Vdekja e Enver Hoxhës, dëshmitë e rralla të publicistit nga Franca! Si u dha e u prit lajmi në bllokun lindor e Itali

24 Tetor 2022, 11:04Dossier TEMA

Vdekja e Enver Hoxhës, dëshmitë e rralla të publicistit nga

Nga Vasil Qesari

Para bustit të V.I.Leninit, në sheshin e Fabrikës së Çimentos me të njëjtin emër, ishin mbledhur dy-tre qind vetë. Përkujtohej 67-vjetori i Revolucionit Socialist të Tetorit në Rusi. Sekretari i parë i komitetit të Partisë të rrethit Enver Halili, nisi të flasë për vazhduesen besnike të idealeve të atij revolucioni dhe PPSH-në e udhëhequr nga marksist-leninisti i shquar i epokës moderne, Enver Hoxha. Pas pak, nga radhët ngjyrë gri të punëtorëve dikush hodhi një parullë, duke brohoritur me sa zë që kish. Për një çast, turma u duk sikur u shkund nga një gjumë i thellë. Punëtorët, si statuja prej argjile të mbuluara nga një cipëz pluhuri çimentoje, lëvizën nga vendi. Më pas, kur folësi kryesor, amplifikuar nga disa altoparlantë, zuri në gojë emrin e komandantit, një grup militantësh që kishin zënë vend në rreshtin e parë, nisën këngën e njohur: “Enver Hoxha, o tungjatjeta”! Që lart nga tribuna, sekretari i parë vazhdoi:

– “Armiqtë tanë të betuar, të brendshëm e të jashtëm, qëllimisht hapin fjalë se udhëheqësi ynë i lavdishëm Enver Hoxha, qenka i sëmurë…”!

 – “Të na marrin të keqen! – u dëgjua një zë nga grupi i militantëve”.

“Ashtu, të lumtë goja…”! – aprovuan ca të tjerë. “Por, shoku Enver Hoxha, ashtu si dhe populli ynë, janë të pavdekshëm! – vazhdoi sekretari i parë – Ai është shëndoshë e mirë dhe kuq si molla”!

Qe për herë të parë që, me qëllime të paramenduara, flitej publikisht për temën tabu mbi shëndetin e Enver Hoxhës. E, jo vetëm në Vlorë, por kudo. Në çdo rreth, sekretarët e parë qenë porositur që, në takimet me popullin të evidentonin gjendjen e tij të shkëlqyer shëndetësore, por pa bërë as një koment tjetër.

(Në fakt, veprimi në fjalë, krahas të tjerash, qe përgjigjja ndaj një lajmi që televizioni italian kish dhenë disa ditë më parë, e në të cilin qe thënë se, sipas disa burimeve të pakonfirmuara zyrtarisht, Enver Hoxha, lideri i Shqipërisë – bastionit të fundit stalinist në Europë – ose ka vdekur ose është në grahmat e fundit nga një sëmundje e gjatë dhe e pashërueshme, e kjo gjë nuk i është bërë e ditur popullit).

 Pas atij lajmi rrëqethës, gojët e liga kishin nisur të pëshpëritnin se Ai, i kish ditët të numëruara. Kish dalë, bile edhe fjala se, një profesor i shquar japonez, kish ardhur posaçërisht në Tiranë me avion special, për të ekzaminuar gjendjen e tij të rendë. E vërtet, me gjithë konspiracionin e jashtëzakonshëm, fjalët s’kishin dalë kot. Ne fakt, Enver Hoxhës, i kish mbetur fare pak për të jetuar. Vetëm ca muaj më parë, pikërisht në mbrëmjen e 16 shkurtit 1984, gjatë një takimi me sekretarët e K.Q të Partisë, ai qe larguar nga salla i mbajtur për krahësh e duke hequr këmbët zvarrë. Më pas, po atë darkë, ai qe goditur fort nga një atak tjetër në zemër. E alarmuar, Nexhmija kish thirrur urgjentisht mjekët e, bashkë me ta dhe Ramiz Alinë. Të nesërmen, ky i fundit kish mbledhur me ngut Byronë Politike, për ta njoftuar mbi  situatën.

Por, “plaga e tigrit”, qe tashmë tepër e thellë dhe e vjetër.

Ajo qe shfaqur për herë të parë qysh më 1948, gjatë një feste familjare të organizuar me rastin e Vitit të Ri. Ishte pikërisht atëherë që, Enver Hoxhës, iu shfaqën shenjat e para të diabetit. Qysh prej asaj kohe, ai s’do gëzonte kurrë shëndet të mirë. Mbas ekzaminimeve, mjekët i rekomanduan të bëjë më tepër kujdes e, sidomos, të mbajë regjim. Por, problemi s’qe dhe aq i lehtë. Enver Hoxha ish qejfli i madh për të ngrenë. Veçanërisht, kur qe fjala për meny me gjellë franceze, të cilat ia përgatiste një kuzhinier i cili kish jetuar shumë vite në Lion. Pa folur pastaj, për djathërat lloj-lloj që i vinin me anë të valixheve diplomatike.

Vitet kalonin…!

Burri i ri dhe azgan, patriarku 53 vjeçar Enver Hoxha, i shkon vitet e jetës midis zyrës së tij bibliotekë, “kështjella” e vërtetë e pushtetit dhe një vargu vilash të shpërndara në të katër anët e vendit. Por, me gjithë aparencën impozante, ai s’gëzon shëndetin që paraqet. Edhe mbas ndërhyrjeve të shumta e këmbëngulëse të Nexhmijes, ai s’arrin dot ta presë duhanin. Për më keq akoma, vazhdon të mos u ndahet ushqimeve e gjellëve të renda, ndërkohë që duke qenë me diabet, lypset të mbajë një dietë shumë të fortë…! Në pranverën e vitit 1966, Enveri sëmuret më tej. Tani, veç diabetit, kanë lindur dhe probleme të tjera të natyrës kardiake. Doktorët e këshillojnë të shplodhet, të bëjë pa tjetër pushim. Pas dy vjetësh, pothuajse në të njëjtën periudhë, ai bëhet përsëri keq. Kësaj radhe, mjekët e urdhërojnë të ndërrojë klimë e të shkojë për pushime në Vlorë.

1969, Mars

Enver Hoxha pushon në Ujë të Ftohtë. Klima mesdhetare, me sa duket, i bën mirë. Por, rruga nga buza e detit e gjer tek vila e tij, e lodhin tepër. Në ditët e verës, ai s’mund të zbresë dot në plazh, për të bërë banjë. Atëherë, Nexhmija sugjeron që, pranë vilës të ndërtohet një pishinë. Për realizimin e asaj ideje, angazhohen posaçërisht Hysni Kapo e Ramiz Alia. Pishina, nenë mbikëqyrjen e ushtarëve të Gardës e Sigurimit, ndërtohet në kohë rekord. Brenda 10 ditësh. (Ndërkohë që ai ish duke vizituar vendlindjen). Kur kthehet nga Gjirokastra, Enveri shikon i befasuar pishinën dhe thërret me sytë e përlotur e plot ngazëllim: Të rrojë Partia!

Viti 1970

Është periudha e fërkimeve të para shqiptaro-kineze. Shqetësimet shtohen. Edhe gjatë atij viti, gjendja e Enver Hoxhës vazhdon të keqësohet. Si pasojë e diabetit, shikimi i dobësohet më shumë e, vështirësitë për leximin e gazetave, buletineve të lajmeve e librave, shtohen. Mjekët porosisin jashtë, syze të teknologjisë së re speciale, por pa sukses. Atëherë, vendoset që një anëtar i sekretariatit, t’i shkojë për ditë në shtëpi e t’i lexojë materialet e nevojshme. Por, duket, se Enverit kjo s’i pëlqen. Atëherë mbetet vetëm një zgjidhje. Jashtë vendit, porositet një projektor i pajisur me zmadhues figure. Kështu, shkrimet e artikujt, priten prej ndihmësit të tij e vendosen mbi aparatin zmadhues. Duket se, kështu, Enveri arrin të lexojë…!

Më 1973 ndodh edhe e papritura!

Për herë të parë, ai goditet nga një infarkt i rendë i miokardit. ( Ndërkohë që, gjithmonë e më tepër, shfaqen hapur edhe shenjat e manisë së persekutimit. Ai shikon rreth vetes armiq e vetëm armiq ). Tetor 1973. Enver Hoxha kremton 65-vjetorin e lindjes. Vetëm pak orë, pas ceremonisë së organizuar me atë rast, ai bie plasur për tokë i goditur nga një krizë e re kardiake më e fortë se e para. Mjekët, me në krye profesorin e njohur Petrit G, i rekomandojnë përsëri pushim absolut. Ndërkohë, Nexhmija, jep urdhër të prerë: “…Për goditjen e re në zemër, duhet të vihen në dijeni, vetëm familja dhe shokët e Byrosë Politike. Të tjerët, nuk duhet të dinë asgjë, sepse, nga njëra anë nuk duam të hidhërojmë zemrat e anëtarëve të Partisë e popullit e, nga ana tjetër, s’duam t’i u japim rast armiqve që të fërkojnë duart nga gëzimi…”!

Viti 1976

Problemi i shikimit të tij, bëhet përherë e më shqetësues. Ai pothuajse është verbuar. Atëherë, porositet jashtë një magnetofon, me të cilin ai dikton urdhra, porosi, instruksione apo pjesë nga Kujtimet. Kasetat e regjistruara, zbardhen pastaj nga daktilografistja e tij personale.

Viti 1979, Prill

“Plaku” i sëmurë, goditet përsëri në zemër. Ai, tashmë, s’arrin të lexojë as me lupë, e as me aparatin projektues zmadhues. Gjatë shëtitjeve të shkurtra në vilat e Vlorës apo Pogradecit, ai mban rregullisht bastun. Drejtimin e Partisë, faktikisht e merr në dorë, Nexhmija. Është ajo e cila, ndër të tjera, i lexon për ditë telekset e ambasadave shqiptare apo shënimet e mbajtura nga mbledhjet e Komitetit Qendror. Gjatë daljeve të rralla në publik, fshehja e gjendjes së tij të vërtetë shëndetësore, bëhet gjithmonë e më e vështirë. Kështu, gjatë zhvillimit të punimeve të Kongresit të VIII-të (1981), Enver Hoxha shfaqet në tribunë si një kukull prej qiriri, me buzëqeshje të ngrirë e syze me xhama shumë të trashë. Ai shqipton me zor vetëm frazat e para të raportit, pastaj leximi i tij vazhdon i regjistruar në magnetofon.

Dhjetor 1981

Mehmet Shehu vret veten. “Plaga e tigrit” derdh shkulmet e fundit të gjakut. Por, megjithatë, populli e armiqtë e Shqipërisë duhet të sigurohen se, ai është aty. Gjithmonë i gjallë e i pavdekshëm. Me shpatën zhveshur për të goditur armiqtë. Improvizohet kështu, me kujdes e sipas stilit të njohur stalinist, dalja e tij në publik. Pikërisht në Ekspozitën Kombëtare të Arteve Figurative. Por, në kronikën televizive të Lajmeve të mbrëmjes, me gjithë truket e montazhit, s’arrihen të bëhen çudira. Në ekran, shfaqet fantazma Enver. I zbehtë, i tretur e me shikim të përhumbur. Ulur në kolltuk. Pas asaj dalje, ai do të rishfaqet përsëri, më 7 korrik 1983. Kësaj radhe, në stadiumin “Qemal Stafa”, me rastin e 40-vjetorit të themelimit të Ushtrisë. Përsëri, i ngrirë si statujë e pa folur as gjysmë fjalë. Më 28 nëntor, Enver Hoxha, merr pjesë në paradën ushtarake organizuar me rastin e 40-vjetorit të çlirimit. Ajo është dhe dalja e tij e fundit në publik. I dobët, i tretur e me fytyrë që s’ngjan e tij. Me njërin krah të paralizuar e, me syrin e djathtë, të ngrirë nga ishemia cerebrale. Meqenëse, nuk është në gjendje të flasë, mesazhi i tij drejtuar popullit, nëpërmjet radios e televizionit. Ai është edhe mesazhi – testament i tij: “…Për ne, ushtarët e Partisë, s’ka gëzim më të madh se kur shohim që populli ynë është zot i fateve të veta, i gëzuar, i lumtur dhe i lirë në Shqipërinë sovrane. Në Shqipërinë e transformuar në kështjellë të pamposhtur, e cila ecën pa u lodhur në rrugën e ndërtimit të socializmit …”!

 “Tigrit plak” i ka ardhur fundi…!

Kreshta e bardhë e flokëve, i ka renë mbi qafë si paruke. Tashmë, ai s’është veç një kadavër e pakallur në varr. Megjithatë Partia, e dëshpëruar por stoike, përpiqet të mbajë heshtje rreth shëndetit të tij. Ndërkohë që, shqiptarët endé nuk dinë që, komandanti i tyre i lavdishëm, tani lëviz mbi një karrocë handikapatesh me rrota e përqesh ushtarët e gardës, duke i sharë ata me gjithfarë fjalësh të ndyra.

9 prill 1985

Aty nga ora 09:30 e mëngjesit, bisha plaset përfundimisht për tokë. Me konvulsione. Pa frymë. Me gojën mbushur plot jargë e shkumë. Ai ka marrë kështu goditjen e fundit në zemër. Asnjë ndërhyrje mjekësore, s’mund ta kthejë më në jetë…!

VDEKJA E “SULLTANIT”

A do të ndodhte vërtet kataklizmi, atëherë kur Enver Hoxha, do të jepte shpirt ?! A qe ai një qenie e vdekshme si gjithë të tjerët, ndërkohë që shumë prej shqiptarëve e konsideronin eternel, si perënditë e Olimpit? Në fund të fundit, a mund të vdiste ai, i cili qe kthyer në simbol të Shqipërisë? Ai, emri i të cilit këndohej, glorifikohej, himnizohej e ngrihej në qiej, për çdo ditë ? Në festa publike, private, në lindje, vdekje e martesa?

Më 11 prill 1985, në Komitetin e Partisë në Vlorë, dritat qenë ndezur qysh pa gdhirë. Kuadrot e larta të Partisë, shtetit e policisë, venin e vinin me vetura të cilat ecnin me shpejtësi të madhe. Në orën 07: 00, sekretari i parë, thirri me urgjencë mbledhjen e aparatit. Në sallën e mbushur plot kish renë heshtje mortore. Sekretari i parë, veshur me kostum të zi, me rrathët e syve të mavijosur, me zë të dridhur e fraza të copëzuara nga emocioni, dha lajmin e kobshëm:

 Më 11 prill 1985, në orën 2 e 15 minuta të mëngjesit pushoi së rrahuri zemra e udhëheqësit të dashur e të lavdishëm të Partisë e popullit tonë, shokut Enver Hoxha. Ca gra klithën me të madhe, ndërsa burrat rënkuan thellë e nxorën shamitë. Pastaj, në sallë u krijua pështjellim e rrëmujë, por sekretari vuri qetësi e vijoi leximin e Komunikatës së KQ të PPSH e Buletinin Mjekësor, të nënshkruar nga 8 mjekë. Në të thuhej se, vdekja, kish ndodhur fill mbas:disa liezoneve të forta të sistemit kolateral periferik dhe dëmtimeve në zemër, veshka e organe të tjera. Qysh në vitin 1973, Enver Hoxha kish pësuar një infraktus të miokardit të shoqëruar me aritmi të zemrës. Në vitet më pas, evoluoi një isufiçencë e rendë koronare e cila, para një viti, u bë shkak për goditje nga ishemia cerebrale. Në mëngjesin e 9 prillit, pa pritur, zemra e tij pushoi së rrahuri për shkak të infiltracioneve ventrikulare. Vdekja e Enver Hoxhës, u shoqërua me tension e alarm të pa parë në krejt udhëheqjen e Partisë. Por, për dy ditë me radhë, ajo u mbajt e fshehtë e në sekret të madh. Pse vallë?! Pa dyshim, për organizimin e Spektaklit të Madh të homazheve, varrimit, caktimit të zëvendësit të tij si dhe hartimit të strategjisë së vazhdimësisë. Tek njerëzit e thjeshtë, të cilët qenë mësuar me idenë se, komandanti legjendar qe i pavdekshëm, lajmi i papritur shkaktoi tronditje, konfuzion, hutim e mpirje.

(Por, megjithatë, ata që mendonin se vdekja e tij do shënonte fundin e botës, panë me habi se jeta vazhdonte si më parë e se, dielli lindte përsëri. Ndërsa, të tjerë, të cilët kishin vite e vite që prisnin me padurim fundin e tij, ishin pak a shumë të bindur se, zhdukja e Enver Hoxhës qe edhe fundi i një epoke e cila, për fat të keq, kish qenë më e zeza në historinë e saj moderne). Me gjithë pështjellimin, udhëheqja e Partisë, nisi shpejt nga puna për ngritjen e kultit të Pavdekësisë. Mobilizimi i propagandës, shtypit e radio-televizionit me sloganin kryesor Ta kthejmë dhembjen në forcë, kish për qëllim jo vetëm forcimin e mëtejshëm të unitetit, por veçanërisht ruajtjen e përjetshme të Ikonës. Pra, Messia vërtet kish vdekur por, ikona do të qe edhe më tej e pranishme kudo. Impozante, autoritare e sidomos e frikshme dhe kërcënuese,në çdo çast ajo duhej t’u kujtonte njerëzve, se asgjë s’kish ndryshuar. Se, Enver Hoxha, ish gjallë e i pavdekshëm e se, ata që mendonin ndryshe, do të ndëshkoheshin brutalisht si edhe më parë …

Funeralet zyrtare u caktuan për në 15 prill. Arkivoli u vendos në hollin e ndërtesës së Kuvendit Popullor. Televizioni transmetonte për natë skena nga homazhet. Pamje histerie. Lotë, klithma e çjerrje faqesh. Në mbarë vendin, plasi një garë e shfrenuar për shkrime telegramesh, letrash, mesazhesh, rapsodish e poezish të cilat, pastaj, nëpërmjet komiteteve të Partisë në rrethe, i dërgoheshin Komitet Qendror në Tiranë. Gazeta “Zëri i Popullit” evokonte për ditë, figurën poliedrike e historike të udhëheqësit të pavdekshëm. Ata që patën fatin e madh të jetojnë epokën e lavdishme të Enverit, – shkruhej ndër të tjera, në një shkrim të saj – do të jenë padyshim ndër më fatlumët e të gjithë brazave që do të vijnë pas. Ne ishim, ne punuam e jetuam së bashku me të! – do të thonë ata plot krenari. Ndërkohë, në atmosferën e zisë kolektive, poetë e shkrimtarë të njohur e të panjohur, botuan proza e elegji, ku shprehej pikëllimi i madh për humbjen e pa zëvendësueshme të njeriut më të shquar që kombi shqiptar kish lindur ndonjëherë. Ceremonia funebre u zhvillua në 15 mars. Në një ditë të zymtë e me shi. Arkivoli me trupin u vendosën mbi një shtrat topi. Në ballë të kortezhit ecnin 14 ushtarë që mbanin në duar jastëkë të kuq me dekorata. Pas tyre vinin familja e anëtarët e Byrosë Politike. Kamerat e fotoreporterët përqendroheshin vazhdimisht në grupe njerëzish që vajtonin e çirrnin faqet.

Pastaj, kortezhi u ndal, në sheshin Skendërbej. Ndërkohë që pasardhësi i tij, Ramiz Alia, mbante fjalën e rastit, regjia e televizionit shkrinte herë pas here me imazhin e mitingut një kuadër filmik i cili, më pas, u cilësua si gjetje artistike gjeniale. Shiu binte mbi monumentin e Skënderbeut. Nga sytë dhe mjekra e heroit kombëtar rridhnin lotë. Ideale, apo jo…?! Skënderbeu qante për humbjen e birit të vet…! Vdekja e diktatorit ngjalli reaksione edhe në ambasadat e huaja. Sepse, vërtet Enver Hoxha kish qenë në krye të një regjimi ekstrem e gjakatar, por ajo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër qenë interesat gjeopolitike, të cilat për Perëndimin, kishin rendësi të veçantë. Në fund të fundit, Perëndimi s’mund të harronte se, Enver Hoxha ishte ai i cili qe shkëputur nga Bashkimi Sovjetik e kish hequr nga vendi i tij, gjithë arsenalin e raketave bërthamore, drejtuar nga Kontinenti i Vjetër.

Për këtë, ai, padyshim qe shpërblyer.

Perëndimi e shërbimet e tij sekrete, e kishin fshirë përfundimisht Shqipërinë nga planet e tyre të Luftës së Ftohtë, duke mbajtur rreth saj një indiferencë e heshtje totale, thuajse ajo s’ekzistonte fare. Diktatorit, i qenë lenë kështu duart të lira, për të vazhduar qetësisht krimet e tij. Kësisoj, pa as më të voglën brerje ndërgjegje, bile me koshiencë të plotë, Perëndimi kish kontribuar e ligjëruar me cinizëm gjakosjen e tragjedinë e një populli të tërë. Megjithatë, në botën e jashtme, ndryshe nga ç’mendohej brenda vendit, jehona e vdekjes së Enver Hoxhës qe fare e vogël. Sipas gazetës franceze Le Monde të 13 prillit 1995…vdekja e Hoxhës ka shkaktuar pak komente zyrtare në kryeqytetet e mëdha europiane, të cilat në përgjithësi, janë mjaftuar me dërgimin e mesazheve të shkurtra të ngushëllimit, drejtuesve të Tiranës. Kryeministri grek z.Papandreu, i cili ndikoi kohët e fundit në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike me Shqipërinë, ka shprehur “hidhërimin e tij”. Po ashtu, për dërgimin e një mesazhi ngushëllues njoftoi edhe Partia Komuniste Franceze. Në Washington, departamenti i Shtetit njoftoi se, SHBA ishin të gatshme të rifillonin një dialog vëllazëror me Shqipërinë, në se kjo e fundit do ta kërkonte…!

Ndërsa, në 12 prill, në edicionin e orës 20:00, televizioni italian dha një lajm të shkurtër të shoqëruar me imazhe, ku lideri shqiptar cilësohej si njeriu që arriti t’i nxjerrë shqiptarët nga mizerja ekstreme në një varfëri dinjitoze. Kurse, agjencia e lajmeve Hsinhua si dhe e përditshmja e Partisë Komuniste të Kinës “Zhenminzhibao”, e botuan lajmin e vdekjes së Enver Hoxhës, të shoqëruar me një fotografi të të ndjerit në madhësinë e një pulle poste të rrethuar me shirit të zi. Nga Moska, me katër rreshta të botuara në të përditshmen Pravda dhe agjencinë e lajmeve TASS, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Sovjetike i shprehte ngushëllimet PPSH-së me rastin e vdekjes së Hoxhës. Diçka më tepër, i kushtoi ngjarjes shtypi jugosllav që e cilësoi ngjarjen si, fundin e epokës së Enver Hoxhës. Në të, u botua shkurtimisht biografia e tij, si edhe u theksuan konfliktet e shumta që kishin karakterizuar marrëdhëniet mes dy vendeve…!

Ndërkohë, Shqipërinë, e kish mbuluar zia. Gratë u udhëzuan të mos vinin të kuq buzësh e dasmat, të shtyheshin për më vonë e të bëheshin pa muzikë. Pas vdekjes, kulti i diktatorit u bë më frenetik e gjer në absurditet ekstrem. Kështu, fill pas vdekjes, organizata e pionierëve, e ngritur sipas modelit sovjetik, u quajt Pionierët e Enverit. Pas saj, në 16 të çdo muaji tetor, (që ish dita e tij e lindjes) u iniciua lëvizja Java e Enverit. E, po në atë kuadër, Bashkimet Profesionale (BPSH), krijuan një titull të veçantë nderi për kolektivat e punonjësit e pararojës, i cili u quajt, “Flamurtar i zbatimit e venies në jetë të mësimeve të shokut Enver”. Në çdo anë të vendit, në qytete e fshatra, në çdo shkollë, uzinë, sheshe e lagje, nisën të shfaqen të ashtuquajturat Kënde të Enverit. Ato ishin edhe vendet ku do të vendosej Ikona e Shenjtë. Regjimi po ngrinte kështu, totemet e Zotit të Ri.

Të shoqëruara kudo me stenda, parulla, foto, slogane, nisma revolucionare e yje të mëdhenj prej betoni, të cilat mbanin mbishkrimin Enver Hoxha, 1908 – I pavdekshëm, ato u kthyen në chapelle-at e Perëndisë Enver. Por, zelli e veneracioni ndaj Zeusit, s’mbaruan me aq. Më pas, me vendim të posaçëm të KQ të Partisë, emri i Enverit iu dha njëherësh Hidrocentralit të Fierzës, Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, Universitetit Shtetëror të Tiranës e Uzinës Traktori. Më 1986, nga vajza e dhëndëri i vetë Enver Hoxhës, u hartua projekti, e në qendër të Tiranës, nisën punimet e ndërtimit të muzeut madhështor kushtuar Prijësit të Pavdekshëm. Vendi, i caktuar për atë qëllim u rrethua me murre, panele e ushtarë të armatosur. Një inxhinier, i cili punoi në ndërtimin e tij, rrëfen:…Përse Nexhmija kish preferuar ndërtimin e një muzeu e jo të një mauzoleumi? A kish qenë ai një “amanet” i Enverit apo vendim a zgjedhje e vetë Nexhmijes? Ky qe vërtet mister. Për mendimin tim, ajo çka kish ndodhur në Bashkimin Sovjetik me trupin e balsamosur të Stalinit, pa dyshim që do ta kenë tunduar mjaft atë, duke e çuar rrjedhimisht në vendimin që, trupi i Enver Hoxhës s’duhej balsamosur…! Natyrisht, aso kohe asaj, as që i shkonin ndër mend ngjarjet që do të ndodhnin pesë – gjashtë vjet më vonë, por përveç një farë dyshimi dhe në saje të traditës, ajo gjykonte se trupi i tij, si do që të vinin punët, do të ish më i mbrojtur në thellësi të tokës. Qysh në fillimin e ndërtimeve, shumë njerëz, kur panë projektin e tij, e quajtën atë ” Piramida “. (Emër i cili ka mbetur edhe sot e kësaj dite)

 Për ndërmarrjen e ndërtimeve 21 dhjetori, objekti u cilësua i rëndësisë së veçantë. Punohej jo vetëm ditën po dhe natën nenë dritën e projektorëve. Për ndërtimin e tij, Partia s’i kurseu milionat e dollarëve, në një kohë kur rezervat valutore të vendit ishin fare minimale. Grupe teknikësh e inxhinierësh, u dërguan në vende të ndryshme perëndimore për të porositur e blerë pa kursim, gjithçka që nevojitej për madhështinë dhe luksin e “objektit”! Por, përpjekjet për mbajtjen gjallë të Enverit, vazhdonin pambarim. Më 16 tetor 1988, me rastin e 80 vjetorit të lindjes së tij, në Shqipëri u përuruan tri statuja gjigante. Njëra në Korçë, ku ai paraqitej në moshë të re, kur ish profesor në liceun francez. Tjetra në Tiranë, në moshë më burrërore, me pardesy, kostum e kravatë. Dhe, e treta, në Gjirokastër, ulur, në moshë të thyer e duke medituar.

Më 1991, bashkë me rrëzimin e diktaturës, u shembën edhe idhujt e saj, të cilët shumëkush i quante eternelë. Piramida e ngritur në kujtim të Faraon – it të Tiranës, u kthye në Qendër Kulturore si për paradoks të faktit që, edhe Enver Hoxha i pat kthyer shumë kisha e xhami në shtëpi kulture e ahengu. Objekti i parë që u hap brenda saj qe, çuditërisht, një kafene e cila u rikujtonte njerëzve se, edhe i zoti i shtëpisë (Faraoni), e pat filluar karrierën e tij si pronar i një pijetoreje, po në Tiranë.

…Kësisoj, jeta e fundi i Enver Hoxhës, na japin shembullin e përkryer të një tirani totalitar aq sa edhe Stalini e Hitleri. Ashtu si edhe mësuesi i tij i adhuruar Stalini, ai vdiq në shtrat e u quajt i pavdekshëm në jetë të jetëve, ndërsa mbi varrin e tij u vendos mbishkrimi tipik totalitar, Enver Hoxha 1908 – I pavdekshëm. Pastaj, siç ka ndodhur rëndom me historitë e tiranëve, që nga kohë të cilat s’mbahen mend, erdhi një ditë që kufoma e tij u ç’varros natën e u hodh në një gropë të varrezave të Sharrës, pa i venë as edhe një gur përsipër. Përfundimisht, me bindje të plotë themi se, jeta prej despoti e Enver Hoxhës e meriton plotësisht si Epitaf, një maksimë të njohur të Makiavelit, në të cilën thuhet se: “…Janë të dënuar të dështojnë me turp, mallkim e neveri gjithë ata njerëz që shkatërrojnë fetë e përmbysin shtetet. Gjithë armiqtë e talenteve dhe kurajës humane, të letërsisë e arteve të dobishme, të vlerave të nderuara nga qeniet njerëzore. Pra, shkurt, gjithë ata të cilët, në aktet dhe veprimet e tyre, karakterizohen nga paudhësitë, egërsia, dhuna, injoranca, ultësia e kotësia”. Memorie.al

6 Komente

  1. d
    disidenti i rreme

    Gjera qe dihen,kot gjithe kjo stergjatje. Por me beri pershtypje,mos qe valle prane tij ishte gazetari kur vdiq Enveri, se e paska pare qe i doli shkume e jarge nga goja!! Ka shtuar makabritete nga vetja per ta bere shkrimin terheqes. Jane keta gazetare qe i serviloseshin Enverit dhe sekretareve te pare me shume se kush do tjeter.

    1. p
      per tru bunkeret

      Nuk ka rendesi i doli shkume a mut ngagoja , e jashte zakonsheme eshte qe ngorlli kjofte largu , pyetja per tru shperlaret .. i shikoni si duken hienat komuniste ku ne mes qendojne bushtra e zeze me dhelpren Ramut , etj etj etj ........

      1. P
        Pesimisti

        O super hajvan une do te jepja te drejten e botes nqs sot ky vend ne qoftese jeton ketu eshte me mire.Mbase zotrote je i pasur dhe tall bolet me komentuesit se ske cfare ben nuk e di cfare moshe ke mbase mund te kesh hequr te zite e ullirit ne ate kohe por larmia dhe varferia ishin te bukura dhe dinjitoze jo si zot zoraxhinj te peshtire dhe degjenerim total ne cdo gje.Tre dekada kaluan sikur jane 5 vjet gjithe kohes tension grindje protesta vrasje dy here vendi ne gremine 97 apo e ka harruar njerez qe jetojne gjithe kohes te stresuar si i pasur ashtu dhe i varfri televizione qe promovojne degjenerim me thuaj kokra e bythqirit ajo kohe apo sot?Historia nuk eshte neqoftese do te behej kjo apo ajo do ishim ne rregull si ato eksperimentet e kimise po cfare eshte dhe pse jemi keshtu ta them une sepse u hapem si vaji ne lakra na humbi disiplina prej frikes dhe si kanibal qe jemi shkateruam cdo gje sepse ata qe u vune ishin shqiptare tipik nga vendet me te prapambetura te lene nga pushteti i kaluar,keta njerez morren ne dore fatet e vendit dhe ja ku jemi.Te duket vetja i mencur kur thua trushplaret por me kari je ti.

      2. p
        per tru bunkeret

        Karin merre per vajzat e tua tru shperlare , una sa per dieni kam jetuar jo keq edhe ne kohen e kjofte largut , ashtu edhe tani kam jete normale pertej oqeanit me djersen e ballit , por ama ne liri te vertete , e persa i perket fukarejve ka ne çdo sistem , por une pash se ne Shqiperi ka shume pune, por njerez qe nuk e duan shume punen , biles me shaka u thashe qe ju ketu doni rahatine e Shqiperise , por rrogat e Europer apo te USA ... por keshtu nuk shkon ,... keshtu tru shperlari i koleres komuniste mos u deshpero , une si shume te tjere thjesht e urrej ate sistem te turpeshem , ate sistem ku shqipetari vrau ose burgosi shqipetarin per nji fjale goje , ose edg=he ma keq lira e fjales ekzistonte vetem ne libra ..... etj etj etj etj

        1. P
          Pesimisti

          O idiot te bera nje pyetje konkrete mos e dridh si kurvat .Nuk jam marre fare si jane dhe cfare dembelash jane shqiptaret sepse ti qenke shume i mencur dhe ja paske hedhur bythes,sot eshte me mire apo atehere?Kur qenke jashte ateher hajde ketu dhe ma kap nje cik me dore mire?Je super ashtu sic te thashe chyn ketu komunizmi njerzit nuk hane veprat e Enverit bole por frika pasiguria dhe rreziku per jeten kjo eshte ajo qe mungon ketu.Pse ikin njerzit kur sistemi eshte nderruar prej 3 dekadash prej qejfit?Anarkia nuk eshte liri o bole por cthurrje vandalizem mungese pergjegjesie.

        2. P
          POLI

          Ne SHQIPERI ka DEMOKRACI !!!!. NE SHQIPERI KA ANARSHI TE ORGANIZUAR PER TE SHQYER NJERI TJETRIN PER VJEDHUR DHE PER CVATUR .SHQIPTARE IKIN JO SE NUK KA PUNE POR SEPSE SHQIPTARET NUK KANE SIGURI PER JETEN .PER KETE KANE MERITE JO VETEM " MIQTE TANE STRATEGJIKE " POR DHE JU QE JENI LARGUAR NGA SHQIPERIA .NGA JU TE DASHUR EMIGRANTE KEMI VETEM SUPERLATIVAT PER VENDI KU JETONI DHE INJORIMIN QE NA BENI NE DHE SHQIPERISE .GURI I FORTE NE VEND TE VET GURALECET NUK ZENE VEND .DHE JU APO ATA QE IKIN JANE DHE SADO TE PASUROHEN MBETEN GURALECE QE NUK DUAN TE BEHET SHQIPERIA .SHQIPERINE DOTA BEJME VETE NE QE DO TE MBETEMI AQ SA DO TE MBETEMI POR DO TE JEMI SHQIPTARE TE PASTER .HISTORIN E SHQIPERISE DOTA SHKRUAJNE ATA QE JANE KETU TE VARFER APO TE PASUR QOFSHIN .

          Lini një Përgjigje