Rënia e euros shqetëson turizmin

5 Korrik 2023, 21:00Ekonomia TEMA

Rënia e euros shqetëson turizmin

Rënia e kursit të këmbimit të valutave kryesore krahasuar me lekun janë kthyer në një shqetësim jo vetëm për qytetarët që disponojnë valutë, por më së shumti për bizneset, ndërsa sezoni turistik po njeh ngjitje.

Sipas Bankës së Shqipërisë, valuta europiane këmbehej sot për 104.55 lekë, duke humbur 0.3 pikë ndaj monedhës tonë kombëtare dhe duke vendosur një tjetër rekord të ri. Por në Durrës 1 euro këmbehej me 103.9 lekë, ndërsa 1 dollar amerikan 95.2 lekë.

Burime nga agjencitë e këmbimit valutor bëjnë të ditur se tre janë arsyet kryesore të rënies së vazhdueshme të valutës: hyrja në tregun e blerjes së pronave të patundshme të blerësve nga Rusia dhe Ukraina, ardhja e shumë turistëve të huaj për pushime si dhe futja në qarkullim e sasive të mëdha në euro dhe dollar nga bankat e nvelit të dytë.

Përfaqësues të biznesit në sektorin e hoteleri-turizmit shprehen se humbjet janë të konsiderueshme, duke qenë se ata i kanë mbyllur kontratat që një vit më parë më agjencitë turistike dhe çmimi nuk mund të lëvizë në këtë periudhë të vitit.

Nuk dihet se cila do të jetë tendenca në ditët në vazhdim, por ajo që flitet me garanci nga përfaqësues të këmbimit valutor është se të paktën për muajt korrik dhe gusht do të jetë e vështirë një rritje e vlerësimit të euros dhe dollarit në krahasim me lekun.

Rënia e kursit te euros në tregun valutor bëhet me shqetësuese në zonat turistike ku sipërmarrjet private janë të detyruara të kryejnë blerje e shërbime nga turistë e huaj me euro, ndërkohë që likuidimet, interesat bankare, tatime dhe përgjithësisht shpenzimet i kryejnë me lekë.

Në Sarandë, qytetin më të madh turistik në jug të vendit, humbjet nga kjo situate e pazakonte e uljes së vlerës së euros në raport me lekun për subjektet që veprojnë në fushën e turizmit janë të konsiderueshme.

Lini një Përgjigje