Tregu i sigurimeve rritet me 20% në tre muajt e parë – 50 milionë dollarë arkëtime, numri i kontratave rritet 15.2%

4 Maj 2023, 20:09Ekonomia TEMA

Tregu i sigurimeve rritet me 20% në tre muajt e parë – 50

Tregu i sigurimeve ka përjetuar një rritje të fortë gjatë vitit 2023 si sa i përket volumit të arkëtimeve, ashtu edhe numrit të kontratave të nënshkruar. Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për muajin janar-mars 2023 kapën vlerën 5,1 miliardë lekë, rreth 50 milionë dollarë, ose 20.12% më shumë se në janar-mars 2022. Gjatë muajit janar-mars 2023, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 285,282, po ashtu  me një rritje prej 15.23% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Segmenti i sigurimit të automjeteve është edhe ai që ka peshëm më të madhe në këtë rritje. Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë muajit janar-mars 2023 arritën rreth 2,7 miliardë lekë, ose 9.83% më shumë se në muajin  janar-mars 2022.

Produkti MTPL e brendshme, në muajin  janar-mars 2023, pati një rritje prej 9.38% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 10.49% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.88% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, sigurimet e Jetës kanë 8.09% dhe risigurimi  0.028%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 46.58% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 53.42% të totalit të tregut. Gjatë muajit janar-mars 2023, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 1,6 miliardë lekë, ose 10.10% më shumë se në muajin  janar-mars 2022.(Lorenc Rabeta)

 

Lini një Përgjigje