Golda Meir: Izraeli im (19) Ku qëndronte forca jonë?

29 Tetor 2023, 17:27Dossier TEMA

 

Golda Meir: Izraeli im (19) Ku qëndronte forca jonë?

 

Britanikët kurrë nuk deshën ta jetësojnë planin e Peelit. Gjithsesi se gjatë atyre vjetëve, mu për shkak të ardhmërisë, nuk do të mund të jetoja me bindjen se jam fajtore për mosrealizimin e këtij plani. Po të kishim një copë shteti vetëm një vjet para fillimit të luftës, ndoshta qindra mijëra hebrenj do t’i shpëtonin furrave naziste të djegies dhe dhomave të gazit.

Edhe pse çështja e kolonizimit për hebrenjtë e Evropës shumë shpejt u shndërrua në çështje që do të thoshte jetë a vdekje, me gjasë ne ishim populli i vetëm në botë që e kishte kuptuar këtë. Por, askush nuk dëshironte të na dëgjonte. Tekefundit, kush ishim ne? Disa qindra mijëra hebrenj të ngjeshur në një qoshe të Lindjes së Afërme, ende larg asaj që të jenë dalzotës të vetvetes. Nuk i takonim plotësisht as imperatorisë britanike. Dhe, nuk kishim të drejtën as më të vogël t’u thoshim hebrenjve të Evropës: - Ejani te ne, sa nuk është bërë vonë!

Britanikët, përkundrazi, kishin në dorë çelësat e dyerve të shtetit hebraik. Mund t’i mbyllnin dyert, pavarësisht nga ajo se çka përgatitej.

Nëse Palestina mbyll dyert për hebrenjtë nga Evropa, si do të sillen shtetet e tjera?

 

Për ne ishte “të jesh a të mos jesh”, ata jepnin deklarata mëshiruese

 

Në pranverë të vitit 1938 më dërguan në këshillimin ndërkombëtar për çështje të emigrantëve, të cilin e kishte organizuar Franklin D. Ruzvelti në Evian-les-Bains. Atje mora pjesë në cilësi qesharake, si “vëzhgues hebraik nga Palestina”, prandaj tërë kohën qëndrova jo me delegatët, por me dëgjuesit e këshillimit, edhe pse emigrantët, për të cilët flitej, ishin vendës të mi, pjesëtarë të familjes sime hebraike, dhe këta nuk ishin pak sa të fsheheshin në statistikat zyrtare. Ishte një përjetim i tmerrshëm: të rrish ulur aty, në atë sallë luksoze, dhe vetëm të dëgjosh përfaqësuesit e 32 shteteve se si deklarohen se me dëshirë do të pranonin emigrantë por që, për fat të keq, këtë nuk mund ta bënin. Vetëm ai që ka përjetuar diç të ngjashme mund të kuptojë se çfarë ndjenjash kisha në Evian – një përzierje e mjerimit, e hidhërimit, e pakënaqësisë dhe e tmerrit. Me dëshirën më të madhe do të kërceja dhe do të bërtisja: - “A nuk e dini ju se ata ‘numra’ dhe ato ‘shifra’ janë jetë njerëzish, të atyre njerëzve që pjesën e mbetur të jetës së tyre do ta kalojnë nëpër kampe përqendrimi ose do të jenë të detyruar të sorrollaten nëpër botë sikur gërbulanë, po qe se nuk i pranoni ju?”. Natyrisht që, në atë kohë, unë nuk e dija se emigrantët pa atdhe nuk i prisnin kampet e përqendrimit, por kampet e vdekjes. Po ta dija këtë, asokohe nuk do të duroja që me orë të tëra të rrija ulur dhe e heshtur në mënyrë shumë të disciplinuar dhe të njerëzishme.

Pyetjes “Të jesh apo të mos jesh?”, secili popull duhet t’i japë vetë përgjigje. Hebrenjtë nuk duhet të varen nga ajo se a do t’i lejojë dikush të jetojnë apo jo. Dhe, nga viti 1938, diç vendimtare ndodhi me botën, me Jishuvin dhe me mua – përjetuam tmerrin. Ndërsa sot askund nuk mund t’i dëgjosh fjalët “refugjatët hebraikë”, ngase shteti hebraik është i gatshëm dhe i aftë të pranojë secilin hebre që dëshiron të jetojë në të, qoftë ai punëtor i shkolluar ose jo, qoftë plak ose i ri, qoftë i sëmurë apo i shëndoshë.

Në Evian nuk dëgjova asgjë tjetër, pos frazave, por para se të largohesha nga aty thirra një konferencë shtypi që, së paku, gazetarët të dëgjojnë atë çka kisha për të thënë. – Do të dëshiroja që, para se të vdisja, ta përjetoj vetëm një gjë: që populli im të mos ketë më nevojë për deklarata mëshiruese – u thashë gazetarëve.

 

Ku qëndronte forca jonë?

 

Përkundër përndjekjeve dhe vrasjeve përditë e më të mëdha të hebrenjve në Gjermani dhe në Austri, në maj, britanikët vendosën t’i mbyllin përfundimisht dyert e Palestinës. Qeveria e Çembërlenit lëshoi pe para trysnive arabe, në të njëjtën mënyrë siç lëshoi pe para nazistëve. Nëse politika e paqesimit ishte zgjidhje e drejtë e problemit çekosllovak, e njëjta do të mund të aplikohej edhe në Palestinë, për të cilën edhe ashtu rrallë kush kujdesej. Më 1939, me Librin e Bardhë për Palestinën, përfundon mandati britanik, por pasojat e mëdha do të zgjasi edhe për nëntë vjet të tjera. Brenda dhjetë vjetësh duhej të krijohej “shteti palestinez” mbi bazat e kushtetutës e cila do të garantonte “të drejtat e pakicave” dhe pushtetin lokal. Hebrenjve duhej lejuar vetëm edhe pesë për qind tokë për të blerë, ndërkaq kolonizimi hebraik do të përthekohej në më së shumti 75.000 vetë për pesë vjetët e ardhshme dhe pastaj kjo nuk do të vlente – “po qe se arabët deklarohen se pajtohen me një kolonizim të tillë”.

Një apo dy ditë para botimit të Librit të Bardhë shkrova një artikull për revistën të cilën e botonte Këshilli i grave-punëtore. Nuk fjeta gati gjithë natën e lume. Ende më kujtohet që i pata thënë Menahemit se po shfryhem duke shkruar këtë artikull, qoftë edhe nëse nuk e lexon askush. Dhe, kur sërishmi e lexova këtë tekst, mbeta e befasuar me ironinë tragjike të momentit:

“Secila ditë sjell urdhëresa të reja të cilat kushtojnë me jetëra të qindra mijëra njerëzve. Ne, nënat, e dimë se fëmijët hebraikë janë të shpërndarë gjithkund nëpër botë dhe hebrenjtë në shumë vende lusin vetëm për një gjë: ‘Merrni fëmijët tanë! Dërgojini ku të doni, ama hiqni ata nga ky ferr!’.

Fëmijët i dërgojnë nga Gjermania në Austri, nga Austria në Çekosllovaki, nga Çekosllovakia në Angli. Kush mund t’u garantojë nënave të tyre se ata nuk do të dërgohen nga njëri ferr në tjetrin?! Ndërsa, këtu, fëmijët tanë do të jenë të sigurt. Puna jonë këtu, mbrojtja e secilit vendbanim veç e veç, qoftë ai edhe më i vogli, nuk do të jetë punë e kotë nëse kemi para syve mijëra hebrenj nëpër kampet e përqendrimit në Evropë. Këtu edhe qëndron forca jonë... Besimi ynë është i fortë dhe jetik. Çka u bënë popujve të tjerë dhe shteteve të tjera, nuk do të na e bëjnë neve”.

 

Luftë kundër Hitlerit, luftë kundër Librit të Bardhë

 

Asokohe, as që kam mundur të mendoj se hebrenjve do t’ua punojnë pakrahasueshëm më shumë se të tjerëve.

Libri i Bardhë ishte i papranueshëm. Organizuam tubime protestuese dhe greva si dhe nënshkruam peticione. Por, duhej marrë edhe vendime. Nuk mjaftonte t’i akuzonim britanikët se na kishin tradhtuar dhe me zemra të thyera e kokëulur të demonstronim rrugëve kryesore të Tel-Avivit, të Jerusalemit dhe të Haifas. Çfarë të bëjmë? Të konfrontohemi me britanikët, por si ta bëjmë këtë? Për cilin qëllim të aktivizohet sionizmi – tash, kur britanikët, në kohën më të keqe për ne, nuk po duan të dëgjojnë për aspiratat nacionale të hebrenjve?

Në muajin gusht u thashë fëmijëve se duhet të udhëtoj sërishmi në botën e jashtme, kësaj radhe në Kongresin e sionistëve në Gjenevë, ku duhej të trajtoheshin çështje shumë të rëndësishme sa i përket jetës në Jishuv. Fëmijët u dëshpëruan shumë, por kësaj radhe nuk më kundërshtuan. Në kohën kur udhëtova për në Gjenevë, politika e Mapajit tashmë ishte e përcaktuar. Pavarësisht nga ajo se çfarë vendimi do të merrnin delegatët nga shtetet e tjera, qëndrimi ynë ishte i qartë. Ardhja dhe vendosja e hebrenjve në Palestinë do të vazhdojë, qoftë edhe nëse ndodhin konflikte të armatosura me britanikët. Ne edhe më tej do të popullëzojmë vendin dhe do ta mbrojmë atë. Ishim, pra, të gatshëm edhe për luftë me britanikët, nëse kjo ishte e domosdoshme.

Kur në shtator të vitit 1939 plasi lufta, Ben Gurioni e përkufizoi në mënyrë shumë të qartë dhe të thjeshtë qëndrimin tonë: - Do të luftojmë kundër Hitlerit sikur fare të mos ekzistonte Libri i Bardhë, ndërsa kundër Librit të Bardhë do të luftojmë sikur fare të mos ekzistonte Hitleri.

 

Hitleri kishte dënuar me vdekje miliona hebrenj të Evropës – këtë edhe e bëri

 

Nga viti 1939, sigurisht me mijëra herë jam munduar t’ia sqaroj vetvetes dhe të tjerëve atë se si ndodhi që britanikët, në të njëjtën kohë kur me aq guxim e vendosmëri u rezistonin nazistëve, të zhvillonin gati se luftë po aq të gjatë dhe të mundimshme për pengimin e vendosjes në Palestinë të hebrenjve të ikur nga nazistët. Dhe, nuk kam arritur kurrë të gjej sqarim logjik për këtë. Ndoshta, ai edhe nuk ekziston fare. Dhe, mbase do të kalonin edhe shumë vjet derisa të lindte shteti i Izraelit, po të mos zhvillohej në mënyrë aq të ashpër dhe me këmbëngulësi aq të marrë ajo luftë britanike në luftë.

Vetëm atëherë kur qeveria britanike na e bëri të pamundshme që, përkundër çdo logjike dhe përkundër çdo njerëzie, t’i shpëtonim hebrenjtë nga duart e nazistëve, na u bë e qartë se pavarësia jonë politike nuk mund të shikohet edhe më tej si cak i largët. Domosdoja që të mbikëqyrnim popullëzimin, ngase nga ky kontroll vareshin jetërat e njerëzve, bëri që të merrnim vendimin i cili, në rast tjetër, do të duhej të priste kohë më të mira (nëse jo ideale). Libri i Bardhë i vitit 1939, urdhërat dhe rregullat e të cilit i përcaktuan të huajt indiferentë, e shndërroi çështjen e pavarësimit të Jishuvit në domosdoshmëri të pashtyeshme. Vetëm tri vjet pas përfundimit të luftës, nga kjo domosdo, u themelua shteti i Izraelit.

Çfarë kërkonim, në të vërtetë, nga britanikët? Pse ata na refuzonin me aq ngulm? Edhe sot, përgjigjja duket e pabesueshme. Më duket kështu edhe mua. Nga viti 1939 e deri më 1945, Jishuvi nuk dëshironte asgjë më shumë se sa të pranonte aq hebrenj sa mund të shpëtoheshin nga nazistët. Kjo ishte e tëra. Dëshironim të na lejohej që atë që kishim ta ndanim me burrat, me gratë dhe me fëmijët që kishin pasur fatin t’i shpëtonin vrasjeve, t’i shpëtonin ngulfatjeve me gas natyror apo t’i shpëtonin varrosjeve për së gjalli mu nga ai popull, të cilin imperatoria britanike mundohej ta mposhtte me të gjitha forcat.

Nuk kërkonim as benificione, as pushtet e as çfarëdo premtimi për të ardhmen. Hitleri kishte dënuar me vdekje miliona hebrenj të Evropës – këtë edhe e bëri. Ne luteshim vetëm për atë që të përpiqemi të shpëtojmë aq hebrenj sa kishim mundësi t’i shpëtonim dhe t’i sillnim ata në vendin i cili dëshironte t’i pranonte.

2 Komente

  1. M
    Mero the jew aslicker

    Enjoy Hell! Aty do vine te bejne shoqeri, dhe pasardhesit e tu se bashku me hipokritet e temes

    Përgjigjjuni
    1. T
      Tani

      Vllai ik bashkohhu me ISIS-in se nuk je per kete vend. Mos u hapni menderesh kot me nje shtet te fuqishem. Pastaj qurraviteni kur kundersulmojne. Idhujt e tu dine vetem te vrasin bebe dhe pleq, aq guxim kane. Le te perballen me ushtrine izraelite po jua mbajti, por nuk ja mban. Lexo dhe pak histori sesi Izraeli ka qene i sulmuar gjithmone nga vendet arabe dhe gjithmone i ka mundur. Akoma nuk zune mend vellezerit e tu apo ec e ec te kepus nje spec. Ne '48 Palestina e pati mundesine e pavaresise, me te vertete do ishte territor i cunguar, por te pakten do ishte e pavarur, por nuk pranoi. Keto jane pasojat. Me vjen keq vetem per popullsine civile te Gazes qe nuk ka pune me terroristet e hamasit. Ndersa ata miqte e tu terroriste, pa merak se do e shohin ferrin para te tjereve. Gjynah te shkretet se akoma genjehen nga virgjereshat e parajses...

      Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje