Sa rrezikohemi nga rritja e çmimit të grurit?

7 Korrik 2023, 22:25Ekonomia TEMA

Sa rrezikohemi nga rritja e çmimit të grurit?

Pas një stabiliteti prej disa muajsh, çmimi i grurit duket se ka hyrë në një trend të ri rritjeje. Bursat ndërkombëtare kanë nisur të ndryshojnë në rritje çmimin për këtë produkt, pasi Moska bëri me dije se nuk ka ndërmend që të zgjasë marrëveshjen që lejon eksportin e grurit të Ukrainës nga portet në Detin e Zi. Marrëveshja që lejon transportin e grurit skadon me 17 korrik , ndërkohë që Ukraina është një nga eksportuesit e rëndësishëm të grurit në botë.

Por a do të reflektohet ky trend të tregun vendas? Pyetur nga SCAN TV, përfaqësues të Shoqatës së Prodhuesve të Miellit, shprehen se edhe nëse marrëveshja nuk rinovohet, efektet për konsumatorët shqiptarë nuk do të jenë të menjëhershme për disa arsye. Së pari kompanitë vendase kanë rezerva deri në 3 muaj, çka do të thotë se çmimet për një periudhë të caktuar do të jenë stabël. Së dyti ka nisur korrja e prodhimit vendas, i cili u subvencionua nga Ministria e Bujqësisë përgjatë vitit që lamë pas.

Megjithatë në këtë pikë kompanitë shprehen se ka probleme, pasi gruri nuk është cilësor për shkak të shirave të shumta të sezonit, dhe e dyta çmimi që kërkojnë fermerët në raport me çmimin në bursa është i lartë, çka i bën grumbulluesit të pa interesuar për të blerë prodhim vendas. Aktualisht fermerët po shesin me 28 lekë/ kg, ndërkohë që konkurrohen ndjeshëm nga Serbia e cila e ofron këtë produkt më lirë.

Por për fermerët kostot e prodhimit janë të larta dhe nuk arrijnë që ti mbulojnë ato apo të kenë fitim.  Sipas operatorëve, nëse çmimet në tregjet ndërkombëtare do të rriten, edhe prodhimi vendas do shitet më shtrenjtë, ndërkohë që rekomandohet një politikë tjetër subvencionuese për fermerët në mënyrë që të mbulojë diferencën në çmim. Kompanitë shprehen se situata do të jetë me e qartë në shtator, pasi të shikohet bilanci botëror i korrjeve dhe çmimet në bursë.  Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2022 çmimi i drithërave u rrit me 37%.

1 Komente

  1. B
    Bujar Kanapari

    Rreziku vjen nga ulja e cmimit te grurit dhe jo rritja e tij. Rendimenti mesatar i grurit eshte 35 - 40 kv/Ha, rendimentet 50 apo 60 kv/ Ha jane te sforcuara. Qeveria ben sikur mbeshtet financiarisht prodhuesit e grurit, nderkohe ul cmimin e blerjes deri ne nivele poshteruese. 28 leke /kg nuk mbulohen kostot. Cmimi i grurit duhet te jete 45 - 50 leke /kg me qellim: Te mos jemi shume te varur nga importi grurit. Te rritet siperfaqja e tokes se punuar dhe interesi per kulturen e grurit dhe drithrave ne pergjithesi. Nuk mbjelle njeri grure vullnetar sa per te ndrruar leket. Nuk vjen e keqja se rritet cmimi i bukes. Te kursejne leket e duhanit dhe kafeve.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje