Gryka e Mezhgoranit, "Piktori i Popullit", Guri Madhi dhe parajsa ime e humbur…

23 Nëntor 2022, 17:29Dossier Nga Kristo MËRTIRI

Gryka e Mezhgoranit, "Piktori i Popullit", Guri Madhi dhe parajsa ime

Te ky monument i vecantë natyror, historik e kulturor, bari dhe zogjtë janë ndërruar mbi 80 herë. Por mjaft rrënjë dhe bimë të tjera vazhdojnë të mbijnë e përtërihen mbi gëzhoja, gaveta e helmeta të përgjakura, sot e kësaj dite. Vjosa ime e dashur ligjëron e gurgullon pa pushim, herë shtruar e pa bujë, herë e irrituar e shkumëbardhë përgjatë brigjeve ku dalin të hedhur mënjanë kërcunj e drurë të vjetër e të rinj. Sikur kërkon ta ruajë me fanatizëm kthjelltësinë e saj shekullore, sidomos “që nga koha e Perandorisë Romake e deri te Lufta Italo-Greke”. Vjosa ime e dhembshur që më përkundi, më rriti e më përcolli me shumë mundime e përgjërime drejt udhëve të dijes në Tepelenë, Gjirokastër, Tiranë e përtej kufijve shtetërorë ! Bashkë me Golikun e ëndrrave djaloshare që na dehte e s’na velte me erën e trëndelinës e të lules së blirit, të cajit e të dafinës plagëhapur atje në honet kujemëdha të Piligrisë (zëri i motërzezës së madhe do më shoqërojë deri sa të gremis sytë!). 

Përkrah Grykës së Këlcyrës “unike në Ballkan”, fama e tyre mbetet e pacënueshme dhe e patjetërsueshme : Në këtë tokë të bekuar me udhë e pa udhë, janë shembur taborë me pushtues e tradhëtorë, të cilët kanë lënë kokat dhe kockat ! Është dheu im që të ligun e armikun e vërtetë nuk i qasi kurrë në vatër. E, as ua ktheu ndonjëherë kurrizin! Brez pas brezi. Vecse 4 dimra të egër, 4 Nëntorë do të shkonin nëpër malet e Shqipërisë dhe përtej saj, “të katër të rinj, partizanë me vezme në brez e nagante”, me Yllin e Lirisë në ballë, drejt ëndrrës së madhe të Clirimit. Sepse shembja e botës së vjetër plot shtypës e të shtypur, nuk do të vinte thjesht me dy gishtat lart apo me ulërima mitingjesh…

Kjo Grykë, për mua quhet plotësisht e pagëzuar me emrin e saktë : Gryka e Peshtan-Mezhgoranit. Në të gjitha filmimet e 80 viteve të fundit, nuk shfaqet asnjëherë në foto e ekrane si njeri me njërin krah të prerë. Madje shumica e pushtuesve të vrarë janë mbi Peshtan ! Historikisht kështu. Sikur vetëm minimuzeun privat të Mira Mukës në bujtinën e saj (vajza e shokut tim të ndjerë të fëminisë, Hajro Malo),, të vizitosh e vëzhgosh me kujdes e vëmendje, cdo turist a udhëtar i zakonshëm krijon një tablo konkrete në memorie. Pa shfletuar hic harta, libra e gazeta. “Peshtani, mëhallë Parisi,/ O, bo, bo, lufta c’e prishi !”. Poeti popullor flet shumë. Rrëfime që kanë shkuar e shkojnë gojë më gojë. Por 4 Nëntorët e 4 dimrat e egër erëbarot, ruajnë përjetësisht të gdhendur me shkronja ari e gjaku një luftë të shenjtë : Lufta Antifashiste Nacionalclirimtare Shqiptare ! Një epope e madhe që i dha dritë, nder e lavdi vendit në Europë e Perëndim.(Kush prek e latërzen Luftën e Dëshmorët, i bie dambllaja !). Se Antinazifashizmi mbetet vlerë e vërtetë e qytetërimit botëror. Në fund të fundit, për mbi 70 mijë partizanët, 4 Nëntorët ishin realisht “sa për 4 Akademira” ! 

P.sh. Asim Zeneli me shokë, vërtet nisën a mbaruan studimet e larta në Itali, por “Diplomën” më të vështirë e morën shkëlqyeshëm këtu, në Grykën e Peshtan-Mezhgoranit. “Oficeri me kulturë,/ S’qëndroi në ushtëri,/…Vajtoni o shqipëtarka,/ Asimin djalosh të ri !...”. Ajo fotoja e trimit kosovar, Heroit të Popullit, Xheladin Beqiri (Karadaku) me grushtin lart mbi trupin e komisar Asimit dhe betimi i tij burrëror “Me luftë e nisëm, me luftë do ta fitojmë !...”, nuk mund të retushohen dot nga askush, sot e nesër, përgjithmonë…Nuk besoj të ketë shqiptar që nuk e ka dëgjuar atë këngën e famshme të Qamil Buxhelit e Mustafa Krantja. Por jo të gjithë e dinë se ai zëri i paarritshëm e drithërues është i një ish mitralieri partizan, pjesmarrës  në atë betejë të paharruar kundër pushtuesve fashistë  italianë. Rast tepër i rrallë! Është Mentor Xhemali, miku im përmetar, Artist i vërtetë i Popullit që famën e kësaj Gryke e përcolli me dinjitet e profesionalizëm të pashoq gjer në Moskë e Leningrad e gjetkë. I ndrittë shpirti atje ku prehet, në varrezat e Sharrës në Tiranë. Sa herë shkoj për te prindërit dhe te kunata fatzezë Donikë, coj ndonjë lule a cigare edhe te këngëtari i madh proletar aty pranë. Ndërsa një kaba laveriane me të qarë na befason lotueshëm, nëpër vithimat e Kroit të Madh në vendlindje yjet duken e zhduken nëpër fletët e lofatave që ndezin zjarre përkujtimi e dhembshurie…

Fiks 53 vite më parë, kur isha nxënës në Pedagogjiken me emër të ndritur “Pandeli Sotiri” në Gjirokastër, në sytë e mi dhe të shqiptarëve feksi një tabllo e madhe, e gjallë, shpërthyese dhe luftarake e ish partizanit me rrënjë Opari (babait të Pandit tonë të mirë), Piktorit të Popullit, Guri Madhi. Kur ndaleshin para saj, veteranët thinjoshë fshinin sytë dhe hiqnin kapelen. Por origjinali një ditë prej ditësh u “zhduk” papritur nga ekspozimi në zemër të metropolit! Thonë se u kyc në ca mjedise zyrtare të larta. Atë ditë që do rikthehej si me një frymë pas arratisë 32 vjecare në Galerinë Kombëtare të Arteve, zemra ime kish filluar të cante kraharorin e drobitur nëpër udhët e mërgimit të detyruar nga pushtpushteti i kohës bishtdhelpër. Shkurt, nuk ia urova dot drejtpërdrejt e sy më sy mirëseardhjen !...U vendos krah për krah me tabllotë e papërsëritshme “Shpella e Dragobisë”. “Dorëzimi i armëve”, “Shtabi i Përgjithshëm”, “Pëllëmbë e gjak” etj. Dikush e quajti publikisht me të drejtë “Rembrandi shqiptar”. Një tjetër “Piktor i ndjenjave të pastra dhe i emocioneve të fuqishme”. Ndërsa skulptori i njohur K. Rama, i la një shënim të thjeshtë:”Na mblodhe prapë, o Guri, ne miqtë e shokët e vjetër. Të kujtuam me mall…”. Ish studenti i tij K. Buza e tha shkoqur:”Piktura shqiptare ka Gurë të Mëdhenj, ka edhe guralecë. Gurët e mëdhenj janë të paluajtshëm. i tillë është edhe profesori im, Guri Madhi !”.

Duke medituar shpesh përballë këtij “guri të vërtetë në kështjellën e pikturës sonë”, fryt i kënaqësisë jo dosido që mua më ka falur tablloja e pavdekshme “Beteja e Mezhgoranit”, përfytyroja Piktorin tek ngriti ca ditë “studion” te kjo Grykë zulmëmadhe në histori. Autor me emër dhe mbiemër paksa të cuditshëm që i shkonin për shtat aq shumë ! Peshtanakë e mezhgoranas, tepelenas e përmetarë, ish partizanë e pasardhës të tyre, sa herë kalonin e kalojnë përmes shkëmbinjve e dy Grykave hijerënda, përjetojnë ndryshe e me zemër edhe atë pikturë jo pak emocionuese: Sa shumë e paske dashur Shqipërinë, o Guri Madhi !...Por ti, ndoshta nuk i mësove dot 20 toponimet interesante, 5 kishat e mocme apo 13 emrat e 13 krojeve në Peshtanin tonë të shtrenjtë: Guri i Shkallës; Guri i Bregut të Rrahut; Gurët si Njerëz; Guri i karait; Guri i Cekajve etj. 

Mbase një ditë nipi yt piktor do  plotësojë e pasurojë më tej tabllonë historike. Te ata kroje të kulluar (qajnë apo këndojnë?), kam 7 dekada që përmallohem edhe me gjurmët, mjeshtërinë e njohur të gjyshit tim që nazistët gjermanë nuk ma lanë ta njihja kurrë ! Gjaku i tij është atje, pranë një mëlleze lajmëruese e saktë e pranverës, mbi Buzën e Savës, ballë për ballë me Sajmolën ku do shkoj nesër. E masakruan, e pushkatuan dhe e hodhën me aq urrejtje të pamatë në greminën buzë Vjosës. Nuk e di se c’gurgullima, c’rënkime e mërmërima mund të kenë derdhur ato caste krojet për “ustain e krojeve”, që nuk u ngop dot me erën e të birit të sapoliruar nga burgjet, internimet e përndjekjet gjer në udhët e strehët ilegale të Vlorës. Karabineria dhe kallauzët e tyre të ndyrë e kërkuan me qiri. Fonogramet shkonin e vinin me furi e gati përditë nga Gjirokastra, donin ta rrëmbenin nga duart besnike të Teli Ndinit e të tjerë luftëtarë të Njësiteve Guerrile. Por Vlora e Pavarësisë dhe e Lirisë, Vlora e Shpresës dhe e Besës nuk e dorëzoi kurrë ! As pronari Hamza nuk e shiti “yzmeqarin” peshtanak “me bomba në trastë”, atje, karshi ish hotel “Sazani”. Kuislingët dhe sahanlëpirësit faqezinj dështuan… Kur u fejova zyrtarisht me Violetën time vlonjate 24 karat, babai më bëri befas vetëm një kërkesë : -A do ndalojmë një cikë te Sheshi i Flamurit, o bir ? Më lini vetëm 5 minuta te ish kafeneja e kohës së Luftës ilegale…( Se c’foli me veten pas 35 viteve, nuk i morëm dot vesh pëshpërimët e shpirtit të rrëmbushur…

Pavdekësia e cdo Nëntori Shqiptar, ka në themelet e saj gjakun dhe eshtrat e të rënëve për Liri e Demokraci të vërtetë. Idealet e pastra atdhetare nuk i mbrojtën nëpër kancelari, zyra a salla mondane, por “rrebesh më rrebesh” nëpër gryka e shtigje malesh të mbushur më vajza e djem nënash si yje. Dhe historia jonë kapakkuqe me gjakun e Dëshmorëve të Atdheut, nuk mund t’i harrojë kasollet me bukë e pa bukë që pritën e përcollën Partizanët e luftëtarët e tjerë të Clirimit. Nuk mund t’i harrojë burgjet, internimet, flakët e shtëpive me kulm e themel, torturat, masakrimet, vrasjet nga më makabret. Nuk mund të harrojë lotët e nxehtë të nënave e motrave shamizeza nga Jugu në Veri,, mbi dheun që pikon ende dhimbje, dashuri e krenari kombëtare… Atyre sojsëzëve që pas 78 viteve filluan t’i bien një palo këmbore të ndryshkur me “nazistë kalimtarë”, ky popull ua ka varur teneqenë me kohë. Ata nuk i vlejnë asnjë grosh as vetë të Djathtës së vërtetë. 

Madje e zhysin edhe më thellë në zullume e pa vota shqiptare. Mirëpo, duke mbyllur këto shënime nëntoriane, kujtova një episod që flet fuqishëm nga Tragjasi, fshati ku unë me Shate Gjondedën e paharruar e kaluam natën në stane ku do shkruaja e botoja si student praktikant një reportazh të gjatë te “Zëri i Popullit”: -Na dëgjo pak, miku ynë e dhëndërr Vlore, bëhet fjalë për fillimet rrumpallë e katrahurë të Pluralizmit. Mjaft plehëra e horra abuzuan me Lirinë. Por një ish drejtues i PD-së në Tragjas, me mbiemrin Dano, i vuri gjoksin bustit të Heroinës së njohur Zonja Curre, kur falangat “antikomuniste”(kupto: neofashiste!) erdhën ta hidhnin në erë me tritol. “-Nuk do ta prekni hic këtë vajzë labe partizane që dha jetën në prag të Clirimit, në Qafëshkallë të Klosit në Mat…Nëse kërkoni zonjën, shkoni në shtëpinë time, është nëna ime !...Por përgjithësisht e mjerisht, njerëz të tillë patriot janë arratisur herët nga PD-ja. Dhe nisi rrënim-kalbëzimi…

Troku i Vjeshtës së tretë po mbyllet me shira e stuhira. Dimër Lirie e Demokracie. Por Gryka e Peshtan-Mezhgoranit, Piktori i Popullit, Guri Madhi dhe parajsa ime e humbur(fëmijëria), këto ditë Nëntori sikur janë larë në vesë të bukur trimërie të gjithë, të vdekur e të gjallë. Vërshon malli e krenaria për “lule djemtë e Nënave”…                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                    

13 Komente

  1. B
    Buda

    Bravo, Kristo, tabloja e Luftes se Grykes se Mezhgoranit eshte nje kryeveper artistike qe pasqyron nje nga pikat kulmore te Rezistences Antifashiste ne Shqiperi dhe ben nje perjetesim te merituar per Heroin e Popullit Asim Zenel Progonatin.

    1. a
      aaaaaaaaaa

      Të lumtë Pena ............e vërteta të rrënqeth mishin. Hajde dilni ju ballistët e rinj dhe shani gjith çka.

      1. b
        béni prej shkodre

        Rrofsh, e ke qa me lot.????????????

        1. T
          Tomi

          Po ca lufte thoni more loqe, po kane kris nja dh dyfek kurvat partizane dhe jermani i qiu te gjithe me burra e gra. Po si vazhdohet te glorifikohet e ashtuquajtura lufte. Po partizanet ishin ca te perdale qe si mbante shpia e vet dhe thonin po dalim malit. A u qifsha trute dhe me gjere!

          1. B
            Beni

            Po pse o mut ça kujton ti se partizanet ishin si mamaja jote qe doli ne çete per arsye nadhore? Ç'ti bente joteme tyt eti qe e kishte vetem per te bere shurren.

          2. K
            Kazani

            Kujtoja se ka vetëm kazan. Ja nne artikull dhe shkrim interesant. Pak a shumë i prek të gjitha, gjeografi, histori, demografi, turizëm, kulturë, etj Dhe kuptohet që s'ka kujt ti bëj elozhe. Pikturë interesante kjo e Guri Madhit. Kuptohet që i përket kohe tjetër. Por të vërtetën e ka brenda. Asgjë më shumë ose më pak se kjo Europë që është sot dhe fitoi mbi fashizmin dhe nazizmin. Sot kuptohet kohë të tjera. Dhe mohimi i brezave bën të vetën. Por e vërteta është aty e pamohueshme.

            1. M
              Moza

              Toni! Pse ka njerëz kështu si ty, pa taban që kush e di se nga i kanë rrënjët që as vetë nuk i dinë,që vetëm përçarje krijojnë në mes shqipëtarësh,jemi këtu ku jemi. Ju mundet të jeni grek,serb,rus,mongol, a çfar dreqin mundet ,po çfar kusuri ju kemi ne që t'ju durojmë duke nxirë sharë e bastarduar shqiptarët që e duan vendin e tyre ashtu si çdo popull i botës Juve jeni pjellë e dreqit dhe jo e robit Njerëz pa një fije krenarie njerëzore.

              1. D
                Dajti

                Te lumte pena K.Mertiri, qe e kujton epopene e lavdishme te luftes partizane.I perjeteshem kujtimi i deshmoreve.

                1. X
                  Xhevat Z.

                  O i madhi Kristo! Zemra dhe mendja jote flori e qelibar kanë rezerva të pashtershme ari të kulluar. Ky ar rrjedh pike pikë e pa ndaluar për të çelikosur e betonuar ato ngjarje e bema historike legjendare. Xhaxhai im, Selimi, që doli partizan 15 - 16 vjeçar, këngën e heroit Asim Zeneli, rënë në Grykën e Mezhgoranit e kishte të parën në çdo gëzim e rast. Ajo ishte epope që e beri pushtuesin ta pyes mirë veten. Jetesimi i asaj beteje dhe kësaj kalaje në atë gryk-mal nga piktori i madh Artisti i Popullit Guri Madhi është një monument i paharruar i asaj luftë që do të ndrij e do t'i bërtas në shekuj ndergjegjes së brezave, pavaresisht plangprishesve të këtij trualli që nuk i kane munguar kurrë. Ajo traste me bomba dorë e babait tend trim e atdhetar, ishte një arsenal shpirti e flake në atë luftë dhëmb për dhëmb me fuqite më të medha të kohes. Prandaj nga zemra u urojme Lavdi e nderim të përjetshëm këtyre martirëve të rene për lirin e atdheut. Te lumtë mendja, zemra e pena për këto kujtime të rralla e që mbajnë eren e barutit të kohes, i nderuar Kristo.

                  1. B
                    Bardha

                    Bravo,por cfare thone qenefet dhe ujrat e qelbur nga keto qenefe,lavdi per ato qe rane

                    1. S
                      Sara

                      Si gjithmonë Kristo Mertiri shkëlqen me shkrimet e tua. Duke e përshkruar me fjalë zemre e krenari jo vetëm LANC por edhe vendlindjen tënde, Peshtanin. Kudo ku shkove e the me krenari dhe jo vetëm ty por të gjithëve na bën krenar Peshtani i Tepelenës. Me të drejtë thua se gryka duhet të quhej e Peshtan /Mezhgoranit për të qenë korrekt me atë që emërton, por ja që ndodh edhe kështu. Edhe përsëri tabloja e Guri Madhit pavarësisht se nuk e përmend emrin e Peshtanit në të vërtetë pasqyron kontributin e tij. Pavarësisht se nuk është shkruar shumë për Peshtanin e Tepelenës do vijë koha që edhe ai do ta ketë emrin në proporcion me historinë e tij. Sa për betejën që paraqet ajo tablo as nuk vihet në dyshim madhështia e asaj Lufte që na bëri aleate me pjesën më përparimtare të globit. Ajo Luftë shërbeu si puna majase në historinë e kombit shqiptar. Duke bërë ndryshime rrënjësore ekonomike, shoqërore sociale që krijoi themelet e shtetit modern shqiptar. Megjithëse ka 30 vjet që këto themele po luftohen ato duruan dhe do durojnë se kanë përpjekjet dhe sakrificat e dëshmorëve por edhe të njerëzve të nderuar e patriotë si ty Kristo që i forcojnë akoma më shumë këto themele. Urime Kristo e Gëzuar festat!

                      1. S
                        Stefan Dhembeli

                        Kristo, je fantastik! Sa here te lexoj, me vjen të të kem prane dhe te te perqafoj. Nuk e di ,… por me pershkrimet , ngjyrat, aromen e luleve e të barit, cicerimat e zogjve , oshëtimen e grykave te maleve,… m’ a ben me te lehte e të prekshme ate realitet , të cilin e njoh . Te kam thënë ; si ciceron , me ate larmi fjalesh e ngrohtesi që i shpjegon( pershkruan), do t’ i mahnisje udhetaret apo turistet qe kalojne asaj nahije. Po te kishe mbaruar edhe akademine e arteve, me siguri do ishe nje Guri Madhi ( Peshtani). Te falenderoj shume per këtë shkrim , veçanërisht ne kete dite perkujtimore. Gjithsesi mbetesh i math ne gazetari , Te shohim si do jesh si shkrimtar…!? Por kam besim se do jesh shkëmb Peshtan - Mezhgorani .

                        1. P
                          Profesor Hulusi Hako

                          I dashur Krsto, Xhaxhi Hulusiu te uron shendet te plote. Ta gezosh afirmimin e statusit “deshmor”te njeriut tuaj te dashur Ti po e vazhdon traditen sic eshte thene “dardha bie nen dardhe”. Ka kohe qe me befason pena jote e mprehte , por shkrimi yt per Mezhgoranin… me befasoi Nje proze poetike qe me kujtoi “Zgalemin” e Gorkit me mendim e ndjenje, histori dhe atdhetari, art dhe vizion. Ti dhe Merua krenoheni me Peshtanin e bukur. Keshtu krenohet edhe Peshtanime Ju . Te lumte!Te kendofte pena! Te perqafj me respekt

                          Lini një Përgjigje