
Nga Yanis Varoufakis, Project Syndicate
Duket se dy sisteme monetare paralele po lindin: një i bazuar në para publike të emetuara në Kinë, Indi dhe ndoshta në eurozonë, dhe një tjetër i përbërë nga monedha private, i dominuar gjithnjë e më tepër nga monedha digjitale vlera e të cilave mbështetet tek dollari. Dhe bankierët e bankave qëndrore nuk janë të vetmit që duhet të ndjehen në ankth.
ATHINË – Takimet e pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore janë ngjarje përgjithësisht të qeta, që kalojnë pa shumë vëmendje. Jo sivjet. Bankierët e disa prej bankave qendrore janë kthyer tashmë në vendet e tyre me një ndjesi të fortë ankthi. Arsyeja? Ligji i ri amerikan i quajtur GENIUS – një projektligj për stablecoin-et që po avancon me shpejtësi drejt miratimit nga Kongresi amerikan, menjëherë pas urdhrit ekzekutiv të Presidentit Donald Trump më 6 mars, i cili synon të krijojë një rezervë strategjike të kriptomonedhave.
Deri më sot, bankierët e bankave qendrore e kanë parë botën e kriptove si një kokëçarje të vogël, pa ndonjë ndikim serioz në sistemet monetare që administrojnë. Por, tani dyshojnë se ekipi i Trump po e mbështet pjesërisht strategjinë e vet për rikonfigurimin e sistemit monetary botëror (dhe njëkohësisht për pasurimin vetjak dhe të familjes së tij), tek garantimi i vlerës së kriptove përmes dollarit amerikan.
Ajoçfarë i shqetësoi bankierët këtë pranverë ishte pasoja politike e kësaj lëvizjeje: shkatërrimi i qëllimshëm dhe kaotik i rendit monetar të shekullit XX, në të cilin bankat qendrore sundonin në mënyrë të padiskutueshme si krijueset dhe garantueset e parasë. Ndërsa ligji GENIUS lejon krijimin e stablecoin-eve private, një tjetër projektligj synon të ndalojë emetimin e një monedhe digjitale publike nga Rezerva Federale e ShBA. Kështu, roli i “mbrojtësit të dollarit” do t’i kalojë kompanive private.
Kjo nuk është risi, por një grusht shteti ndaj parasë. Stablecoin-et nuk janë as të qëndrueshme dhe as thjesht alternativa të pagesës me dollarë. Ato janë një “kalë Troje” drejt privatizimit e parasë.
Banka Qendrore Evropiane (BQE) e kupton rrezikun. Nëse titujt financiarë si obligacionet, aksionet dhe derivativët kalojnë në teknologjinë blockchain, atëherë edhe transaksionet duhet të kryhen përmes kësaj teknologjie. Zgjidhja e BQE-së është euroja e tokenizuar – një monedhë digjitale publike që garanton se paratë publike do të mbeten baza e sistemit financiar. Por bankat private në Gjermani dhe Francë po e kundërshtojnë këtë plan. Ndërkaq, BQE po përballet me një problem edhe më të madh: ShBA po ecën në drejtimin e kundërt. Duke ndaluar monedhat digjitale publike dhe duke i hapur rrugën stablecoin-eve private, ekipi i Trump jo vetëm po braktis idenë e parasë publike digjitale, por po ia dorëzon fuqinë monetare teknologjisë së madhe private (Big Tech).
Kjo është një ironi groteske: të njëjtët libertarianë që luftojnë për kufizimin e rolit të shtetit, tani po luten që shteti të njohë stablecoin-et e tyre si para zyrtare. Më keq akoma, kërkojnë akses në rezervat e Bankave Qendrore, që të mund ta mbështesin vlerën e monedhave të tyre digjitale përmes rezervave të Bankës Qendrore. Imagjinoni një botë ku “Tether”, “Circle”, apo një monedhë digjitale “X” e sponsorizuar nga Elon Musk, gëzon mbështetjen e heshtur të Departamentit Ameriak të Thesarit, ndërkohë që nuk i nënshtrohet asnjë rregullimi bankar. Kjo nuk është thjesht shmangie rregullash, por një formë e re feudalizmi monetar.
Le të mos harrojmë se Amerika e shekullit të XIX-të ishte një distopi monetare. Me mijëra banka private në zona të izoluara lëshonin kartëmonedhat e tyre, ndërsa paniku financiar e la publikun, veçanërisht shtresën punëtore, me letra pa vlerë në duart e tyre. Madje edhe J.P. Morgan u trondit aq shumë sa detyroi shtetin dhe bankierët e tjerë të krijonin Rezervën Federale si një institucion publik për të stabilizuar sistemin monetar.
Tani, SHBA po ecën me shpejtësi prapa, duke tërhequr edhe pjesën tjetër të botës me vete. Në një zmbrapsje të plotë të realitetit, urdhri ekzekutiv i Trump i datës 23 janar e përkufizon stablecoin-in e mbështetur në dollar si një instrument që “promovon dhe mbron sovranitetin e dollarit amerikan.” Por ligji GENIUS, drafti përfundimtar i të cilit nuk është bërë ende publik, është recetë për çlirimin e një “epoke të egër” digjitale, ku stablecoin-et, të mbështetura te dollari por të kontrolluara nga kompani private, do të përmbytin ekonominë globale me “dollarë” dixhitalë të rremë. Këto monedha private nuk do jenë të afta të ruajnë lidhjen me dollarin sa herë që marrin vulën zyrtare dhe rriten në vëllim. Edhe nëse shtetet heqin dorë nga dollari fizik, ato do të mbeten nën hijen e tij digjitale.
Evropa po përpiqet të reagojë. BQE po përshpejton krijimin me shumicë të një monedhe digjitale qendrore – një euro digjitale për përdorim institucional që synon të ndërthurë pagesat tradicionale me infrastrukturën blockchain, duke fituar kohë përpara se të realizohet kalimi i plotë. Por mund të jetë tepër vonë. Ndërsa Evropa vijon me debate komisionesh të pavendosura, SHBA është në veprim. Rregullorja MiCA (Markets in Crypto-Assets) tashmë ka larguar “Tethe”r nga tregu evropian – jo sepse është strikte, por sepse udhëheqësit politikë të BE-së nuk e kuptojnë ende peshën e situatës. Nëse stablecoin-et kthehen në monedhën kryesore në tregjet e kriptove, financat e decentralizuara dhe ekonomitë në zhvillim, atëherë euroja digjitale e BQE-së do të mbërrijë shumë vonë në një fushëbetejë ku lufta është humbur prej kohësh.
Ndërkohë, vendet në zhvillim përballen me një zgjedhje brutale: ose të ndalojnë stablecoin-et (dhe për rrjedhojë të humbasin aksesin në kapitalin e kriptove), ose të krijojnë stablecoin-e të tyret për të konkurruar efektin rrjetë të dollarit. Një alternativë e tretë dhe jo fort tërheqëse, është që të dorëzohen përballë një forme të re, edhe më të rrezikshme, të dollarizimit të heshtur.
E vetmja bakë qëndrore që ka përgatitur prej kohësh një plan të vetin është Banka Popullore e Kinës (BPK). Me luksin e të paturit të një monedhe digjitale funksionale, BPK mund t’ia dalë të refuzojë legjitimimin e stablecoin-eve duke i ndaluar ato plotësisht.
Por, edhe kjo rezistencë e ndjeshme lë të hapur një dilemë të madhe: institucionet publike dhe private kineze zotërojnë rreth 4.5 trilionë dollarë në rezerva. T’i shesin këto dollarë, duke ndihmuar pa dashje planin e Trump për ta zhvlerësuar dollarin? Apo t’i mbajnë dhe të mbeten të ekspozuar ndaj trazirave, të cilat ai është mjaft i aftë t’i shkaktojë?
Nga një pikëpamje më afatgjatë, rreziku i vërtetë është se ndarja e sistemit monetar global në dy kampe do të përkeqësojë pasiguritë gjeopolitike dhe ekonomike. Dy sisteme monetare paralele, ku një është i bazuar në para publike (Kina, India, ndoshta eurozone) dhe një tjetër i përbërë nga monedha private, me stablecoin-e të mbështetura te dollari, do të çonin drejt një përplasjeje të pashmangshme. Bankierët e bankave qendrore nuk janë të vetmit që duhet të shqetësohen
Lini një Përgjigje