Kriza bankare nuk ka mbaruar. Por sa keq mund të shkojnë gjërat?

5 Maj 2023, 20:30Ekonomia TEMA

Kriza bankare nuk ka mbaruar. Por sa keq mund të shkojnë gjërat?

Pasiguria vazhdon të godasë industrinë bankare, pavarësisht garancive të dhëna këtë javë nga entet rregullatore financiare apo bankierë të njohur, se më e keqja e krizës së fundit, ka përfunduar dhe se shëndeti i sistemit bankar mbetet i fortë.

Këtë javë, pas konfiskimit nga qeveria, banka ‘First Republic’ kaloi në pronësi të bankës 'JPMorgan'. Falimentimi i ‘First Republic’ ishte falimentimi i dytë më i madh në historinë e SHBA-ve dhe i tretë i një huadhënësi të mesëm, në dy muaj.

Ndërsa shumë menduan se shitja e bankës ‘First Republic’ do të ndalonte diskutimet se "cila bankë e ka radhën?", investitorët vazhdojnë të përqendrohen tek ata ‘lojtarë’ të mbetur, që konsiderohen më të dobëtit në sistem.

Shqetësimi më i madh është se falimentimet e bankave, mund të çojnë në ngritjen e dyshime për banka relativisht të shëndetshme, duke krijuar një ‘infektim financiar’, që mund të ndikojë më gjerë në ekonomi. Shmangia e këtij skenari ishte arsyeja që në vend, u vendosën kufizime më të forta ndaj bankave të mëdha, pas krizës financiare të 15 viteve më parë.

Aktualisht është e vështirë të injorosh ndjenjën e shqetësimit që lidhet me bankat. Megjithatë nuk ka nevojë për shqetësim, nëse paratë ndodhen në një bankë të siguruar nga Agjencia federale e Sigurimit të Depozitave dhe nëse keni në bankë më pak se 250,000 dollarë, që mbulon shumicën e llogarive.

Bankierët dhe rregullatorët janë përpjekur të sigurojnë investitorët se më e keqja e krizës ka kaluar, por pa sukses. Jamie Dimon bankier i 'JPMorgan' tha të hënën se ai besonte se "kjo pjesë" e krizës bankare kishte marrë fund. Kryetari i Rezervës Federale Jerome Powell, garantoi të mërkurën se sistemi financiar është i shëndetshëm.

Pas përpjekjeve të reja për shitje të enjten vëmendja u përqendrua tek ‘PacWest Bancorp’ dhe ‘Western Alliance Bancorp’, dy banka më të vogla rajonale, aksionet e të cilave kanë qenë nën trysni që pas falimentimit të bankës ‘Silicon Valley’, në mes të muajit mars, gjë që shkaktoi krizën aktuale. Vlera e bankës ‘PacWest’ ra 51% pasi pranoi se po mendonte të dilte në shitje.

‘PacWest’ ishte në shënjestër për shkak të një përqendrimi të lartë të depozitave të mëdha dhe të pasiguruara, nga firmat e kapitalit sipërmarrës ose të fondeve për startup-e, si dhe klientë të teknologjisë, të njëjtit lloj klientësh që nxitën falimentimin e 'Silicon Valley' dhe 'First Republic'. Analistët e bankës së investimeve 'UBS' vlerësojnë se rreth 23% e depozitave të bankës ‘PacWest’ vijnë nga firmat e kapitalit sipërmarrës dhe të teknologjisë.

Por edhe bankat 'Comerica' dhe 'KeyCorp' kanë rënë me më shumë se 20% këtë javë. Kjo mund të jetë një pasqyrim i shqetësimeve në rritje për sasi të mëdha kredish për pasuri të paluajtshme, veçanërisht në tregun e pronave për zyra, i cili vazhdon të vuajë efektet e pandemisë.

‘PacWest’, me qendër në Los Anxhelos dhe 'Western Alliance', në Fenikx, lëshuan nga një deklaratë secila brenda natës, duke thënë se nuk po përballeshin me ndonjë tërheqje të depozitave jashtë tërheqjes të zakonshme pas shitjes së bankës ‘First Republic’. Të dyja bankat u përballën me tërheqje të konsiderueshme pas falimentimit të bankës ‘Silicon Valley’. Por bankat thonë se depozitat janë rritur që nga 31 marsi.

‘Western Alliance’ lëshoi një deklaratë të veçantë të enjten në mëngjes duke mohuar një artikull të gazetës ‘The Financial Times’ ku thuhej se banka po konsideron mundësinë e shitjes. Aksionet e saj ranë 38%.

Investitorët druhen se fati i banksë ‘PacWest’ mund të jetë i njëjtë me atë të ‘First Republic’, e cila kaloi disa javë në kërkim të një blerësi, përpara se të falimentonte. ‘First Republic’ kishte gjithashtu për një klientelë të pasur, shumë prej të cilëve tërhoqën me shpejtësi depozitat kur ‘Silicon Valley’ dështoi.

Çështja themelore, veçanërisht në këto banka, është se përzierja e pronave dhe depozitave të tyre nuk është e qëndrueshme”, thotë Chris Caulfield, një konsulent i industrisë bankare që punon për ‘West Monroe’.

Si një tjetër sinjal për probleme të mundshme, një marrëveshje e madhe në sektorin bankar u anulua të enjten. ‘TD Bank Group’ dhe ‘First Horizon Corp.’ njoftuan se anuluan një bashkim të planifikuar, duke përmendur pengesat rregullatore. Banka ‘Toronto-Dominion’ njoftoi në shkurt se po blinte bankën rajonale ‘First Horizon’, falë një marrëveshjeje prej 13.4 miliardë dollarësh në para të thata.

Beteja e Rezervës Federale kundër inflacionit ka luajtur një rol kyç në problemet bankare që po përjeton vendi. Rezerva Federale rriti të mërkurën normën bazë të interesit me një çerek pike ose 0.25 per qind, në nivelin më të lartë në 16 vjet, rritja e dhjetë radhazi e normës së interesit.

Rritjet e shpeshta të normës së interesit gjatë vitit të kaluar kanë filluar të ngadalësojnë ekonominë dhe një numër ekonomistësh presin një rënie ekonomike në fund të vitit 2023 ose në fillim të vitit 2024.

Lini një Përgjigje