Dëshmia e Fatos Lubonjës: Pasi kryetari lexoi dënimet me vdekje, Vangjeli m’i nguli sytë, sikur nëpërmjet atij shikimi, nxitonte të më linte amanetin

22 Nëntor 2022, 11:40Dossier TEMA

Dëshmia e Fatos Lubonjës: Pasi kryetari lexoi dënimet me vdekje,

Që në vitin 1975, kur sapo kishte përfunduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, (dega Fizikë), Fatos Lubonja u arrestua dhe dënua nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, duke u akuzuar për “agjitacion e propagandë, kundër pushtetit popullor”, për shkak se gjatë kontrollit të banesës, ju gjetën disa ditarë dhe fletore me shënime, ku kishte shkrime “kundër realizmit socialist dhe me përmbajtje armiqësore”. Po kështu, në atë kohë u arrestua dhe babai i tij, Todi Lubonja, (anëtar i Komitetit Qendror të PPSh-së dhe drejtor i Radio-Televizionit Shqiptar), i cili u dënua me 25 vite heqje lirie dhe vuajti dënimin në burgun e Burrelit, deri në vitin 1988, e më pas në internim, së bashku me bashkëshorten Liri Lubonja dhe djalin tjetër, Agimin. Ndërkohë, Fatosi, gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Spaçit, në vitin 1979, arrestohet sërish, i akuzuar si “pjesëtar i një organizate kundër-revolucionare” ku bënin pjesë edhe Fadil Kokomani, Vangjel Lezho, Nuredin Skrapari, Beqir Alija, Vangjel Xhomo, Robert Vullkani, Dhimitër Stefa, Muho Bala, Petrit Orieti, etj., (ku Kokomani dhe Lezho, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan) dhe ridënohet përsëri, duke kaluar afro 17 vite të jetës së tij, në kampet e burgjet e atij regjimi. Fatos Lubonja u lirua në marsin e vitit ’91, me kontingjentin e fundit të të dënuarve politikë që u liruan nga kampet e burgjet e atij regjimi. Pas viteve ’90-të, Fatos Lubonja ka shkruar librat: “Ploja e madhe”; “Në vitin e shtatëmbëdhjetë” dhe “Ridënimi” etj. Shkrimi që kemi përzgjedhur për botim, është shkëputur nga libri i tij, “Ridënimi”, ku bëhet fjalë për ridënimin e tij në kampin e Spaçit.

FRAGMENT NGA LIBRI “RIDËNIMI”

Fjala “pushkatim” ishte tepër e përdorur nëpër kampe burgje dhe e zbatuar disi emocionalisht, pasi historirat që tregoheshin më shumë aty, ishin ato të gjyqeve që kishin përfunduar me vdekje-pushkatim. Por, kur e dëgjova në sallën e gjyqit, më tingëlloi tjetërsoj. M’u shfaq me konktretësinë e një gjëje të hekurt e vrastare: ndjeva tmerrin e saj të më depërtonte deri në angrra e të ma shkundullonte trupin.

Kisha dëgjuar me dhjetra historira mbi qëndrimet në gjyq të atyre për të cilët prokurori kishte kërkuar vdekje-pushkatim. Në shumicën e rasteve mbizotëronte ligështimi dhe shprehja e pendimit të thellë, gjë që kishte filluar qysh me thyerjen në hetuesi. Pastaj vinin rastet e atyre që u kishin rezistuar të gjitha torturave në hetuesi, por ishin thyer, m’u pasi u ishte dhënë pretenca me vdekje.

Më të pakta ishin rastet e të thyerve në hetuesi që, pasi dëgjonin pretencën me vdekje, mohonin fajësinë. Dhe, më në fund, rastet më të rralla ishin rastet e atyre që kishin mohuar në hetuesi dhe vazhdonin të mohonin gjer në fund.

Gjithnjë më kishin intriguar këto historira sepse, qëndrimi përpara vdekjes, më dukej se ishte prova më e madhe që mund të kalojë njeriu në jetë. Por provë e kujt, e forcës shpirtërore apo e pandjeshmërisë?- pyesja shpesh veten pasi, jo rrallë ata më të hollët e më të ndjeshmit, ishin treguar edhe më të thyeshmit…!

Tani, që po jetoja realisht njërën prej këtyre provave, këto lloj mendimesh, ashtu si fjala “pushkatim” e dëgjuar nëpër burgje, nuk kishin asnjë jehonë në shpirtin tim. Çfarëdo që të thoshte Fadili apo Vangjeli unë do të mund ta gjykoja vetëm pasi gjithçka të kishte mbaruar.

* * *

Të nesërmen dera e qelisë sime u hap rreth orës tetë e gjysmë- nëntë të mëngjesit…! “Më në fund”! thashë me vete. Tashmë hekurat m’i vinin sa për formë. Kur hyra në sallën-dhomë, gjeta në fund të saj, kureshtarët e parë dhe më shumë se gjysmën e tanëve. Ishin edhe Fadili me Vangjelin. Shpejt u bëmë të gjithë.

Po prisnim në heshtje. Trupi gjykues hyri, por, për çudi, nuk kishte atë hijerëndësinë e dhënies së një vendimi. Kryetari, pa shumë ceremoni, i’u drejtua Fadilit dhe i tha:

Fadili u ngrit dhe mbeti në pritje.

– Fjalën e fundit- shtoi kryetari.

Duket se edhe Fadili nuk e priste këtë.

– I thashë dje ato që kisha për të thënë- iu përgjigj.

– Mirë, ajo ishte mbrojtja. Trupi gjykues e gjykoi çështjen dhe tani, përpara se të marrë vendimin, kërkon fjalën e fundit. Çfarë kërkon nga trupi gjykues?

– Unë nuk mbaj asnjë përgjegjësi morale, historike – ishin fjalët e fundit të Fadilit.

Kryetarit, kjo sikur i doli nga skema, megjithatë i tha Sadikut: – Shënoje!

– Xhafer Xhomo, – iu drejtua pastaj Xhafës.

– Kërkoj vetëm drejtësi – tha Xhafa prerë. M’u duk një fjalë e gjetur. – Vangjel Lezho. – Kërkoj drejtësi në masën e dënimit – tha Vangjeli, duke luajtur gjer në fund gurin e shpresës.

– Kam besim se trupi gjykues, do të vendosë sa më drejt.

– Drejtësi – tha dhe Roberti, me një zë më të mekur se të tjerët.

– Trupi gjykues tërhiqet për të marrë vendimin – tha kryetari dhe doli në krye të të pestëve.

Na morën dhe na çuan përsëri në qeli.

* * *

Pas ndonja dy-tre orësh, dera e qelisë u hap përsëri. Përsëri më vunë hekurat dhe përsëri bëra të njëjtën rrugë, që e kisha bërë aq shpesh ato nëntë ditë.

Teksa zbrisja shkallët për tek dera e urës tunel pashë Xhafën që po e sillnin nga poshtë. Ky takim po më ndodhte për herë të parë, sepse deri atë ditë, kur na sillnin në sallën e gjyqit, nuk na përplasnin kurrë njëri me tjetrin nëpër shkallë.

U befasova kur e pashë me sytë anash lart në një pikë të tavanit, kurse trupi i kalamendej sikur t’ia merrte era. Dukej se pa mbështetjen e policit shoqërues, nuk mund t’i ngjiste dot ato shkallë.

Kur hyra në sallën e gjyqit, pashë se ajo ishte rrëmbushur me civilë, nga ata që kishin asistuar në seancën e djeshme. Nuk kisha asnjë lloj shqetësimi se, sa do të ma linte gjykata, 20 vjetëshin e kërkuar nga prokurori. As për Fadilin nuk kisha ndonjë shpresë. I vetmi shqetësim ishte shpresa, se mos Vangjelit i kthehej me jetë.

Më në fund kryetari dhe ata që e ndiqnin nga prapa, hynë me një pamje më solemne. U ngritëm të gjithë në këmbë.

VENDIM NË EMËR TË POPULLIT

Gjykata e Lartë e përbërë prej:

Sofokli Kongo, KRYETAR – anëtar i Gjykatës së Lartë

me anëtarë: Met Rreli, Ndihmësgjyqtar – anëtar i Gjykatës së Lartë,

Luftulla Ceka, Ndihmësgjyqtar – anëtar i Gjykatës së Lartë, të asistuar prej Sekretarit, Sadik Memo, me pjesëmarrjen e prokurorit, Skënder Breca, më datë 10,12,14,15,16,17 e 18 maj 1979 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura çështjen penale Nr.4 që u përket të pandehurve:

FADIL KOKOMANI, i biri i Hysenit dhe Hatixhes, i datëlindjes 1933, lindur në Durrës, banues në Tiranë, me origjinë shoqërore qytetar i mesëm, me gjendje shoqërore nëpunës, gazetar, me arsim të lartë, i çkurorëzuar, ka një fëmijë, i përjashtuar nga Partia, me kombësi e shtetësi shqiptare, i dënuar dy herë për krime kundër shtetit, vuan dënimin në repartin e Riedukimit Nr. 303 Spaç, i arrestuar më datën 23.2.1979.

VANGJEL LEZHO, i biri i Dhimitrit dhe Emilisë, i datëlindjes 1932, lindur në Fier, banues në Tiranë, me origjinë shoqërore qytetar i mesëm, me gjendje shoqërore nëpunës, gazetar, i martuar, ka një fëmijë, i përjashtuar nga Partia, me kombësi e shtetësi shqiptare, i dënuar dy herë për krime kundër shtetit, vuan dënimin në repartin e Riedukimit Nr.303 Spaç, i arrestuar me datën 23.2.1979.

XHAFERR XHOMO, i biri i Hasanit dhe i Myzaferes, i datëlindjes 1932, lindur në Leskovik të Kolonjës, banues në Tiranë, me origjinë shoqërore fshatar i pasur, bej, me gjendje shoqërore nëpunës, zooveteriner, me arsim të lartë, i pamartuar, i paorganizuar, me kombësi e shtetësi shqiptare, i dënuar një herë për krime kundër shtetit, vuan dënimin në repartin e Riedukimit Nr.303 Spaç, arrestuar me datën 23.2.1979.

FATOS LUBONJA, i biri i Todit dhe i Lirisë, i datëlindjes 1951, lindur dhe banues në Tiranë, me origjinë shoqërore nëpunës i lartë, me gjëndje shoqërore nëpunës, me arsim të lartë, i martuar, ka dy fëmijë, i paorganizuar, me kombësi e shtetësi shqiptare, i dënuar një herë për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, vuan dënimin në Repartin e Riedukimit Nr.303 Spaç, arrestuar me datën 23.2.1979.

BEQIR ALIA, i biri i Aliut dhe i Merjemes, i datëlindjes 1927, lindur në Shkodër, banues në Fier, me origjinë shoqërore tregtar i mesëm, me gjendje shoqërore nëpunës, inxhinier gjeolog, me arsim të lartë, i martuar, me dy fëmijë, i përjashtuar nga Partia, me kombësi e shtetësi shqiptare, i dënuar një herë për krime kundër shtetit, vuan dënimin në Repartin e Riedukimit Nr.303 Spaç, arrestuar më datën 23.2.1979.

MUHO BALA, i biri i Ademit dhe i Bedries, i datëlindjes 1932, lindur dhe banues në fshatin Golem të rrethit të Shkodrës, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore punëtor, me arsim të mesëm të pambaruar, i çkurorëzuar, ka një fëmijë, i përjashtuar nga Partia, i dënuar një herë për krime kundër shtetit, vuan dënimin në repartin e Riedukimit Nr.303 Spaç, arrestuar më datën 23.2.1979.

DHIMITËR STEFA, i biri i Nikollës dhe Vasillos, i datëlindjes 1934, lindur në fshatin Grazhdan të rrethit të Sarandës, banues në Fier, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore nëpunës, inxhinier gjeolog, me arsim të lartë, i çkurorëzuar, pa fëmijë, i paorganizuar, me kombësi greke, me shtetësi shqiptare, i dënuar një herë për krime kundër shtetit, arrestuar më datën 23.2.1979, vuan dënimin në Repartin e Riedukimit Nr. 303 Spaç.

NUREDIN SKRAPARI, i biri i Nuredinit dhe Xhevries, i datëlindjes 1943, lindur në Lushnje, banues në Qytetin Stalin, me origjinë shoqërore fshatar i pasur, i cilësuar kulak, me gjendje shoqërore nëpunës, inxhinier gjeolog, me arsim të lartë, i paorganizuar, me kombësi e shtetësi shqiptare, i dënuar një herë për krime kundër shtetit, vuan dënimin në Repartin e Riedukimit Nr.30 Spaç, arrestuar më datën 23.2.1979.

ROBERT VULLKANI, i biri i Sotirit dhe Meropit, i datëlindjes 1934, lindur dhe banues në Tiranë, me origjinë shoqërore punëtor, me gjendje shoqërore nëpunës, gazetar, me arsim të lartë, i çkurorëzuar, ka një fëmijë, i përjashtuar nga Partia, me kombësi e shtetësi shqiptare, i dënuar një herë për krime kundër shtetit, vuan dënimin në Repartin e Riedukimit Nr. 303 Spaç, arrestuar më datën 23.2.1979.

PETRIT ORIETI, i biri i Fuatit dhe i Darovisë, i datëlindjes 1941, lindur në fshatin Gusmar të Tepelenës, banues në Tiranë, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore punëtor, me arsim dy klasë të mesme, i çkurorëzuar, nuk ka fëmijë, i paorganizuar, me kombësi e shtetësi shqiptare, i dënuar dhjetë herë për vjedhje të pasurisë socialiste, qytetare, sjellje të padenjë në shoqëri dhe një herë për agjitacion e propagandë kundër shtetit, vuan dënimin në Repartin e Riedukimit Nr. 303 Spaç, i arrestuar më datën 23.2.1979.

Në vazhdim ai filloi të numëronte akuzat dhe dënimet që kishte kërkuar prokurori për ne si dhe ato çfarë kishim kërkuar ne në fjalën e fundit. Ishin gjëra që qenë përsëritur aq shumë sa që fjalët më parakalonin pa lënë ndonjë gjurmë. Megjithatë, prisja me kureshtje se çfarë ndryshimi do të kishte analiza e gjykatës në krahasim me atë të prokurorit, sepse, sipas zakonit, ajo duhet të ishte pak më e butë. Por kryetari vazhdoi të lexonte:

… Nga provat e shqyrtuara rezultoi e vërtetuar plotësisht se të pandehurit…duke qenë armiq të vjetër të partisë dhe të shtetit, njerëz të degjeneruar politikisht…u grupuan në një organizatë kundërrevolucionare, që kishte për qëllim rrëzimin e pushtetit popullor… Organizatorët, frymëzuesit dhe drejtuesit e saj kanë qenë të pandehurit Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho.

… Të dy këta armiq të tërbuar…

Shpresa ime se Vangjeli mund të veçohej nga Fadili po venitej nga radha në radhë. Emrat e tyre ishin gjithnjë bashkë, madje asnjëherë ndaras, siç i kishte vendosur ndonjëherë prokurori, duke veçuar Fadilin si kryefrymëzues.

Kur mbaroi gjysma e leximit të vendimit nuk kisha më asnjë shpresë për Vangjelin. Teksi i vendimit ishte një kopje e akt-akuzës. Edhe Vangjeli ishte i humbur. Nuk kishte çfarë të dëgjoje më. Megjithatë, kur ai mbërriti te fjala “VENDOSI”, përsëri i thirra vëmendjes.

… Të deklarojë fajtorë të pandehurit Fadil Kokomani, Vangjel Lezho për krimin e krijimit të një organizate…të deklarojë fajtorë të pandehurit e tjerë për pjesëmarrjen në një organizatë…në bazë të dispozitave përkatëse të kodit Penal i dënon si vijon.

Fadil Kokomani…me vdekje me pushkatim…

Vangjel Lezho…me vdekje me pushkatim.

Pastaj dënimet tona që fillonin me 23 vjet për Xhafën dhe mbaronin me 16 vjet për Robertin.

Kryetari mbështeti të dy duart në tryezë dhe hodhi shikimin nga ne. U duk sikur diçka kishte mbetur pa thënë. Ndëjti ashtu një çast dhe pastaj iku në krye të trupit gjykues pa folur.

Policia filloi shpejt të na merrte një nga një për të na kthyer në qelitë tona. E nisën nga rreshti i fundit. Fadilin dhe Vangjelin, do t’i linim aty, pasi, që nga e djeshmja, ata i linin të dy për fund.

Të parin morën Petritin, që ishte në rreshtin e fundit. Duke dalë nga dera, ai ktheu kokën nga Fadili dhe Vangjeli dhe u tha:

– Fadil, Vangjel, mos u mërzisni!

Kjo e folur në atë heshtje varri dhe tmerri, tingëlloi si një sfidë.

Unë kisha edhe pak çaste për të qëndruar aty me Fadilin dhe Vangjelin.

Gjëja e parë që bëra ishte kërkimi me sy i të dyve. Vangjeli kishte mbetur si i ngrirë dhe i kontraktuar i tëri, me një fytyrë të nxirë deri në tmerr. M’i kalli sytë e zhgabërruar me një forcë dhe përqendrim të pazakontë. Kishte në ata sy dhe në krejt pamjen një habi të përzier me një frikë të patregueshme, kishte edhe zhgënjimin për shpresën që i kisha dhënë se mund të mbetej gjallë.

Pastaj e hodhi vështrimin nga Fadili. Për habinë time, Fadili kishte një fytyrë shumë të çelur, të çelur nga tensionet dhe makthet e vdekjes. U pa sy ndër sy me Vangjelin dhe i buzëqeshi. Vangjeli nuk reagoi fare ndaj saj.

Ndërkaq policia po afrohej të më merrte. Vangjeli e ktheu përsëri vështrimin nga unë. Ishim shumë afër njëri-tjetrit dhe krejt ballë-përballë. M’i kalli edhe një herë sytë në ninëz të syrit. Kësaj here ngulmimi i vështrimit të tij në sytë e mi m’u duk se donte të më transmetonte jo vetëm tmerrin dhe frikën e vdekjes, po dhe habinë dhe dhimbjen që ndjente.

M’u duk diçka më shumë. Sikur nëpërmjet atij shikimi, nxitonte të më transmetonte amanetin për vajzën dhe për gruan, amanetin se mos i harronim në ditën e lirisë, për të cilën kishim biseduar aq shumë dhe jo vetëm kaq. M’u duk sikur nëpërmjet portave të syve ai, donte të derdhte vetë jetën e tij brenda meje.

Ktheva edhe një herë kokën nga Fadili. Fytyra e tij mbetej e kthjellët, pa asnjë shenjë tmerri. Ai i buzëqeshi Vangjelit përsëri me dashuri.

Më ka mbetur enigmë ajo buzëqeshje dhe ajo kthjelltësi. M’u duk sikur ajo shprehte edhe njëfarë çlirimi nga frika se mos shkonte në varr pa shokun e tij, sikur ishte i lumtur që, së paku, nuk do ta përjetonte i vetëm tmerrin e vdekjes.

Por bashkë me egoizmin e përbindshëm njerëzor, në atë shprehje, ndjehej gjithashtu që ai e donte Vangjelin në ato çaste më tepër se kurrë, sikur e shikonte dhe dhembshuri dhe dashuri si një vëlla të vogël, paksa të trembur përpara golles së errët ku po drejtoheshin; sikur ndjente përgjegjësinë për ta ndihmuar në përfundimin e rrugës që kishin nisur së bashku dhe që tani kishte arritur në fazën e saj më të vështirë.

Dhjetë ditë pas vendimit, një të hënë në mëngjes, hapën derën dhe më thanë të merrja ç’kisha në komodinë. Më në fund po ikja prej asaj qelie që më kishte rrasbitur e tretur aq shumë. Memorie.al

                                                      

20 Komente

  1. P
    Popo

    qr, liber qe e kemi lexuar para 20 vjetesh

    1. A
      Abazi

      Une sot e lexova por nuk kuptova nje gje.Prokuror dhe tryp gjykues te poshtes.Vendimit te denimit ti kishin shtuar dhe nje pike.Ti kishin qire dhe mamane tre here.

    2. C
      Coli

      Ik o Spiun Muti .........O NEVOJTORE PUBLIKE

      1. p
        per tru bunkeret

        Sistem i mallkuar kriminelash , hienash komunista , njerez te sterposhter anti shqipetare , te cilet zbatonin, ose edhe i tejkalonin urdherat e kjofte largut skizifrenit kopilit te Gjirokastres gjakatarit Enver ....Jo me kot komunistet e islamiket jane njerezit pa dyshim me te poshter te botes ....

        1. T
          Toli

          Shum e vertete po dhe ky pjell e atij sistemit ishte e mos na beje heroin se ca kerkoi gjeti .

        2. W
          Www

          Të tjerët u pushkatuan, ky, që ja futi dhe të atit, shpëtoi. Përfundimi?

          1. H
            Himarioti

            Kujt i duhen këto marrëzira, si është dhe, përse është denuar majmuni Fatos Lubonja. Ai edhe sot e ka vendin në burg, nuk meriton kurrë të jetë i lirë.

            1. L
              Ljubovici todit i rrjedhur

              u denua nga regjimi komunist i te jatit todi. sa ka denuar todi para se te denohej.

              1. V
                Viktima e luftes brenda llojit

                LUBONJAT JANE VIKTIMA TE LUFTES BRENDA LLOJIT NDAJ NO KOMENT. PO JETEN PREJ BLLOKMENESH QE PER DEKADA BEN ME TRAJTIME SPECIALE ETJ. PRIVILEGJE QE PERFITONIN PSE NUK I PERMEND LUBONJA FATOS APO ATO NUK QUHEN. GJITHSA GODITI ENVER HOXHA JANE ATA QE AI I KULTIVOI PIKERISHT PER TI BER KURBAN KUR I DUHESHIN.

                1. T
                  Thumana

                  Po kaq trap te jete ky klyshi i kuq,sa e rren mendja se ka kush i lexon librat e tij,ky eshte nje pederast i neveritshem,qe i jane errur syte,se nuk e rrun Rama per te

                  1. J
                    Jug-Veri

                    Nuk ka nevoje te lexoni Lubonjen se si ka qene! Shikojeni sot! Njelloj si atehere! E ka nevoje ,ashtu sic shkon ne WC disa here ne dite,ashtu edhe nuk mund te rrije pa i lehur goja! Keshtu ishte edhe ne vitin 71 kur une kam qene nje nga "shoket" e tij! I pakenaqur,llafazan,mendjemadh, delirant, e te tjera "huqe" te Tosit! Pse genjen Tosi per arsyet qe e derguan per riedukim ne Superfosfatin e Lacit?!

                    1. C
                      Cudia

                      Vangjeli shqeu sytë duke të parë ty o spiuni I kurvës!

                      1. A
                        Antikomunist

                        Ju qe komentoni me kete gjuhe jeni keqberesit a bijte e tyre; ata qe shkaterruan nje popull qe nuk e lane te ngrinte koke!! Ju jeni pervers qe kenaqeni me torturat ndaj njerezve!! Urimi me i mire per faren tuaj eshte: e pesofshi njelloj si ata qe u kalben burgjeve per agjitacion e propagande ndaj pushtetit”!! Ne drejtimin e duhur jemi

                        1. P
                          Pensionisti i Porcelanit

                          Luftulla Ceka drejtor i Spitalit, sot "Nene Tereza", bashkepunetor i ngushte i Sali Berishes ne permbysjen e regjimit komunist; Met Rreli, nenkryetar i Komitetit Ekzekutiv, luftetar i nxehte i fitores se regjimit demokratik ne Shqiperi, pronar i madh trojesh ne Tirane. Cfare pune kishin ne gjykate?!

                          1. 1
                            19

                            Ky te shkelte me kembe kur ishte ne bllok .kur e pa enveri se ca mutesh ishin kta i shkerdheu me rrenj kte race muti.

                            1. p
                              popull

                              pordhe me rigon

                              1. Vetetima

                                Kam takuar, rreth ores 7 te mengjesit te dates se ekzekutimit te ketyre fatkeqeve, doktorin qe ka qene prezent si ekspert, te ndjerin M.Ll. diku tek kodra qe quhej/quhet Varri i Marka Brunges, afer ktheses se Kacinarit. Mora vesh se e kishin marre naten nga puna (nuk punonte me si mjek....) dhe me kujdes e pyeta, mos kishte ndonje urgjence? I tronditur me tha se kishte qene tek ai vendi... E pyeta c'fare thane para ....... (kupto pushkatimin)? Mu pergjegj: "bertiten ne te madhe Posht Ky e Posht Ai".

                                1. Vetetima

                                  Kam takuar, rreth ores 7 te mengjesit te dates se ekzekutimit te ketyre fatkeqeve, doktorin qe ka qene prezent si ekspert, te ndjerin M.Ll. diku tek kodra qe quhej/quhet Varri i Marka Brunges, afer ktheses se Kacinarit. Mora vesh se e kishin marre naten nga puna (nuk punonte me si mjek....) dhe me kujdes e pyeta, mos kishte ndonje urgjence? I tronditur me tha se kishte qene tek ai vendi... E pyeta c'fare thane para ....... (kupto pushkatimin)? Mu pergjegj: "bertiten ne te madhe Posht Ky e Posht Ai".

                                  1. ?
                                    ?./

                                    Regjim makabër. Hëngrën deri edhe kokat e njëri -tjetrit. Të gjitha prej atij birit të kurvës, pra të Gjylos, që e ktheu gjithë vendin në një burg të madh. Mallkuar qoftë në jetë të jetëve së bashku me ata që i mbrojnë sot krimet e tij. Gjysmopingat.

                                    1. p
                                      per tru bunkeret

                                      Mallkim per ae rregjim gjakatare , plus ata qe ju punoi dora te vrasin Shqipetaret e pa fajshem , ose vellezerit e nje kombi , apo gjaku .... fare e mallkuar komuniste ....

                                      Lini një Përgjigje