Dëshmia tronditëse e vajzës së ish-kolonelit disident: Nga presionet e dy hetuesëve, për të dëshmuar kundër babait tim, dola e u hodha para makinës së Kadri Hazbiut

23 Dhjetor 2022, 19:30Dossier TEMA

Dëshmia tronditëse e vajzës së ish-kolonelit disident: Nga

Ishte 14 vjeçe kur babai i saj, koloneli Dilaver Radeshi, historian i njohur ushtarak, u dënua me 10 vjet burg politik. Pas atyre dhjetë viteve të vështirë, nisi një tjetër periudhë hakmarrjeje ndaj familjes së ushtarakut të paepur, ku sprovën më të fortë e kaloi vajza e madhe, Tefta, e cila për ditë me radhë iu nënshtrua hetuesisë sfilitëse, të kryesuar nga Nevzat Haznedari. Aq të papërballueshme ishin ato seanca pyetjesh, sa e reja tentoi të vriste veten. Sot ajo është mbi 70 vjeçe, jeton në qytetin e Korçës së bashku me bashkëshortin, Vaskë Kolaci. Me dëshirën dhe pasionin që e karakterizon, në vitin 2005 mbaroi me rezultate të shkëlqyera studimet në Fakultetin Ekonomik dhe është një zë i rëndësishëm i komunitetit të saj në mbrojtjen e të drejtave të të përndjekurve politikë dhe shtresave të ndryshme të shoqërisë. Në këtë intervistë, ajo tregon me detaje vuajtjet e familjes së saj që nisën që në vitet 1966 – ’67, kur dënuan të atin dhe vazhduan përgjatë gjithë diktaturës komuniste, deri nè vitin 1991.

Znj. Tefta, çfarë përfaqësonte figura e babait tuaj, Dilaver Radeshi?

Jam Tefta Sulçe Kolaci, e bija e historianit dhe ish-ushtarakut, kolonel, Dilaver Radeshit. T’ju rrëfej për babain tim, është një emocion i fortë për mua. Në shtëpinë tone, kemi ruajtur me fanatizëm çdo shkrim në gazetë apo revistë, që ka lakuar emrin dhe historinë e tij. Gjithmonë kemi lexuar për të, për jetën e tij, për atë që ai përfaqësonte, por asnjëherë ne fëmijët që jetojmë me kujtimet e tij, nuk kemi folur mbi figurën e babait tonë Dilaver Radeshit. Ndoshta sepse rrëfimi ynë do pushtohej nga përjetime dhe perceptime subjektive dhe kjo është më se e natyrshme pasi, për një fëmijë figura e babait simbolizohet gjithmonë me figurën e heroit.

Babai im Dilaver Radeshi, ka lindur më 10 janar 1922 në fshatin Radësh të Skraparit. Personazhi i tij ka qenë i njohur në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, ku karakterizohej nga fryma patriotike dhe atdhetare. Në vazhdën e aktiviteteve të tij vjen edhe inkuadrimi në radhët e Brigadës së Parë Sulmuese ku, përgjatë luftimeve plagoset tri herë. Më vonë në luftën për Çlirimin e Tiranës, te “Pallati i Brigadave”, babai do plagosej për të katërtën herë. Asgjë nuk e ndalte vullnetin e tij, vullnet të cilin e kemi trashëguar dhe ne fëmijët e tij. Edhe pas çlirimit të vendit, do vazhdonte ëndrrat dhe dëshirat që ai kishte. Kështu që në vitin 1945, ai shkon pranë shkollës së Aviacionit në Beograd, për të realizuar një prej pasioneve që ishte pilotimi, por që nuk mundi, për shkak të plagëve të marra gjatë Luftës, ku është cilësuar invalid lufte.

Në vitin 1946, ai dërgohet me studime në Odesë, në shkollën ushtarake në Moskë. Kthehet që andej si një student i shkëlqyer dhe emërohet komandant i rojeve të nderit. Prezenca e tij si ushtarak, pamja e tij trimërore tërhiqte vëmendjen në ceremoninë e pritjeve dhe përcjelljeve të delegacioneve. Zëri i tij ishte i fortë, kishte pastërtinë dhe oshtimën e maleve të vendlindjes. Zë, i cili akoma kumbon në veshët e mi me një çiltërsi dhe dashuri që ai më mësonte për jetën dhe vlerat njerëzore. Në vitin 1956-1958, vazhdon studimet në Akademinë e Lartë Ushtarake “Frunze”, për Artin Ushtarak në Moskë, ku vlerësohet me medaljen e artë.

Tanimë ai ishte një njeri i arsimuar, i studiuar jashtë që, pavarësisht vendit komunist ku mbaroi studimet, kishte një frymë intelektuale të pastër, ku lexonte, përkthente dhe botonte kryesisht libra për historinë e luftërave të Skënderbeut si: “Beteja e Torviollit”, “Beteja e Drinit dhe Oranikut”, për të cilat gërmoi dhe kërkoi deri në arkivat e Stambollit e të Romës. Gjithashtu në Revistën Ushtarake, ka botuar studime për artin ushtarak shqiptar për të cilin kishte studiuar dhe punuar fort dhe të tjera ngjarje e studime nga Lufta Nacionalçlirimtare. Ka shkruar librin e tij “Inkursioni i Brigadës së Parë Sulmuese”, i botuar në vitin 1963.

Studime dhe libra që babai shkroi të cilat u botuan në disa revista, u zhdukën menjëherë me arrestimin e tij, por vazhdonin të ishin pjesë e Arkivit. Të gjitha këto botime, studime, materiale të cilat nuk u arritën dot të përmblidheshin si botime më vete, i kemi dërguar ne fëmijët e tij, (mbas vdekjes dhe dekorimit të tij nga Presidenti i asaj kohe Alfred Moisiu), për t’u publikuar tek Akademia e Mbrojtjes-Departamenti i Historisë Ushtarake, nga profesor Proletar Hasani. Më vjen keq pasi akoma dhe sot nuk janë publikuar ato botime me studime të cilat, ai i realizoi me shumë pasion. Pasion të cilin do e vazhdonte me studimin e figurës së Skënderbeut edhe mbas 6 vjetësh nga lirimi kur do ndërronte jetë mbi tavolinën e punës së tij.

Si erdhi arrestimi dhe dënimi i tij nga regjimi komunist?

Babai ishte një njeri i edukuar me frymën e drejtësisë. Në kohën kur qeveria komuniste filloi të ndiqte një kurs ndryshe në ushtri, të drejtuar kah politikës kineze, babai im Dilaver Radeshi, në vitin 1963, u kthye në formën e një opozite kundrejt këtij kursi. Studimet e tij, njohuritë që ai kishte në fushën ushtarake, nuk e lejonin të pranonte “kinezërimin” e ushtrisë.

Çfarë ndodhi, pas këtij opozicioni që bënte ai?

Babai ishte një nga ushtarakët që kundërshtoi hapur reformën ushtarake dhe degradimin e saj, kundërshtoi heqjen e gradave dhe guxoi të propozonte ndryshimin në vijën e Partisë së Punës, në lidhje me mbrojtjen ushtarake. Ai, mendimet e tij i shpalosi hapur në një letër drejtuar Enver Hoxhës dhe dy figurave të tjera që ishin, Beqir Balluku e Mehmet Shehu, në të cilën argumentonte idetë dhe ndryshimet. Kjo letër e hapur u shpalos në gjyqin politik që i’u bë më 27 shkurt 1967, prej të cilit babai, koloneli Dilaver Radeshi, u arrestua fillimisht “për tradhti kundër atdheut” dhe u dënua për “agjitacion-propagandë” me 10 vjet burg.

Në atë gjyq babait i vunë shumë etiketime, si “rebel”, “disident”, “armik”, “tradhtar”, por më kryesorja e quajtën “mbeturinë e Konferencës së Tiranës”, e zhvilluar në vitin 1956. Të gjitha këto nuk i bënë përshtypje. Gjyqi i babait ishte një gjyq me dyer të mbyllura dhe ne familja e tij nuk dinim asgjë se çfarë po ndodhte. Por mbaj mend se, kur babai doli nga burgu ai më ka treguar përveç të tjerash edhe disa sekuenca të gjyqit. Më ka thënë: “Gjatë kohës që do jepej vendimi, u ngrit prokurori dhe u tha ushtarakëve të tjerë pjesëmarrës në gjyqin tim: ‘Ngrihuni…! Çfarë mendoni për këtë kundërshtar’?! Heshtje varri. Kjo më dha kurajo për të mos hequr dorë nga mendimet e mia”.

Kjo i dha forcë për të mos i’u dorëzuar akuzave të rënda të diktaturës komuniste. Ai arriti të sfidonte politikën enveriste, duke mos i thënë “të zezës e bardhë dhe së bardhës, e zezë” ashtu siç e kërkonte servilizmi ndaj partisë. Nuk u mposht asnjëherë, as në hetuesi ku qëndroi për 6 muaj dhe dihet që në birucat e hetuesisë, njeriu tjetërsohej nga torturat çnjerëzore që përdornin hetuesit e Sigurimit të Shtetit.

Çfarë ndodhi me ju gjatë kohës që babai juaj vuante dënimin nëpër burgjet komuniste?

Si çdo familje që kishte një pjesëtar të saj të dënuar nga regjimi komunist edhe ne, familja e kolonel Dilaver Radeshit, do viheshim në shënjestër nga Sigurimi i Shtetit. Përditë mbi ne vallëzonte hija e dyshimit dhe frikës se, çfarë do ndodhte me jetën e babait? Çfarë do ndodhte me ne, familjen e tij? Çfarë fati na priste? Unë asaj kohe isha vetëm 14 vjeç, ndërsa motrat dhe vëllai, ishin më të vegjël. Nëna, Lumturi Sulçe, na rriti me zemrën e trishtuar, por na ushqeu me dashurinë për jetën dhe njerëzit. Po ecnim në një rrugë të gjatë dhe tepër të vështirë.

Përndjekja ndaj nesh nuk do fillonte që me burgosjen e babait, por ajo do vinte dalëngadalë dhe do përshkonte çdo cikël të jetës sonë. Kështu që ne gjatë asaj kohe, nuk na hoqën nga vendi ku banonim, që ishte Tirana. Vazhduam rrjedhën e jetës duke punuar fort me shpresën dhe besimin se babai, do na bashkohej sa më shpejt. Nëna e udhëhoqi jetën tone, duke na lehtësuar dhimbjen dhe mungesën e babait. Ajo punonte në një permanent, ku duhet t’i shërbente çdo klienteje.

Pavarësisht statusit që ne kishim, nëna shihej nga të gjithë si një trimëreshë. Një grua që mbante në këmbë familjen e saj, duke qëndruar e fortë përballë çdokujt pavarësisht goditjes që pësuam nga fati i çuditshëm që përfshiu jetën tonë. Ne fëmijët vazhdonim shkollën. Unë mbas mbarimit të mësimit në gjimnazin “Partizani”, shkoja te puna e nënës dhe merrja pecetat e permanentit, i çoja në shtëpi ku i laja, i thaja dhe i hekurosja. Nga kjo punë unë fitoja diçka që e lehtësoja sadopak nënën nga shpenzimet. Ishim rritur me frymën për edukimin dhe punën.

E keni takuar babain tuaj në burg? Cilat ishin peripecitë dhe ndjesitë që keni përjetuar në ato takime pas dyerve të hekurta?

Momenti i arrestimit të tij, dalja përballë gjyqit politik, qëndrimi në hetuesi për 6 muaj, dënimi me burgim, për të gjitha këto ne si familja e tij, nuk kishim asnjë dijeni deri në momentin që nga babai na vjen një telegram, me sqarimin e vetëm se ai vuante dënimin në “Burgun 313” të Tiranës, ku ka qëndruar për një kohë shumë të shkurtër.

Jemi nisur të gjithë si familje, mamaja, unë, dy motrat, Violeta dhe Irma, bashkë me vëllain, Kastriotin, drejt burgut ku morëm me vete batanije, dyshek dhe ushqime, gjërat që mendonim se i nevojiteshin. Kur shkuam atje, babai ishte mbrapa dy palë hekurave, të cilat bënin që distanca jonë me të, të ishte tepër e madhe. Duart e tij dhe tonat zgjateshin nëpër ato hekura të ftohta, për të ndier ngrohtësinë që të falin vetëm duart e forta të babait. Sytë tanë ishin shumë të mallëngjyer. Kishim kohë pa e parë, na mjaftoi që ishte gjallë. Ky ishte takimi i parë me të, me babain.

Tanimë filluam të kuptonim e të ndienim atë thikën e mprehtë të diktaturës në gjoks e cila, ndonjëherë të linte pa frymë. Mbas dy muajsh e transferojnë në Fabrikën e Çimentos në Elbasan. Edhe këtu tentuam që të kishim një takim me të, por tani do shkoja vetëm unë dhe mamaja. U përgatitëm për gjërat që do i çonim, filluam të thurnim rroba të leshta, që atë ta mbanin ngrohtë, të gatuanim ushqimet që ai i kishte qejf dhe u nisëm për t’a takuar. Atë ditë binte një shi i rrëmbyer që vazhdonte pa pushim dhe treni që ne të dyja hipëm, na la në gjysmë të rrugës. Ecnim nëpër baltën e rrëshqitshme, ku çantat me ushqime dhe veshje, i ngrinim lart në supe për të qëndruar të pastërta.

Kur arritëm afër kampit, këmbët tona ishin ngrirë dhe balta me zor hiqej. Tamam si kjo “baltë” që kishte mbuluar Shqipërinë. Aq shumë kisha ngrirë sa, kur u takuam me babanë, nuk munda të flisja asnjë fjalë. Vetëm u pamë. Më vonë në 8 janar të vitit 1968, atë e kishin çuar në kamp-burgun e Spaçit. Të gjithë ata që kanë vuajtur dënimin në këtë kamp, por edhe ata familjarë të cilët kanë shkuar të vizitojnë të afërmin e tyre, e dinë shumë mirë dhimbjen që shkaktonte ky kamp famëkeq. Spaçi të jepte një ndjesi të frikshme, më kujtohet që ishte si një gropë e zezë, një rrugë tepër e vështirë dhe e largët, ku ne shkonim gjithmonë së bashku me familjet e tjera të cilat kishin një familjar të dënuar në atë kamp.

Ku mund të përmend: familjen, kryesisht nënën Emilia të Vangjel Lezhos, të cilin më vonë e pushkatuan, me teton Lolo të Xhelal Koprënckës etj. Nga ky kamp, babai më ka treguar se ka pasur momente që i kanë lidhur duart me tela, të shtrënguara fort mbrapa në një karrige dhe kur ia hiqnin për nevojat personale dhe ia lidhnin prapë, ishte torturuese edhe për shkak të plagëve që ai kishte në trup, por kurrë nuk bërtiste. Gjithashtu nga biruca ku e kishin future, ai i jepte kurajo të burgosurve për të shkuar në punë, ndërsa ata i ktheheshin: “Po si nuk do fitonte Mehmet Shehu në Brigadën e Parë Sulmuese me të tillë trima “budallenj”?! Në vitet 1971-‘73, babai do provonte një tjetër kamp, atë të Tepelenës. Për atë dhe për ne, ishte i vështirë ky kamp.

Mbaj mend pengesat dhe peripecitë që hasnim gjatë udhëtimit drejt këtij kampi për të takuar babain. Shoferi i autobuzit, na linte gjithmonë në fund të rrugës edhe pse kalonte afër Urës së Bençës, atje ku ishte i burgosur babai, ku ne e kishim më të lehtë kalimin. Por jo, nuk pranonte dot të ndihmonte një familje që po shkonin për vizitë te “disidenti”. Gjithashtu nuk më shlyen nga kujtesa ime momentet kur, në rrugën ku kalonim, na prisnin gra e fëmijë, duke na gjuajtur me gurë dhe na thërrisnin “armiqtë e popullit”.

Kjo ishte lufta e klasave. Një luftë që nxiste urrejtje dhe përçmim. Takimi me babain ishte i çuditshëm. Ai ishte në një dhomë të vogël që kishte një dritare me hekura, prej së cilës vetëm zëri mund të dilte. Ky takim na la një boshllëk të madh në zemër. Mbas disa kohësh, babain do e çonin në burgun e Burrelit ku dhe do përfundonte dënimin e tij, në një nga burgjet më të egra të komunizmit. Edhe Burreli kishte një pamje të frikshme, ishte i ftohtë, i akullt, të jepte ndjesinë e “vdekjes”.

Kur filloi internimi juaj, pra e familjes së Dilaver Radeshit?

Vitet rrodhën dhe rrugëtimi ynë në diktaturë do vazhdonte me makthet e veta. Ishte viti 1977, vit i cili shënonte edhe lirimin e babait nga burgu komunist. E kishim ëndërruar këtë ditë. Në burgun e Burrelit, atë kohë ka shkuar vetëm mamaja dhe motra e vogël, Irma. Kanë pritur me orë të tëra, por nga ajo portë e atij burgu famëkeq, nuk doli babai, por një oficer me një shprehje të egër në fytyrë që u thotë: “Nuk është këtu”. Asnjë shpjegim tjetër. Kjo përgjigje do ishte mundim për ne. U kthyen me plot dyshime dhe me shpirtin bosh!

Mbas disa ditësh na vjen një telegram nga babai. E kishin internuar në fshatin Kajan të Elbasanit. Ai që kishte urdhëruar internimin, ishte kryemjeshtri i torturues, Nevzat Haznedari, i cili së bashku me Vangjel Koten, kërkonte nga babai të dëshmonte kundër Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos, figura të cilët, kishin mbajtur një qëndrim të ashpër kundrejt bindjeve të tij, kur ai ishte dënuar në vitin 1967. Babai nuk pranoi të dëshmonte dhe fjalët e tij ishin këto: “Unë i kam sulmuar kur ata ishin në kolltuk e funksionet më të larta dhe tani që janë të lidhur me hekura e, po sulmohen nga “qentë e rrugëve”, ata janë shokët dhe vëllezërit e mi, madje kur të vijnë në burg, do t’iu jap nga një kafe”!

Kështu që u ri dënua me internim, pasi nuk firmosi deklaratën e bashkëpunimit me Sigurimin e Shtetit. Një internim i izoluar që vazhdoi deri në fillim të viteve ’90-të. Këtu, pra, pas internimit të babait, fillon tamam edhe përndjekja jonë nga dy figurat e frikshme të kohës që ishin Nevzat Haznedari dhe Vangjel Kote. E kuptuan që këtë “rebel”, duhet ta preknin në pikën e dobët që, ishte familja e tij. Kështu që nisi përballja jonë me hetimin, me përndjekjet nga spiunët e Sigurimit. Na ndiqnin kudo. Kërkonin të na futnin nëpër shtigje që, të humbnim ndërgjegjen dhe vetëdijen njerëzore.

Znj. Tefta, si vazhdoi historia që ju çoi drejt tentativës për vetëvrasje?

Sa herë që më kërkohet të flas për këtë pjesë, përhumb në mendime dhe sa herë i rikthehem, zbuloj detaje të reja për gjendjen që më çoi drejt tentativës për vetëvrasje. E gjitha filloi kur ndaj nesh po ushtrohej një presion i madh nga Sigurimi i Shtetit. Unë isha vajza më e madhe e familjes dhe si Nevzat Haznedari edhe Vangjel Kote, u morën me mua. Karakteri im ngjasonte shumë me karakterin e babait. Gjithmonë jam shoqëruar dhe kam ndihmuar familjet e tjera të persekutuara që, kishin të afërmin e tyre nëpër burgjet komuniste. Këtë gjë e kishte pikasur dhe Sigurimi që, me atë paranojën që e karakterizonte, thurte dyshime.

Gjatë kohës që babai ishte i internuar në Kajan të Elbasanit, kundrejt nesh po bëhej një hetuesi që përligjte krimet e tyre. Fillimisht ishte nëna ajo që do thirrej në dhomën e hetuesisë dhe më pas unë. Me nënën nuk u morën shumë, kurse ndaj meje do zhvillonin një hetuesi që do zgjaste për gati një muaj. Ishte një hetuesi e pakuptimtë pasi, më thërrisnin një ditë po dhe dy ditë jo. Ishte sfilitës mendimi se kur do vinte radha tjetër për të provuar përsëri atë zymtësi që të jepte hetuesia e kohës. Përballja e parë ishte e frikshme. Ishte një dhomë me mure të errëta që të jepte përshtypjen e një varri të ftohtë ku hetuesi të bënte pyetje provokuese që mendja nuk i konceptonte dot.

Jam përballur me disa hetues të Sigurimit ku, mund të përmend Skënder Sevastani, por, më çnjerëzori ka qenë dhe do mbetet Nevzat Haznedari. Kjo situatë do vazhdonte deri në momentin kur unë do i dilja përballë makinës së Kadri Hazbiut, (ministrit të Punëve të Brendshme të asaj kohe), me guximin e një vajze që e kishte pushtuar një trishtim i pakufi. Ishte ora 5:00 e pasdites, kur mbylla ditën e gjykimit tim në hetuesi. Në oborrin përballë Ministrisë, po kalonte makina e Kadri Hazbiut. Në atë çast, vrapova dhe i’u hodha sipër makinës së tij. Me plot gojë, i deklarova se nëse do më thërrisnin përsëri, unë do vrisja veten. Ndoshta për momentin ishte një konstatim i thënë në mërzitje e sipër, por që unë do e vija në zbatim…! 

Memorie.al

2 Komente

  1. Z
    Zoti Ju dhente miresi ne Familie.

    Fatekeqesi shume e madhe .Zoti Ju dhente miresi... Sa e sa raste te tilla Jane me qindra me mijra ,dhe akoma 32 vjete na udhehiqen perbindeshit perseri..Tani me nje ndryshim,,duke vazhduar perseri vrasjet qe te mbeten ne kariget e tyre ..ligji akoma Si ka ndeshkuar keta Kriminele qe na paraqiten Si Jezues per shpetimin nga Komunizmi,kure vete keta plehra edhe pelse Jane perlyger nga Krimet Si para 90 edhe mbas 90, keta Ulerasin Si Demokrate ,ngaqe fatekeqesisht nje pjese qe sa vjen dhe po zvogelohet ,akoma Ju shkojne nga mbrapa ketyre Krimineleve .

    1. A
      Ad

      Faleminderit Zonjë për rrefimin... Shëndet e gezime ndër ju...

      Lini një Përgjigje