nuk ka pasur dijeni që Sigurimi i Shtetit, i ka dhënë KGB-së sovjetike, në lidhje bashkëpunëtorët tanë. Aty shkruhet gjithashtu se në Komitetin Qendror të Partisë, nuk ka asnjë dokument që të ketë autorizuar Ministrinë e Punëve të Brendshme, për një gjë të tillë.

Kjo është kryesorja, që nuk e vështirëson aspak zgjidhjen e problemit. Por nëse ka ndonjë vështirësi, ajo del nga ty Kadri që përpiqesh të fshehësh fajet dhe veprimet shumë të rrezikshme që janë kryer. Dokumentet që na ka lënë shoku Hysni, nuk flasin për korrektësinë tënde, nëse ke këtë parasysh, kur evidentin mungesën e shokut Hysni në këtë kohë. Kur ti evidentin mungesën e shokut Hysni, përpiqesh që ta heqësh veten si “viktimë” atëherë po na detyron që të kujtojmë se, në Byronë Politike, nuk ecin as djallëzitë, as provokacionet, as intrigat.

Përfundimisht autokritika e shokut Kadri, nuk më ndihmoi që ta kem të qartë rolin e tij në këto 40 vjet të zhvillimit të kësaj veprimtarie armiqësore, dhe që ka përfshirë shumë kuadro të Ministrisë së Brendshme, ku ka punuar Kadriu. Që i ka munguar vigjilenca, kjo është fare e qartë për ne, madje i ka munguar plotësisht. Po kështu ai në punën e tij, ju ka lënë dorë të lirë bandës së Mehmet Shehut me shokë dhe kjo, duket sheshit.

Gjithashtu duke ndërtuar një marrëdhënie të tillë vartësie me KGB-në sovjetike dhe me këshilltarët e saj ai, ka dëmtuar shumë rëndë interesat e Partisë e të Shtetit tonë. Kaq mund të thuhet për këto që dimë. Duke u nisur nga kjo kërkesë, unë jam dakord me propozimin e shokëve të tjerë që Kadri Hazbiu të përjashtohet nga Byroja Politike dhe nga Komiteti Qendror i Partisë, njëkohësisht të shkarkohet dhe nga funksioni i Ministrit të Mbrojtjes Popullore, dhe të nxirret në pension. Kadriu, si anëtar i thjeshtë, le t’i provojë Partisë ndershmërinë dhe korrektësinë e tij. Në udhëheqjen e saj nuk duhet lejuar që të bëhen këto prova.

SHOKU MUHO ASLLANI: U njoha dhe studiova me vëmendje autokritikën e shokut Kadri Hazbiu, por edhe unë kam mendimin dhe e them që në fillim që kjo, nuk është e thelluar, nuk nxjerr konkluzione të drejta e të thella për fajet shumë të mëdha e të rënda politike, të bëra nga ai me vetëdije, pa u thelluar se ku të çojnë këto veprime. Ju shoku Kadri, i keni dorëzuar organeve të Zbulimit sovjetik dhe të shteteve të tjera revizioniste, të gjitha materialet që ju kanë kërkuar ata, dhe që kanë të bëjnë me fatet e atdheut tonë socialist.

Tani lind pyetja: Çfarë nuk ju keni dhënë ju atyre?! Ju, e keni vënë Ministrinë tonë të Punëve të Brendshme, në varësi të tyre, siç varet Dega e Punëve të Brendshme të një rrethi, nga ministria. Veprimet e kryera nga organet tona, jua keni dorëzuar organeve të Punëve të Brendshme Sovjetike, dhe të vendeve të Europës Lindore, gjë që nuk duhej lejuar në asnjë mënyrë. Kjo, përbën krimin më të rëndë që ju, keni bërë ndaj atdheut. Në autokritikën tuaj ju, thoni se këto dokumente i kanë firmosur zëvendësit tuaj, pa e ditur ju.

Por për këto punë, ka rregulla të caktuara se kush e kur do të firmosi zëvendësi, dhe këto titullari i merr vesh menjëherë kur kthehet në zyrë, kur vartësi ka kryer veprime në mungesë të tij. Kjo aspak, nuk ju justifikon. Kam bindjen se ju, i keni ditur këto veprime, dhe i keni marrë vesh të tëra se ç’kanë bërë vartësit me porositë tuaja. Ju, nuk e keni zbatuar Platformën e Punës Operative të organeve të punëve të brendshme, të miratuar nga Byroja Politike, nuk keni informuar Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të Partisë, për veprime shumë të rëndësishme që keni kryer në kundërshtim me platformën, dhe këtë e justifikoni se keni biseduar me të tjerët, gjë që nuk i justifikon fajet e rënda që keni kryer.

Mendoj se ju, e keni bërë pikërisht këtë punë për të mos u ditur asgjë nga shoku Enver, se po të vihej ai në dijeni ju, do të merrnit ndëshkimin e merituar që atëherë, kur i keni bërë këto faje të rënda. Ti shoku Kadri, thua se je takuar gjithnjë me shokun Enver, dhe e ke informuar për shumë probleme, kurse për këtë çështje të rëndësishme e kapitale për vendin tonë, nuk e ke informuar, përkundrazi këtë ja keni fshehur. Edhe kur gjykuam veprimtarinë e armikut Mehmet Shehu, ti nuk i the asgjë Partisë për këto faje të rënda që keni bërë por vazhdimisht ke heshtur. Edhe për armikun Mihallaq Zicishti, nuk keni thënë asgjë.

Ne jemi takuar së bashku disa herë, dhe mund të na informonit për ndonjë fakt që lidhet me punën e tij të ulët e të fëlliqur, natyrisht dhe për gabimet e jetës së tij. E them këtë sepse ju, duhet të na ndihmonit si për punën e tij në Durrës, ashtu dhe për të metat, dhe dobësitë, që ka pasur ai përgjatë gjithë jetës së tij. Ti, më ke folur mua njëherë për të pritur në takim, ndonjë shofer të Ndërmarrjes së Eksportit, që nuk kishte probleme me ndërmarrjen përkatëse, por që ai ankohej kundër drejtorit se, donte të dilte jashtë shtetit, për të siguruar të ardhura sa më të mëdha për vete, në Vjenë, dhe në Berlin, etj.

Pra ky, nuk donte ta ndihmonte Partinë në kuadrin e interesit të përgjithshëm, por donte interesat vetjake. Ju pra, na sinjalizoni për çështje të dorës së dytë, ndërsa për probleme kapitale, nuk na keni thënë asgjë. Tani unë, po ju them shoku Kadri që, duhet t’ja thoni hapur Byrosë Politike, se mos edhe nga Ministria e Mbrojtjes Popullore ju, keni dhënë armiqve të dhëna të tilla që, cënojnë mbrojtjen e atdheut, veçanërisht të kufijve bregdetarë, pasi nga Ministria e Punëve të Brendshme sovjetikëve, ju janë dhënë të tëra ç’kanë kërkuar prandaj, duhet parë dhe çështja nga krahu tjetër.

E them këtë sepse gjatë analizave që kemi bërë kohët e fundit, në Byronë e Komitetit të Partisë së rrethit për disa shkelje të kufirit, në Byronë e Partisë të këtij sektori kam vërejtur se ka një liberalizëm të theksuar dhe janë bërë lëshime. Për këtë është dashur ndërhyrja e Byrosë së Komitetit të Partisë së rrethit, për të marrë masa ndaj këtyre njerëzve që kanë bërë këto lëshime në ruajtjen e kufirit. Lind pyetja dhe ju duhet ta thoni hapur, pse i keni bërë këto veprime?! Pse i keni dorëzuar komplet veprimet tuaja, KGB-së dhe të tjerëve?! Gjatë viteve të fundit ne, kemi diskutuar punën e grupeve armiqësore sabotuese, jemi ndalur dhe kemi analizuar përgjegjësitë e gjithsecilit, dhe natyrisht ata kanë marrë dënimin e merituar.

Po ju, nuk i keni ngritur këto probleme. Pse keni pritur tua zbulonin të tjerët dhe nuk i thatë vetë ku dhe kur duhej?! Edhe tani në mbledhjen e Byrosë Politike ju, pohoni ato që po ju thonë të tjerët, se vetë nuk po jepni asgjë të re. Kohë keni patur për të reflektuar, dhe për t’ja thënë të gjitha gjërat, Byrosë Politike, dhe shokut Enver. Por dhe këtë nuk e keni bërë.

Konkluzioni im është se ju ja keni fshehur me qëllim të caktuar Partisë dhe Byrosë Politike, këto veprime që duhet t’ja kishit thënë hapur atyre. Informacioni, është një normë partie. Sipas rregullave, duhet ta informosh Partinë për detyrat dhe problemet që të ngarkon, por ti e ke injoruar këtë normë partie pasi, nuk ke pasur parasysh porositë e shokut Enver.

Në autokritikën tënde unë, vërej ashtu siç theksuan dhe shokët e tjerë, shenjat e një mendjemadhësie të theksuar, konkretisht për organizimin dhe për prezantimin në Pezë, dhe me këto gjëra ju përpiqeni që të largoheni nga problemi kryesor./Memorie.al

3 Komente

  1. l
    lexuesi

    Sa here qe gjendet keq Sali Berisha ,Dash Kaloshi hap dosjet e arkives qendrore qe i ka dhuruar Hajdari Azem!Ndoshta pret te ndahet nje dite nga jeta Sali Berisha dhe te filloje me ditaret e tij!Gazetar interesat i skutave te cilit i eshte dhene e drejta qe te hape arkivat e shtetit!!!!!!!!!!!!!!!!!!!

    1. T
      TV Skampa

      Llazi cfare do te bejme me mitomanin patologjik Xhepa? Kush eshte nje nga ato 4 segmente qe deshin ti marrin jeten mitomanit? Ju shprehim falenderimet e jona nqs se do te na ndihmonit ne gjetjen e segmentit qe desh na e vrau Mucin e gjymtuar per te gjithe jeten

      1. p
        per tru bunkeret

        Ku eshte problemi ketu (per lexleshin)nese botohen dokumentet e qeverise kriminale , ose diskutimet e hienave komuniste te cilet ishin ne qeverine komunisto fashiste me ne krye kjofte largun Enver ... Ju tru shperlaret e keni shume te thjashte vetem pastroni sado pak trurin qe ta kuptoni se sa injorante e kriminela , e te pabese , vrases gjakatare ishin ata plehra qe drejtuan vendin per 45 vjet . Megjithese e keni pothuajse te pa mundur ta pastroni trurin mbasi tru shperlarja 45 vjeçare ishte pertej çdo imagjinate ....Imagjinoni se sa e madhe ishte tru pjerllja pershembull per ish oficeret , ose ish sigurimsat e koleres komuniste ....

        Lini një Përgjigje