
Pjetër Abrnori: E dhimbshme është humbja e thesarit, por më e dhimbshmja është vjedhja e votës së lirë nga qeveria. Kur ndodhin të dyja bashkë, humbja është më e paimagjinueshme
Prej disa javësh ka nisur punën komisioni dypalësh mes mazhorancës dhe opozitës për reformën zgjedhore. Një histori që përsëritet sa herë aforhet një proces zgjedhor. Elita politike e tranzicionit është përbetuar vazhdimisht për shenjtërinë e votës së lirë, sidomos liderët e partive kryesore në vend. Por historia e sjelljes së tyre me votën është dramatike dhe në kundërshtim me këtë betim. Pikërisht mungesa e këtij elementi thelbësor në demokraci, shpjegon në një masë të madhe tranzicionin e gjatë, të lodhshëm dhe të papërfunduar të Shqipërisë, përgjatë 35 viteve.
Prej marsitë të vitit 1991, kur u zhvilluan zgjedhjet e para pluraliste pas rënies së diktaturës komuniste, janë mbajtur 20 procese zgjedhore. Në asnjë rast nuk u arritën standardet e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Çdo palë zgjedhje është shoqëruar me kontestime, bojkotime dhe kriza të gjata politike.
Para çdo procesi zgjedhor hapet i njëjti debat për përmirësimin e Kodit Zgjedhor, gjithnjë nën pretekstin e garantimit të zgjedhjeve të lira. Ngrihen grupe ekspertësh dhe komisione bipartizane, zhvillohen takime të gjata dhe arrihen marrëveshje politike që shpallen si “historike”. Por, pavarësisht kësaj koreografie të përsëritur reformash, Shqipëria mbetet ende larg standardeve demokratike. Raportet ndërkombëtare vazhdojnë të rendisin dhjetra kritika për proceset zgjedhore në vend, ndër të cilat më flagrante mbetet fenomeni i shit-blerjes së votës.
Gazeta Tema, ka përzgjedhur disa prej momenteve të rëndësishme të debatit politik lidhur me reformimin e ligjit të zgjehdjeve ndër vite.
Në dhjetor 1991, Kuvendi i Shqipërisë i dalë prej zgjedhjeve të 31 marsit të atij viti miratoi ligjin e parë zgjedhor nga një Parlament pluralist. Debati parlamentar, ku dominuan deputetë si Aleksandër Meksi, Kastriot Islami, Namik Dokle, Arben Imami e të tjerë, u përqendrua në katër parime kryesore: përfaqësim të drejtë të partive sipas votave, barazi të mundësive për partitë e mëdha dhe të vogla, minimizim të manipulimit të votave dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare. Sistemi ishte i përzier: proporcional dhe mbi bazën e listave njëemërore, me 140 deputetë dhe 100 zona. Mandatet shpërndaheshin proporcionalisht, duke përfshirë vetëm partitë me mbi 4% të votave. Ligji u konsultua me ekspertë të KSBE-së (OSBE) për të garantuar standarde demokratike.
Zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992 u zhvilluan mbi këtë ligj të ri zgjedhor. Partia Demokratike fitoi mazhorancën dhe nisi të qeverisë deri në zgjedhjet e 26 majit 1996. Para se të vinte koha e zgjedhjeve, në Parlament u zhvilluan debate dhe diskutime të shumta për ndryshime të ligjit zgjedhor. Në prag të zgjedhjeve u miratuan disa ndryshime, të cilat u konsideruan nga opozita socialiste e kohës si të njëanshme dhe që favorizonin mazhorancën demokrate. Ligji i zgjedhjeve u miratua me votat e mazhorancës.
Por zgjedhjet e 26 majit nuk do të njiheshin nga opozita dhe as nga faktori ndërkombëtar. Pas krizës dhe kaosit të vitit 1997, presidenti i kohës Sali Berisha u detyrua të mbledhë tryezën e partive politike më 9 maj të atij viti, ku dhe u vendos ndër të tjera për ndryshime në ligjin e zgjedhjeve. Franz Vranitzky, i Dërguari Special i OSBE-së në Shqipëri për zgjidhjene krizës së ‘97, do të ishte garanti për një marrëveshje dhe një ligj zgjedhor demokratik.
Debati u përqendrua tek ndarja e mandateve shtesë, ku 75% iu dhanë partive të vogla dhe 25% partive të mëdha, duke synuar një përfaqësim më të barabartë dhe zgjedhje më demokratike. Në zgjedhjet e qershorit 1997, Partia Socialiste dhe aleatët e saj i fituan zgjedhjet dhe nisën të qeverisin. Debati për ndryshimet elektorale u rikthye në Parlament në vitin 2000, pak para zgjedhjeve parlamentare të një viti më vonë.
Në atë kohë nisi të përdorej termi Kodi Elektoral. Ai u hartua nga ekspertë vendas dhe të huaj. Kodi i ri elektoral u prezantua në Parlament nga drejtuesi i grupit të punës, juristi Ylli Manjani. Komisioni i Ligjeve miratoi projektin në parim, pranoi disa amendamente opozitare dhe diskutoi veçanërisht rolin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe garancinë e barazisë së subjekteve politike gjatë fushatave elektorale.
Por opozita e kundërshtoi fort këtë kod të ri elektoral. Një prej zërave më aktivë në debatin parlamentar ishte Pjetër Arbnori. Ai parashtroi kritikat e tij për shkelje të Kushtetutës dhe për anshmërinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke theksuar se Kodi Elektoral i propozuar favorizonte mazhorancën dhe kërcënonte votën e lirë të shqiptarëve.
“Para disa muajsh u zbulua dhe u demaskua vjedhja e shekullit: vjedhja e thesarit. Sot po përgatitet vjedhja e dytë e madhe e shekullit: vjedhja e votës së lirë të shqiptarëve. I shtrenjtë është ari, por më i shtrenjtë është diamanti i të drejtave të njeriut. I pastër është ari, por më i pastër është diamanti i të drejtave të njeriut. E dhimbshme është humbja e thesarit, por më e dhimbshmja është vjedhja e votës së lirë nga qeveria. Kur ndodhin të dyja bashkë, humbja është më e paimagjinueshme”, tha ndër të tjera Arbnori.
Kreu i republikanëve, Sabri Godo, ishte një tjetër deputet i opozitës që shprehu kritika në atë debat. “Ka momente si ky që jetojmë, kur një ligj i drejtë zgjedhor bëhet vendimtar. Na duhet qetësi dhe reflektim. Me të vërtetë jetojmë në një moment me përgjegjësi të rëndë, por duket sikur nuk e njohim përgjegjësinë. Po ta njohim këtë, janë të gjitha mundësitë që t’ia dalim mbanë këtij ligji, që sipas meje është një nga çështjet, ose ndoshta çështja më e rëndësishme që ka trajtuar ky Kuvend gjatë viteve të fundit”, shprehej Godo.
Kodi elektoral u miratua me votat e mazhorancës dhe mbi bazën e këtij kodi u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të vitit 2001. Ato do të ishin të ngjashme me zgjedhjet e vitit 1996 sa i përket kritikave të ndërkombëtarëve dhe refuzimit për ta pranuar procesin nga ana e opozitës. Kjo situatë u pasua nga një krizë e thellë, e cila çoi në uljen e detyruar të krerëve të dy partive kryesore dhe në marrëveshjen Nano-Berisha në vitin 2002. Një ndër pikat e kësaj marrëveshjeje ishte edhe ngritja e një komisioni bipartizan për reformën zgjedhore. Fillimisht, komisioni bipartizan do të drejtohej nga Jemin Gjana i PD-së dhe Ethem Ruka i PS-së me asistencën e OSBE-së dhe Këshillit të Europës, për të rritur besimin e publikut dhe për të garantuar që zgjedhjet të jenë të lira dhe të drejta.
Komisioni përqendroi aktivitetin në:
a)analizimin e shkeljeve ligjore dhe parregullsive gjatë procesit zgjedhor;
b)hartimin e listave të sakta të votuesve dhe përmirësimin e infrastrukturës zgjedhore;
c)analizimin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare;
d)përgatitjen e amendimeve të Kodit Zgjedhor dhe të akteve nënligjore për zgjedhjet;
e)organizimin e konsultimeve me ekspertë ndërkombëtarë për të hartuar rekomandime të qarta për përmirësimin e procesit zgjedhor….
Në komision u angazhuan një grup ekspertësh, të përbërë nga katër anëtarë dypalësh dhe një ekspert të OSBE-së, për të asistuar në analizën teknike dhe ligjore. Gjatë mandatit të tij, komisioni evidentoi shkeljet dhe propozoi zgjidhje për të rritur besueshmërinë e zgjedhjeve të ardhshme. Ky proces konsensual dhe i mbështetur nga ekspertë ndërkombëtarë synonte të ngrinte standardet e paanësisë, besueshmërisë dhe transparencës së zgjedhjeve në Shqipëri.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, Partia Demokratike dhe aleatët e saj i fituan zgjedhjet dhe nisën të qeverisin. Pak kohë më pas , në Parlament u rikthye nevoja për ndryshime në kodin elektoral, kryesisht e kërkuar nga opozita socialiste. Mbahet mend një moment i rëndësishëm i asaj kohe, kur Edi Rama, kryetar i PS-së, rikandidonte për kryebashkiak të Tiranës dhe mbajti të bllokuar procesin zgjedhor për disa muaj me pretendimin për përdorimin e certifikatave të falsifikuara në zgjedhje, si mundësi për manipulim. Një ndër detajet më interesante të kohës është takimi i përfaqësuesve të partive politike në Presidencë me presidentin Alfred Moisiu, i cili i mbajti për orë të gjata dy palët, duke i “detyruar” të arrinin marrëveshje për të zhbllokuar procesin zgjedhor të zgjedhjeve vendore të vitit 2007.
Një vit më vonë do të ngrihej një tjetër komision bipartizan, me bashkëkryetarë Ilir Rusmajli i PD-së dhe Kastriot Islami i PS-së. Ata hartuan kodin e ri elektoral, i cili do të përfshihej në ndryshimet kushtetuese të 21 prillit të vitit 2008, të cilat parashikonin:
Ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Nga sistemi mazhoritar + proporcional i kombinuar, në sistem proporcional rajonal me lista të mbyllura. Kodi parashikonte që deputetët të zgjidhen nga listat e partive, ndërsa votuesi të votonte vetëm për partinë, pra lista të mbyllura. Ndryshimet u kundërshtuan nga shumë faktorë dhe aktorë politikë, por u miratuan me marrëveshjen Rama-Berisha. Me kalimin e viteve, në Kuvend do të riktheheshin vazhdimisht debatet për ndryshime në kodin elektoral.
Komisioni i Reformës Zgjedhore 2014-2015, me bashkëkryetarë Taulant Balla i PS-së dhe Oerd Bylykbashi i PD-së, mori në shqyrtim rekomandimet e OSBE/ODIHR pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Në fushatën e atyre zgjedhjeve, lideri i socialistëve Edi Rama dhe drejtues të tjerë të opozitës kontestuan ndër të tjera edhe rolin e KQZ-së në fushatë dhe në ditën e zgjedhjeve.
Marrëveshja Rama-Basha e vitit 2017 do të sillte një tjetër komision bipartizan, me bashkëkryetarë Blendi Çuçi i PS-së dhe Oerd Bylykbashi i PD-së. Ky komision kishte 18 anëtarë (9 nga shumica dhe 9 nga opozita) dhe u ngrit për të trajtuar rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e viteve 2013, 2015 dhe 2017.
Në vitin 2020, komisioni bipartizan i reformës zgjedhore drejtohej nga bashkëkryetarët Damian Gjiknuri i PS-së dhe Rudina Hajdari nga opozita parlamentare. Ishte koha kur PD-ja kishte bojkotuar parlamentin dhe në vend të deputetëve demokratë karriget parlamentare ishin plotësuar me emra kryesisht nga listat e partive aleate. Ky komision çoi në marrëveshjen e 5 qershorit 2020 për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Në vitin 2022, një tjetër komision i Reformës Zgjedhore, me bashkëkryetar Damian Gjiknuri nga PS dhe Enkelejd Alibeaj nga PD, shqyrtoi sërish rekomandimet e OSBE/ODIHR pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 dhe përgatiti ndryshime të reja në Kodin Zgjedhor.
Aktualisht ka nisur punën komisioni bipartizan me bashkëkryetar Damian Gjiknuri nga PS dhe Oerd Bylykbashi nga PD. Asgjë e re nuk pritet as prej këtij komisioni, përveç përsëritjes së debateve, marrëveshjeve të nëndheshme, pazareve dhe përpjekjeve për ta devijuar votën nga më të fortët. Bipartizanet e reformës zgjedhore me një histori të gjatë me shumë kombinime bashkëkryetarësh, nuk kanë finalizuar dot një reformë dhe klimë politike për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Padyshim nuk ëhstë vetëm ligji zgjedhor garanti për një process demokratik, duhet shumë më shumë se sa kaq, kërkohet kulturë demo9kratike në atë shkallë sat ë mund të mos prekim votën, më së paku sa Kosova
Ligji zgjedhor është një element i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm si garanci për një proces demokratik. Zgjedhjet e lira kërkojnë shumë më tepër se sa një kuadër ligjor të shkruar mirë në letër. Ato kërkojnë institucione të pavarura dhe të besueshme, administratë zgjedhore profesionale, drejtësi funksionale që ndëshkon shkeljet, transparencë në financimin e partive dhe fushatave, si dhe media të lira që informojnë qytetarët pa presion politik. Kërkohet një kulturë demokratike e rrënjosur në elitën politikë dhe në shoqëri, një kulturë që e konsideron votën si një të drejtë të shenjtë të qytetarit dhe jo si një instrument për pushtet personal. Një kulturë ku vota nuk blihet, nuk shitet dhe nuk preket nga pushteti dhe krimi. Me sa duket, Shqipëria ka një rrugë të gjatë për të bërë që të mund të arrijë të paktën atë standard minimal demokratik si në vende të tjera të rajonit, psh. Kosova.
Komisione PD-PS të reformës zgjedhore
Viti 2002 komisioni bipartizan Gjana-Ruka
Viti 2007 Komisioni bipartizan Rusmajli-Islami
Viti 2015 Komisioni bipartizan Balla- Bylykbashi
Viti 2017 Komisioni bipartizan Çuçi- Bylykbashi
Viti 2020 Komisioni bipartizan Gjiknuri - Hajdari
Viti 2022 Komisioni bipartizan Gjiknuri- Alibeaj
Viti 2026 Komisioni bipartizan Gjiknuri-Bylykbashi
Të vetmet zgjedhje që nuk janë kontestuar janë zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991, të cilat I përgatiti partia e Punës ( komunistët)
" Komunisti..." Shto edhe te 22 Marsit 1992 . Komunistet me keto process , teper korrekte, sikur na dhane mesazhin se nje Stine e re na priste , stina e baterdise , ne te gjitha kuptimet ,Jo vetem zgjedhjet . Dhe , duam apo nuk duam , keshtu Po ndodh dhe drita ne fund te tunelit ka shkuar ne kurbet !
Me marrjen e drejtimit te Ps nga Edi Rama u arrit ne bashkepunim me Sali Berishen qe me voten e ndereshme te popullit tone heroik Saliu dhe Edvini te jene te perjeteshem ne parlament
Po, Z. " Kris " ! Je ekzakt !
Po ai belind ezmeri bipartizani me prirje social-komunist shqiptar perse nuk mer pergjegjesi oer humbjen e thelle qe i shkaktoi partise demokratike ?
Zgjedhjet e fundit te verteta perfunduan ne 94en qe ishin per ndryshimet e Kushtetutes ku shpellari tentoi te behej mbret me ndryshimet kushtetuese qe populli ja hodhi ne plehera , votimet e 96es qe u gjakosen ishte prologu i vjedhjes dhe çvlersimit te votes deri sot qe shkruajme duke i bere te diskutueshme e te pa vlere .
Per aq kohe sa do te kete akoma resurse per te grabitur,jo qe nuk do te kemi zgjedhje te ndershme por nuk do te kemi as qeveri te ndershme (te tilla s'ka askund).Ne Shqiperi vazhdojne komisjone partiake e jo te paanshem.Nuk ka pergjegjesi ligjore per grabitesit.Kesaj klase politike 35-vjecare nuk u interesojne zgjedhje te pastra pasi duan sundimin pa fund.