Mjekëve në “Beth Israel” nuk iu desh shumë punë t’ia caktonin diagnozën Sarës. Ajo, ç‘është e vërteta, vuante nga një sëmundje e veshkëve, por jo nga ajo sëmundje për të cilën ishte mjekuar në Palestinë. Vajza nuk kishte nevojë as për dietë rigoroze e as të rrijë shtrirë në shtrat. Sapo të forcohej pakëz, mund të shkonte sërish në shkollë, të endej me trotinet, të notonte dhe të vraponte shkallëve poshtë e lart. U trajtua ashtu si duhej. Fitoi në peshë dhe pas gjashtë javësh e lëshuan nga spitali – “plotësisht të shëndoshë”, siç i para shkruar Morrisit, derisa lotët e çlirimit shpirtëror më rridhnin faqeve.
Tash kisha kohë për punën time dhe për Menahemin, i cili nuk guxonte ta vizitonte Sarën në spital, prandaj që nga ardhja jonë në Nju-Jork më kishte parë shumë pak. Ai qe hidhëruar që Sara kishte mësuar pakëz anglisht nga motrat në spitalin “Beth Izrael”, ndërsa vetë duhej të merrej vesh duke kombinuar hebraishten me judishten. Morrisi u mungonte shumë fëmijëve. Ata vuanin edhe nga shkaku se unë duhej të udhëtoja për Pioneer Women nga vendi në vend, prandaj shpesh nuk isha “në shtëpi” me nga një muaj. Por, i mora e veti për të vizituar Clarën dhe Fredin. Nëna e Morrisit shkonte bashkë me ta në koncerte fëmijësh, në kinema dhe në operë. Mendoja se, nëse shëtisnin dhe njihnin botën, e cila ishte më e pasur se ajo në Tel-Aviv, do ta përjetonin më lehtë humbjen e atdheut. Fëmijët vërtet pëparuan shumë mirë. Sarën nuk mund ta njihje. Zaten, as njëri e as tjetri kurrë nuk do të pranonin se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është më mirë se sa në Palestinë. Mjedisi i huaj për ta ishte gjë e tmerrshme. Kështu, Menahemi nuk arriti me javë të kuptojë se pse të gjithë miqtë tanë në Nju-Jork flisnin se do të votonin për Ruzveltin. – Pse jo Ben Cvinë ose Ben Gurionin? – pyeste.
Sa më përket mua, ato dy vjet punova shumë. Kur u largova nga SHBA-të, në revistën Pioneer Women, të cilën e redaktova një kohë, m’u bë nder i tepruar në artikullin që u shkrua për mua me titullin “Goldie Meyerson’s Tour”.
Nga udhëtimet kisha edhe kujtime në mira
Një herë më ndodhi që të jem në rrugë gati tetë javë. Në tubime flisja për Palestinën dhe përpiqesha të mblidhja para e të bindja njerëz për anëtarësim në organizatën tonë. Duhma e stacioneve të trenave dhe jehona e zërit tim, më së shumti m’u ngulitën në kokë nga ajo kohë. Kam fjetur në dhjetëra banesa anekënd Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Kanadasë, kam hartuar qindra programe në judishte dhe në anglishte, shpesh lodhesha por nuk mërzitesha.
Mirëpo, nga këto udhëtime të pandërprera kisha edhe kujtime të mira. Me një rast, një mëngjesi me fërfëllazë dimri, arrita me tren në Uinipeg. Meqë nuk pashë asnjërën nga gratë që duhej të më prisnin, vendosa të shkoj në hotelin më të afërt, për të mos ia prishur gjumin askujt aq herët. Ende pa i hequr rrobat mirë, cingëroi telefoni. Një zë dëshpërues më thotë: - Mrs. Mejerson, ne, të gjitha jemi në stacionin e trenit. Një delegacion i madh dëshiron t’ju përshëndesë. Si t’u them tash grave se nuk të kemi pritur si duhet? Ato kanë aq shumë dëshirë t’ju dëshirojnë mirëseardhjen. Do të dëshpërohen shumë. I thashë: - Mos u merakosni. Pas disa minutash do të jem atje. Dhe, sërish u vesha, thirra taksinë, pas pesëmbëdhjetë minutash shkova në stacionin e trenit dhe u përshëndeta me delegacionin, i cili i lumtur më përcolli deri te shtëpia e nikoqires sime.
Më kujtohet, gjithashtu, kur në një tubim të madh në një qytet në lindje të SHBA-ve u desh të flas tri herë radhazi: të shtunën në mbrëmje, të dielën para dite dhe të dielën në mbrëmje. Të dielën pas dreke, u shtriva të pushoj ndonjë orë në banesën e një gruaje, kur hyri brenda kryetarja e organizatës vendore të Pioneer Women Club, u ul në shtratin tim dhe filloi të më flasë energjikisht. – Dëgjo, Golda. Ju flisni shumë mirë, por jo si grua. Kur ishte këtu Rachel Janait-Ben Cvi, qajti, por qamë edhe të gjitha ne. E, ju po flisni sikur mashkull dhe askush nuk po qan.
E gjithë ajo që munda t’i them ishte kjo: - Më vjen keq, por unë nuk di të flas ndryshe.
Edhe pse isha e lodhur, ajo më mbante ligjëratë se duhej të flisja si femër. Mendonte se e kisha gabim që për Pioneer Women nuk flisja vetëm për Këshillin e grave-punëtore, por flisja edhe për Histadrutin përgjithësisht, për problemet e emigrantëve dhe për situatën politike. Nuk e dinte se po të flisja vetëm për gratë-punëtore nuk do të mund të mblidhej asnjë metelik.
Mblidhnin para për Palestinën edhe duke lozur me letra
Në një udhëtim tjetër, arrita në një qytezë ku anëtaret më pritën mrekullueshëm. Atë vit kishin mbledhur para më shumë se kurrë më parë, edhe pse ishin bashkësi e vogël. I pyeta: - Si ia arritët kësaj? Më thanë: - Duke lozur me letra! Kjo më theu shpirtërisht. I pyeta: - Për Palestinën luanin me letra? A na duhen para të tilla? Nëse doni të luani letra, luani sa të doni, por mos e bëni këtë në emrin tonë! Të gjitha heshtën, pos një gruaje, e cila foli me zë të ulët: - Havera (shoqja) Golda, a nuk luani letra ju në Palestinë? – Natyrisht se jo! – iu përgjigja me nervozë. – Çka mendoni se jemi ne?
Kur pas një viti u ktheva në banesën time në Tel-Aviv, pashë disa anëtarë të Histadrutit se si rrinin në mbrëmje në tarracat e tyre dhe loznin me letra, për fat jo me para. Me shumë dëshirë do t’i kisha shkruar asaj gruaje për t’i kërkuar falje, por nuk ia mbajta në mend emrin.
Ndërmjet dy udhëtimeve shkruaja artikuj për revistën dhe angazhohesha për shitjen e prodhimeve të punuara apo të kultivuara në Palestinë. Në artikujt e mi trajtoja tema politike që kishin të bënin me sionizmin punëtor.
Në verë të vitit 1934, bëheshim gati për kthim në shtëpi. Kreva udhëtimin e fundit nëpër Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me qëllim që të përshëndetesha me Pioneer Women Clubs, të cilat i njoha aq mirë. Ndjeja respekt të madh nga ato gra të vyeshme, të cilat punonin aq punë të vështira, e bindur se gjithmonë do të na ndihmojnë dhe do të na përkrahin, pavarësisht nga ajo se çfarë do të ndodhë në Palestinë. Si u pa më vonë, në këtë aspekt pata të drejtë.
Më 1932 arrita në Nju-Jork me dy fëmijët e mi të vegjël që nuk dinin asnjë fjalë anglisht. Më 1934 u ktheva në Palestinë me dy fëmijë që tash flisnin edhe anglisht, edhe hebraisht. Ishin të stërlumtur që po takoheshin sërishmi me Morrisin.
Pas kthimit në Palestinë, më priste detyrë më e madhe se ajo e sekretareshës nacionale të Pioneer Women në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Disa javë pas kthimit tonë në Palestinë, më lutën të hyj në Va’ad hapoel (Komiteti ekzekutiv i Histadrutit).
Nëse Histadruti paraqiste formë të avancuar të vetëadministrimit hebraik në Palestinë, Va’ad Hapoel ishte qeveri, ku gjatë katërmbëdhjetë vjetëve në vijim do të më besohen përgjegjësi të ndryshme.
Tmerrohesha me faktin se një hebre kishte mundur ta vriste hebreun tjetër
Përjetova edhe pasojat tragjike të tragjedisë e cila kishte goditur Levizjen punëtore derisa unë isha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një nga yjet e Mapajit, ndër njerëzit më të mençur dhe më me perspektivë, i riu Haim Arlosoroff, ishte vrarë derisa po shëtiste me gruan e tij brigjeve të Tel-Avivit, vetëm sapo ishte kthyer nga udhëtimi studimor në Gjermaninë e Hitlerit. Për vrasje u akuzua Abraham Stavsky, anëtar i partisë djathtiste revizioniste. U dënua, por gjyqi e liroi në mungesë provash. Sigurisht që kurrë nuk do të zbulohet se kush ishte vrasësi, por asokohe e gjithë udhëheqja e Lëvizjes punëtore, sikur edhe unë, besonte se fajtor është Stavsky. Arlosoroff angazhohej për politikë të matur dhe të kujdesshme në vendin tonë dhe në botë. Arlosoroffin nuk e njihja mirë, por forca e tij shpirtërore dhe largpamësia e tij politike lenin përshtypje tek unë dhe te të tjerët. Vrasja e tij, për të cilën pata marrë vesh në Nju-Jork, më tronditi shumë.
Para së gjithash, tmerrohesha me faktin se, në Palestinë, një hebre, ka mundur ta vrasë hebreun tjetër. Ekstremizmi politik, pra, çonte drejt gjakderdhjes edhe brenda Jishuvit.
Nga fundi i vitit 1933 dhe në fillim të vitit 1934 dukej se brenda Jishuvit ishin tërhequr linja të trasha të ndarjes. Revizionistët akuzonin Histadrutin për “shpifje të përgjakshme” dhe e akuzonin se po e shkatërronte Jishuvin, sepse nuk u jepte punë josocialistëve dhe kështu i bënte “të uritur” kundërshtarët e vet politikë. Në tërë vendin ndodhën konflikte të përgjakshme mes punëtorëve. Ben Gurioni mendonte se me çdo kusht duhej ruajtur unitetin brendapërbrenda komunitetit hebraik në Palestinë. Shumica prej nesh, ndër ta edhe unë, mendonim njësoj. Ben Gurioni propozoi “armëpushim” në formë të pajtimit mes të djathtës dhe të majtës. Shpresonte se kështu do të ndalej përçarja. Kalonim orë të tëra duke debatuar ashpër, nganjëherë edhe në mënyrë histerike, për marrëveshjen e planifikuar, por propozimi i Ben Gurionit u refuzua.
Mirëpo, papunësia dhe konflikti i brendshëm ishin vetëm dy probleme rreth të cilave kontestonim njëri-tjetrin. Kishte edhe çështje të tjera shumë serioze.
Antisemitizmin hitlerian besonim se nuk do ta lejonte bota
Jo vetëm në Palestinë, por edhe gjithkund në botë, qielli u mbulua me re që paralajmëronin shtrëngatë. Më 1933, Hitleri u ngrit në pushtet. Ç‘është e vërteta, së pari dukeshin absurde kërkesat e tij të zhurmshme për kontroll të botës nga raca ariane. Antisemitizmi i dhunshëm, për ç‘gjë u angazhua që nga fillimi, megjithatë nuk doli të ishte frazë e kotë. Një nga veprat e tij të para ishte shpallja e ligjeve kundërhebraike, me të cilat iu morën të gjitha të drejtat qytetare dhe njerëzore hebrenjve në Gjermani. Askush (e as unë) as në ëndërr nuk ka menduar që zotimi i Hitlerit se do të shkatërrojë hebrenjtë do të bëhet realitet. Besonim se bota nuk do ta lejojë një gjë të tillë.
Më 1934 depërtuan deri në Palestinë me mijëra emigrantë të përndjekur dhe të paatdhe. Shumica prej tyre sollën me veti vetëm atë që kishin arritur të shpëtonin, ndërsa pjesa dërrmuese e tyre erdhi pa asgjë. Bëhej fjalë për njerëz me shkollim superior, të zellshëm dhe energjikë. Popullata me më pak se 400 mijë vetë u desh të pranonte menjëherë 60 mijë burra, gra e fëmijë. Kjo ishte detyrë jo e vogël, kur dihej se ajo popullatë edhe ashtu vështirë mbijetonte. Duhej të merreshim jo vetëm me terrorin përditë e më të madh të arabëve, por edhe me indiferencën, të mos them armiqësinë, e pushtetit mandator. Mijëra burra, gra e fëmijë, të ardhur nga Gjermania e nga Austria, kërkonin vendstrehim dhe vende pune; duhej t’ua mësonim hebraishten dhe t’i mësonim të adaptoheshin. Avokati nga Berlini, muzikanti nga Frankfurti, kimisti nga Vjena, duhej brenda natës të shndërroheshin në shpeztarë, kamarierë dhe muratorë. Duhej, gjithashtu brenda natës, të adaptoheshin me jetën e re. E gjithë kjo nuk ishte punë e lehtë, as për ata e as për ne. Më duket e çuditshme se si i mbijetoi Jishuvi ato vite. Doli edhe më i fortë. Sipas mendimit tim, ekzistojnë vetëm dy reakcione kur ndodh e keqja për kombin: njeriu ose thyhet dhe dorëzohet e thotë: - Thjesht, më nuk shkon kështu!, ose i shtrëngon dhëmbët dhe lufton njëkohësisht në fronte të ndryshme derisa të jetë nevoja. Ne bëmë mu këtë dhe mu këtë e bëjmë edhe sot.
Lini një Përgjigje