Arben Malaj në një intervistë për VoxNews, bën një analizë të hollësishme të asaj çfarë po ndodh me kreditimin në vendin tonë. Masat e marra nga Banka e Shqipërisë i konsideron si normale dhe të nevojshme për të përjashtuar çdo rrezik të mëtejshëm financiar.
Po kështu Malaj nuk sheh shqetësim në kredidhënien nga bankat e nivelit të dytë, madje e sheh si një frymëmarrje për ekonominë, por rrezikun e sheh në interesat e luhatshme që mund të përbëjnë problem në informacionin e duhur për kredimarrësit, ndaj dhe rregulloren e Bankës së Shqipërisë e sheh si një nevojë dhe proces normal.
Por atë që sheh si një problem në të ardhmen është tregu i pasurive të paluajtshme dhe investimi në këtë treg nga personat jo rezident. “Blerja nga jo rezidentët është një faktor i rëndësishëm në rritjen e çmimeve të pasurive të patundshme. Ky efekt mund të jetë në rritje.
Shqipëria do të bëhet më e shtrenjtë duke filluar nga pasuritë e pa tundshme dhe shqiptarët do të bëhen më të varfër duke përfshirë këtu edhe klasën e mesme. Për jo rezidentet në blerjen e pasurive të patundshme ndikon edhe kërkesa e financuar nga burime informale dhe një pjesë jo ligjore. Lidhur me pyetjen tuaj për rrezikun e këtyre zhvillimeve në tregun e pasurive të patundshme, nuk përjashtohen edhe luhatje të konsiderueshme, por jo deri një flluskë”, shprehet Malaj.
Për më shumë intervista e plotë:
Profesor prej kohësh Banka e Shqipërisë ka lajmëruar bankat e nivelit të dytë për të bërë kujdes në kreditim si për individë apo për biznese. Është një paralajmërim apo një rrezik për krijimin e një kolapsi ekonomik?
Është një paralajmërim profesional edhe për shkak se Banka e Shqipërisë ka ulur disa herë normat e interesit. Kredia bëhet më e lirë, sigurisht kjo varet nga lloji i interesave, por përgjithësisht ato janë luhatëse. Rritja e kredisë sidomos për strehim dhe investime në pasuri të patundshme, mund të rrisë kërkesën për kredi duke rritur njëkohësisht edhe çmimet. Por të ardhurat nuk ndjekin të njëjtën rritje si çmimet e pasurive të patundshme duke krijuar premisa jo pozitive për rritjen e risqeve të kthimit në kohë të kredive.
Ky risk është i madh kur huamarrësit nuk i njohin risqet e kredisë me interesa luhatëse dhe njëkohësisht kur përfshin edhe investime euforike nga interesat e ulëta të kredive.
Po kështu po ky institucion ditët e fundit ka dalë në një rregullore ku përcakton disa rregulla për dhënien e kredisë nga bankat e nivelit të tyre, si përshembull një huamarrës të mos mundet të marrë më shumë se një kredi, apo të shikohen mirë mundësitë e pagesës së kësteve në raport me të ardhurat që ka. Pse sipas jush ka ardhur një gjë e tillë?
Bankat qendrore si Banka e Shqipërisë kanë detyrimin ligjor të ndjekin nga afër zhvillimet në sistemin bankar dhe të sigurojnë stabilitetin e tij. Ka shumë testime për bankat tregtare, për cilësinë e menaxhimit dhe cilësinë e kreditimit, për kreditë me risk te mos pagimi në kohë, sasia e kredive jo performuese dhe sasi e kredive të humbura. Të gjitha këto janë indikatorë të rëndësishëm për të testuar stabilitetin e sistemit bankar. BSH gjithashtu ndërsa monitoron nga afër zhvillimit në tregun bankar, fokusohet edhe në kreditë sipas sektorëve ku ato jepen dhe nëse këta sektorë kanë një risk më të madh se sektorët e tjerë.
Nga të dhënat e fundit konfirmohet se familjet shqiptare kanë pasur vështirësi në shlyerjen e kredisë gjatë gjysmës së parë të vitit. Pesha e familjeve që kanë një hua për të paguar nuk ka ndryshuar, ndërsa aftësia paguese e familjeve është dobësuar në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar. Mos ka sjellë dhe kjo paralajmërimin e Bankës?
Treguesit që ju përmendi janë brenda kufijve të menaxhueshëm dhe nuk krijojnë asnjë risk për sistemin bankar të vendit tonë. Por nga eksperienca e menaxhimit të krizave të mëparshme është vënë theksi tek rritja e cilësisë së mbikqyrjes dhe ndërmarrja e hapave konkrete me theks parandalimin e çdo përkeqësimi potencial. Pas krizës 2008-2013 janë nxjerrë mësime të vlefshme për parandalimin e krizave. Në rastet kur vërehen shqetësime në shlyerjen në kohë të detyrimeve, BSH ka instrumenta mbikqyrës që reduktojnë këto përmasa. Edhe ristrukturimi për kredimarrësit me cv të mirë me bankat, mbetet një opsion i dobishëm për të dy palët.
Po kështu një rritje e kreditimit ka ardhur sidomos për blerjen e pasurive të patundshme dhe nga personat jorezidentë. Çfarë do të thotë kjo për ju? Përfshihet këtu dhe rreziku në sektorin e ndërtimit?
Blerja nga jo rezidentët është një faktor i rëndësishëm në rritjen e çmimeve të pasurive të patundshme. Ky efekt mund të jetë në rritje.
Shqipëria do të bëhet më e shtrenjtë duke filluar nga pasuritë e pa tundshme dhe shqiptarët do të bëhen më të varfër duke përfshirë këtu edhe klasën e mesme. Për jo rezidentet në blerjen e pasurive të patundshme ndikon edhe kërkesa e financuar nga burime informale dhe një pjesë jo ligjore. Lidhur me pyetjen tuaj për rrezikun e këtyre zhvillimeve në tregun e pasurive të patundshme, nuk përjashtohen edhe luhatje të konsiderueshme por jo deri një flluskë. Edhe eksperienca të vendeve të tjera që kanë kaluar kriza të flluskave në pasuritë e patundshme, tregojnë se qytetet e mëdha preken pak dhe rikthimi në çmime të larta ndodh pas disa viteve. Nga ana tjetër kemi rastin e Kinës kur një kompani investitore në pasuri të patundshme shkaktoi një krizë të rëndë në tregun e pasurive të patundshme, në sistemin financiar dhe në ritmet në rënie të rritjes ekonomike. Ajo rrezikonte të kthehej nga një krizë kineze në një krizë globale.
Çfarë realisht po ndodh me huamarrjen në vend dhe çfarë duhet të afrojnë bankat e nivelit të dytë. A rrezikohet ekonomia apo është thjesht një masë parandaluese?
Bankat e nivelit të dytë vazhdojnë të kreditojnë ekonominë shqiptare si nëpërmjet kredive për individët, privatët e së fundi edhe me kreditimin e projekteve të mëdha të infrastrukturës. Aktualisht sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë dhe vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, sistemi bankar shqiptar është likuid, stabël dhe me tregues të përmirësuar të risqeve potenciale. Mbikëqyrja është një proces i përditshëm. Para pak ditësh Banka e Shqipërisë njoftoi se bankat tregtare gjatë 6 mujorit të parë 2024, kaluan në humbje rreth 1,4 miliard lekë kredi pa shpresë kthimi, duke i fshirë nga bilancet e tyre. Kjo shumë është shumë e vogël krahasuar me totalin e kredisë që bankat kanë dhënë.
A kanë mjaftueshëm depozita bankat e nivelit të dytë për të mos krijuar një kolaps të mundshëm?
Patjetër që po, sepse nga totali i depozitave në lekë dhe monedhave të huaja, një pjesë e konsiderueshme e tyre përdoren për kreditimin e ekonomisë. Bankat tregtare paguajnë interesa për depozitat e shqiptarëve, prandaj ato në modelin e tyre te biznesit duhet të marrin të ardhura duke dhënë kredi nga të gjitha llojet e instrumentave, për të gjithë sektorët e ekonomisë dhe në të gjitha zonat e vendit. Si ndërmjetës financiarë, bankat tregtare duhet të lidhin kursimet e popullatës me investimet e suksesshme në ekonomi.
Edhe një pyetje të fundit, ky forcim i kushteve të kredidhënies ka lidhje me dobësimin e monedhës europiane?
Dobësimi i euros ka ardhur nga mbivlerësimi apo rivlerësimi drejt një raporti të ri këmbimi, midis lekut dhe euros. Efektet e dobësimit të euros janë komplekse dhe me efekte të dy anshme midis humbësve dhe fituesve. Humbësit, nga zhvlerësimi i ndjeshëm i euros në rreth 17 përqind janë eksportuesit dhe kryesisht industria fason, por edhe fermerët. Euro e dobët mund të ketë efekt edhe në turizëm. Një euro e dobët i bën më të lehta importet, lehtëson objektivin e Bankës së Shqipërisë për të mbajtur nën kontroll inflacionin deri në 3%, lehtëson pagesën e kredive por edhe shpenzimeve për shkollën e fëmijëve, shpenzimeve mjekësore etj., që kryhen në euro, kur këta i kanë të ardhurat në monedhë kombëtare.
Nga dobësimi i euros, dollarit dhe valutave të tjera përfiton kushdo që ka detyrime për të paguar në këto monedha dhe të ardhurat i kanë në leke. Këtu përfshihet edhe shteti, sepse vendi ynë ka një pjesë të konsiderueshme në monedha të huaja. Vetëm dobësimi i monedhave të huaja sipas Ministrisë së Financave ka ulur borxhin publik në rreth 15 përqind. (Voxnews.al)
Jane politikat e qellimshme te qeverise qe shpien ne kete rritje flagrante te pronave te paluajteshme. Po ajo(qeveria) dhe bashkia, me te gjitha menyrat nxitin rritjen e cmimeve te banesave per te shitur sa me shtrenjte ato qe ndertojne me parate e vjedhura e te pista qe vijne me "tayota yaris". Ka bleres te huaj, por jo aq shume sa ata vendas qe i blejne me parate e pista. (nje deklarate e nje opinionisti ne TV, thoshte se nje i ri ka blere ne Tirane 88 apartamente) Ne se eshte e vertete cfare tregon kjo? Politikanet dhe qeveritaret ndertojne pallate e kulla me para te vjedhura (5D) e te pista dhe prandaj na leshojne brockulla se me cdo fasade te suvatuar diku ne Tirane,....po i rritin vleren prones. Pra thirrje dhe justifikim per rritjen e cmimeve ne pafundesi. A ka njeri qe nuk i kupton keto lojra? Por njerzit po pranojne te heshtin dhe te ikin per shkak te pushtetit pakufi te oligarkeve dhe politiknneve sot!!! Pa le tu behet nje "veting" pasurive te patundeshme ne Tirane, ...po kush guxon ta beje????
Ti mos fol per keto ceshtje . te kane mbajtur socjalistet si ekspert te ekonomise por bashke me Nanon miratuat nje ligj ,7501 ,qe nuk le hapsira per ato qe thua .As kaubojsat e amerikes nuk i bene keto gabime ne 1780.Te gjitha dipllomat e politkanve, qe kane drejtuar vendin pas 1990, jane te qelbura per demokracine shqiptare.
Rritja e çmimeve të pasurisë së patundshme nê Shqipëri ka të bêjë me hyrjen në sasi tê mëdha të parasê sê zezê. Që nê vetvete nuk ështê gjê e keqe. Po ashtu shumë para hyjnë nga emigrantët dhe turistêt e huaj. Si rrjedhojë ka rritje çmimesh. Kjo po ndodh këto vite edhe nê Portugali. Pensionistê nga Gjermania, Anglia,Suedia, Austria etj blejnê vila nê Portugali për të kaluar vitet e pleqërisê; Kêrkesa rritet, ndêrsa oferta mbetet në vend. Si pasojë rritet çmimi. Kur të fillojnê tê ndêrtohen shtëpi më shumë se sa kêrkesa, çmimet do bien. Siç ngjau nê Spanjê para disa vitesh. Ligji i ofertês dhe kërkesês i balancon gjêrat automatikisht. Edhe në Shqipêri kur tê shihet se po rritet kêrkesa pêr pasuri imobiliere, ( të patundshme) çmimet do tê bien. Aq më shumë që kêto para qê kanë hyrê dhe hyjnê pêrditê, një ditê duhet tê investohen diku. Pra gjithçka do shkojê nê vendin e vet. Shteti në këtê moment deflacioni duhet të rrisë tê ardhurat e pensionistëve si dhe rrogên minimum. Ndryshe rritja e pagês sê administratës ështê njê gabim i rëndë ekonomik. Por qê bêhet pêr interes tê votave.
Arben Malaj në vitin 1997ishte nga ata socialist që heshtën në kohën e firmave piramidale, kjo për shkak të fitimeve personale të tij. Personalisht ky dhe të tjerë socialistë kanë përgjegjësi morale për atë tragjedi shqiptare. Pikërisht që në atë kohë Shqipëria u fut në një udhë pa krye. Sot këto janë bërë fytyra të pështira dhe populli i shikon me neveri. Ngjarjet e atij viti të mallkuar e groposën Shqipërinë dhe nisën kalvarin plot vuajtje për Shqipëtarët.Populli i ka mallkuar dhe zoti do të marr hak mbi to.
Cmimet riten sepse qeveria takson ne menyr te pa drejt ,duke perdorur regullin e rivleresimit pra takson diferencen ne cmim ,ketu perfiton ai qe eshte rezident ne shqiperi ,ai qe eshte rezident jashte dhe nuk ka patur mundesi te vi ne atdhe per te ber rivleresim nuk eshet dot sepse taksohet 3 here me shume ,taksimi ishitjes duhet te behet me % te vleres aktuale sipas tregut ne ate moment .