Nga libri i Mero Bazes: Zgjedhjet e para, i hapën Kosovës derën e Perëndimit. Pse Serbia s’i ndali dot!

20 Nëntor 2022, 19:19Dossier TEMA

 

Nga libri i Mero Bazes: Zgjedhjet e para, i hapën Kosovës derën e

Në pjesën e tretë të publikimit në gazetën TemA të pasazheve nga librii “Republika e Parë” të Mero Bazës, do të njiheni me procesin që çoi në zgjedhjet e para demokratike të Kosovës. Ishin këto zgjedhje që i hapën rrugën e përkrahjes perëndimore dhe Sllobodan Milosheviçi nuk i ndaloi dot.

 

Nga Mero Baze

 

Beteja për zgjedhjet parlamentare të vitit 1992

 

Ndërkohë që Kosova bëri kërkesën zyrtare për njohje ndërkombëtare, pasi kishte miratuar Kushtetutën dhe kishte bërë referendum ku shqiptarët votuan për shkëputje nga Jugosllavia dhe krijimin e një shteti të pavarur, hapi i fundit formal për të kompletuar letrat e shtetit të ri demokratik të Kosovës, ishte zhvillimi i zgjedhjeve. Një qeveri e përkohshme, e drejtuar nga Bujar Bukoshi, kishte marrë mandatin e Këshillit Kordinues të Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, një lloj spektri politik ky që ilustronte mbështetjen për qeverinë.

Zgjedhjet e para pluraliste, projektuar në rrethin e ngushtë të LDK për në muajin maj, kishin nevojë për krijimin e besimit që bashkësia ndërkombëtare po e përfillte realitetin e ri të Kosovës. Dhe për këtë, duhej agjendë ndërkombëtare mbështetëse që të krijonte besim në Kosovë se zgjedhjet do të nxirnin përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve. Sigurimi i mbështetjes ndërkombëtare për zgjedhjet parlamentare Konferenca për paqe në ish-Jugosllavi i kishte hedhur një kovë ujë të ftohtë entuziazmit të shqiptarëve drejt shkëputjes nga Jugosllavia si shtet i pavarur. E vetmja gjë në horizont që mund ta mbante gjallë këtë betejë ishte organizimi i zgjedhjeve parlamentare dhe zgjedhjes së presidentit të Kosovës, të cilat siguronin përfaqësimin politik të shqiptarëve.

Nën hijen e një tradite të vjetër shqiptare, duket se Austria ishte e para që hapi dyert. Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alois Mock, theu akullin duke e pritur Bujar Bukoshin në zyrën e tij, në Vjenë, më 26 shkurt 1992. Takimin në të vërtetë e kishte bërë të mundur Christine von Kohl, aktivistja e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, aq shumë e lidhur me Kosovën dhe Bukoshin personalisht. Bujar Bukoshi e tregon me emocion atë takim, pasi siç e thotë me humor: “Ai na trimëroi. Deri në atë moment, këdo që takoja kishte një këshillë: Bëni kujdes, bisedoni me serbët, mos hapni luftë, bëni kërkesa të moderuara etj. Kurse Alois Mock më uli në krah të tij para një tavoline të rrumbullakët dhe më tha:

- Po të dëgjoj!

Ia nisa t’i flas me ato formulat e bëra gati prej këshilltarëve.

I thashë që shqiptarët kanë luftuar në vite për barazi me gjithë popujt e tjerë të Jugosllavisë. Tani ky shtet po prishet dhe të gjitha kombet po krijojnë shtetet e tyre. Kështu që edhe ne shqiptarët duhet të krijojmë shtetin tonë. I thashë se situate është e rëndë dhe Kosova është fuçia e barutit e Ballkanit. Mjafton një shkëndijë që aty të ndodhë një kasaphanë njerëzore. I thashë se shqiptarët janë të zemëruar që janë nëpërkëmbur dhe përjashtuar nga gjithë bisedimet për Jugosllavinë. I vizatova jetën e vështirë në Kosovë. 1.600 mjekë dhe 22.000 mësues, ishin ndërkohë të papunë.Z. Alois Mock, pasi kishim folur gjatë, vuri dorën grusht mbi tavolinë dhe më tha se Austria do të vazhdojë ta ngrejë çështjen e Kosovës në Konferencën për Sigurinë dhe Bashkimin në Evropë, do të jetë përherë e gatshme të mbrojë të drejtat e shqiptarëve atje.

Pastaj, si përfundoi kjo pjesa zyrtare, me zë pak më konfidencial më tha:

- Zoti Bukoshi! Më jep fjalën që nuk do të dorëzoheni. Është rrugë e gjatë. Mos u dorëzoni!”

Kjo ishte pikë kthese në atë që udhëheqësit shqiptarë të Kosovës e përjetonin si proces i vështirë i hapjes së dyerve. Ndërkohë, Konferenca Ndërkombëtare për Jugosllavinë që drejtohej nga lordi Carrington shikonte tre probleme që duhet të zgjidhnin në krizën jugosllave: statusin e krahinës, tërësinë territoriale të Bosnjës dhe atë që quhej “zgjidhje e përshtatshme për Kosovën.”

Pas Austrisë, Bukoshi fluturoi drejt Ankarasë, ku u prit zyrtarisht nga kryeministri Sülejman Demirel. Ishte hera e dytë që vizitonte Ankaranë, por tashmë me kërkesën që Turqia të angazhohej në njohjen e Kosovës.

“E vetmja gjë që i shkëputa Demirelit ishte: - Turqia nuk do ta lërë vetëm Kosovën.

Interesant ishte dhe takimi me kryetarin e Partisë Demokratike të Majtë, ish- kryeministrin Bülent Ecevit, si dhe kryetarin e Parlamentit turk, Hüsamettin Cindoruk. Kjo ishte vizita më zyrtare deri në atë kohë, me protokoll të plotë shtetëror dhe me vëmendje nga shtypi. Kur dola para gazetarëve, pashë se kishte interes të madh.

Një gazetar i TANJUG më pyeti diçka rreth bisedës.

- I kujt jeni ju? - e pyeta.

- TANJUG. - më tha ai.

- Ndërrojini emrin agjencisë, - i thashë, - se Jugosllavia nuk ekziston.”

Nga Ankaraja, Bujar Bukoshi fluturoi për në SHBA, i ftuar nga senatorët Bob Dole dhe Larry Pressler. Disa ditë para vizitës, senatori Bob Dole i ishte drejtuar Senatit Amerikan me një fjalim kushtuar gjendjes së shqiptarëve në Kosovë. Ai kërkoi urgjent miratimin e Rezolutës 207, rreth çështjes së shqiptarëve në Kosovë.148 Bujar Bukoshi mbërriti në Washington në javën e parë të marsit.

“Senatori Dole ishte shumë i informuar për Kosovën. Ndonjëherë më dukej se dinte më shumë se ne. Ai më përmendi Rezolutën 205, paraqitur nga senatori D’Amato i Nju Jorkut. Sipas saj: - SHBA duhet të bënin presion për përfshirje të menjëhershme të përfaqësuesit shqiptar të Kosovës, në Konferencën për Paqen të Komunitetit Evropian.

- Të dënonte qeverinë e Serbisë, me rastin e përvjetorit të tretë të vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë.

- Të kërkojë nga Kombet e Bashkuara që menjëherë të dërgojë vëzhgues në Kosovë për të mbikëqyrur gjendjen atje.

- Të përkrahë fuqimisht aspiratat e popullit shqiptar në Kosovë për demokraci dhe vetëvendosje. Po kaq i përzemërt ishte dhe senatori Pressler.”

Sami Repishti, një nga intelektualët e shquar shqiptarë e shoqëroi në takim me Larry Pressler. Repishti ndërkohë ishte angazhuar si konsulent i Qeverisë së Kosovës, duke e konsultuar atë me sugjerime historike dhe interpretime të historisë së shqiptarëve në takimet që kryenim.

Vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dukej se ishte inkurajim i madh. Senatori Pressler kishte paraqitur po ashtu një rezolutë të tijën në Senat, ku kërkonte që SHBA të njihte pavarësinë e Kosovës, të sigurohet nga OKB tërheqja e trupave serbe nga Kosova dhe përfshirja e saj në rendin e ditës së KSBE. Por sinjali i parë i fortë që Kosova duhet të shkonte drejt zgjedhjeve të lira, erdhi po nga SHBA. Senatori D’Amato, hartues i Rezolutës 205, bëri thirrje që Kosova të shkojë drejt zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

D’Amato e bëri këtë thirrje në gazetën “Illyria” që kishte nisur të botohej në New Jork. Ai theksoi se kur njerëzit rrezikojnë jetën e tyre vetëm e vetëm për të shprehur vullnetin politik, atëherë SHBA duhet ta njohë këtë vullnet.

Menjëherë pas intervistës së senatorit D’Amato, reagoi Ibrahim Rugova nga Prishtina. Duke iu referuar mbledhjes së Këshillit Qendror të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rugova tha se është marrë vendimi që në kohë të shkurtër të mbahen zgjedhjet e lira dhe demokratike në Kosovë. Ai tha se vendimi duhet të shqyrtohet nga Këshilli Koordinues i Partive Politike, Kuvendi, Qeveria dhe të realizohet së shpejti. Serbia, e cila ndërkohë nuk ishte më as Jugosllavi, as shtet i pavarur, po përgatiste Jugosllavinë e re. Një Kushtetutë e re e saj shpallte formimin e Jugosllavisë si federatë që përbëhej nga dy shtete, Serbia dhe Mali i Zi, ku Kosova dhe Vojvodina ishin shkrirë brenda Serbisë.

Kushtetuta e re, e miratuar më 27 prill, përpiqej të mbartte nën sovranitetin e saj gjithë vazhdimësinë e ish-Jugosllavisë së vjetër edhe pse ajo tani ishte pjesa më e vogël e ish-Jugosllavisë, pasi ishin shkëputur katër republika. Lord Carrington që drejtonte Konferencën për Paqe për ish-Jugosllavinë, ishte larg idesë se Kosova duhet të ishte pale në atë konferencë, por këmbëngulte që konferenca të synonte zgjerimin e punës për çdo rast specifik, përfshi dhe Kosovën, me qëllim që asgjë të mos ngelej pa zgjidhur. Gjatë një paraqitjeje në Institutin Mbretëror për Çështje Politike në Londër, ai tha se shqiptarët në Kosovë s’kanë arsye të ndje- hen të braktisur dhe se politika është arti i së mundshmes.

Në të vërtetë, Kosova ishte shkaku themelor që shtyu Serbinë drejt kësaj Jugosllavie të re, për të eksportuar legjitimitetin e dhunshëm mbi Kosovë, në një shtet të ri. Por Senati Amerikan reagoi menjëherë. Më 29 prill miratoi Rezolutën 209, propozuar nga senatori Bob Dole, e cila ka të bëjë me njohjen e Serbisë nga SHBA. Rezoluta bën thirrje për mosnjohjen e saj dhe Jugosllavisë së re nga SHBA, derisa Serbia të mos tërheqë forcat nga Bosnjë- Hercegovina dhe Kroacia, derisa të mos ndalë represionin brutal ndaj shqiptarëve në Kosovë. Gjithashtu, kjo të kushtëzohet me njohjen e së drejtës së shqiptarëve për vetëvendosje. Nga Prishtina, Ibrahim Rugova përshëndeti rezolutën, e injoroi krijimin e asaj që e quajti “Jugosllavia e Tretë” dhe tha se nuk ka të bëjë me shqiptarët, ata janë shprehur për pavarësi nga Jugosllavia, para se të krijohej ky shtet i ri.

Milošević u detyrua të mos i ndalonte zgjedhjet

Ibrahim Rugova paralajmëroi se më 24 maj do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Kosovë. Ky ishte sinjal për shtetin e ri serb, i cili kishte paralajmëruar zgjedhjet lokale. Injorimi i tyre dhe zhvillimi i zgjedhjeve shqiptare ishte përgjigje e qartë. Në një mbledhje të kryetarëve të kuvendeve dhe komunave të Kosovës u përkrah iniciativa e LDK për mbajtje të zgjedhjeve të lira pluraliste. U kërkua të nxirret sa më parë ligji për zgjedhjet dhe partitë politike, si dhe të kërkohen vëzhgues perëndimorë.

Ideja e mbajtjes së zgjedhjeve të lira në Kosovë, po rriste vëmendjen për Prishtinën. Ambasadori amerikan në Beograd, Warren Zimmermann dhe sekretari i parë i ambasadës së SHBA, shkuan në Prishtinë dhe u takuan me Ibrahim Rugovën, më 23 mars. Zimmermann shprehu interesin e SHBA për Kosovën dhe hapat që po bënte politika shqiptare atje.

Një tjetër sinjal pozitiv erdhi ndërkohë nga kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme në Bundestag, Hans Stercken, i cili mirëpriti idenë e zgjedhjeve të lira dhe tha se Bukoshi e Rugova do të jenë së shpejti në Bundestag. “Zgjedhjet e lira në Kosovë janë një rrugë e drejtë dhe një zgjidhje demokratike. Kosova dhe shqiptarët kanë mbështetjen e plotë të Gjermanisë. Pas njoftimit zyrtar për zgjedhje, Ibrahim Rugova dhe Bujar Bukoshi u pritën nga Kryetari i Parlamentit Europian, Egon Klepsch, të cilit Rugova i tregoi përgatitjet mbi zgjedhjet dhe rrezikun e shpërthimit të konfliktit. Z. Klepsch shprehu angazhimin e tij për zgjidhje. Ai tha se Parlamenti Evropian ka vëmendje të caktuar për Kosovën, tregoi mirëkuptim për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe foli rreth mundësisë së dërgimit të një misioni vëzhguesish ndërkombëtarë.

Rugova e Bukoshi patën takime edhe me kryetarë të grupeve të tjera parlamentare. Bukoshi e përshkruan Klepsch, si politikanin evropian që në ndërtesën e Parlamentit Evropian ishte më i afërti me Kosovën. “Ai na pyeti çfarë ndihme konkrete donim dhe si mund të na ndihmonte. Kur dolëm jashtë isha aq entuziast, sa i thashë Ibrahim Rugovës:

- Po vij në Kosovë në zgjedhje. Këta po dërgojnë vëzhgues.

- Jo, Bujar! Në Kosovë ju arrestojnë krejt qeverinë për pesë minuta dhe nuk fitojmë asgjë. Ju do të vazhdoni këtej.”

Vizita e tyre në Parlamentin Evropian dha efektet e para. Shefi i Misionit Jugosllav pranë Bashkësisë Evropiane, Mihajlo Crnobrnja, i shkruajti Parlamentit Evropian, e informoi për autonominë e shqiptarëve në Kosovë dhe të drejtat e tyre kundër projektrezolutës që po përgatitej. Serbia kishte njoftuar më 31 maj zgjedhjet e saj parlamentare e lokale dhe kërkonte me çdo kusht të shmangte zgjedhjet shqiptare. Ibrahim Rugova i shkruajti ndërkohë, më 14 maj, sekretarit të përgjithshëm të OKB, Boutros Boutros Ghali, ku e informonte për zgjedhjet në Kosovë dhe i kërkon ndihmën e OKB për të shmangur dhunën e policisë serbe kundër tyre.

“Mundësia e dhunës do t’i dekurajojë njerëzit të marrin pjesë në procesin elektoral, duke përmendur si shembull rastet e arrestimit pas Referendumit për Pavarësi. Lidhja Demokratike, më 15 maj s’e bëri publik regjistrimin e kandidatit për president të republikës, Ibrahim Rugovën, as listën e dhjetë kandidatëve për deputetë.

Shtypi i huaj i ndodhur në Prishtinë ato ditë, e përshkruan Prishtinën si qytet fantazmë me grupe që tentojnë të gjejnë një lokal apo shkollë për qendër votimi, të frikësuar se do të arrestohen apo do të përfshihen në një konflikt. Megjithatë votimi shihej si sfidë e hapur ndaj Jugosllavisë së re. Policia filloi të përndjekë aktivistët që merreshin me organizimin e zgjedhjeve. Çdo ditë kishte njoftime për ndalime, shoqërime në burg, rrahje dhe dhunime.

Në një intervistë për agjencinë REUTERS, dhënë me telefon nga Gjermania, Bujar Bukoshi tha se këto nuk janë zgjedhje ilegale, por zgjedhje që mbahen hapur dhe të ligjshme. “Shqiptarët janë të vendosur të fitojnë pavarësinë. Po e organizojmë atë hapur dhe siç duhet. Ne nuk duam ndonjë përjashtim të minoriteteve. Ne ftojmë degët e partive politike serbe në Kosovë të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk pranojnë. Kemi frikë se zjarri nga konflikti në Bosnjë, do të zbresë nëjug.”

Ndërkohë shumë vende perëndimore përfshi dhe SHBA, njoftuan se do dërgojnë misione vëzhguesish. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Margaret Tutwiler, tha: “Ne do të dërgojmë zyrtarë nga ambasada jonë në Beograd të vëzhgojnë zgjedhjet. Si në raste të tjera, presim nga organizata joqeveritare të raportojnë mbi zgjedhjet në Kosovë.” Në prag të zgjedhjeve, lordi Carrington, në intervistë për gazetën “The Independent”, tha se ekzistojnë tre opsione për gjetjen e zgjidhjes për Kosovën, por prespektiva ështe e errët.

“Kosova është problem i vërtetë dhe shanset për gjetjen e zgjidhjes në ish-Jugosllavi janë të errëta. Ekzistojnë tre opsione. Mund t’i lëmë të grinden dhe më pas t’u themi shkoni në dreq. Kjo do të ishte e papërgjegjshme. Mund të ndërhyjmë ushtarakisht, por kjo nuk do të ndodhë. Së fundmi, mund të ushtrojmë presion ndaj të gjithëve”. Për ironi, ndodhi ajo që lordi Carrington s’besonte të ndodhte kurrë, ndërhyrja ushtarake. Tre të dërguarit e posaçëm të lord Carrington, Cyrus Vance, Gerd Ahrens dhe zv. Kryetari i Konferencës për ish-Jugollavinë, Thieri de Bos, shkuan në Kosovë të njihnin qëndrimet e palës shqiptare. Ata këmbëngulën për dialog me Serbinë, por pala shqiptare theksoi se serbët kanë shkelur çdo rregull elementar të dialogut.

Dëshmitarët e takimit në hotel “Grand” tregojnë se ndërkohë që bisedonin, një kolonë tankesh kaloi para ndërtesës me aq zhurmë, sa ata nuk mund të vazhdonin më tej bisedën. Kosova dhe situata e saj parazgjedhore u vendos në qendër të vëmendjes së mbledhjes të Komitetit të Zyrtareve të Lartë të KSBE në Helsinki, më 20 maj. Pas ndërhyrjes së vendosur të delegacionit të Shqipërisë, Hungaria, Finlanda, Rusia, Serbia dhe delegacione të tjera u përfshinë në debate të forta mbi Kosovën dhe Serbinë. Komiteti vendosi dërgimin e një misioni që do të vëzhgojë gjendjen ushtarake në Kosovë, hap ky edhe i vëzhgimit të KSBE atje.

Një ditë para zgjedhjeve, ministri i Jashtëm i Austrisë, Alois Mock, u kërkoi homologëve evropianë të bëjnë vlerësim të kujdesshëm politik të situatës në krahinën e Kosovës. “Është urgjencë e domosdoshme të arrihet sa më shpejt konsensus midis palës shqiptare që kërkon të drejtat e saj dhe qeverisë serbe që i mohon këto të drejta. Në qoftë se një gjë e tillë nuk do të arrihet, atëherë mund të pritet që pas zgjedhjeve udhëheqja e re shqiptare të shpallë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.”

Shqetësim publik për zgjedhjet në Kosovë shprehën kongresmenët amerikanë, Tom Lantos dhe Stephen Solarz, drejtuar Presidentit Bush, duke e paralajmëruar që Serbia mund të përdorë dhunë në zgjedhjet e 4 majit. Në të njëjtën ditë, Bujar Bukoshi dha intervistë për gazetën “Der Standard”, në Vjenë. Nën titullin “Jo më nën sundimin serb”, gazetarja Livia Klingl, shkruan:

“Bukoshi thotë se këto zgjedhje nuk janë drejtuar kundër askujt, megjithëse Serbia ka theksuar, tashmë edhe zyrtarisht, se këto zgjedhje të lira nuk do të lejohen. Madje dhe opozita serbe është kundër. Në qoftë se ato do të zhvillohen dhe Kosova do të shpallet shtet i pavarur, atëherë ashtu siç vuri në dukje një politikan serb i opozitës, Beogradi do të vendosë regjim ushtarak.”

Senatori Bob Dole bëri një deklaratë të ashpër më 21 maj, duke paralajmëruar Serbinë të mos ndalojë zgjedhjet, pasi kishte marrë një letër nga Bujar Bukoshi. “Sot mora një letër me urgjencë nga Bujar Bukoshi, kryetar i Qeverisë së Kosovës, në të cilën më informon se zgjedhjet në Kosovë do të mbahen gjatë këtij weekend-i, se radikalët e Beogradit kanë paralajmëruar se do t’i ndalojnë. Kryeministri i Kosovës, Bukoshi, shpreh shqetësimin e tij të thellë për sigurinë e shqiptarëve që do të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe tërheq vërejtjen se në vend mund të bëhet masakër.”

Disa orë para zgjedhjeve, Zenun Çelaj raportoi në “Zëri i Amerikës” se tensioni ishte maksimal, por pa incidente. Ushtria dhe policia kishin demonstruar forcë në shumë qytete, por dukej se zgjedhjet nuk do të pengoheshin me dhunë. Gjithçka ishte e qartë. Presioni ndërkombëtar kishte bërë

punën e vet. Që të mos pengoheshin zgjedhjet në Kosovë, SHBA kishte drejtuar gjithë artilerinë politike mbi Beogradin. Evropa gjithashtu. Dhjetëra vëzhgues ndërkombëtarë ishin në terren.

Milošević ishte dorëzuar para kësaj situate. Ai nuk do t’i

njihte, por as nuk do t’i ndalte dot ato zgjedhje.

1 Komente

  1. Z
    Zgjedhjet X

    Jo, Bujar! Në Kosovë ju arrestojnë krejt qeverinë për pesë minuta dhe nuk fitojmë asgjë" Po pse Mero ata të arrestohen kurse Rugova me kryesia LDK po organizojnë zhgjedhje dhe ata nuk burgosën . JO Mero, kur të fillosh thuaje të vërtetën sepse ne të asaj gjenerate të gjithë e dimë se përse dhe për çka iu desht mbajtja e zgjedhjeve!!!. ero, tash dal e ngadal po del në shesh ajo që ka ndodh dhe shumçka që është thënë do të vehet në vend të vetë. Ato zgjdhje nuk i organizoji Kosova dhe për atë nuk janë penguar se ishte lojë për të mjegulluar situatën se kinse po bëjmë diçka por u pa se fuksionojë asgjë dhe se ato zhgjedhje nuk prodhuan ama bash asgjë dhe legjitimuan asnjë vendim por ishte një premi dhe avantzh politik për Serbinë se para bote deklarohej si shtet demokratik.

    Lini një Përgjigje