
Në mendje shpesh kthehem në vitet e tridhjeta dhe të dyzeta në Palestinë. Por, kur më 1975, më thonë: - A thua, si ia arriti Izraeli t’ia dalë në krye me të gjitha problemet që pati – me arabët, të cilët dëshironin ta shkatërronin shtetin, dhe me superioritetin e tyre të madh sa i përket parave, njerëzve dhe armatimit; me valën e mijëra emigrantëve nga Rusia; me indiferencën relative të pjesës më të madhe të botës ndaj këtyre problemeve; dhe me gjendjen kritike ekonomike, për të cilën gati se nuk kishte zgjidhje? – u përgjigjem sinqerisht: - Para dyzet vjetësh e gjithë kjo ishte punë shumë më e vështirë, por ne ia dolëm në krye sepse për këtë paguam çmim shumë të shtrenjtë.
Vetëm ata që kanë luftuar asokohe mund ta kuptojnë vërtet se sa është arritur që nga atëherë dhe se sa të mëdha ishin fitoret tona. Dhe, prandaj, optimistët më të mëdhenj në Izrael mbase janë të moshuarit sikur unë, të cilët mendojnë se është e natyrshme që një gjë aq madhore, siç është rilindja e një kombi, nuk vjen shpejt, pa dhimbë dhe pa mundime.
Arabët na sulmonin, ne i përmbaheshim politikës së vetëpërmbajtjes
Pavarësisht nga ajo që ishte e domosdoshme, duhej kryer punët e ditës. Si drejtoreshë e arkës së sigurimit shëndetësor të punëtoreve mbikëqyrja kushtet e punës së anëtarëve të Histadrutit, të cilët në gjithë vendin merrnin pjesë në ndërtimin e kampeve britanike. Veç kësaj, duhej të udhëhiqja debate të ndryshme dhe të shumta për Lëvizjen punëtore. Kryeja edhe punët e mia të amvisërisë dhe i ndihmoja Menahemit e Sarës për të bërë detyrat e shtëpisë. Karshi të gjitha këtyre, duhej hartuar dhe duhej marrë një sërë vendimesh të rëndësishme që kishin të bënin me gjendjen e përgjithshme në Jishuv. Çështja më e rëndësishme ishte se çfarë të bënim valët e pandërprera të terrorit arab. Vetëm më 1936, me mllef ishin shkatërruar me qindra mijëra fidane të mbjella me dashuri, me kujdes dhe me shpresë. Arabët shkatërruan shumë trena dhe shinobusë. Dogjën qindra fusha. Më e tmerrshmja ishte se ishin kryer dy mijë sulme të armatosura mbi hebrenjtë. Vetëm më 1936 pati 80 të vrarë dhe dyfish më shumë të plagosur.
Incidentet filluan në prill të vitit 1936. Në verë, hebrenjtë më nuk mund të udhëtonin pa rreziqe nga një qytet në tjetrin. Sa herë që më duhej të udhëtoja nga Tel-Avivi në Jerusalem në ndonjë mbledhje, e kjo nuk ndodhte rrallë, në mëngjes, kur ndahesha nga fëmijët, i puthja ata duke menduar se ndoshta kurrë më nuk do të kthehem në shtëpi. Autobusi im do të mund të sulmohej, në hyrje të Jerusalemit do të mund të më vriste në pritë arabi i armatosur. Kishte mundësi që në kufi të Tel-Avivit të më gjuante me gurë turma e arabëve. Hagana (organizata e fshehtë vetëmbrojtëse hebraike) ishte më mirë e armatosur dhe më e madhe se sa gjatë incidenteve arabe të vitit 1929, por nuk e kishim ndërmend që ta shndërronim atë në armë kundërterrori ndaj arabëve, vetëm e vetëm pse ata janë arabë. Nuk dëshironim t’i jepnim shkas britanikëve që edhe më tej të sillen në mënyrë të vrazhdtë kundër kolonizimit të hebrenjve dhe kundër ndërtimit të vendbanimeve, siç bënë gjithmonë kur ishim aktivë në mbrojtjen tonë. Rreptësisht i përmbaheshim politikës së vetëpërmbajtjes (hebraisht: havlaga). Kur duhej dhe ku duhej, hebrenjtë gjithmonë mbroheshin nga sulmet, por gjatë “trazirave” trivjeçare, siç flisnin zakonisht britanikët në mënyrë minimizuese, Hagana nuk ndërmori asnjë aksion të hakmarrjes.
Pse ishte e rëndësishme politika e vetëpërmbajtjes?
Vendimi ynë që të mbrohemi dhe jo që të hakmerremi, në Jishuv nuk u mirëprit nga të gjithë. Pakica kërkonte kundërterror të ashpër, duke e cilësuar politikën e havlagës si qyqare. Gjithmonë i kam takuar shumicës, e cila ishte shumë e bindur se havlaga është e vetmja zgjidhje e mundshme etike. Aksioni i hakmarrjes ndaj arabëve, pavarësisht se a ishin ata pjesëmarrës në ndonjë aksion apo jo, ishte moralisht i paqëndrueshëm. Sulmi i caktuar duhet të prapset dhe krimineli i caktuar duhet të dënohet, por nuk dëshironim të vrisnim asnjë arab vetëm pse ishte arab ose pse kishte marrë pjesë në dhunën që arabët ushtronin kundër nesh.
Dëshiroj t’i kthehem edhe akuzës qesharake se kemi injoruar arabët e Palestinës dhe se kemi ndërtuar vendin sikur aty të mos kishte fare popullatë arabe. Iniciatorët e trazirave arabe pohonin nga fundi i viteve të tridhjeta se arabët na sulmonin ngase ne i kishim “dëbuar” ata. Nuk kam nevojë t’i shikoj statistikat britanike të regjistrimit të popullsisë për të ditur se popullata arabe e Palestinës ishte dyfishuar që nga fillimi i kolonizimit të hebrenjve. Edhe vetë kisha parë se si shtohej popullata arabe ç‘prej se kisha ardhur në Palestinë. Standardi jetësor i arabëve të Palestinës tejkalonte shumë standardin e të gjithë arabëve të tjerë në Lindjen e Afërme, prandaj turma të mëdha arabësh nga Siria dhe nga shtetet fqinje u vendosën në Palestinë, ngase aty kishin kushte më të mira për jetë. Përfaqësuesit gjentilë të qeverisë britanike vazhdimisht pohonin se në Palestinë nuk ka vend të mjaftueshëm për kolonë të rinj hebraikë.
Gjatë viteve të tridhjeta vazhdimisht kam shpresuar se arabët e Palestinës një ditë prej ditësh do të jetojnë bashkë me ne në paqe dhe në barazi, si qytetarë të shtetit hebraik. Kurrë nuk më ka lëshuar shpresa se hebrenjve në shtetet arabe do t’u mundësohet që atje të jetojnë në paqe dhe në barazi. Kjo është arsye tjetër pse më ishte aq e rëndësishme politika e vetëpërmbajtjes kundruall sulmeve arabe. Nuk duhej të ndodhte asgjë që edhe më shumë do të ngarkonte ardhmërinë. Për fat të keq, asokohe gjithçka shkoi në drejtim të kundërt. Megjithatë, na u desh shumë kohë derisa u pajtuam me fatin se pajtimi i pritur nuk do të ndodhë.
Nga gjiri i popullit hebraik do të dalë më njeri si Ben Gurioni
Kur Arab Higher Committee, nën kryesinë e myftiut, shpalli grevën e përgjithshme, duke shpresuar se do të paralizonte Jishuvin, u krijua një vakuum ekonomik që shkonte në të mirën tonë. Myftiu kishte përcaktuar që asnjë arab në tërë Palestinën nuk do të guxonte të shkonte në punë për aq kohë derisa të mos ndërpritej kolonizimi hebraik dhe derisa të mos ndërpritej përvoja e blerjes së tokave nga hebrenjtë. Përgjigjja jonë në këtë aksion ishte fare e thjeshtë: nëse nuk punon limani në Haifa, do të hapim limanin tonë në Tel-Aviv; nëse fermerët arabë refuzojnë t’i sjellin prodhimet e veta në treg, fermerët hebraikë do të dyfishojnë e do të trefishojnë përpjekjet e tyre; nëse arabët ndërprejnë komunikacionin nëpër rrugët e Palestinës, shoferët hebraikë të kamionëve dhe të autobusave do të aplikojnë ndërrime të veçanta dhe automjetet e tyre do t’i blindojnë. Gjithçka që refuzojnë të bëjnë arabët, ne do ta bëjmë në këtë apo në atë mënyrë.
Kishte shumë personalitete, të afta për të vendosur, të cilët patën ndikim në marrjen e këtyre vendimeve. Edhe unë ngapak merrja pjesë në gjithë këtë. Por, Ben Gurioni ishte ai njeri, në kualitetet udhëheqëse dhe në intuitën e çuditshme politike të të cilit mund të mbështeteshim edhe më tej, tash dhe në të ardhmen. Ben Gurioni ishte i vetmi ndër ne, emri i të cilit do të përmendet nga hebrenjtë dhe johebrenjtë edhe pas njëqind vjetësh. Këtë e besoj forcërisht. Kam vizituar varrin e Ben Gurionit në kibucin Sde Boker në Negev. Atje ai kaloi vitet e fundit të jetës së tij dhe aty deshi të varroset. Derisa po qëndroja te varri i tij, m’u kujtua biseda të cilën e pata me të më 1963. Atëherë qe tërhequr nga detyra e kryeministrit izraelit (dy herë ishte në këtë detyrë), edhe pse disa e kishin lutur të mos e bëjë këtë.
- Është e vërtetë se askush nuk është i pazëvendësueshëm – i thashë. – Ju e dini këtë njësoj sikur unë. Por, dua t’jua them vetëm një gjë, Ben Gurion: nëse shkojmë sot në Times Square dhe i ndalim njerëzit në rrugë duke i pyetur për atë se kush janë kryetarët e shteteve dhe të qeverive të shteteve më të rëndësishme të botës, nuk do të dinë të përgjigjen. Por, nëse i pyesim: Kush është kryeministër i Izraelit? – të gjithë do të përgjigjen saktësisht.
Arsyet e mia nuk i bënë fort përshtypje. Por, jam e bindur në atë se emrat “Izrael” dhe “Ben Gurion” do të mbesin të ndërlidhur mes veti në kujtesën e njerëzve. Askush nga ne nuk e di se çka do të sjell e ardhmja, por nuk besoj se nga gjiri i popullit hebraik do të dalë ndonjëherë më një personalitet më i madh udhëheqës dhe një shtetar më i mençur e më trim.
Ben Gurioni i mjaftonte vetvetes
Çfarë ishte Ben Gurioni si njeri? Është vështirë të them diç për Ben Gurionin, të cilin e çmoja aq shumë dhe të cilin, përkundër kësaj, u desh ta kundërshtoj pastaj shumë ashpër. Megjithatë, do të provoj të them diçka.
Së pari, më kujtohet që Ben Gurioni ishte njeri me të cilin nuk mund të ishe intim. Kjo nuk kishte të bënte vetëm me mua. Mendoj se askush realisht nuk ka mundur të jetë intim me të, ndoshta pos gruas së tij Paula dhe vajzës Renana. Ne, të tjerët: Berli, Shazari, Remezi, Eshkoli, njiheshim me të vetëm si bashkëluftëtarë. Ne, me dëshirë rrinim bashkë. Ben Gurioni nuk ishte i tillë. Për shembull, kurrë as që më ka shkuar ndërmend ta thërras e t’i them: - Dëgjoni, çfarë mendoni për atë që sonte të vij pakëz te ju? Me të ose duhej të kishe arsye për bisedë të mirëfilltë, ose të mos e vizitoje fare. Ai nuk kishte nevojë për njerëz, sikur që kishim nevojë ne. I mjaftonte vetvetja më shumë se neve. Megjithatë, nuk dinte shumë për njerëzit dhe vazhdimisht hidhërohej shumë me mua kur ia thoja këtë të vërtetë.
Meqë i vinte rëndë të bisedonte me njerëz, nuk i nevojitej askush. Nuk ishte i gatshëm të fliste për gjëra dytësore, të parëndësishme. Më pat treguar se, njëherë, pas ardhjes në Palestinë më 1906, kishte shëtitur gati tërë natën rrugëve të Jerusalemit me Rachel Janait pa e folur një fjalë me të.
Më kujtohet edhe një gjë, që ma pat treguar para shumë vjetësh Chagall. Babai i Benit ishte ujëmbartës i varfër në Vitebsk. Gjatë gjithë ditës endej me kovat plot ujë dhe vonë në mbrëmje kthehej në shtëpinë e Chagallit. – Hynte brenda, ulej, nëna ime i jepte të hante diç dhe nuk më kujtohet të ketë folur ndonjëherë me mua e lëre më të bisedonim më gjatë për ndonjë temë – më pat treguar Chagalli.
I tillë ishte edhe Ben Gurioni. Nuk besoj se do t’i fliste dikuj për bashkëshortësinë e tij, për fëmijët apo për diç të ngjashme. Për të, bisedat e tilla ishin humbje e kohës. Por, atë punë që për të ishte e rëndësishme dhe atë punë që e interesonte, e kryente me mish e me shpirt.
Lini një Përgjigje