Golda Meir: Izraeli im (20) Lufta e vërtetë – Ma’avak – u bë më 1945 por, sipas mendimit tim, viti 1946 ishte vit vendimtar.

30 Tetor 2023, 17:30Dossier TEMA

 

Golda Meir: Izraeli im (20) Lufta e vërtetë – Ma’avak

 

Në shtator të vitit 1943 u paraqita si dëshmitare në një proces gjyqësor ushtarak, proces ky që do të bëhet rast i rëndësishëm në Palestinë. Dy hebrenj të rinj ishin akuzuar se kishin vjedhur armë nga armata për t’ia dorëzuar ato Haganës. Si anëtare e Va’ad Hapoel më ftuan në gjykatën ushtarake që të dëshmoj. Prokurori ishte një major i papërshtatshëm me emrin Bakster, i cili shihej qartë se më pak interesohej për dy djelmoshat, se sa për atë që organizatën hebraike të vetëmbrojtjes ta paraqiste si lëvizje shumë të përhapur të terroristëve, nga të cilët është rrezikuar siguria publike në Palestinë. Ai i lejoi vetes të marrë nëpër gojë Jishuvin, duke thënë se një nga arsyet që aq shumë hebrenj janë lajmëruar për të kryer shërbimin ushtarak është se ata në këtë mënyrë marrin armët në dorë. (Mund ta paramendoni se si e ndjeva veten kur, më 1975, nga majori Bakster mora një letër të shkruar nga Irlanda, në të cilën më uronte që, në një anketë amerikane, isha zgjedhur “grua e vitit”).

 

Nëse thua jo, kurrë nuk do të pendohesh!

 

Dorën në zemër, do të them se isha shumë e lumtur që m’u dha rasti t’ia numëroj të gjitha majorit Bakster, por natyrisht se duhej të isha e kujdesshme në këtë. E dija se Baksteri dëshironte që, para së gjithash, të tregonte se agjencia hebraike, një institucion zyrtar, dhe Hagana ilegale punonin dorë për dore. U betova se Baksteri nuk do të mund të nxjerr më shumë fakte se sa që duhej të dinte ai. Për moto mora një fjalë të urtë të nënës sime: “Nëse thua jo, kurrë nuk do të pendohesh!”. Besoj se thekset nga marrja ime kryqëzore në pyetje nga majori Bakster tregon më mirë atë se si silleshin britanikët ndaj nesh më 1943, se sa që do të mund ta përshkruaja sot atë sjellje të tyre. Këtu po botoj një pjesë nga raporti që është botuar në “Palestine Post” (sot “Uashington Post”), më 7 shtator 1943, në gjuhën angleze. Disa sqarime: Ben Shemen është fshat i rinisë në të cilin britanikët rrotulluan gjithçka duke kërkuar armë kot së koti.

Majori B.: Ju jeni grua e mirë dhe e qetë, që e respekton ligjin, apo jo?

G.M.: Mendoj se po.

Majori B.: A keni qenë gjithmonë e këtillë?

G.M.: Kurrë deri më sot nuk jam akuzuar për asnjë kundërvajtje.

Majori B.: Dëgjoni se çfarë keni thënë me një fjalim më 2 maj 1940 (lexon nga një dokument): “Njëzet vjet kemi shpresuar në qeverinë britanike, por jemi mashtruar. Rasti Ben Shemen është dëshmi për këtë. Rininë tonë nuk e stërvitëm kurrë për përdorimin e armëve të zjarrit që të sulmojmë, por vetëm për qëllime të mbrojtjes. Nëse këta të rinj janë kriminelë, atëherë të gjithë hebrenjtë në Izrael janë kriminelë”. Çka mund të thoni për këtë?

G.M.: Nëse është fjala për mbrojtjen, atëherë edhe unë jam për këtë, si çdo hebre në Palestinë.

Majori B.: Ju, personalisht, a keni ushtruar përdorimin e armëve?

G.M.: Nuk e di se a duhet të përgjigjem në këtë pyetje. Gjithsesi, kurrë nuk e kam përdorur armën e zjarrtë.

Majori B.: A e keni stërvitur rininë hebraike për përdorimin e armëve të zjarrit?

G.M.: Rinia hebraike mbron jetën dhe pasurinë hebraike në rast të incidenteve, nëse është e nevojshme të mbrohen jeta dhe pasuria. Edhe unë do të mbrohesha sikur të gjithë hebrenjtë e tjerë.

Kryetari i gjyqit: Ju lutem të përgjigjeni vetëm në pyetjet që ju bëhen.

Majori B.: A keni në kuadër të Histadrutit shërbim të spiunimit?

G.M.: Jo.

Majori B.: Si?

G.M.: E thashë dhe më dëgjuat: jo!

Majori B.: A keni dëgjuar për Haganën?

G.M.: Po.

Majori B.: A kanë armë ata?

G.M.: Nuk e di, por supozoj se po.

 

Të gatshëm për vetëmbrojtje

 

Majori B.: A keni dëgjuar për Palmahun?

G.M.: Po.

Majori B.: Çka është ajo?

G.M.: Së pari kam dëgjuar për Palmahun si grupe të rinjsh që janë organizuar me dijen e pushtetit. Kanë stërvitur në kohën derisa armata gjermane i afrohej Palestinës. Detyrë e tyre ishte të ndihmonin armatën britanike me të gjitha mjetet po qe se armiku do të depërtonte në vend.

Majori B.: A ekzistojnë ende këto grupe?

G.M.: Nuk e di.

Majori B.: A është kjo organizatë legale?

G.M.: Gjithë ajo që di unë është se këto grupe ishin të organizuara që t’i ndihmonin armatës britanike, me dijen e pushtetit. (Pasi dëshmitarja deklaroi se anëtari i Histadrutit mund të ishte njëkohësisht edhe anëtar i Haganës, majori Bakster e pyeti atë se a është e gatshme të bëjë atë për të cilën ka folur më 1940).

G.M.: Ju jeni të gatshëm që të mbroheni në rast se sulmoheni. Në këtë shtet kemi përvoja shumë të hidhura. Nëse them se jam e gatshme të mbrohem, atëherë dua të më kuptoni drejt. Ajo mbrojtje nuk është teorike. Ende i kemi të freskëta tollovitë që ndodhën më 1921, më 1922 dhe më 1929 dhe tollovitë që zgjatën katër vjet – nga viti 1936 e deri më 1939. Gjithkush e di, prandaj edhe pushteti, se këtu nuk do të mbetej asgjë dhe se nderi hebraik do të nëpërkëmbej po të mos kishte njerëz të gatshëm për mbrojtje. Të rinjtë trima hebraikë mbrojtën vendbanimet hebraike.

Majori B.: A nuk e dini se pushteti ka aftësuar 30.000 policë ndihmës të armatosur hebraikë?

G.M.: Po, e di, por e di edhe atë se çka ka bërë pushteti për ne para vitit 1936. Por askush nga pushteti nuk mund të mohojë se do të mund të na ndodhnin gjëra të tmerrshme, po të mos ishin hebrenjtë të gatshëm të mbroheshin. Veç kësaj, ne jemi krenarë me hebrenjtë e getos varshaviane, të cilët praktikisht u ngritën të paarmatosur kundër përndjekësve të tyre dhe ne jemi të sigurt se ata kishin si shembull vetëmbrojtjen hebraike në Palestinë.

Majori B.: Çfarë ndodhi me 300 pushkët dhe me municionin që iu vodh armatës?

G.M.: Ne jemi të interesuar për atë luftë dhe për fitoren e forcave britanike. Ne, prandaj, e shohim vjedhjen e armatës si kundërvajtje.

Majori B.: Por, ato armë do të mund të ishin të levërdishme për Haganën?

G.M.: Nuk ka hebre që nuk është i interesuar për atë luftë dhe për fitoren e forcave britanike.

Majori B.: Mos dëshironi të thoni se armët ikën vetë, apo jo? (Ia tregon dëshmitares fletëlëshimin e njërit nga të akuzuarit). Kjo kartë identifikimi, me gjasë, çon te ajo se ju keni aplikuar obligimin ushtarak? (Dëshmitarja deklaron se nuk është kurrfarë sekreti se Agjencia hebraike me kohë ka nisur fushatën për rekrutim dhe se secili hebre është dashur t’i lajmërohet forcave ushtarake. – Jemi në luftë me Hitlerin që nga viti 1933 – tha ajo).

 

Po të ishte zgjidhur çështja hebraike para dy mijë vjetësh...

 

Kryetari i gjyqit: A nuk mendoni ju se qeveria mund të vlerësojë më së miri se a është i nevojshëm apo nuk është i nevojshëm rekrutimi ushtarak? A nuk ishte punë më e mençur që t’i përmbaheshit lojalisht vendimit të qeverisë se në këtë vend nuk është i nevojshëm kurrfarë obligimi ushtarak?

G.M.: Ne nuk jemi në pozitë të aplikojmë obligimin ushtarak në Palestinë. Nga ana tjetër, edhe qeveria e edhe armata i kanë ftuar hebrenjtë t’u bashkangjiten forcave të armatosura, ndërkaq që Agjencia t’i ndihmojë në këtë punë. Prandaj, mendonim se është më e drejtë t’u thonim hebrenjve se kjo është luftë e tyre.

Majori B.: A e quani ju punë vullnetare atë që të përjashtohet njeriu nga puna sepse kundërshton të paraqitet në rekrutim?

G.M.: Kjo është vetëm trysni morale. Kjo luftë është domethënëse për hebrenjtë më shumë se për këdo tjetër. (Në pyetjet e përsëritura të mbrojtësit dr. Joseph, Mrs. Meyerson deklaroi se në fushatën e rekrutimit që e udhëhoqi Agjencia hebraike morën pjesë bile edhe oficerë të lartë britanikë dhe se disa nga ata erdhën në Histadrut për të lutur për këshillë dhe për ndihmë gjatë rekrutimit të hebrenjve në armatën britanike).

Dr. Joseph: A është e vërtetë se në Hebron ka ndodhur masakër e tmerrshme dhe se është vrarë pothuajse e tërë popullata hebraike, vetëm e vetëm pse atje nuk ishte e organizuar vetëmbrojtje hebraike?

G.M.: Po. Kjo ndodhi më 1929, por e njëjta gjë ndodhi po atë vit edhe në Safad. Më 1936, për një natë ndodhi një gjakderdhje e tmerrshme në kuartin hebraik në Tiberijas dhe kjo ndodhi vetëm pse atje nuk kishte Haganë.

Majori B.: A ka pasur armë Hagana edhe para fillimit të luftës?

G.M.: Këtë nuk e di. Po supozoj se po. Edhe para luftës kishte trazira.

Kryetari i gjyqit: Ju lus që të përkufizoheni në atë që ka të bëjë me këtë rast dhe të mos ktheheni shumë larg, sepse jemi kthyer gati nja dy mijë vjet prapa.

G.M.: Po të ishte zgjidhur çështja hebraike para dy mijë vjetësh...

Kryetari i gjyqit: Heshtni!

G.M.: Kundërshtoj që dikush të më drejtohet në këtë mënyrë.

Kryetari i gjyqit: Duhet ta dini se si duhet të silleni në gjykatë.

G.M.: Ju lutem, të më falni nëse ju ndërpreva, por ju nuk guxoni të më drejtoheni në këtë mënyrë...

Të nesërmen i vizitova prindërit e mi në Herzlia. Nëna ma hapi derën dhe më tha: - Babai yt është jashtë gjatë gjithë mëngjesit, duke ua treguar fqinjve gazetën; gjithkujt po i thotë: Shikoni, kjo është Golda ime!

 

Nuk ndihmuan as lutjet e Hari Trumanit

 

Lufta e vërtetë – Ma’avak – u bë më 1945 por, sipas mendimit tim, viti 1946 ishte vit vendimtar. Shkas i drejtpërdrejtë ishte kundërshtimi i çuditshëm i qeverisë britanike që të pajtohej me thirrjen që ia kishte bërë jo dikush tjetër por vetë presidenti Truman. Ai i luti që 100.000 refugjatëve hebraikë nga Gjermania dhe Austria – pavarësisht nga Libri i Bardhë – me një akt të menjëhershëm humanitar, t’u lejohet hyrja në Palestinë. Por, britanikët, sigurisht duke besuar se “problemi” i hebrenjve të Evropës është shpikur vetëm e vetëm që qeveria britanike të kishte telashe, refuzuan propozimin e presidentit Truman. Bile, shtuan edhe atë se qeveria amerikane, e cila po brengoset shumë për hebrenjtë, do të mund të ndihmonte edhe vetë me qëllim që të gjendej zgjidhja e çështjes së Palestinës. Për këtë çështje, pastaj, u formua komisioni hetimor anglo-amerikan. Anëtarët e këtij komisioni vizituan DP-kampet, dëgjuan atje deklaratat e hebrenjve se duan të shkojnë vetëm në Palestinë, folën me liderët e hebrenjve britanikë dhe amerikanë dhe, në pranverë të vitit 1946, erdhën në Palestinë për të kryer hetimet e mëtejme.

Më 25 mars 1946, dola para komisionit si përfaqësuese e Histadrutit. Dhe, sërishmi, duhej të analizoheshin faktet. Paraprakisht kisha dërguar një histori të përmbledhur të hebrenjve dhe të të arriturave të tyre në Palestinë. U përpoqa të shpjegoj se çfarë do të thoshte të shikosh nga Palestina se si u vranë miliona hebrenj, pa pasur mundësi të mos ndërmarrësh asgjë. U përpoqa ta sinjalizoj komisionin se jemi të vendosur t’i japim fund asaj që poeti i madh hebraik Hajim Nahman Bialik e quajti “jetë e pakuptimtë dhe vdekje e pakuptimtë” e popullit tonë.

1 Komente

  1. L
    Luani

    Ms çate trapin me keta artikuj.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje