Ferrari theu një rekord të ri

3 Shkurt 2023, 17:45Hi-Tech TEMA

Ferrari theu një rekord të ri

Marka luksoze e veturave, Ferrari, vendosi një rekord të ri shitjesh në vitin 2022, duke dorëzuar 13.221 vetura në mbarë botën, krahasuar me 11.155 më 2021.

Fitimi neto gjithashtu arriti një nivel të ri prej 939 milionë eurosh, ndërsa në vitin 2021 shifra ishte 833 milionë euro.

Rajonet e Evropës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës (EMEA) ishin tregjet më të mëdha për Ferrarin në vitin 2022 me dërgesa prej 5.958 automjetesh, krahasuar me 5.492 njësi më 2021. Shitjet në SHBA arritën në 3.447 vetura, nga 2.831 më 2021. Blerësit në Kinën kontinentale, Hong Kong dhe Tajvan blenë 1.552 vetura, krahasuar me 899 në periudhën e mëparshme. Pjesa tjetër e tregut të Azisë Paqësorit (APAC) përbënte 2.264 shitje, nga 1.933 më 2021.

Të ardhurat totale të Ferrarit në vitin 2022 ishin 5.095 miliardë euro, që është 19 për qind më shumë se në vitin 2021. Shitjet e automjeteve dhe pjesëve të këmbimit sollën 4.3 miliardë euro, që është një rritje prej 22 për qind. Kontratat e markës dhe sponsorizimit përbënin pjesën e dytë më të madhe të biznesit me 479 milionë euro.

Ferrari vlerëson se viti 2023 mund të jetë edhe më i mirë se viti i kaluar. Të ardhurat neto pritet të jenë rreth 5.7 miliardë euro.

 

Lini një Përgjigje

Blog Tema