Ervin Mete:Vitin e ardhshëm parashikohet një rritje ekonomike prej 3.8% dhe 4%

27 Tetor 2023, 12:43Ekonomia TEMA
Ervin Mete:Vitin e ardhshëm parashikohet një rritje ekonomike prej

Ministri i Financave Ervin Mete,  u shpreh se për vitin e ardhshëm parashikohet një rritje ekonomike prej 3.8% dhe 4% për periudhën afatmesme.


Sipas ministrit, gjatë gjysmës së parë të vitit 2023, ‘rritja ekonomike ishte 3%, me përshpejtim nga tremujori i parë në të dytin, ku konsumi dhe investimet patën rritje përkatësisht me 4.2% dhe 9.2% krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2022’.

“Sa i përket perspektivës ekonomike, në skenarin tonë bazë për vitin e ardhshëm parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8%, ndërsa parashikojmë një rritje mesatare vjetore prej rreth 4% për periudhën afatmesme në vijim. Ne parashikojmë se një rritje e tillë në afatmesëm do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat, ashtu edhe nga investimet totale në ekonomi. Gjithashtu, parashikojmë se edhe kërkesa e huaj neto do të japë një kontribut pozitiv, kryesisht në sajë të pritshmërive të mira për shërbimet, veçanërisht turizmin”, tha ndër të tjera ministri.

Mete vlerësoi si pozitive performancën e të ardhurve, gjë që sipas tij ka sjellë një rishikim në rritje të projeksionit të të ardhurave në fund të vitit, e reflektuar kjo edhe në Aktin Normativ të miratuar javën e kaluar në Këshillin e Ministrave.

“Përmes këtij akti synohet mbështetja dhe optimizimi i projekteve me ecuri pozitive, në funksion të rritjes së mëtejshme ekonomike”, u shpreh ministri.

Lini një Përgjigje