Fatos Çoçoli: BSH dhe rritja me herë e pagesave elektronike

29 Tetor 2025, 09:00Ekonomia TEMA
Fatos Çoçoli: BSH dhe rritja me herë e pagesave elektronike

Nga Fatos Çoçoli

Në vetëm pesë vitet e fundit, numri i pagesave digjitale të qytetarëve tanë është rritur me 2.3 herë. Banka e Shqipërisë (BSH) ka qenë një nga aktorët kryesorë në nxitjen e transformimit dixhital të sistemit tonë financiar shqiptar.

Në përputhje me objektivat e modernizimit të tregut dhe rritjes së përfshirjes financiare, institucioni ka ndërmarrë një sërë nismash për të promovuar pagesat elektronike, duke e orientuar ekonominë drejt një modeli më transparent, më efiçient dhe më të sigurt të qarkullimit monetar. Tradicionalisht, ekonomia jonë është karakterizuar nga niveli i lartë i përdorimit të parasë në dorë. Kjo ka sjellë kosto të mëdha për sistemin financiar, mungesë transparence dhe rrezik më të lartë për evazion fiskal. Për ta përmbysur këtë realitet, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një strategji gjithëpërfshirëse, me veprime konkrete që synojnë pakësimin e përdorimit të parasë cash, nxitjen e përdorimit të kartave bankare, transfertave online dhe pagesave përmes celularit, si dhe zhvillimin e një infrastrukture kombëtare pagesash të sigurt dhe në dispozicion të çdo qytetari.

Një nga arritjet më të rëndësishme të BSH-së është modernizimi i infrastrukturës kombëtare të pagesave ndërbankare. Sistemet AIPS (Albanian Interbank Payment System) dhe AECH (Albanian Electronic Clearing House) janë përditësuar, për të përpunuar miliona transaksione në mënyrë të automatizuar dhe të sigurt. Vetëm në gjashtëmujorin janar-qershor 2025, shqiptarët kaluan përmes bankave 27.9 milionë transaksione me vlerë totale 3.5 miliardë euro, ose 24 për qind më shumë (një të katërtën transaksione. Kjo do të thotë se po u besojnë më shumë bankave në gjithçka financiare që bëjnë. Banka e Shqipërisë ka ndërtuar platforma të reja digjitale që u mundësojnë bankave tregtare dhe institucioneve të pagesave të operojnë me standardin ndërkombëtar ISO 20022.

Në vitin 2020 u miratua Strategjia Kombëtare për Zhvillimin e Pagesave me Vlerë të Vogël, në bashkëpunim me Bankën Botërore, për të lehtësuar pagesat ditore të qytetarëve dhe bizneseve. Prej vitit 2022, Banka e Shqipërisë po zbaton projektin “Instant Payments Albania (pagesat e menjëhershme Shqipëri)”, i cili mundëson transferta në kohë reale midis llogarive bankare, 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë. Falë këtyre reformave, pagesat elektronike në Shqipëri janë bërë më të shpejta, më të sigurta dhe më të leverdishme, duke hapur rrugën për integrimin me sistemin unik evropian të pagesave SEPA, që ndodhi realisht më 7 tetor 2025. Për këtë, Banka e Shqipërisë ka krijuar një kuadër të qartë ligjor që mbështet zhvillimin e tregut të pagesave elektronike.

Në vitin 2018, u miratua ligji “Për shërbimet e pagesave”, i cili përafron legjislacionin shqiptar me Direktivën Evropiane PSD2, duke hapur tregun për institucione pagesash dhe operatorë fintech. Banka nxori rregullore për licencimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve që ofrojnë shërbime pagesash elektronike. U përforcua kuadri i sigurisë kibernetike, për të mbrojtur të dhënat dhe transaksionet online të qytetarëve. Këto masa ligjore mundësuan diversifikimin e ofertës së tregut dhe përfshirjen e aktorëve të rinj, si aplikacione mobile, operatorë fintech dhe platforma të inovacionit financiar. Një aspekt thelbësor i strategjisë së Bankës së Shqipërisë është rritja e ndërgjegjësimit dhe edukimit financiar të publikut. Përmes programeve si “Java e Parasë” dhe forumeve me nxënës, studentë dhe biznese, institucioni promovon përdorimin e mjeteve elektronike të pagesës.

Fushatat publike “Paguaj online, kursen kohë dhe para” dhe “Mos e mbaj paranë në shtëpi” kanë synuar të ndryshojnë sjelljen e konsumatorëve ndaj bankingut dixhital. Banka e Shqipërisë ka publikuar udhëzues praktikë mbi përdorimin e kartave, transfertave bankare dhe aplikacioneve mobile, duke ndihmuar qytetarët të kuptojnë përfitimet e pagesave pa para fizike.

Kështu, pagesat elektronike janë shndërruar në një instrument të përfshirjes financiare, që u jep mundësi qytetarëve, edhe në zonat më të largëta, të mund të përdorin shërbime moderne bankare. Falë nismave të Bankës së Shqipërisë, treguesit e pagesave elektronike janë rritur ndjeshëm. Një pjesë gjithnjë e më e madhe e pagesave të taksave, faturave dhe shërbimeve publike kryhen nga qytetarët tashmë në mënyrë elektronike. Përdorimi i parasë “cash” në ekonomi është në rënie të qëndrueshme. Këto zhvillime kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e transparencës dhe formalizimin e ekonomisë, në përmirësimin e efiçiencës së tregut financiar dhe në uljen e kostove të transaksioneve për qytetarët dhe bizneset.

Lini një Përgjigje