Kur "socialisti" Aleksandër Moisiu mbajti fjalim përkujtimor në parlamentin gjerman

13 Shkurt 2023, 10:34Dossier TEMA

Kur "socialisti" Aleksandër Moisiu mbajti fjalim përkujtimor

Më 13 nëntor 1919 aktori Aleksandër Moisiu foli para 1200 personaliteteve gjermane të cilat ishin tubuar në sallën e parlamentit në Berlin për të kujtuar politikanin socialdemokrat Hugo Haase, të vrarë nga një person me të meta mendore. Atëbotë Aleksandër Moisiu ishte – socialist. Për këtë arsye, autoritetet çekosllovake ia kishin ndalur hyrjen, por presidenti ia kishte lejuar. Më 1 maj 1919 Moisiu mbajti madje fjalim para punëtorëve të Zürichut

Nga Enver Robelli

Shoqëritë e organizuara i ruajnë kujtimet për të kaluarën në mënyrë të organizuar. Kanë arkiva, biblioteka, institute që punojnë në mënyrë sistematike. Në arkivin e landit të Baden-Württembergut në Gjermaninë jugore gjendet një kartë, një letër që shpjegon një histori interesante nga biografia e bujshme e aktorit shqiptar Aleksandër Moisiu. Letra është arkivuar me këtë shënim: “Einlasskarte für die Trauerfeier für Hugo Haase, 13.11.1919”, domethënë: fletëhyrje për ceremoninë e përmortshme për Hugo Hasse. Karta i përkiste një politikani socialdemokrat gjerman.

Më 13 nëntor 1919 në parlamentin gjerman, në Reichstag të Berlinit, u tubuan 1200 personalitete politike e shoqërore gjermane për t’i dhënë lamtumirën politikanit socialdemokrat, Hugo Haase, i cili pak ditë më parë ishte plagosur nga një person me të meta mendore dhe si pasojë e lëndimeve kishte vdekur. Fletëhyrja për ceremoninë e përmortshme përmban këto shënime: ceremonia do të mbahet në sallën e madhe të Reichstagut, do të fillojë me një kuartet harqesh dhe me një kor burrash, pastaj “Fjalë për prijësin e vdekur, të thëna nga Aleksandër Moisiu”. Ceremonia kishte vazhduar me fjalime të tjera, me një marsh funebër në kujtim të viktimave të revolucionit dhe, në orën 12:00, me varrimin e të vdekurit në varrezat Friedrichsfelde.

Shoqëritë e organizuara nuk i ruajnë vetëm fletëhyrjet për ceremonitë e përmortshme. Shoqëritë e organizuara ruajnë edhe fotografi. Atë ditë nëntori të vitit 1919, kur Moisiu mbante fjalim në Reichstagun gjerman, aty ishte edhe fotografi Robert Sennecke. Me aparatin e tij ai e ka përjetësuar aktorin shqiptar, duke deklamuar para të pranishmëve në sallën e madhe të parlamentit gjerman. Para foltores qëndron urna me hirin e të vdekurit, ndërsa Moisiu është i rrethuar me gjethnaja dhe duket sikur po flet në një kopsht botanik.

Robert Sennecke ishte ndër fotografët më të njohur të asaj kohe në Gjermani. Gjatë Luftës së Parë Botërore kishte fotografuar në frontin perëndimor (Francë dhe Flandri) si dhe në Greqi dhe në Perandorinë Osmane. Në Athinë dhe në Konstantinopojë (Stamboll) Robert Sennecke u shqua si vëzhgues i vëmendshëm i përditshmërisë. Për punën e tij Sennecke u nderua me medaljen osmane të luftës “Gjysmëhëna e Hekurt”.

Më së largu këtu – në mos në fillim të këtij teksti – lexueset dhe lexuesit mund të pyesin me të drejtë: E ç’kërkoi Aleksandër Moisiu (1879-1935) në parlamentin gjerman, madje si mbajtës fjalimi në një ceremoni të përmortshme?

Pas Luftës së Parë Botërore në të cilën kishte marrë pjesë vullnetarisht si ushtar gjerman, Moisiu gjithnjë e më shumë simpatizonte me idetë socialiste, andaj ishte afërmendsh që socialdemokratët gjermanë ta angazhonin atë që të mbajë fjalim në parlament pas vrasjes së politikanit prominent të së majtës progresive, Hugo Haase.

Qarqet reaksionare dhe nacionaliste e etiketonin Moisiun si ideologjikisht të kuq. Në qershor 1919 autoritetet çekosllovake ia ndaluan hyrjen për shkak të orientimeve të tij komuniste. Moisiu i dërgoi një ankesë me shkrim presidentit të Çekosllovakisë Tomas Masaryk. Duke qenë intelektual dhe autor i një libri mbi historinë mendore dhe fetare të Rusisë, Masaryk iu përgjigj Moisiut: “I besoj garancisë suaj se qëndrimin në Pragë dhe në mbarë vendin do ta përdorni vetëm për qëllime artistike”.

Edhe Zvicra e paralajmëroi Moisiun se leja për hyrje në këtë shtet i lëshohej me kusht që të mos merrej me asnjë veprimtari agjitatore. Në mbrëmjen e 1 majit 1919 Moisiu kishte folur para punëtorëve të Zürichut duke u deklaruar si simpatizant i socialistëve të pavarur. Në Vjenë shoqata e studentëve dhe akademikëve socialdemokratë kishte ftuar Moisiun të marrë pjesë në një mbrëmje letrare revolucionare. Moisiu, siç shkruan biografi i tij gjerman Rüdiger Schaper, kishte pranuar ftesën dhe kishte zgjedhur për atë mbrëmje një tekst të Victor Hugos mbi Voltaire.

Pas kërcënimeve dhe marshimeve të organizatave nacionaliste studentore, autoritetet ndaluan mbrëmjen letrare me Moisiun. Në një intervistë, Moisiu u pyet se kur do të luante sërish në Burgtheater, në teatrin e famshëm të Vjenës. Ai u përgjigj: “Vetëm prisni, pas një viti populli do të jetë në Burgtheater, dhe përfituesit e luftës dhe milionerët do të jenë jashtë, tek unaza. Atëherë do të luaj, atëherë dua të luaj në Burgtheater”.

 

1 Komente

  1. b
    ben

    Gjeniu shqiptar i teatrit qe nuk lind me. Zoti Auron Tare beri nje pyetje ne njerin nga intervistat e tij se perse ne shqiptaret duhet te jemi krenare? Ai aludonte se ne nuk kemi aresye per te qene krenare. Ne nje nga komentet, une shkruajta shume aresye se perse ne duhet tejemi krenare per historine e kombit tone. Harrova te permend Aleksander Moisiun qe eshte nje aresye tjeter perpos miljona aresyeve se perse ne shqiptaret duhet te jemi krenare per kombin tone, qe ka lindur gjeni si ai.

    Lini një Përgjigje