Gjermania, “luftë” kompanive kineze të telekomunikacionit

8 Mars 2023, 11:38Hi-Tech TEMA

Gjermania, “luftë” kompanive kineze të telekomunikacionit

Gjermania planifikon të ndalojë operatorët e telekomunikacionit të përdorin komponentë të caktuar të prodhuar nga kompanitë kineze Huawei dhe ZTE në rrjetet 5G, në një lëvizje potencialisht të rëndësishme për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë kombëtare.

Sipas raportimeve të mediave gjermane ky ndalim mund të përfshijë komponentë të integruar tashmë në rrjete, duke kërkuar që operatorët t’i heqin dhe zëvendësojnë ato.

Një zëdhënës i ministrisë së brendshme konfirmoi se qeveria gjermane, e cila është në mes të një rivlerësimi më të gjerë të marrëdhënieve të saj me partnerin kryesor tregtar Kinën, po kryen një rishikim të përgjithshëm të furnizuesve të teknologjisë së telekomunikacionit.

Megjithatë, asnjë operator nuk ishte ndaluar të përdorte disa komponentë nga kompanitë kineze në rrjetet e tyre 5G. Ndryshimi kryesor është se këto kontrolle të rrepta për rreziqet e mundshme të sigurisë tani zbatohen edhe për komponentët ekzistues në rrjetet e telekomunikacionit. Gjithashtu bëhet e ditur se operatorët nuk do të kompensohen për pjesët që duhet të hiqen nga rrjeti dhe të zëvendësohen.

Një dokument i ministrisë së brendshme mbi këtë rishikim, analizuar nga agjencia e lajmeve Reuters, bën të qartë se një furnizues specifik mund të ndalohet të ofrojë komponentë kritikë nëse konsiderohet se kontrollohet drejtpërdrejt ose tërthorazi nga qeveria e një shteti tjetër.

Kur u pyet gjatë një konference të veçantë për shtyp nëse Gjermania do të konsideronte shtrirjen e ndalimit të komponentëve kinezë në teknologji të tjera, kancelari Olaf Scholz tha se nuk kishte asnjë përgjigje ‘të përgjithëshme’. Ai theksoi se e gjithë kjo ka të bëjë me zbatimin e legjislacionit ekzistues. Sipas tij përgjegjësitë institucionale janë gjithashtu në vend, të gjithë po bëjnë punën e tyre dhe nuk ka asgjë tjetër për të raportuar.

Kritikët e Huawei dhe ZTE thonë se lidhjet e tyre të ngushta me shërbimet e sigurisë së Pekinit nënkuptojnë se futja e tyre në rrjetet e kudogjendura celulare të së ardhmes mund t’u japë spiunëve kinezë dhe madje edhe sabotatorëve, akses në infrastrukturën thelbësore të vendit.

Huawei, ZTE dhe qeveria e Kinës hedhin poshtë këto pretendime, duke thënë se ata janë të motivuar nga një dëshirë proteksioniste për të mbështetur rivalët jo-kinezë.

Të pyetur për ndalimin e mundshëm, dy nga operatorët kryesorë të telekomunikacionit të Gjermanisë, Deutsche Telekom dhe Vodafone Germany, thanë se ishin plotësisht në përputhje me rregulloret aktuale, por nuk komentuan deklaratat politike.

Lini një Përgjigje