Të panjohurat dhe pasojat e Reformës Agrare të 1945. Varianti i parë ‘ i rrezikshëm” i ndarjes së tokave. “Diagnozë” historike e pronësisë në Shqipëri

1 Shtator 2022, 22:25Dossier TEMA

Të panjohurat dhe pasojat e Reformës Agrare të 1945. Varianti i

Nga Kreshnik Kuçaj

Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore solli në Shqipëri jo vetëm ndryshimin e pushtetit politik, por edhe ndryshimin e modelit ekonomik. Si rrjedhojë, në një vend ku ekonomia bazohej kryesisht të bujqësia, rindarja e pronës nuk mund të ishte një element i dorës së dytë në procesin e atyre që u konsideruan si reforma transformuese. Pa humbur kohë, pushteti i ri kishte hartuar një program disa dimensional që në thelb synonte të ndryshonte pronësinë mbi tokën.

E ky program, kishte dy qëllime; qëllimi i parë ishte goditja e shpejtë e pronarëve të mëdhenj të tokave për t’i eleminuar nga jeta ekonomike e vendit e si rrjedhojë dhe nga ndikimi politik ndërsa qëllimi i dytë ishte ai i rishpërndarjes së pronave, duke u dhënë tokë atyre që nuk e kishin.

Në vitin 1944, pronësia ishte e ndarë në këtë mënyrë:

7 latifondistë me 14 mijë e 554 hektarë tokë

-4 mijë e 713 pronarë të pasur ,me 91 mijë e 133 hektarë tokë

-Çifligje të shtetit me 50 mijë hektarë tokë

-128 mijë e 961 pronarë të mesëm e të vegjël me 237 mijë e 668 hektarë tokë.

Referuar këtyre të dhënave zyrtare të kohës, rezulton se 60 % e pronës zotërohej nga kategoria “fshatarë të mesëm dhe të vegjël” dhe 23 % nga pronarë të pasur.

Varianti i parë ‘ i rrezikshëm” i Reformës Agrare”

Ndërsa po diskutohej programi për rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik të Shqipëri, në grupimin politik që sapo kishte marrë pushtetin pas luftës do të spikaste edhe një mendim alternativ. Pjesë e mendimit alternativ ishin deputetë e figura të njohura publike si Shefqet Beja, Kostandin Boshnjaku, Kolë Kuqali, Selaudin Toto, Gjergj Kokoshi etj. Regjimi i kohës i cilësonte idetë e tyre si një si të frymëzuara nga i ashtuquajturi “oportunizëm i djathtë” i Sejfulla Malëshovës. Ky i fundit, ishte i mendimit që Reforma Agrare të realizohej duke mbrojtur edhe ata që për kohën cilësoheshin si ‘fshatarë të pasur”.

Malëshova ishte anëtar i Komisionit qeveritar për hartimin e ligjit të Reformës Agrare dhe kryetar i Këshillit Ekonomik por do të eleminohej nga funksionet e larta politike gjatë periudhës së regjimit komunist. Anëtarët e tjerë të ‘mendimit alternativ’ do të eleminoheshin politikisht dhe fizikisht.

Kur nisi puna për hartimin e Reformës Agrare, Këshillit Ekonomik iu paraqit një raport alternativ për mënyrën sesi duhej realizuar reforma, por ky raport u cilësua si ‘i rrezikshëm” nga pushteti i kohës.

Raporti i paraqitur nga ‘të djathtët’ parashikonte një Reformë Agrare të zhvilluar në disa faza. Autorët propozonin që fillimisht të miratohej një ligj tranzitor që të krijonte shkëputjen e bujqve nga pronarët. Shkëputja parashikohej të bëhej përmes dhënies së tokës fshatarëve që i punonin tashmë ato kundrejt qirasë apo formave të tjera të bashkëpunimit.

Në këtë mënyrë, mund të shmangeshin pakënaqësitë mes fshatarëve dhe pronarëve e nga ana tjetër, qeveria merrte kohën e duhur për të krijuar një projekt reforme agrare të përshtatshëm, që do të aplikohej në një moment të dytë.

Projektligji alternativ që propozohej parashikonte që bujqit që ndodheshin në pronat që do të shpronësoheshin do të vazhdonin t’i punonin ato për llogari të tyre derisa të zbatohej ligji përfundimtar mbi Reformën Agrare. Gjatë kësaj kohe ata nuk mund t’i shisnin apo jepnin me qira e as t’i hipotekonin ato. Po ashtu, projekti alternativ parashikonte që tokat e shtetit, tokat e konfiskuara dhe pronat private që nuk përdoreshin për bujqësi të shpronësoheshin dhe t’u jepeshin bujqve.

Një propozim tjetër ishte ai që pronarëve që merreshin me bujqësi t’u liheshin në pronësi 40 hektarë për ata që kishin bujqësi të zhvilluar dhe që kishin kontribuar në luftën për çlirimin e vendit si dhe nga 20 hektarë për pronarët e tjerë të mëdhenj. Propozimi parashikonte që çdo familje fshatare të përfitonte nga 3 hektarë në toka me cilësi mesatare kur kishin dy anëtarë dhe nga gjysëm hektari për çdo pjestar më shumë të familjes si dhe 1.5 hektarë kullotë. Për tokat që do të shpronësoheshin, ky projekt parashikonte që pronarët e shpronësuar të dëmshpërbleheshin.

Shpenzimet e shpronësimit, propozohej që të përballoheshin nga një fond i veçantë agrar, i përbërë prej kontributit vjetor të fshatarësisë që do të përfitonte nga Reforma dhe nga kontributi i shtetit me anë të Bankës Bujqësore.

Praktikisht, ky propozim ishte i ngjashëm me Reformën e vitit 1930, që bazohej mbi rekomandimet e profesorit italian Giovanni Lorenzoni.

Ky projekt u konsiderua nga regjimi komunist si një ‘projekt me pasoja të rrezikshme politike, ekonomike e shoqërore”. Qeveria e kohës e rrezoi këtë projekt duke i hapur rrugë projektit të ri, që në thelb parashikonte shpronësim pa limit dhe pa dëmshpërblim të pronarëve.

Hapat parapërgatitorë të Reformës Agrare

Para realizimit të Reformës Agrare u ndërmorën disa hapa përgatitorë. Hapi i parë ishte konfiskimi i pasurive bujqësore atyre që konsideroheshin si ‘armiq të popullit”.

Me 15 dhjetor të vitit 1944 u miratua ligji për konfiskimin e pasurive të të arratisurve politikë. Këtij ligji i nënshtroheshin të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, duke përfshirë dhe tokat. Po ashtu, këto komisione përcaktonin se cilat toka u duheshin ndarë atyre që kategorizoheshin si fshatarëve të varfër.

Komisionet duhej të zbulonin çdo akt mashtrimi e spekulimi, shitblerje false  fshehje të këtyre pasurive që mund të kishin bërë pronarët ose administratorët e tyre me qëllim që t’i shpëtonin konfiskimit.

Për këtë qëllim, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalclirinmtar me 14 janar të vitit 1945 nxorri edhe një ligj tjetër sipas të cilit të gjitha aktet e kryera pas Konferencës së Pezës e vitit 1942 që kishin të bënin me ndryshimin e gjendjes juridike të pronësisë mbi këto pasuri nuk kishin asnjë vlerë.

Referuar një studimi të kryer nga Faik Qytyku, të publikuar në revistën “Studime Historike” të vitit 1988, nga të dhënat e 19 nënprefekturave rezultonte se deri në fund të qershorit të vitit 1945 ishin konfiskuar 21 mijë e 485 hektarë tokë. Në bazë të regjistrimeve të kohës, rezulton se në Elbasan u konfiskuan toka me sipërfaqe 5 mijë e 993 hektarë, në Durrës 785 hektarë, Korçë 1 mijë e 273 hektarë, Tiranë 545 hektarë dhe Vlorë 1 mijë e 925 hektarë. Vetëm në këto 5 qarqe, ishte realizuar 50 % e shpronësimeve, me rreth 10 mijë e 521 hektarë.

Konfiskimit iu nënshtruan në radhë të parë pronat bujqësore të atyre pronarëve që konsideroheshin se kishin tradhëtuar interesat e larta të atdheut dhe kishin kryer krime ndaj popullatës.

Në listë ishin pronat e disa pronarëve të mëdhenj të atyre viteve si Shefqet Vërlaci, Ibrahim e Dervish Biçaku, Irfan Ohri, Veli Juba, Nazmi Alltuni, Abaz Kupi, Qemal e Nexhmedin Vrioni, Nuredin e Xhelal Vlora, Kadri e Hajdar Cakrani, Et’hem Frashëri, Omer Fortuzi, Maliq Bushati, Jup Kazazi etj.

Tokat e konfiskuara u dhanë pothuajse të gjitha për përdorim të përkohshëm deri në zbatimin e Reformës Agrare, te bujqit që i kishin punuar më parë ose te fshatarët e varfër.

Në këtë mënyrë, konfiskimi i pasurive të atyre që konsideroheshin si kriminelë lufte apo që ishin të arratisur politikë solli asgjësimin e asaj që konsiderohej si bazë ekonomike e kundërshtarëve të regjimit.

Komisionet dhe Zyrat për Tokat e Shtetit

Referuar studimit të publikuar te ‘Studime Historike’, shteti i ri trashëgoi 65 mijë e 643 hektarë tokë çifligje shtetërore nga të cilat rreth 50 mijë hektarë tokë e punuar ose e punueshme. Për të studiuar gjendjen e tyre dhe për të përgatitur zbatimin e Reformës Agrare në to, në dhjetor të vitit 1944 u krijua pranë Ministrisë së Ekonomisë, Komisioni për Tokat e Shtetit.

Komisionet dhe zyrat e tokave të shtetit regjistruan dhe evidencuan të gjithë bujqit që kishin në përdorim këto toka, studiuan dhe evidencuan gjendjen e secilit bujk, gjendjen familjare, sasinë e tokës që kishte në përdorim, familjet e shpërngulura nga zonat e tjera e që ishin vendosur në to nga këshillat nacionalçlirimtare.  Njëkohësisht ato kërkuan e gjetën harta dhe plane për disa nga këto çifligje dhe u bënë organeve më të larta propozime konkrete lidhur me ndarjen e administrimin e tyre. Këto të dhëna i shërbyen Ministrisë së Ekonomisë për përgatitjen e ligjit të Reformës Agrare dhe pastaj zbatimin praktik të saj në këto toka” shkruan Qytyku në studimin e tij për këtë periudhë.

Gjatë këtij procesi një rëndësi e madhe iu kushtua edhe kërkesës për shpërngulje të familjeve që ishin dëmtuar nga lufta apo që nuk kishin tokë bujqësore që mund ta shfrytëzonin për nevojat e tyre.

Me miratimin e Këshillave Nacionalçlirimtare u bënë zhvendosje provizore për shumë familje dhe u dhanë tokë për një vit bujqësor nga tokat e shtetit familjeve pa tokë dhe me pak tokë.

Historiani i njohur saktëson se pavarësisht se u cilësuan si komisione të Reformës Agrare, në fakt Komisionet për Tokat e Shtetit e ushtruan veprimtarinë e tyre vetëm për pronat shtetërore dhe funksionuan për një kohë shumë të shkurtër nga dhjetori 1944 deri në verën e vitit 1945.

Ndalimi i shitblerjes, i tjetërsimit dhe i hipotekimit të pronave bujqësore

Një vendim shumë i rëndësishëm i ndërmarrë para shpalljes së Reformës së re Agrare ishte ai i pezullimit të procesit të shitblerjes së tokës, tjetërsimit të saj apo hipotekimit.

Me 19 janar të vitit 1945 doli një urdhëresë e posaçme nga Ministria e Drejtësisë që parashikonte ndalimin e shitblerjes, hipotekimit, pjestimit apo tjetërsimit të pronave bujqësore. Sipas kësaj urdhërese, zyrat noteriale e zyrat e hipotekës ndaloheshin të nxirrnin e të lëshonin akte që kishin si objekt shitblerjen ose ndryshimin e gjendjes juridike të pronësisë së pronave bujqësore.

Kjo masë në fakt erdhi si reagim ndaj përpjekjeve që mund të bënin pronarët e tokave për të mos u prekur nga shpronësimi. Në këtë periudhë u konstatuan shumë veprime të shpejta për ndarjen e pronësisë përbrenda familjeve pronare ose tentativa për shitjen apo dhurimin fiktiv të shpejtë të pronave.

Në këtë periudhë, nuk munguan as hetimet për këtë qëllim ku rezultoi se praktika të ngjashme ishin bërë thuajse në çdo prefekturë e nënprefekturë të vendit.

Krijimi i Komiteteve të Fshatarëve të Varfër

Një nga veprimet më të rëndësishme në kuadër të përgatitjes për Reformën e re Agrare ishte krijimi i Komiteteve të Fshatarëve të Varfër.  Nëpërmjet tyre, synohej thyerja e rezistencës që mund të krijohej për zbatimin e shpejtë të Reformës Agrare.

Duke huazuar modelin sovjetik, më 20 qershor të vitit 1945 Ministria e Ekonomisë nxorri një urdhëresë të posaçme sipas së cilës në çdo fshat, krahinë ose çiflig të madh krijoheshin Komitete të Fshatarëve të Varfër që kishin në përbërje 16-18 anëtarë.

Komitetet e ushtronin veprimtarinë e tyre në tokët e shtetit dhe atyre që u ishin konfiskuar e atyre që konsideroheshin si tradhëtarë. Ndërsa pronat private të mëdha nuk përfshiheshin në ligjin që rregullonte veprimtarinë e komiteteve.

Komitetet kishin detyrë që të zbulonin e të regjistronin të gjitha tokat e shtetit, të privatëve, enteve private e fetare, si dhe ato të konfiskuar, të gjenin kufinjtë e vërtetë të këtyre pronave dhe të përcaktonin ndarjen e tyre sipas kulturave bujqësore, të regjistronin të gjithë bujqit që ndodheshin në këto prona, gjendjen familjare dhe ekonomike të tyre.

Kushdo që neglizhonte ose abuzonte në kryerjen e detyrave, që jepte informata të gabuara ose refuzonte t’u jepte ndihmën e kërkuar me qëllim, do të dënohej si sabotator sipas ligjit të 21 dhjetorit të vitit 1944 për sabotatorët e luftës.

Miratimi i ligjit të Reformës Agrare

Pas këtyre masave përgatitore, me 29 gusht të vitit 1945 u shpall ligji i Reformës Agrare. Në bazë të këtij ligji, shpronësoheshin e u ndaheshin fshatarëve pa tokë ose me pak tokë, çifligjet dhe pronat e mëdha private e të institucioneve fetare.

Ligji përjashtonte nga shpronësimi tokat me madhësi deri në 40 hektarë kur pronari e drejtonte vetë ekonominë dhe e shfrytëzonte me mjete të përparuara, deri në 20 hektarë kur pronari e shfrytëzonte dhe e administronte vetë tokën por e shfrytëzonte atë me mjete të zakonshme pune si dhe deri në 7 hektarë për ata pronarë që nuk merreshin me bujqësi me kusht që brenda dy viteve ta punonin vetë ose ta vinin tokën nën administrimin e tyre të drejtëpërdrejtë.

Reforma parashikonte që çdo familje fshatare të përfitonte 5 hektarë tokë. Kur numri i pjesëtarëve të familjes ishte mbi 6 persona, atëhere për çdo person më tepër shtohej gjysëm hektari tokë. Shitja, blerja dhe dhënie me qira e tokës u ndalua.

Por pa kaluar shumë kohë, ligji për Reformën Agrare do të ndryshohej me argumentin se ishte gabim lënia pronarëve e sasisë së tokës nga 20-40 hektarë, që konsiderohej si shumë e madhe.

Edhe në këtë rast, historia duket se përsëriti vetveten si në aspektin e sjelljes së autoriteteve shtetërore, ashtu edhe në aspektin e modifikimit të ligjit. Të vetmet ndryshime ishin filozofia e reformës dhe objektivat që synoheshin të arriheshin përmes saj.

Njësoj si me reformën e Ahmet Zogut, edhe këtë herë zona e parë ku u zbatua Reforma Agrare ishte Myzeqeja. Me 3 shtator të vitit 1945 nisi matja e tokave në rrethin e Lushnjes dhe në atë të Beratit. Po në muajin shtator të atij viti filloi puna për matjen e tokave në rrethin e Fierit dhe Vlorës për të vijuar më pas me rrethet e tjera.

Për të drejtuar punën praktike të zbatimit të Reformës Agrare, në Ministrinë e Bujqësisë dhe Pyjeve u ngrit Drejtoria e Reformës Agrare që zëvëndësoi Drejtorinë e Tokave të Shtetit.

Njësoj si në reformën e vitit 1930, me 25 nëntor të vitit 1945 Enver Hoxha do të dorëzonte personalisht tapi në Gore të Lushnjes te fshatarët.

Ngjashmërisht me reformën agrare të viteve ’30, edhe reforma e vitit 1945 shfaqi probleme. Ndaj në maj të vitit 1946, pa u bërë ende 1 vit nga miratimi i ligjit, Reforma Agrare u amendua duke iu bërë disa ndryshime të rëndësishme. Këtë herë, faji iu la ‘ideve oportuniste’ të Sejfulla Malëshovës, që ishte funksionar i lartë komunist e njëkohësisht drejtonte Këshillin Ekonomik.

Shpallja e Reformës Agrare dhe dorëzimi i tapive të para kishte ngjallur entuziasëm mirëpo ku u zbatua në praktikë ligji i gushtit të vitit 1945 u konstatua se linte në praktikë shumë prona te pronarët e pasur duke mos plotësuar dot nevojat e të gjithë fshatarëve për tokë.

Ndaj në maj të vitit 1946 u shpall shtojca e ligjit mbi ndryshimin e ligjit të Reformës Agrare. Në bazë të këtij ndryshimi të gjtiha tokat, vreshtat, ullishtet, kopshtet, ndërtesat dhe inventari bvujqësor që ishin pronë e atyre që nuk i punonin vetë, shpronësoheshin. Këto toka u ndaheshin fshatarëve pa tokë dhe atyre me pak tokë. Në këtë mënyrë, ligji i ri shfuqizoi klauzolën e mëparshme që parashikonte t’u linte pronarëve 20 deri në 40 hektarë tokë” shkruajnë studiuesit e njohur të ekonomisë, Iljaz Fishta e Veniamin Toçi te “Ekonomia e Shqipërisë në vitet e para të ndërtimit socialist: 1944-1948” .

Zbatimi i kësaj reforme u përball me probleme të mëdha që në fillim për faktin se kishte refuzime të mëdha për t’a zbatuar.  Shumë pronarë tentuan që të shfrytëzojnë hapësirat ligjore për të shmangur shpronësimin, por në fund përfunduan në gjykatë si të paditur. Nga ana tjetër, mjaft ekspertë që po zbatonin në terren reformën agrare u ndëshkuan me argumentin se kanë bërë shkelje. Nuk munguan as konflikte të dhunshme mes përfituesve të pronave dhe të shpronësuarve.

Madje, zbatimi i reformës solli përgjakje e studimet përmendin një ngjarje në Elbasan ku pronari i shpronësuar vrau me granatë familjen fshatare që kishte përfituar pronën në saj të reformës. Reforma Agrare konsiderohej nga regjimi si një aksion shumëplanësh, politik, ekonomik e shoqëror për shkak të objektivave që synonte të arrinte. Kjo reformë zgjati 15 muaj, nga shtatori i vitit 1945 deri në mesin e nëntorit të vitit 1946. Data 17 nëntor e vitit 1946, kur u dorëzuan tokat e fundit, u cilësua si dita e përfundimit të reformës dhe hyri në histori si Ditë Feste.

Edhe pse 17 nëntori u cilësua si Dita e Festës së Reformës Agrare, sërish puna vijoi dhe më tej. Në dhjetor të vitit 1946 u krijuan Komisionet e Shqyrtimit të Lutjeve dhe Ankesave që kishin si qëllim që të shqyrtonin pretendimet që kishin palët, si të shpronësuarit, ashtu edhe përfituesit e tokave bujqësore.  Pas tyre, u krijuan edhe Komisionet për Shqyrtimin e Veprimeve të Reformës Agrare që funksionuan nga dhjetori i vitit 1946 deri në fund të marsit të vitit 1947. Gjatë kësaj kohe, në vetëm 8 qarqe, sipas studiuesve Fishta e Toçi, u shqyrtuan më shumë se 8 mijë ankesa, pjesa më e madhe ë të cilave nga pronarët e shpronësuar. Në konsideratë, u morën vetëm një përqindje e vogël e ankesave dhe vetëm një pjesë shumë e vogël e tyre, kryesisht nga fshatarë që kishin përfituar tokë, morën zgjidhje.

Në përfundim të Reformës Agrare, në vend situata e pronësisë ishte si më poshtë:

-Pronarë të shpronësuar terësisht 8 mijë e 714. Sipërfaqja e shpronësuar 54 mijë e 499 hektarë

-Pronarë të shpronësuar pjesërisht 10 mijë e 641. Sipërfaqja e shpronëusar 64 mijë e 997 hektarë

-Çifligje të shtetit 50 mijë hektarë

-Ente fetare, shpronësuar 3 mijë e 163 hektarë.

Në total, sipërfaqja e shpronësuar arrinte në 172 mijë e 659 hektarë ndërsa numri i pronarëve të prekur arrinte në 19 mijë e 355.

Nga Reforma Agrare përfituan 70 mijë e 211 familje një sipërfaqe prej 172 mijë e 659 hektarë tokë.

Në total, me shpronësimet, shpërndarjen dhe rishpërndarjen e pronës, Reforma Agrare preku 32 mijë hektarë tokë.

Në Shqipëri, dhënia e tokave fshatarëve nga Reforma Agrare u bë pa shpallur shprehmisht shtetëzimin e tokës. Ky akt në të vërtetë vetëm formalisht nuk u kryer. Reforma Agrare ndaloi shitblerjen e tokës, tjetërsimin, dhënien me qira ose lënien peng të tokës. Me këto masa ligjore, në përmbajtje Reforma Agrare çoi praktikisht në shtetëzimin socialist të tokës” shkruajnë studiuesit Fishta e Toçi në studimin e tyre.

Praktikisht edhe kjo dhënie e tokës në fakt ishte më shumë në përdorim pasi brenda pak vitesh, koncepti i pronës private në Shqipëri do të zhdukej terësisht e çdo pronësi do të ishte shtetërore…(SCAN)

3 Komente

  1. p
    per tru shperlaret

    Ky ishte nje nder krimet ma te medha te kjofte largut shkaterrimi i prones private , mos harroni ju tru pjerllurit ish hetuesa e oficera plus te tjere tru pjerllur .... prona private eshte e shejte ne çdo vend te botes perendimore , atu ku nji pjese e juaja jetoni bashke me familjet tuaja tru shperlara , normale jo te gjithe , mbasi ka edhe nga ata ish funksionare te kjofte largut qe shume shpejt e paten kuptuar se kush ishte ai kjofte largu Enver , skizofren gjakatare , i pa meshirshem , i pa parashikuar , vrases i shokeve te tij gjoja te nji ideali , edhe nji tjeter e keqe shume e madhe e djallit shume racist , e narcisist deri ne infinit . A nese ju tru shperlaret nuk e dine se çfare do te thote NARCISIT mund te pyesni femijet tuaj qe ta kuptoni ma shume se kush ishte ai kjofte largu e pergjithmone e jetes i mallkuari Enver Halja ....

    1. I
      Istor Jani

      E bere ne nje menyre apo nje tjeter, kjo ishte reforma me madhore e Shqiperise pas shpalljes se Pavaresise. Kjo reforme zhduku nje here e pergjithmone rendin feudal nga Shqiperia dhe i hapi rrugen zhvillimit te vendit. Vendet e tjera kishin qindra vjet qe e kishin shkaterruar feudalizmin. Feudalizmi eshte shkaku i prapambetjes se madhe te Shqiperise. Ai ka lene ende gjurme te shqiptaret si njerez te "pagdhendur", shkojne pas liderit deri ne vdekje, nuk respektojne kontratat e shkruara, nuk u binden ligjeve, kane pak respekt per demokracine, vjedhjen e quajne te ligjshme, etj., e te tjera te meta qe i dime te gjithe.

      1. N
        Nuri Hylviu

        Ne vitin 1991 demokrato komunistet gjeten nje inventar per mbi 700 mije ha toke bujqesore dhe nje siperfaqe dhe me te madhe pyje e kullota dhe nga urrejta per pronaret e ligjshem nuk dhane per ta asgje. Keta jane Ramiz Alia dhe pjellat e tij Fatos Nano dhe Sali Berisha qe megjithese 25 vjet komunist uzurpoi dhe shkaterroi te djathten e vertete. Se cfare demokrati eshte Sali Berisha po kujtoj faktin se si ne qeverisjen e pare dhe ne te dyten ne vitin 2005-2013 edhe ato toka qe tepruan nga ligji i 7501 te pa ndara zbatoi zaptimin,legalizimin, dhe dhenjen me koncesion per 99 vjet te tyre tek persona qe skane patur prone ose dhe qe kane perfituar nga ligji 7501. Ne lidhje me pronaret e vertete vetem bashkimi i tyre larg partive te Sali Berishes dhe asaj Socialiste qe jane armiqte me te medhenj te pronareve dhe lufta e tyre pa kompromis dhe organizimi i tyre i pavarur ne nje parti per pushtet do ti coje ata tek zgjidhja e drejte e prones.

        Lini një Përgjigje